Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 27

Mateu merr një ftesë

Mateu merr një ftesë

MATEU 9:9-13 MARKU 2:13-17 LUKA 5:27-32

  • JEZUI FTON MATEUN, TAKSAMBLEDHËSIN

  • KRISHTI SHOQËROHET ME MËKATARËT PËR T’I NDIHMUAR

Pasi shëron të paralizuarin, Jezui rri për ca kohë në zonën e Kapernaumit pranë detit të Galilesë. Tek ai vijnë sërish turma njerëzish, të cilat nis t’i mësojë. Duke ecur pranë një zyre taksash, Jezui shikon të ulur Mateun që quhet edhe Levi, dhe i bën këtë ftesë të mrekullueshme: «Bëhu dishepulli im.»—Mateu 9:9.

Ka të ngjarë që Mateu, ashtu si Pjetri, Andrea, Jakovi dhe Gjoni, i njeh deri diku mësimet dhe veprat e fuqishme që ka bërë Jezui në këtë zonë. Dhe ashtu si ata, e pranon menjëherë ftesën. Në Ungjillin që mban emrin e tij, Mateu e përshkruan kështu ngjarjen: «Ai [vetë Mateu] u çua menjëherë dhe e ndoqi» Jezuin. (Mateu 9:9) Ai heq dorë nga puna si taksambledhës dhe bëhet dishepull i Jezuit.

Më vonë, Mateu shtron një gosti të madhe në shtëpinë e tij, mbase që të tregojë sa e çmon ftesën e veçantë të Jezuit. Kë ka ftuar tjetër përveç Jezuit dhe dishepujve? Ish-shokët e vet taksambledhës. Ata merren me mbledhjen e taksave për autoritetet e urryera romake, si taksat për anijet që ankorohen në port, për karvanët që kalojnë në rrugët kryesore dhe për mallrat e importuara. Por si i shohin në përgjithësi judenjtë taksambledhësit? Me përbuzje, sepse shpesh këta kërkojnë në mënyrë të pandershme më tepër pará. Në këtë gosti ka edhe ‘mëkatarë’, njerëz me reputacion të keq ngaqë bëjnë jetë të pamoralshme.—Luka 7:37-39.

Kur shohin Jezuin të shtruar në gosti me këta njerëz, farisenjtë e pranishëm që e mbajnë veten për të drejtë, pyesin dishepujt: «Pse mësuesi juaj ha me taksambledhësit dhe mëkatarët?» (Mateu 9:11) Jezuit ia kap veshi bisedën dhe u përgjigjet: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët, po. Shkoni dhe mësoni ç’do të thotë: ‘Unë dua mëshirë dhe jo flijime’, sepse nuk erdha të thërras të drejtët, por mëkatarët.» (Mateu 9:12, 13; Hozea 6:6) Megjithëse farisenjtë e quajnë Jezuin ‘mësues’, nuk besojnë se është i tillë dhe nuk duan të mësojnë prej tij se çfarë është e drejtë.

Me sa duket, Mateu i ka ftuar taksambledhësit dhe mëkatarët në shtëpinë e tij që të dëgjojnë Jezuin, «sepse shumë nga këta kishin filluar ta ndiqnin». (Marku 2:15) Jezui dëshiron t’i ndihmojë të ndreqin marrëdhënien me Perëndinë. Ndryshe nga farisenjtë e vetëquajtur të drejtë, ai nuk i përçmon këta njerëz. Përkundrazi, ndien dhembshuri e mëshirë. Ashtu si një mjek shëron një të sëmurë, Jezui dëshiron t’i «shërojë», pra, të ndihmojë të gjithë ata që u është dobësuar marrëdhënia me Perëndinë.

Fakti që Jezui u tregon mëshirë taksambledhësve dhe mëkatarëve, s’do të thotë se po mbyll një sy para mëkateve, por po shfaq të njëjtat ndjenja që shfaqi ndaj të sëmurëve. Për shembull, ndoshta të kujtohet kur plot dhembshuri, preku një të lebrosur dhe i tha: «Po, dua! Pastrohu.» (Mateu 8:3) A nuk duhet të zhvillojmë të njëjtin qëndrim të mëshirshëm e të mbështetim ata në nevojë, sidomos duke i ndihmuar të kenë një marrëdhënie të mirë me Jehovain?