Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 45

Çfarë është mbretëria e Perëndisë? Si të tregojmë se e duam atë?

Çfarë është mbretëria e Perëndisë? Si të tregojmë se e duam atë?

A E DI lutjen që u mësoi Jezui dishepujve të tij? . . . Nëse jo, mund ta lexojmë bashkë në Bibël, te Mateu 6:9-13. Lutja, të cilën shumë e quajnë lutja ‘Ati ynë’, përfshin edhe fjalët: «Ardhtë mbretëria jote.» A e di çfarë është Mbretëria e Perëndisë? . . .

Ja, të ta shpjegoj, mbreti është sundimtari i një vendi. Qeveria e tij quhet mbretëri. Në disa vende udhëheqësi i qeverisë quhet president. Si quhet Sundimtari i qeverisë së Perëndisë? . . . Quhet Mbret. Ja përse qeveria e Perëndisë quhet Mbretëri.

Cilin zgjodhi Perëndia Jehova që të ishte Mbreti i qeverisë së Tij, a e di? . . . Zgjodhi Birin e tij, Jezu Krishtin. Pse Jezui është më i mirë se çdo sundimtar që mund të zgjedhin njerëzit? . . . Sepse Jezui e do vërtet Atin e tij, Jehovain. Prandaj, bën gjithnjë atë që është e drejtë.

Shumë kohë përpara se Jezui të lindte në Betlehem, Bibla kishte folur për lindjen e tij. Ajo kishte thënë se ai do të bëhej Sundimtari i zgjedhur nga Perëndia. Le të lexojmë për këtë tek Isaia 9:6, 7, sipas përkthimit Dom Simon Filipaj. Aty thuhet: «Na lindi një foshnjë, fituam një djalë. Në krahun e tij u vu shenja e mbretërisë. Për emër do të quhet: . . . Princ i Paqes. E madhe do të jetë mbretëria e tij dhe paqja s’do të ketë mbarim.»—Kursivi është yni.

Pse Sundimtari i Mbretërisë së Perëndisë këtu quhet «Princ», a e di? . . . Po ja, princi është i biri i mbretit. Jezui është Biri i Mbretit të Madh, Jehovait. Por Jehovai e ka bërë Jezuin edhe Mbret të qeverisë së Tij, e cila do të sundojë mbi tokën për njëmijë vjet. (Zbulesa 20:6) Pasi u pagëzua, Jezui filloi «të predikonte e të thoshte: ‘Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afruar.’»Mateu 4:17.

Si mendon ti, pse Jezui tha që Mbretëria ishte afruar? . . . Sepse Mbreti, i cili më vonë do të sundonte në qiell, ishte pikërisht aty me ta! Ja përse Jezui u tha njerëzve: «Mbretëria e Perëndisë është në mes tuaj.» (Luka 17:21) A nuk do të të pëlqente që Mbretin e caktuar nga Jehovai ta kishe kaq afër, sa të mund ta prekje? . . .

Po mirë, më thuaj pak, për cilën vepër të rëndësishme erdhi Jezui në tokë? . . . Jezui iu përgjigj kësaj pyetjeje me fjalët: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë edhe qyteteve të tjera, sepse për këtë u dërgova.» (Luka 4:43) Jezui e dinte se nuk e bënte dot i vetëm të gjithë predikimin. Atëherë, çfarë mendon se bëri? . . .

Për cilën vepër erdhi Jezui në tokë?

Jezui mori me vete edhe njerëz të tjerë e u tregoi si ta bënin veprën e predikimit. Të parët që stërviti ishin 12 burrat që i zgjodhi si apostuj. (Mateu 10:5, 7) Por, a stërviti Jezui vetëm apostujt për të bërë këtë vepër? Jo, Bibla thotë se Jezui stërviti edhe shumë të tjerë që të predikonin. Pas ca kohësh, ai dërgoi përpara tij 70 dishepuj të tjerë, të ndarë dy e nga dy. Çfarë u mësonin ata njerëzve? . . . Jezui u tha: «Vazhdoni t’u thoni: ‘Mbretëria e Perëndisë ju është afruar.’» (Luka 10:9) Kështu njerëzit mësonin për qeverinë e Perëndisë.

Shumë kohë më parë në Izrael, mbretërit e rinj zakonisht hynin në qytet mbi një kërriç për t’u shfaqur para njerëzve. Edhe Jezui e bën këtë, kur shkon në Jerusalem për herë të fundit. Siç mund ta kuptosh, Jezui do të jetë Sundimtari i Mbretërisë së Perëndisë. A duan njerëzit që Jezui të jetë Mbreti i tyre? . . .

Po ja, teksa ai hyn në qytet, shumë veta nga turma fillojnë t’i shtrojnë në rrugë para tij pelerinat e tyre. Të tjerë presin degë nga pemët dhe i vendosin në rrugë. Duke vepruar kështu tregojnë se duan që Jezui të jetë Mbreti i tyre. Ata thërrasin: «I bekuar është Ai që vjen si Mbreti në emër të Jehovait!» Por jo të gjithë janë të kënaqur. Madje, disa udhëheqës fetarë i thonë Jezuit: ‘Thuaju dishepujve të tu që të heshtin.’Luka 19:28-40.

Pse njerëzit ndërruan mendje dhe nuk e deshën më Jezuin si Mbretin e tyre?

