Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PREDIKOJNË DHE MËSOJNË NË MBARË BOTËN

Azia dhe Lindja e Mesme

Azia dhe Lindja e Mesme
  • VENDE 47

  • POPULLSIA 4,282,178,221

  • LAJMËTARË 674,011

  • STUDIME BIBLIKE 672,318

Ndihmojnë një burrë që nuk sheh, nuk dëgjon dhe nuk flet

Në vitin 1999, kongregacioni i gjuhës së shenjave në Kobe, Japoni, mori vesh për një burrë që nuk dëgjon i cili quhet Hirofumi. Kur një vëlla u përpoq ta takonte, mamaja e tij nuk e la vëllanë ta shihte. Vëllai shkoi disa herë, iu lut mamasë që ta linte ta takonte dhe në fund ajo e solli Hirofumin te dera. Flokët dhe mjekrën i kishte të gjatë e të çrregullt. Dukej sikur kishte dalë nga varri. Fytyra e tij nuk shprehte pikë ndjenje. Hirofumi jo vetëm nuk dëgjonte, por as nuk shihte. Në fillim vëllai shtangu, por pastaj mori duart e Hirofumit dhe nisi të fliste gjuhën e shenjave me të prekur. Nuk pa asnjë reagim. Hirofumi kishte vite pa takuar e pa folur me njeri, që kur kishte humbur shikimin dhjetë vjet më parë në moshën 31-vjeçare.

Vëllai u kthye pas dy ditësh. Mamaja e Hirofumit u habit, sepse mendoi që vëllai kishte hequr dorë pasi kishte parë gjendjen e djalit të saj. Vëllai iu lut përsëri asaj që ta takonte Hirofumin, prandaj ajo e solli te dera. Pasi e vizitoi një muaj rresht dhe pa asnjë reagim nga ana e Hirofumit, mamaja i tha vëllait të mos lodhej më kot. Gjithsesi, vëllai këmbënguli. I çonte ëmbëlsira në shtëpi dhe bëri ç’kishte në dorë për t’i treguar që interesohej. Edhe pas dy muajsh të tjerë Hirofumi nuk reagonte fare. Vëllai mendoi se po përpiqej kot.

Vendosi të shkonte edhe një herë të fundit. Më parë, iu lut Jehovait që të kuptonte nëse duhej ta vizitonte akoma Hirofumin. Kur vëllai arriti te shtëpia e Hirofumit, i mori duart dhe i tha me të prekur se ka një Perëndi që quhet Jehova, i cili e shihte vazhdimisht nga qielli dhe i kuptonte vuajtjet e tij më shumë se kushdo tjetër. Jehovai donte t’ia lehtësonte dëshpërimin. Ja pse një Dëshmitar kishte ardhur tek ai. Në fillim Hirofumi nuk reagoi, por pastaj ia shtrëngoi fort dorën vëllait dhe një pikë loti rrodhi në faqen e tij. I prekur, edhe vëllai derdhi lot bashkë me të. Filloi një studim biblik.

Pas 11 vjetësh studim, Hirofumi nisi të shoqërohej me kongregacionin aty afër, në vend që të përshkonte distanca të largëta për te kongregacioni i gjuhës së shenjave siç kishte bërë deri në atë kohë. Askush në kongregacion nuk e dinte gjuhën e shenjave, por gjatë 18 muajve pasues, 22 vëllezër dhe motra në kongregacion mësuan shenjat që të ndihmonin Hirofumin. Në janar të 2012-s, Hirofumi bëri fjalimin e parë në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe dikush përkthente shenjat e tij. Në tetor të të njëjtit vit, u bë lajmëtar i papagëzuar.

