Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 37

Jezui ringjall djalin e një vejushe

Jezui ringjall djalin e një vejushe

LUKA 7:11-17

  • RINGJALLJE NË NAIN

Pak pasi shëron shërbëtorin e centurionit, Jezui largohet nga Kapernaumi dhe niset për në Nain, një qytet në jugperëndim, afro 32 km larg. Nuk është vetëm, sepse me të po udhëtojnë dishepujt dhe një turmë e madhe. Ka të ngjarë që mbërrijnë në rrethinat e Nainit aty nga mbrëmja. Atje vërejnë një kortezh me shumë judenj. Po transportojnë jashtë qytetit trupin e vdekur të një djali që ta varrosin.

S’diskutohet se më e hidhëruar është mamaja e djalit. Ajo është vejushë, dhe tani i ka vdekur fëmija i vetëm. Kur i vdiq burri, të paktën kishte pranë djalin e shtrenjtë. Imagjino sa për zemër e kishte, të gjitha shpresat dhe e ardhmja e saj vareshin prej tij. Tani që i ka vdekur edhe djali, kush mund t’ia lehtësojë vetminë dhe t’ia sigurojë bukën e gojës?!

Kur Jezui vëren pikëllimin e thellë të gruas dhe situatën e saj të rëndë, i dhemb në shpirt. Me një ton të butë, por me një siguri që ia ngre zemrën peshë, i thotë: «Mos qaj më!» Pastaj bën diçka tjetër. Afrohet dhe prek vigun që mban trupin e pajetë. (Luka 7:13, 14) Qëndrimi dhe mënyra e tij e të vepruarit bëjnë që kortezhi të ngrijë në vend. Ndoshta shumë thonë me vete: «Pse e thotë këtë dhe ç’ka ndër mend të bëjë?»

Ç’të themi për ata që udhëtojnë me Jezuin? Ata e kanë parë të kryejë vepra të fuqishme, të shërojë shumë sëmundje, por me sa duket asnjëherë nuk e kanë parë të ringjallë dikë. E dinë që në të kaluarën kanë ndodhur ringjallje, por a është në gjendje Jezui ta bëjë këtë? (1 Mbretërve 17:17-23; 2 Mbretërve 4:32-37) Jezui urdhëron: «Djalosh, ty po të them: ngrihu!» (Luka 7:14) Dhe mrekullia ndodh. Djali ngrihet, rri ulur dhe nis të flasë! Jezui e lë në duart e dashura të së ëmës, e cila s’u beson syve dhe fluturon nga gëzimi. Tani nuk është më vetëm.

Kur njerëzit shikojnë që djali është gjallë, lëvdojnë Jetëdhënësin, Jehovain, me këto fjalë: «Na është dhënë një profet i madh mes nesh.» Të tjerë kapin domethënien e kësaj mrekullie dhe thonë: «Perëndisë i erdhi keq për popullin e vet.» (Luka 7:16) Fjala për këtë ngjarje të pabesueshme merr dhenë në zonën përreth. Ka shumë mundësi të ketë shkuar deri në Nazaret, qyteti ku u rrit Jezui, rreth 10 km larg, e madje deri poshtë në jug, në Jude.

Gjon Pagëzori është akoma në burg dhe është tërë interes për mrekullitë që Jezui është në gjendje të bëjë. Kur dishepujt e Gjonit i tregojnë për këtë të fundit, çfarë bën ai?