Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 67

«Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu»

«Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu»

GJONI 7:32-52

  • DËRGOJNË ROJA PËR TË ARRESTUAR JEZUIN

  • NIKODEMI FLET NË MBROJTJE TË JEZUIT

Jezui është akoma në Jerusalem për Festën judeje të Tabernakujve (ose të Kasolleve). Është i kënaqur që ‘shumë veta nga turma tregojnë besim tek ai’. Mirëpo kjo nuk u pëlqen aspak krerëve fetarë, ndaj dërgojnë roja për ta arrestuar. (Gjoni 7:31, 32) Megjithatë, Jezui nuk përpiqet të fshihet.

Përkundrazi vazhdon t’i mësojë hapur të tjerët në Jerusalem dhe thotë: «Edhe për pak kohë jam me ju, para se të shkoj tek Ai që më dërgoi. Ju do të më kërkoni, por nuk do të më gjeni, e atje ku jam unë, ju nuk vini dot.» (Gjoni 7:33, 34) Judenjtë nuk e kuptojnë, prandaj i thonë njëri-tjetrit: «Ku ka ndër mend të shkojë ky njeri që ne nuk do ta gjejmë? Mos ka ndër mend të shkojë te judenjtë që jetojnë mes grekëve e të mësojë grekët? Ç’do të thotë me fjalët, ‘ju do të më kërkoni, por nuk do të më gjeni, e atje ku jam unë, ju nuk vini dot’?» (Gjoni 7:35, 36) Jezui po flet për vdekjen dhe për ringjalljen e tij në qiell, dhe atje armiqtë nuk e ndjekin dot.

Vjen dita e shtatë e festës. Çdo mëngjes gjatë festës, një prift merr ujë nga pellgu i Siloamit dhe e derdh duke e lënë të rrjedhë deri në rrëzë të altarit në tempull. Ka shumë mundësi që Jezui u sjell ndër mend këtë praktikë kur thotë me zë të lartë: «Kush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë! Siç thotë shkrimi: ‘Lumenj me ujin e jetës do të rrjedhin nga thellësia e zemrës’ së atij që tregon besim tek unë.»—Gjoni 7:37, 38.

Jezui po flet për atë që do të ndodhë kur dishepujt e tij të mirosen me frymë të shenjtë dhe të thirren për shpresën qiellore. Kjo mirosje do të ndodhë pas vdekjes së Jezuit. Duke filluar nga Festa e Ditës së Pesëdhjetë vitin pasues, lumenjtë me ujin jetëdhënës do të nisin të rrjedhin kur dishepujt e mirosur me frymë të flasin për të vërtetën me të tjerët.

Pasi dëgjojnë mësimin e Jezuit, disa thonë: «Ky është pa dyshim Profeti.» Me sa duket po i referohen profetit më të madh se Moisiu që është parathënë. Të tjerë pohojnë: «Ky është Krishti.» Por disa kundërshtojnë: «Vallë nga Galilea do të vijë Krishti? A nuk thonë shkrimet se Krishti do të vijë nga pasardhësit e Davidit dhe nga Betlehemi, fshati i Davidit?»—Gjoni 7:40-42.

Kështu, turma përçahet. Disa duan ta arrestojnë Jezuin, por askush s’guxon ta prekë me dorë. Kur rojat kthehen te krerët fetarë pa Jezuin, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë i pyesin: «Pse nuk e sollët?» Rojat përgjigjen: «Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu.» Tërë nerva krerët fetarë i tallin dhe i shajnë: «Mos u mashtruat edhe ju? As edhe një nga krerët a nga farisenjtë nuk ka treguar besim tek ai, apo jo? Por kjo turmë që nuk e njeh Ligjin, janë njerëz të mallkuar.»—Gjoni 7:45-49.

Atëherë, Nikodemi, një farise dhe anëtar i Sinedrit, guxon të flasë në mbrojtje të Jezuit. Rreth dy vjet e gjysmë më parë, Nikodemi kishte shkuar te Jezui natën dhe kishte shprehur besimin tek ai. Tani thotë: «Ligji ynë nuk e gjykon një njeri, po të mos e dëgjojë më parë atë vetë e po të mos marrë vesh çfarë ka bërë, apo jo?» Si mbrohen ata? «Mos je edhe ti nga Galilea? Shqyrto Shkrimet dhe shiko se nga Galilea nuk ka për të dalë asnjë profet.»—Gjoni 7:51, 52.

Shkrimet nuk e thonë specifikisht se nga Galilea do të dalë një profet. Megjithatë, Fjala e Perëndisë lë të kuptohet se Krishti do të vijë nga ky vend; ajo profetizon se «në Galilenë e kombeve» do të shihet ‘një dritë e madhe’. (Isaia 9:1, 2; Mateu 4:13-17) Veç kësaj, siç ishte parathënë, Jezui lind në Betlehem dhe është pasardhës i Davidit. Farisenjtë mund t’i dinë këto gjëra, e prapëseprapë ka mjaft të ngjarë të jenë përgjegjës për përhapjen e shumë ideve të gabuara që kanë njerëzit rreth Jezuit.