PJESA 22
Apostujt predikojnë pa frikë
Kongregacioni i krishterë rritet me të shpejtë, pavarësisht nga përndjekja
DHJETË ditë pasi Jezui u ngjit në qiell, rreth 120 dishepuj të tij u mblodhën në një shtëpi në Jerusalem, gjatë festës judaike të Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Papritur, shtëpinë ku ishin mbledhur e mbushi një zhurmë si ajo e një ere të furishme. Me anë të një mrekullie, dishepujt nisën të flitnin në gjuhë që s’i dinin. Si shpjegoheshin këto ngjarje të çuditshme? Perëndia u kishte dhënë dishepujve frymën e shenjtë.
Jashtë ishte një turmë vizitorësh që kishin ardhur nga shumë vende për festën. Ata u mahnitën kur dëgjuan që dishepujt e Jezuit flitnin rrjedhshëm në gjuhët e tyre. Duke shpjeguar ç’kishte ndodhur, Pjetri iu referua profecisë së profetit Joel se Perëndia ‘do të derdhte’ frymën e tij që do t’u jepte dhurata të mrekullueshme atyre që e merrnin. (Joeli 2:28, 29) Kjo dëshmi e fuqishme e frymës së shenjtë tregoi qartë se kishte ndodhur një ndryshim i rëndësishëm: Perëndia nuk miratonte më Izraelin, por kongregacionin e krishterë të sapoformuar. Ata që donin t’i shërbenin Perëndisë në mënyrë të pranueshme, tani duhej të bëheshin dishepuj të Krishtit.
Ndërkohë, kundërshtimi u shtua dhe armiqtë i hodhën në burg dishepujt. Por gjatë natës, engjëlli i Jehovait hapi dyert e burgut dhe u tha dishepujve të vazhdonin të predikonin. Sapo agoi, ata bënë pikërisht ashtu. Hynë në tempull dhe nisën të predikonin lajmin e mirë për Jezuin. Kundërshtarët fetarë u tërbuan dhe i urdhëruan të mos predikonin më. Pa frikë, apostujt u përgjigjën: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.»—Veprat 5:28, 29.
Përndjekja u intensifikua. Disa judenj akuzuan për blasfemi dishepullin Stefan dhe e vranë me gurë. Një i ri, Sauli nga Tarsi, e pa vrasjen dhe e miratoi. Më pas shkoi në Damask që të arrestonte të gjithë dishepujt e Krishtit. Ndërsa Sauli ishte rrugës, rreth tij vetëtiu një dritë nga qielli dhe një zë i tha: «Saul, Saul, pse po më përndjek?» I verbuar nga drita, Sauli pyeti: «Kush je ti?» Zëri iu përgjigj: «Jam Jezui.»—Veprat 9:3-5.
Tri ditë më vonë, Jezui dërgoi një dishepull me emrin Anania që t’i kthente shikimin Saulit. Sauli u pagëzua dhe nisi të predikonte me guxim për Jezuin. Ai u njoh si apostulli Pavël dhe u bë një pjesëtar i zellshëm i kongregacionit të krishterë.
Deri atëherë dishepujt e Jezuit ua kishin shpallur lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë vetëm judenjve dhe samaritanëve. Tani një engjëll iu shfaq Kornelit, një oficeri romak që i frikësohej Perëndisë, dhe i tha të dërgonte njerëz të thërritnin apostullin Pjetër. I shoqëruar nga disa të tjerë, Pjetri i predikoi Kornelit dhe familjes së tij. Ndërsa Pjetri fliste, fryma e shenjtë u derdh mbi ata besimtarë johebrenj dhe apostulli i udhëzoi të pagëzoheshin në emër të Jezuit. Tani udha drejt jetës së përhershme u ishte hapur edhe njerëzve të të gjitha kombeve. Kongregacioni ishte gati ta përhapte anekënd lajmin e mirë.
—Bazuar te Veprat 1:1–11:21.