Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SIERRA-LEONE DHE GUINEJA

1991-2001 Një ‘furrë mundimi’—Isa. 48:10 (Pjesa 2)

1991-2001 Një ‘furrë mundimi’—Isa. 48:10 (Pjesa 2)

Sulmojnë Bethelin

Në shkurt të 1998-s, ushtria qeveritare dhe trupat e Komunitetit Ekonomik të Grupit të Monitorimit të Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOMOG) ndërmorën një sulm të përgjithshëm për të dëbuar forcat rebele nga Fritauni. Mjerisht, një vëlla u vra nga një predhë qorre gjatë betejës së ashpër.

Rreth 150 lajmëtarë u strehuan në shtëpitë misionare në Kisi dhe Kokerill. Ladi Sandi, një nga dy rojat e Bethelit, tregon: «Një natë vonë, kur unë dhe Filip Turei kishim turnin, dy rebelë të armatosur të FBR-së erdhën në Bethel dhe na kërkuan të hapnim dyert prej xhami të recepsionit. Unë dhe Filipi ia dhamë vrapit, ndërsa ata gjuanin pa pushim me armë te brava e derës. Për mrekulli, ajo nuk u thye dhe atyre s’u shkoi mendja të qëllonin me armë xhamat. Ikën të acaruar.

Dy net më vonë, rebelët u kthyen me rreth 20 shoqërues të armatosur mirë e me synime të qarta. Menjëherë lajmëruam familjen Bethel dhe vrapuam për te strehimi në bodrum që kishim bërë gati më përpara. Ne të shtatë u fshehëm në errësirë pas dy fuçive të mëdha duke u dridhur nga frika. Rebelët qëlluan pa pushim mbi bravë derisa e shkrinë fare dhe hynë në ndërtesë. Njëri prej tyre bërtiti: ‘Kërkoni Dëshmitarët e Jehovait dhe pritjuani kokën.’ Qëndruam kruspull në heshtje ndërsa ata batërdisën godinën për shtatë orë rresht. Më në fund, pasi shkatërruan shumë gjëra, morën ç’deshën dhe ikën.

Mblodhëm gjërat tona dhe ia mbathëm në shtëpinë misionare në Kokerill, pak metra më larg, ku ndodhej më parë Betheli. Gjatë rrugës na grabiti një tjetër grup rebelësh. Mbërritëm në shtëpinë misionare të tmerruar, por mirënjohës që ishim gjallë. Pasi pushuam pak ditë, u kthyem në Bethel që të ftillonim rrëmujën.»

Dy muaj më vonë, kur tashmë forcat e ECOMOG-ut kishin marrë nën kontroll qytetin, misionarët nisën të ktheheshin në Guine. Por nuk ua merrte mendja se do të qëndronin vetëm pak kohë.

Operacioni shfarosja

Tetë muaj më vonë, në dhjetor 1998, qindra delegatë po shijonin Kongresin Krahinor «Udha hyjnore e jetës» në stadiumin kombëtar të Fritaunit. Papritur dëgjuan nga larg zhurmën e një shpërthimi dhe një shtëllungë tymi u ngrit nga kodrat. Ushtria rebele ishte kthyer!

Në ditët në vazhdim, situata në Fritaun u përkeqësua. Komiteti i Degës mori me qira një avion të vogël dhe evakuoi 12 misionarë, 8 bethelitë të huaj dhe 5 vullnetarë ndërtimi në Konakri. Tri ditë më vonë, më 6 janar 1999, forcat rebele nisën një fushatë mizore asgjësimi që quhej «Operacioni shfarosja». Me dhunë të tmerrshme rrënuan Fritaunin e masakruan gati 6.000 civilë. Rebelët gjymtuan kë t’u dilte përpara, grabitën qindra fëmijë dhe shkatërruan mijëra ndërtesa.

Një vëlla shumë të dashur, Eduard Tobin, e vranë mizorisht. Mbi 200 lajmëtarë të traumatizuar u strehuan në Bethel ose në shtëpinë misionare në Kokerill. Të tjerë u fshehën në shtëpitë e tyre. Dëshmitarët që rrinin në shtëpinë misionare në Kisi, në skajin lindor të Fritaunit, kishin nevojë urgjente për ilaçe. Mirëpo ishte shumë e rrezikshme të lëvizje nëpër qytet. Kush do të rrezikonte? Ladi Sandi dhe Filip Turei, rojat sypatrembur të Bethelit, shprehën menjëherë gatishmërinë e tyre.

