Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 8

Populli i Izraelit hyn në Kanaan

Populli i Izraelit hyn në Kanaan

Josiu udhëheq Izraelin për pushtimin e Kanaanit. Jehovai u jep fuqi gjykatësve ta çlirojnë popullin e tij nga shtypja

SHEKUJ para se izraelitët të hynin në Kanaan, Jehovai ua kishte premtuar atë vend pasardhësve të Abrahamit. Tani, nën drejtimin e Josiut, izraelitët ishin gati të merrnin në zotërim Tokën e Premtuar.

Perëndia kishte vendosur se kananitët meritonin shkatërrimin. Ata e kishin mbushur vendin me praktika seksuale tejet të degraduara, si dhe me gjakderdhje të pafre. Prandaj, izraelitët duhej t’i shkatërronin krejt qytetet kananite që do të pushtonin.

Por, përpara se të hynin në vend, Josiu dërgoi dy zbulues, të cilët ndenjën në qytetin e Jerikosë te një grua që quhej Rahaba. Ajo i pranoi në shtëpi zbuluesit dhe i mbrojti, ndonëse e dinte se ishin izraelitë. Rahaba kishte besim te Perëndia i izraelitëve, sepse kishte dëgjuar si e kishte shpëtuar herë pas here Jehovai popullin e tij. U kërkoi zbuluesve të betoheshin se do ta shpëtonin atë dhe familjen e saj.

Më vonë, kur izraelitët hynë në Kanaan dhe dolën kundër Jerikosë, me një mrekulli Jehovai bëri që muret e qytetit të shembeshin. Trupat e Josiut mësynë dhe e shkatërruan qytetin, por ruajtën gjallë Rahabën dhe familjen e saj. Më pas, në një fushatë të shpejtë gjashtëvjeçare, Josiu pushtoi zona të mëdha të Tokës së Premtuar. Pas kësaj, toka iu nda fiseve të Izraelit.

Aty nga fundi i shërbimit të tij të gjatë ndaj Jehovait, Josiu mblodhi popullin. Rishikoi bashkë me ta mënyrën si kishte vepruar Jehovai me paraardhësit e tyre dhe u bëri thirrje t’i shërbenin Jehovait. Por, pas vdekjes së Josiut e të pleqve që kishin shërbyer me të, izraelitët e braktisën Jehovain dhe nisën t’u shërbenin perëndive të rreme. Për rreth 300 vjet, kombi nuk iu bind ligjeve të Jehovait në mënyrë të vazhdueshme. Gjatë asaj kohe, Jehovai lejoi që armiqtë e Izraelit, siç ishin filistinët, t’i shtypnin. Mirëpo, kur izraelitët i thërritnin për ndihmë, ai ngrinte gjykatës për t’i shpëtuar, gjithsej 12 të tillë.

Periudha e gjykatësve, e dokumentuar në librin e Gjykatësve, nisi me Otnielin dhe përfundoi me Samsonin, njeriun më të fortë që ka jetuar ndonjëherë. E vërteta themelore që shpaloset herë pas here në tregimin emocionues të librit biblik të Gjykatësve, është kjo: bindja ndaj Jehovait sjell bekime, mosbindja sjell gjëmë.

—Bazuar te Josiu; Gjykatësit; Levitiku 18:24, 25.