Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

5

Kthehu te ‘bariu dhe mbikëqyrësi i shpirtit tënd’

Kthehu te ‘bariu dhe mbikëqyrësi i shpirtit tënd’

A ke edhe ti një a më shumë nga vështirësitë që janë shqyrtuar në këtë broshurë? Nëse po, nuk je i vetmi. Mjaft shërbëtorë besnikë të Perëndisë, si në kohët biblike, edhe në ditët tona, kanë pasur vështirësi të ngjashme. Por, ashtu si morën ata ndihmë nga Jehovai për t’i kapërcyer këto vështirësi, po kështu mund të marrësh edhe ti.

Jehovai do të jetë gati të të presë sapo të kthehesh tek ai

JI I sigurt se Jehovai do të jetë gati të të presë sapo të kthehesh tek ai. Ai do të të ndihmojë të përballosh ankthin, të largosh ndjenjat e lënduara dhe të gjesh atë paqe në mendje e në zemër që vjen nga një ndërgjegje e pastër. Atëherë mund të nxitesh përsëri t’i shërbesh Jehovait me bashkadhuruesit e tjerë. Situata jote do të jetë si ajo e disa të krishterëve në shekullin e parë, të cilëve apostulli Pjetër u shkroi: «Ishit si dele dhe po humbitnit rrugën, kurse tani jeni kthyer te bariu dhe mbikëqyrësi i shpirtrave tuaj.»​—1 Pjetrit 2:25.

Të kthehesh te Jehovai është absolutisht gjëja më e mirë që mund të bësh. Pse? Do t’ia gëzosh zemrën atij. (Proverbat 27:11) Siç e di, Jehovai ka ndjenja, prandaj veprimet e tua ndikojnë tek ai. Natyrisht, ai nuk na detyron ta duam dhe t’i shërbejmë. (Ligji i përtërirë 30:19, 20) Ja si e shpjegon një studiues biblik: «Dera e zemrës së njeriut nuk ka dorezë nga jashtë. Ajo duhet hapur nga brenda.» Duke e adhuruar Jehovain me një zemër plot dashuri, ne mund të vendosim ta hapim këtë derë. Kur veprojmë kështu, i japim atij një dhuratë të çmuar​—integritetin tonë—​dhe i sjellim gëzim të jashtëzakonshëm në zemër. Vërtet, asgjë nuk mund të krahasohet me lumturinë që provojmë kur i japim Jehovait adhurimin që meriton.​—Veprat 20:35; Zbulesa 4:11.

Për më tepër, kur të kthehesh sërish tek adhurimi i krishterë, nevojat e tua frymore do të plotësohen. (Mateu 5:3) Në ç’kuptim? Njerëzit anembanë botës pyesin veten: «Pse ekzistojmë?» Ata janë të etur për përgjigjet e pyetjeve rreth qëllimit të jetës. Njerëzit e kanë këtë nevojë sepse Jehovai i krijoi me të. Ai na projektoi që ta gëzojmë jetën duke i shërbyer. S’mund të kemi kënaqësi më të madhe se ajo që vjen nga dijenia se po e adhurojmë Jehovain ngaqë e duam.​—Psalmi 63:1-5.

Të lutemi, mos harro se Jehovai dëshiron që të kthehesh tek ai. Si mund të jesh i sigurt? Mendo këtë: kjo broshurë u përgatit me kujdes dhe me shumë lutje. Ndoshta tek ajo ta drejtoi vëmendjen një plak i krishterë ose një bashkëbesimtar tjetër. Pastaj u nxite ta lexosh dhe të reagosh ndaj mesazhit të saj. E gjithë kjo është një provë se Jehovai nuk të ka harruar. Përkundrazi, po të tërheq me butësi drejt tij.​—Gjoni 6:44.

Mund të marrim zemër duke e ditur se Jehovai nuk i harron kurrë shërbëtorët e tij që kanë humbur rrugën. Pikërisht këtë kuptoi edhe një motër me emrin Dona. Ajo tha: «U largova nga e vërteta dalëngadalë, por shpesh meditoja rreth Psalmit 139:23, 24 që thotë: ‘Më heto fund e krye, o Perëndi, dhe njihe zemrën time. Më shqyrto dhe njih mendimet që më turbullojnë. Shih nëse ka tek unë ndonjë udhë që do të më sillte dhembje, dhe më drejto për në udhën e përjetësisë.’ E dija se nuk i përkitja botës​—asnjëherë nuk u përshtata vërtet me të—​dhe e dija se vendi im ishte në organizatën e Jehovait. Nisa të kuptoja se Jehovai nuk kishte braktisur kurrë; thjesht kisha nevojë të gjeja rrugën e kthimit për tek ai. Dhe sa e lumtur jam që e gjeta!»

«Nisa të kuptoja se Jehovai nuk kishte braktisur kurrë; thjesht kisha nevojë të gjeja rrugën e kthimit për tek ai»

Lutemi me gjithë zemër që edhe ti të përjetosh sërish gëzimin që të jep Jehovai. (Nehemia 8:10) Asnjëherë nuk do të të vijë keq që u ktheve te Jehovai.