NGJARJE TË SPIKATSHME NGA VITI I KALUAR
Ata e çmojnë BIBLIOTEKËN ONLINE Watchtower
Më 28 qershor 2013, jw.org njoftonte se BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower (WOL) kishte arritur një pikë kyçe në historinë e saj: disponohej në 100 gjuhë. WOL-i ofron veçori kërkimi të ngjashme me Bibliotekën Watchtower në CD-ROM. Biblioteka Online mund të përdoret me shumicën e pajisjeve që të lejojnë të futesh në Internet, të tilla si kompjuter desktop ose laptop, tabletë ose smartphone. Përmban materiale kryesisht nga viti 2000 e tutje. Në shumë gjuhë, WOL-i përfshin edhe Përkthimin Bota e Re dhe Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet. Te dritarja «Kërko» mund të futësh një fjalë, një shprehje ose një kombinim fjalësh siç bëhet në Bibliotekën Watchtower. Me anë të Bibliotekës Online, mund të kërkosh shkrime ose informacione në një gjuhë e pastaj ta sinkronizosh kërkimin me një gjuhë tjetër. Ja disa shprehje vlerësimi për këtë mjet kërkimesh fantastik:
«Shumë faleminderit për Bibliotekën Online! Kur pashë këtë mjet të ri për studim, u mbusha me mirënjohje. Nuk jam fare eksperte për programet kompjuterike ose për faqet Ueb, megjithatë them se ky mjet kërkimi ka cilësi shumë të lartë. Dashuria juaj për njerëzit, për vëllezërit e për Jehovain rrezaton vërtet. Biblioteka është tregues i qartë i kujdesit tuaj. Dhuratë dhe shprehje të dashurisë e të bujarisë më të mirë se kjo nga Ati ynë qiellor, s’mund të kisha kërkuar. Faleminderit shumë!»
—A., Argjentinë.
«S’më besohet! Sot pasdite hyra në Bibliotekën Online dhe gjuha kreole e Haitit ishte një nga gjuhët e reja. S’e mendoja që kjo do të ndodhte ndonjëherë. Siç e shihni edhe nga kjo letër, jam pa fjalë. Jehovai bekoftë përpjekjet tuaja dhe fryma e tij vazhdoftë t’ju drejtojë.»
—D.Ç., Shtetet e Bashkuara.