INDONEZIA
Nuk i braktisën mbledhjet
Gjatë ndalimit, shumica e kongregacioneve vazhduan të mblidheshin për të adhuruar nëpër shtëpi private. Por, për të mos rënë në sy, mjaft kongregacione nuk këndonin këngë të Mbretërisë. Autoritetet mësynë në disa nga vendet e mbledhjeve, por në përgjithësi vëllezërit nuk u ndikuan.
Shpesh vëllezërit shfrytëzonin rastet familjare ose dasmat për të mbajtur asamble më të mëdha. Tagor Hutasoiti shpjegonte: «Zakonisht çiftet celebroheshin dhe merrnin leje nga policia për të bërë një dasmë të madhe. Gjatë dasmës, çifti dhe shoqëruesit e tyre uleshin në podium, kurse vëllezërit mbanin disa fjalime biblike radhazi.»
Gjatë një asambleje, një polic e mori më vete Tagorin.
«Shumica e dasmave zgjasin dy a tri orë. Pse dasmat tuaja zgjasin nga mëngjesi në darkë?»
«Disa nuse e dhëndurë kanë mjaft probleme dhe kanë nevojë për shumë këshilla të mira nga Fjala e Zotit»,
«Ah, tani e kuptova»,
Me sebepin e disa dasmave njëkohësisht, në një stadium të madh në Xhakartë vëllezërit mbajtën një pjesë të Kongresit Krahinor «Uniteti i Mbretërisë» të vitit 1983. Kongresin e ndoqi një maksimum prej afro 4.000 vëllezërish e të interesuarish, dhe para programit në një vend tjetër u pagëzuan 125 veta. Më vonë, kur ndalimi nuk ishte edhe aq i rreptë, vëllezërit mbajtën kongrese edhe më të mëdha, madje në njërin prej tyre morën pjesë mbi 15.000 veta.
Ndërtohet një zyrë dege gjatë ndalimit
Gjatë viteve 80 dhe 90, zyra e degës i bëri kërkesa të vazhdueshme qeverisë që të hiqte ndalimin ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Edhe vëllezër nga vende të tjera i shkruan qeverisë indoneziane dhe ambasadorëve të saj për të pyetur pse ishin të jashtëligjshëm Dëshmitarët e Jehovait në Indonezi. Shumë zyrtarë donin ta hiqnin ndalimin, por Drejtoria e Përgjithshme e Udhëheqjes së Komunitetit të Krishterë, që kishte shumë pushtet, u krijonte gjithnjë pengesa.
Në vitin 1990 vëllezërit arritën në përfundimin se mund të ndërtonin një zyrë të re dege në një vend që nuk binte në sy. Po atë vit, Trupi Udhëheqës miratoi blerjen e një trualli afër Bogorit, një qytet i vogël rreth 40 kilometra në jug të Xhakartës. Por, pak vëllezër vendës ishin të zotë në ndërtim. Atëherë, si do të ndërtohej kompleksi i ri?
Përgjigjja erdhi nga vëllazëria ndërkombëtare. Zyra e Ndërtimit në Bruklin dhe Zyra Rajonale e Inxhinierisë në Australi bënë planimetrinë. Ndërsa rreth 100 vullnetarë ndërkombëtarë ofruan mjeshtërinë që nevojitej gjatë projektit dyvjeçar.
Hosea Mansuri, një vëlla indonezian që ndërmjetësonte me disa zyrtarë vendës, tregonte: «Kur zyrtarët myslimanë shihnin inicialet H.M. në kaskën time mbrojtëse, mendonin se shkronja H nënkuptonte fjalën Hājjī, titull mjaft i vlerësuar nga ata që shkonin për pelegrinazh në Mekë. Prandaj më trajtonin gjithë respekt. Ky keqkuptim i vogël na e bëri më të lehtë të organizonim punën.»
Godinat e reja të degës u kushtuan më 19 korrik 1996. Xhon Barri, anëtar i Trupit Udhëheqës, mbajti
fjalimin e kushtimit. Mes 285 të pranishmëve ndodheshin edhe 118 përfaqësues degësh dhe ish-misionarë nga shumë vende, si dhe 59 pjesëtarët e familjes Bethel të Indonezisë. Dy ditët pas programit të kushtimit, 8.793 delegatët ndoqën Kongresin Krahinor në Xhakartë «Lajmëtarë të paqes hyjnore».Jehovai e çliron popullin e tij
Në vitin 1998, Suharto, presidenti i Indonezisë prej shumë kohësh, dha dorëheqjen, duke i hapur rrugën një qeverie të re. Nga ana tjetër, vëllezërit i shtuan përpjekjet për të hequr ndalimin.
Teksa vizitonte Nju-Jorkun më 2001, sekretari i shtetit indonezian, z. Johan Efendi, vizitoi edhe Bethelin e Bruklinit ku u takua me tre anëtarë të Trupit Udhëheqës. I bëri shumë përshtypje ajo që pa, dhe pranoi se Dëshmitarët e Jehovait kanë bërë emër të mirë në mbarë botën. Z. Efendi ishte dakord me heqjen e ndalimit, por tha se fjala e fundit duhej të vinte nga prokurori i përgjithshëm i Indonezisë, z. Marzuki Darusmani.
Edhe prokurori i përgjithshëm donte ta hiqte ndalimin, por zyrtarët armiqësorë të departamentit e zvarritnin me shpresën se së shpejti do t’i mbaronte mandati. Më në fund, më 1 qershor 2001, Tagor Hutasoitin e thirrën në zyrën e prokurorit të përgjithshëm. Ai kujtonte: «Në po atë zyrë, rreth 25 vjet më parë më kishin dhënë një dokument që ndalonte Dëshmitarët e Jehovait. Kurse atë ditë, që ishte dita e tij e fundit si prokuror i përgjithshëm, më dha një dokument që e hiqte ndalimin.»
Më 22 mars 2002 organizata e Dëshmitarëve të Jehovait në Indonezi u njoh ligjërisht nga Departamenti i Çështjeve Fetare. Drejtori i përgjithshëm i këtij departamenti u tha përfaqësuesve të zyrës: «Lirinë e adhurimit nuk jua jep ky dokument regjistrimi. Këtë liri jua jep Zoti. Ky dokument thotë se feja juaj njihet zyrtarisht nga qeveria, prandaj tani keni të njëjtat të drejta si fetë e tjera, dhe qeveria është në shërbimin tuaj.»