Ai studion me rojat e sigurimit

Floreni, një pionier që jeton në Filipine, drejton mesatarisht 25 studime biblike, shumica e të cilëve janë roja sigurimi. Këta burra shpesh punojnë mbrëmjeve—disa gjatë gjithë natës. Kështu, Florenit i duhet të jetë elastik. Shkon te vendi ku punojnë dhe studion me ta kur bëjnë pushimin ose në ndonjë moment tjetër të përshtatshëm që nuk u prish punë. Disa studime i drejton nga ora shtatë deri në njëmbëdhjetë të natës, ose nga ora pesë deri në orën nëntë të mëngjesit. Ndonjëherë shkon pak para se të ndërrojnë turnet. Në këtë mënyrë, ai studion me rojën që pas pak do të fillojë punën dhe pastaj me rojën që sapo ka mbaruar turnin. Floreni thotë: «Me kaq shumë studime, provoj një kënaqësi që s’e kam provuar kurrë më parë.» Disa roja ndjekin mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. Një nga studentët e Florenit tashmë është pagëzuar dhe shërben si pionier i rregullt.

Filipine: Floreni duke drejtuar një studim biblik herët në mëngjes

Ishin të gatshme të rrezikonin

Ndërsa predikonin në një ditë me shi në Armeni, dy motra panë një mama me të bijën në rrugë dhe u dhanë një fletushkë. Për habinë e motrave, mamaja, që quhet Marusja, u tha se bashkë me vajzën, Jevën, kishin dy orë në shi që pritnin të takonin Dëshmitarët e Jehovait. Pse? Teksa ishte në burg, vëllai i Marusjas e kishte marrë të vërtetën nga vëllezërit që ishin burgosur për qëndrimin asnjanës. Marusja priste që i vëllai të ishte më i vrazhdë e më i dhunshëm pas burgut. Por, ai ishte bërë njeri i shtruar dhe i qetë. Teksa shoqërohej me Dëshmitarët, vëllai i Marusjas kishte bërë edhe ndryshime të tjera të mira. Kjo s’kishte kuptim për Marusjan dhe vajzën e saj, sepse nëpër posterat e qytetit dhe programet televizive bënin propagandë të rreme për Dëshmitarët e Jehovait. Jeva mendoi: «Daja im është njeri i mrekullueshëm. Atëherë, pse flasin kaq keq për Dëshmitarët e Jehovait?» E vendosur për të sqaruar gjërat, ajo i tha së ëmës: «S’do ta kuptojmë kurrë të vërtetën për këta njerëz nëse nuk rrezikojmë të flasim me ta. Hajde dalim që tani të takojmë Dëshmitarët e Jehovait e t’u japim fund këtyre paqartësive.» Dhe kështu bënë ditën që motrat i takuan. Dy ditë më vonë, u nis një studim biblik me mamanë dhe vajzën. Filluan të ndiqnin mbledhjet dhe shërbejnë si lajmëtare të papagëzuara.

Fëmijët sollën revistat

Stamboll, Turqi: Vëllai po përdor broshurën Lajm i mirë ndërsa merr pjesë në dëshminë rrugore

Në Adanë, Turqi, një grua që kishte kaluar probleme të rënda personale dhe familjare e madje kishte menduar t’i jepte fund jetës, gjeti dy revista përballë derës. Me sa duket, disa fëmijë të lagjes i kishin gjetur në tokë dhe i kishin lënë atje me mendimin se ishin të sajat. Gruas i bënë shumë përshtypje jetëshkrimet në revista dhe dëshironte që edhe jeta e saj të ndryshonte siç kishte lexuar te përvojat. Gruaja i ra numrit të telefonit që ishte i shkruar te një prej revistave dhe kontaktoi me një motër pioniere që jetonte pranë saj. U fillua një studim biblik. Gruaja vlerësoi ato që mësonte dhe shprehu dëshirën të ndiqte mbledhjet. Doli që Salla e Mbretërisë ndodhej afër apartamentit të saj. Nisi të shkonte në mbledhje dhe vazhdon t’i ndjekë.