Filipi kujton: «Qyteti ishte në kaos. Ushtarët rebelë kontrollonin shumë postblloqe dhe keqtrajtonin këdo që t’ua shkrepte mendja. Shtetrrethimi i rreptë na e kufizonte paksa lëvizjen. Arritëm në Kisi pas dy ditësh udhëtim dhe e gjetëm shtëpinë misionare të plaçkitur e të djegur.

Duke kontrolluar në zonën përreth, gjetëm një nga vëllezërit, Endrju Kolkerin, i cili kishte marrë plagë të rënda në kokë. Rebelët e kishin lidhur dhe e kishin goditur disa herë me sëpatë. Si për mrekulli kishte shpëtuar dhe ia kishte mbathur. E çuam vrik në spital ku dalëngadalë e mori veten. Më vonë shërbeu si pionier i rregullt.»

(Nga e majta në të djathtë) Ladi Sandi, Endrju Kolkeri dhe Filip Turei

Dëshmitarëve të tjerë iu kursye jeta dhe rrahjet falë reputacionit si të krishterë asnjanës. Një vëlla tregon: «Rebelët na kërkuan të vinim shalle të bardha në kokë e të kërcenim në rrugë për të përkrahur çështjen e tyre. Na thanë: ‘Nëse nuk pranoni, do t’ju këputim krahët ose këmbët, ose do t’ju vrasim fare.’ Të tromaksur, unë dhe gruaja u veçuam pak dhe iu lutëm në heshtje Jehovait. Duke parë që ishim në pikë të hallit, një fqinj i ri në moshë që bashkëpunonte me rebelët i tha komandantit: ‘Ky është «vëllai» ynë. Nuk përfshihet në politikë prandaj le të kërcejmë ne në vend të tij.’ I kënaqur, komandanti u largua dhe ne ikëm me vrap në shtëpi.»

Më vonë, në qytet ra një qetësi e çuditshme dhe vëllezërit përfituan nga kjo që të rifillonin të mbanin mbledhjet e të dilnin në shërbim me kujdes. Lajmëtarët vinin distinktivët e kongresit për t’u identifikuar në postblloqe. Ndërsa pritnin nëpër radhët e gjata në postblloqe, vëllezërit u aftësuan për të filluar biseda biblike.

Në qytet po mbaronte çdo rezervë dhe dega e Britanisë solli me avion 200 kuti kartoni me ndihma. Billi Kauani dhe Alan Xhonsi shkuan me avion nga Konakria në Fritaun që të ruanin dërgesat, teksa kalonin një sërë postblloqesh radhazi. Arritën në Bethel në mbrëmje, pak para shtetrrethimit. Xhejms Koroma shkonte herë pas here në Konakri, e kthehej me literaturë dhe furnizime të tjera jetësore. Një pjesë e këtij ushqimi frymor dërgohej te lajmëtarët që jetonin në zona të izoluara në Bou dhe në Kenemë.

Vijnë ndihmat në Fritaun

Më 9 gusht 1999, misionarët në Konakri nisën të ktheheshin në Fritaun. Vitin pasues, forcat e armatosura britanike përzunë rebelët nga Fritauni. Aty-këtu, për njëfarë kohe kishte konflikte, por në janar të vitit 2002, lufta u shpall e mbyllur. Në këtë luftë 11-vjeçare, u vranë 50.000 njerëz, u gjymtuan 20.000, u shkatërruan 300.000 shtëpi dhe u shpërngulën 1,2 milion veta.

Ndërkohë, ç’kishte ndodhur me organizatën e Jehovait? Dukej qartë që Ai e kishte bekuar dhe mbrojtur. Gjatë luftës u pagëzuan rreth 700 veta. Qindra Dëshmitarë kishin ikur nga zona e luftës, e megjithatë numri i lajmëtarëve në Sierra-Leone u rrit 50 për qind. Guineja pati një rritje në numrin e lajmëtarëve prej më se 300 për qind. Më e rëndësishmja ishte që populli i Perëndisë mbajti integritetin. Në ‘furrën e mundimit’ kishin treguar unitet e dashuri të pathyeshme dhe kishin ‘mësuar e shpallur pareshtur lajmin e mirë’.Isa. 48:10; Vep. 5:42.