Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 46

Shërohet ngaqë prek rrobën e Jezuit

Shërohet ngaqë prek rrobën e Jezuit

MATEU 9:18-22 MARKU 5:21-34 LUKA 8:40-48

  • NJË GRUA SHËROHET, NGAQË PREK RROBËN E JEZUIT

Judenjtë që jetojnë në bregun veriperëndimor të detit të Galilesë marrin vesh se Jezui është kthyer nga Dekapoli. Me siguri, shumë veta kanë dëgjuar se Jezui qetësoi erën dhe detin gjatë stuhisë së fundit dhe disa mund ta dinë edhe se shëroi burrat e pushtuar nga demonët. Prandaj, «një turmë e madhe» mblidhen buzë detit, ka mjaft të ngjarë në zonën e Kapernaumit, për të mirëpritur sërish Jezuin. (Marku 5:21) Kur ai zbret nga varka, njerëzit janë kuriozë e të paduruar për të parë më shumë.

Një nga ata që mezi pret të takojë Jezuin është Jairi, një nga të parët e sinagogës, mbase të asaj në Kapernaum. Bie në këmbët e Jezuit dhe i përgjërohet pa pushim: «Vajza ime e vogël është shumë rëndë. Të lutem, eja e vër duart mbi të, që të shërohet e të jetojë.» (Marku 5:23) Jezui preket nga lutja plot zjarr e Jairit për të ndihmuar vajzën e tij të vetme 12-vjeçare që e ka si dritën e syrit.—Luka 8:42.

Prandaj, ai niset për në shtëpinë e Jairit, por rrugës has një tjetër situatë prekëse. Shumë nga ata që shoqërojnë Jezuin janë kuriozë dhe mezi presin të shohin mrekullinë e radhës. Ndërsa një grua mes turmës e ka mendjen te problemi i saj i rëndë shëndetësor.

Ka 12 vjet që kjo judeje vuan nga një rrjedhje gjaku. Ka shkuar nga njëri mjek te tjetri duke harxhuar gjithë paratë për kurat që i kanë rekomanduar. Por, në vend që të gjejë derman, ‘është bërë më keq’.—Marku 5:26.

Siç mund ta kuptosh, sëmundja jo vetëm e këput fizikisht, por edhe e vë në siklet dhe e turpëron para të tjerëve. Zakonisht një person nuk flet hapur për probleme të tilla. Veç kësaj, sipas Ligjit të Moisiut, rrjedhja e gjakut e bën një grua të papastër ceremonialisht. Dhe kushdo që prek atë ose rrobat e saj të njollosura duhet të lahet dhe është i papastër deri në mbrëmje.—Levitiku 15:25-27.

Gruaja ‘ka dëgjuar për Jezuin’, ndaj po e kërkon. Ngaqë është e papastër, përpiqet të kalojë mes turmës pa rënë në sy duke thënë me vete: «Sikur vetëm rrobat t’i prek, do të shërohem.» Me të prekur thekët e rrobës së Jezuit, ndien se rrjedhja e gjakut i pushon dhe ‘shërohet nga sëmundja e rëndë’.—Marku 5:27-29.

Pastaj Jezui pyet: «Kush më preku?» Imagjino si ndihet ajo kur dëgjon këtë! Pjetri përpiqet me lezet të korrigjojë Jezuin: «Turmat po ngjishen e po shtyhen pas teje.» Po atëherë, pse pyet Jezui «kush më preku»? Ai shpjegohet: «Dikush më preku, sepse e ndjeva që nga unë doli fuqi.» (Luka 8:45, 46)

Kur kupton se nuk ka shpëtuar pa u vënë re, gruaja i bie në gjunjë Jezuit duke u dridhur e frikësuar. Ajo tregon para të gjithëve të vërtetën për sëmundjen e saj dhe se sapo është shëruar. Jezui zemërmirë e ngushëllon me këto fjalë: «Bijë, besimi yt të shëroi. Shko në paqe dhe qofsh shëndoshë e mirë, sepse sëmundja jote e rëndë kaloi.»—Marku 5:34.

S’diskutohet se ai të cilin Perëndia e ka zgjedhur për të qeverisur tokën është një person i dashur që i dhimbsen njerëzit. Jezui jo vetëm merakoset për ta, por ka edhe fuqinë që t’i ndihmojë.