Dhjetë ditët në burg nuk ia prishën mendjen

Ndërsa ishte në detyrë, Bami, një polic nga Nepali që shkonte rregullisht në kishë, takoi në rrugë një çift pionierësh specialë. I bëri përshtypje që iu përgjigjën gjithë pyetjeve të tij me anë të Biblës. Bami pranoi një studim biblik dhe shpejt nisi të ndiqte mbledhjet. Teksa përparonte në studim, nisi ta vriste ndërgjegjja për punën që bënte dhe u kërkoi eprorëve të punonte në zyrë, kështu nuk do t’i duhej të mbante armë. Eprorët pranuan. Sidoqoftë, pasi ndoqi kongresin krahinor, ndërgjegjja nisi ta vriste sërish dhe vendosi t’i linte fare forcat e policisë.

Gruaja e Bamit u mërzit nga ky vendim, sepse puna si polic shihej me sy të mirë në komunitet, siguronte pagë të lartë, avantazhe dhe pension të mirë. Që ta bindte të kthente mendje, ajo i tha: «Nëse qëndron me forcat e policisë, unë do të studioj Biblën me Dëshmitarët.» Kur kjo nuk funksionoi, e bindi kapitenin e policisë ta fuste Bamin në burg me shpresë që ai do të ndërronte mendje. Pasi kaloi dhjetë ditë në burg, Bami u lirua, por ishte akoma i vendosur të gjente një punë tjetër. Nisi të punonte si shofer rikshe. Kjo do të thoshte të punonte për orë të tëra nën diellin përvëlues. Pavarësisht nga këto vështirësi, ai ishte i lumtur. Vazhdoi të përparonte dhe u bë lajmëtar. Me kalimin e kohës, qëndrimi i saj ndryshoi. E prekur nga dashamirësia që i treguan motrat dhe vëllezërit në kongregacion, nisi të studionte edhe ajo. Bami vazhdon të sigurojë gjërat materiale për familjen dhe fiton më shumë si shofer rikshe se ç’fitonte si polic. U pagëzua në një asamble në shkurt të 2013-s. Tani gruaja dhe djali ndjekin mbledhjet.

Nepal: Kur Bami ndryshoi punë, ai bashkë me familjen bënë përparim frymor

Donte të shërbente si pioniere ndihmëse

Mijong-hija, një motër nga Koreja, ka një problem me njërën nga këmbët për shkak të një paralize që kaloi kur ishte dy vjeçe. Lodhet kollaj dhe ndonjëherë rrëzohet. Për më tepër, vuan nga krizat e shpeshta të panikut dhe nga efektet anësore që i sjellin ilaçet. Mijong-hija e ka të vështirë të marrë frymë dhe tensioni e ankthi i shkaktojnë dhembje. Me gjithë këto probleme, ajo donte të shërbente si pioniere ndihmëse dhe ka dy vjet që e bën këtë, pothuajse çdo muaj. Falënderon Jehovain që i jep forcë për të kryer shërbimin.

«Kam 30 vjet që e kërkoj»

Agnesa, misionare në Indonezi, i dëshmonte një mesogruaje që ishte shtatzënë. Ajo shiste perime në pazar. Gruas i pëlqenin shumë revistat tona dhe kënaqej me bisedat biblike kur nuk ishte shumë e zënë. Një ditë kur Agnesa shkoi në pazar që ta takonte, nuk e gjeti. I shoqi i tha se gruaja e tij kishte lindur. Agnesa vendosi t’i shkonte për vizitë. Ajo i çoi botimin Libri im i tregimeve biblike të paketuar si dhuratë. Gruaja u mahnit që Agnesa erdhi ta takonte atë dhe beben. Por u habit edhe më shumë kur Agnesa i dha dhuratën. Gruaja hoqi letrën e paketimit. Kur pa librin nuk u besoi syve. Ajo tha: «Si e gjete këtë libër? Kam 30 vjet që e kërkoj. Kam shkuar në çdo librari e kam pyetur mjaft veta. Askush s’e kishte, askush s’e njihte dhe asnjë libër tjetër nuk ishte aq i bukur.» Doli që, kur ishte fëmijë, daja kishte pasur librin Tregime biblike dhe ajo vdiste ta lexonte. Tani gruaja e lexon përsëri librin, po ashtu edhe vajza e saj e madhe e ka shumë qejf. Me të dyja u nis një studim biblik.

Indonezi: Agnesa me librin që dha si dhuratë