Pesë ditë më vonë, Jezuin e arrestojnë dhe e çojnë te një pallat që të paraqitet para qeveritarit romak, Ponc Pilatit. Armiqtë e Jezuit thonë se Jezui pohon që është mbret dhe se është kundër qeverisë romake. Prandaj, Pilati e pyet Jezuin për këtë. Jezui i thotë se nuk po përpiqet të rrëzojë qeverinë. Ai i thotë Pilatit: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.»Gjoni 18:36.

Atëherë Pilati del jashtë dhe u thotë njerëzve se nuk gjen asnjë faj te Jezui. Por tani njerëzit nuk duan që Jezui të jetë Mbreti i tyre. Ata nuk duan që ai të lirohet. (Gjoni 18:37-40) Pasi flet përsëri me të, Pilati është i sigurt se Jezui s’ka bërë asgjë të gabuar. Prandaj, në fund, pasi e nxjerr Jezuin jashtë për herë të fundit, Pilati thotë: «Ja, mbreti juaj!» Mirëpo njerëzit bërtasin: «Hiqe! Hiqe! Vëre në shtyllë!»

Pilati i pyet: «Të vë mbretin tuaj në shtyllë?» Krerët e priftërinjve përgjigjen: «Ne s’kemi mbret tjetër, përveç Cezarit.» Arrin dot ta mendosh sa të ligj janë? Ata priftërinj të ligj ia kanë arritur që t’i kthejnë njerëzit kundër Jezuit.Gjoni 19:1-16.

Sot gjendja është shumë e ngjashme me atë kohë. Shumica e njerëzve nuk duan me të vërtetë që Jezui të jetë Mbreti i tyre. Ata mund të thonë se besojnë te Perëndia, por s’duan që Perëndia ose Krishti t’u thonë se çfarë të bëjnë. Ata duan të kenë qeveritë e tyre këtu në tokë.

Po ne? Çfarë ndiejmë për Perëndinë kur mësojmë për Mbretërinë e Tij dhe për të gjitha gjërat e mrekullueshme që do të bëjë ajo? . . . Ne e duam Perëndinë, apo jo? . . . Atëherë, si mund t’i tregojmë Perëndisë se e duam dhe se duam që Mbretëria e tij të sundojë mbi ne? . . .

Pse u pagëzua Jezui, dhe si e tregoi Perëndia se e miratonte këtë pagëzim?

Mund t’i tregojmë Perëndisë se si ndihemi, duke ndjekur shembullin e Jezuit. E çfarë bëri Jezui për të treguar se e donte Jehovain? . . . Vetë Jezui shpjegoi: «[Unë] bëj gjithmonë gjërat që atij i pëlqejnë». (Gjoni 8:29) Po, Jezui erdhi në tokë ‘për të bërë vullnetin e Perëndisë’ dhe ‘për të përfunduar veprën e tij’. (Hebrenjve 10:7; Gjoni 4:34) Shqyrto se çfarë bëri Jezui para se të fillonte veprën e predikimit.

Jezui shkoi te Gjon Pagëzori në lumin Jordan. Pasi u futën në ujë, Gjoni e zhyti Jezuin plotësisht në ujë e pastaj e ngriti përsëri. Pse e pagëzoi Gjoni Jezuin, a e di? . . .

Ku mund t’u flasim të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë?

Vetë Jezui i kërkoi Gjonit që ta pagëzonte. Por, nga e dimë se Perëndia donte që Jezui të pagëzohej? . . . E dimë sepse, kur Jezui doli nga uji, dëgjoi zërin e Perëndisë nga qielli që thoshte: «Ti je Biri im, i dashuri; unë të kam miratuar.» Madje Perëndia dërgoi edhe frymën e tij të shenjtë që zbriti porsi një pëllumb mbi Jezuin. Pra, duke u pagëzuar, Jezui tregoi se donte t’i shërbente Jehovait për gjithë jetën, po, përgjithmonë.Marku 1:9-11.

Tani ti je ende duke u rritur. Por, çfarë do të bësh kur të rritesh edhe pak? . . . A do të ndjekësh shembullin e Jezuit dhe të pagëzohesh? . . . Duhet ta imitosh Jezuin, sepse Bibla thotë që ai të ka lënë ‘një model, që të ndjekësh me kujdes gjurmët e tij’. (1 Pjetrit 2:21) Në kohën kur do të pagëzohesh, do të tregosh se dëshiron vërtet që Mbretëria e Perëndisë të sundojë mbi ty. Por nuk mjafton vetëm që të pagëzohemi.

Duhet t’u bindemi të gjitha gjërave që mësoi Jezui. Jezui tha se ‘nuk duhet të jemi pjesë e botës’. A do të tregonim se po i bindemi atij po të përfshiheshim në gjërat e botës? Jezui dhe apostujt e tij qëndruan larg nga këto gjëra. (Gjoni 17:14) Por, nga ana tjetër, çfarë bënë ata? . . . U folën të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë. Kjo ishte vepra më e rëndësishme në jetën e tyre. A mund ta bëjmë edhe ne këtë vepër? . . . Po, dhe do të bëjmë një vepër të tillë, nëse e kemi me gjithë mend atë që themi kur lutemi që të vijë Mbretëria e Perëndisë.

Të lutem, shikoji edhe këto shkrime të tjera që na thonë çfarë mund të bëjmë për të treguar se duam që Mbretëria e Perëndisë të vijë: Mateu 6:24-33; 24:14; 1 Gjonit 2:15-17 dhe 5:3.