Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 47

Një vogëlushe kthehet në jetë!

Një vogëlushe kthehet në jetë!

Jairi sheh se gruaja me rrjedhje gjaku u shërua falë Jezuit. Patjetër që Jezui mund t’i shërojë edhe të bijën, ndonëse Jairi mendon se ‘tashmë vajza e tij ka vdekur’. (Mateu 9:18) Mos vallë ka ende shpresë për të?

Ndërkohë që Jezui është akoma duke folur me gruan që shëroi, vijnë disa burra nga shtëpia e Jairit dhe i thonë: «Vajza jote vdiq! Pse ta shqetësosh akoma Mësuesin?!»—Marku 5:35.

Sa lajm dërrmues! Ky burrë kaq i respektuar në komunitet s’mund të bëjë më asgjë për vajzën e tij të vetme, sepse ajo ka vdekur. Jezuit ia kap veshi bisedën dhe i thotë Jairit këto fjalë zemërdhënëse: «Mos ki frikë, vetëm trego besim.»—Marku 5:36.

Pastaj Jezui shkon me Jairin në shtëpinë e tij. Kur mbërrijnë, gjejnë një rrëmujë të madhe. Ata që janë mbledhur, po qajnë, po vajtojnë e po godasin veten me hidhërim. Jezui hyn në shtëpi dhe thotë këto fjalë befasuese: «Fëmija nuk ka vdekur, por po fle.» (Marku 5:39) Kur dëgjojnë këtë, njerëzit tallen me Jezuin. E dinë për bukuri që vajza ka vdekur. Megjithatë Jezui, falë fuqisë që i ka dhënë Perëndia, do të provojë se është e mundur që njerëzit të kthehen në jetë, siç është e mundur që të zgjohen nga një gjumë i thellë.

Tani Jezui i nxjerr të gjithë jashtë. Merr me vete Pjetrin, Jakovin, Gjonin dhe prindërit e vogëlushes e bashkë me ta, shkon pranë vendit ku qëndron e shtrirë vajza. E kap për dore dhe thotë: «‘Tálitha kúmi’, që kur përkthehet, do të thotë: ‘Vogëlushe, po të them: ngrihu!’» (Marku 5:41) Ajo çohet menjëherë dhe fillon të ecë. Përfytyro gëzimin e papërshkrueshëm që provojnë Jairi dhe e shoqja! Për të hequr çfarëdo dyshimi që vajza është gjallë, Jezui u thotë t’i sjellin diçka për të ngrënë.

Më parë, Jezui i ka urdhëruar ata që ka shëruar të mos tregojnë gjithandej se çfarë ka bërë për ta. Njësoj bën edhe tani me prindërit e saj. Mirëpo nga lumturia e madhe, prindërit dhe të tjerët hapin fjalë «në të gjithë zonën». (Mateu 9:26) A nuk do të flitje edhe ti pa pushim po të kishe parë ringjalljen e një prej njerëzve të tu të dashur? Kjo është ringjallja e dytë e dokumentuar që ka kryer Jezui.