Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 94

Rëndësia e lutjes dhe e përulësisë

Rëndësia e lutjes dhe e përulësisë

LUKA 18:1-14

  • ILUSTRIMI I VEJUSHËS NGULMUESE

  • FARISEU DHE TAKSAMBLEDHËSI

Jezui tashmë u ka thënë një ilustrim dishepujve që tregon se duhet të ngulmojnë në lutje. (Luka 11:5-13) Tani mund të jetë në Samari ose në Galile dhe, për të ritheksuar sa e nevojshme është të luten vazhdimisht, bën këtë ilustrim:

«Në një qytet ishte një gjykatës që nuk i frikësohej Perëndisë dhe nuk kishte respekt për njeri. Në atë qytet ishte edhe një vejushë që shkonte shpesh te ky gjykatës dhe i thoshte: ‘Të lutem, vendose në vend drejtësinë mes meje dhe kundërshtarit tim.’ Për njëfarë kohe ai nuk pranoi, por më pas tha me vete: ‘Edhe pse nuk i frikësohem Perëndisë dhe nuk respektoj njeri, meqë kjo vejushë më bezdis orë e çast, do t’ia jap të drejtën që i takon, që të mos vijë më e të ma plasë shpirtin fare.’»—Luka 18:2-5.

Për të shpjeguar mësimin, Jezui thotë: «A e dëgjuat ç’tha gjykatësi, edhe pse i padrejtë? A nuk do ta vërë, pra, Perëndia drejtësinë në vend për të zgjedhurit e vet që i thërrasin ditë e natë për ndihmë, ndërsa tregon durim për të mirën e tyre?» (Luka 18:6, 7) Çfarë po tregon Jezui për Atin?

Sigurisht, Jezui nuk po thotë se Perëndia Jehova i ngjan në ndonjë mënyrë gjykatësit të padrejtë. Por, po jep një mësim me anë të këtij kontrasti: nëse një gjykatës i padrejtë njerëzor u përgjigjet përgjërimeve të vazhdueshme, aq më tepër Perëndia do të veprojë kështu. Ai është i drejtë dhe i mirë e do të na përgjigjet nëse i lutemi pareshtur. Këtë e shohim nga ajo që thotë Jezui më pas: «Unë po ju them se [Perëndia] do ta vërë në vend drejtësinë pa vonesë.»—Luka 18:8.

Shpesh, njerëzit e thjeshtë e të varfër nuk gjejnë drejtësi, ndërkohë të pasurit dhe ata me pozitë favorizohen. Ama, Perëndia nuk vepron kështu. Në momentin e duhur, ai do të vërë në vend drejtësinë duke ndëshkuar të ligjtë dhe duke shpërblyer shërbëtorët e tij me jetë të përhershme.

Cilët kanë besim si ai i vejushës? Sa veta besojnë vërtet se Perëndia «do ta vërë në vend drejtësinë pa vonesë»? Jezui sapo ka ilustruar rëndësinë që ka të ngulmojmë në lutje. Tani thekson nevojën për të pasur besim te fuqia e lutjes, me këto fjalë: «Kur të mbërrijë Biri i njeriut, a do të gjejë vallë këtë lloj besimi në tokë?» (Luka 18:8) Me këtë pyetje, Jezui po tregon se, kur ai të vijë, njerëzit me këtë lloj besimi, do të jenë të paktë.

Disa nga dëgjuesit janë tepër të sigurt për besimin e tyre. Ata e mbajnë veten për të drejtë dhe i shohin me përçmim të tjerët. Prandaj, ilustrimi i radhës është pikërisht për ta:

«Dy burra shkuan në tempull që të luteshin: njëri ishte farise dhe tjetri taksambledhës. Fariseu qëndroi në këmbë dhe nisi të lutej me vete: ‘O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si gjithë të tjerët—zhvatës, të padrejtë, kurorëshkelës—dhe as si ky taksambledhës. Unë agjëroj dy herë në javë dhe jap të dhjetën e gjithçkaje që fitoj.’»—Luka 18:10-12.

Farisenjtë e kanë zakon të bëjnë në publik vepra që të duken të drejtë në sytë e të tjerëve. Ata kanë vendosur të agjërojnë të hënave dhe të enjteve, kur pazaret janë plot me njerëz që t’i shohin sa më shumë veta. Madje japin me përpikëri edhe të dhjetën e bimëve të vogla. (Luka 11:42) Pak muaj më parë, farisenjtë shprehën përbuzje për njerëzit e thjeshtë, me fjalët: «Kjo turmë që nuk e njeh Ligjin [sipas farisenjve], janë njerëz të mallkuar.»—Gjoni 7:49.

Jezui vazhdon ilustrimin: «Kurse taksambledhësi qëndronte në këmbë larg dhe as guxonte të ngrinte sytë drejt qiellit, por i binte gjoksit me grushte dhe thoshte: ‘O Perëndi, ki mëshirë për mua mëkatarin!’» Ky taksambledhës i pranon me përulësi gabimet e tij. Jezui përfundon: «Unë po ju them se ky zbriti e u kthye në shtëpi më i drejtë se fariseu. Vërtet, kushdo që e lartëson veten, do të përulet, por kushdo që e përul veten, do të lartësohet.»—Luka 18:13, 14.

Kështu, Jezui e bën të qartë sa rëndësi ka të jesh i përulur. Kjo këshillë e çmuar ka shumë vlerë për dishepujt e tij, që janë rritur në një shoqëri ku farisenjtë, që e mbajnë veten për të drejtë, i japin rëndësi pozitës dhe rangut shoqëror. Por, vlen edhe për të gjithë ata që do të ndjekin Jezuin në të ardhmen.