Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 23

Lajmi i mirë përhapet

Lajmi i mirë përhapet

Pavli bën udhëtime predikimi me rrugë tokësore dhe detare

PAS kthimit në besim, Pavli e shpalli me zell lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Vetëm se tani, kundërshtari i dikurshëm hasi shpesh kundërshtim të ashpër. Ky apostull i palodhur bëri disa udhëtime predikimi, duke përshkuar distanca të mëdha që të përhapte lajmin e mirë për Mbretërinë që do të përmbushë qëllimin fillestar të Perëndisë për njerëzimin.

Në Listër, gjatë udhëtimit të parë të predikimit, Pavli shëroi një burrë të çalë që nga lindja. Turmat nisën të thërritnin e t’i quanin perëndi Pavlin dhe Barnabën, shokun e tij të udhëtimit. Dy burrat mezi i frenuan turmat që të mos u bënin flijime. Më vonë, të ndikuar nga armiqtë e Pavlit, po ato turma e qëlluan me gurë dhe e braktisën duke kujtuar se kishte vdekur. Pavli mbijetoi nga ai sulm dhe më pas u kthye në të njëjtin qytet për t’i forcuar dishepujt me fjalë inkurajuese.

Disa të krishterë judenj debatonin se besimtarët johebrenj duhej t’u përmbaheshin ca rregullave nga Ligji i Moisiut. Pavli ua parashtroi çështjen apostujve dhe pleqve në Jerusalem. Pasi i shqyrtuan me kujdes Shkrimet dhe me udhëheqjen e frymës së shenjtë të Perëndisë, ata burra u shkruan kongregacioneve dhe i këshilluan të rrinin larg nga idhujtaria, nga ngrënia e gjakut dhe e mishit që s’i ishte hequr gjaku, e nga imoraliteti. Këto urdhërime ishin ‘gjëra të nevojshme’, por zbatimi i tyre nuk kërkonte të mbaje Ligjin e Moisiut.—Veprat 15:28, 29.

Në udhëtimin e dytë të predikimit, Pavli vizitoi Berenë, në Greqinë e sotme. Judenjtë që jetonin atje, e pranuan me etje fjalën, duke i shqyrtuar Shkrimet çdo ditë për të vërtetuar mësimet e tij. Përsëri kundërshtimi e detyroi të largohej, kësaj here për në Athinë. Para një grupi athinasish të arsimuar, Pavli mbajti një fjalim të fuqishëm që është një model për taktin, aftësinë dalluese dhe gojëtarinë.

Pas udhëtimit të tretë të predikimit, Pavli shkoi në Jerusalem. Ndërsa vizitonte tempullin atje, disa judenj shkaktuan trazirë pasi donin ta vritnin. Ushtarët romakë ndërhynë dhe e morën në pyetje Pavlin. Më vonë, si qytetar romak, ai e mbrojti çështjen e tij para guvernatorit romak Feliks. Judenjtë nuk mund të provonin asnjë nga akuzat që ngritën kundër Pavlit. Pas Feliksit erdhi në post Festi, një tjetër guvernator romak. Që ai të mos e dorëzonte te judenjtë, Pavli i tha: «Unë i apelohem Cezarit!» Festi ia ktheu: «Te Cezari do të shkosh!»—Veprat 25:11, 12.

Atëherë Pavlin e çuan me anije në Itali, që të dilte para perandorit. Në atë udhëtim iu fundos anija, kështu që e kaloi dimrin në ishullin e Maltës. Kur më në fund mbërriti në Romë, ndenji dy vjet në një shtëpi që e mori me qira. Ndonëse e ruante një ushtar, apostulli tejet i zellshëm vazhdoi t’u predikonte për Mbretërinë e Perëndisë të gjithë atyre që i shkonin për vizitë.

—Bazuar te Veprat 11:22–28:31.