Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 72

Jezui dërgon 70 dishepuj të predikojnë

Jezui dërgon 70 dishepuj të predikojnë

LUKA 10:1-24

  • JEZUI ZGJEDH 70 DISHEPUJ DHE I DËRGON TË PREDIKOJNË

Është fundi i vitit 32 e.s., dhe kanë kaluar rreth tre vjet nga pagëzimi i Jezuit. Ai bashkë me dishepujt sapo kanë kremtuar Festën e Tabernakujve në Jerusalem, e me shumë mundësi janë ende në rrethinat e qytetit. (Luka 10:38; Gjoni 11:1) Gjashtë muajt e fundit të shërbimit, Jezui predikon kryesisht në Jude dhe në anën tjetër të lumit Jordan, në krahinën e Peresë. Edhe aty njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë mesazhin e tij.

Për disa muaj pas Festës së Kalimit të vitit 30 e.s., Jezui predikoi në Jude dhe udhëtoi përmes Samarisë. Më pas, në periudhën e Festës së Kalimit të vitit 31 e.s., judenjtë në Jerusalem u përpoqën ta vrisnin. Më vonë, për rreth një vit e gjysmë, Jezui predikoi kryesisht në veri, në Galile. Gjatë asaj periudhe, shumë u bënë dishepuj të tij. Në Galile, Jezui i stërviti apostujt dhe i dërgoi të predikonin duke i udhëzuar: «Shkoni, predikoni: ‘Mbretëria e qiejve është afruar.’» (Mateu 10:5-7) Tani ai organizon një fushatë predikimi në Jude.

Për këtë fushatë, Jezui zgjedh 70 dishepuj dhe i dërgon dy e nga dy. Ata predikojnë në një territor ku «të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak». (Luka 10:2) Caktimi i tyre është të shkojnë në vende ku më vonë mund të shkojë edhe Jezui, të shërojnë të sëmurët dhe të përhapin të njëjtin mesazh që predikon ai.

Në vend që t’i mësojnë nëpër sinagoga, dishepujt duhet të shkojnë në shtëpitë e njerëzve. Jezui u thotë: «Në cilëndo shtëpi që të hyni, më parë thoni: ‘Paqja qoftë në këtë shtëpi!’ . . . Nëse ka një mik të paqes, paqja juaj do të jetë me të.» Cilin mesazh do të predikojnë? Jezui vazhdon: «Thuajuni: ‘Mbretëria e Perëndisë ju është afruar.’»—Luka 10:5-9.

Udhëzimet që Jezui u jep 70 dishepujve, janë të ngjashme me ato që u dha 12 apostujve rreth një vit më parë. Ai i paralajmëron se jo të gjithë do t’i mirëpresin. Megjithatë, do të përgatitin terrenin që, kur të shkojë Zotëria, njerëzit me zemër të prirur të duan ta njohin e të mësohen prej tij.

Jo shumë kohë më pas, 70 dishepujt që predikojnë Mbretërinë, kthehen te Jezui. Ata i tregojnë gjithë gëzim: «Zotëri, edhe demonët na nënshtroheshin në emrin tënd.» Pa dyshim që këto gjëra e entuziazmojnë Jezuin, ndaj thotë: «Tashmë e shoh Satanain duke rënë nga qielli si rrufe. Ju kam dhënë autoritet të shkelni me këmbë gjarpërinj e akrepa.»—Luka 10:17-19.

Kështu Jezui i siguron dishepujt se do të dalin fitimtarë mbi çdo lloj gjëje që mund t’i dëmtojë dhe, në mënyrë të figurshme, do të jetë sikur të shkelin me këmbë gjarpërinjtë dhe akrepat. Veç kësaj, mund të jenë të sigurt se në të ardhmen Satanai do të dëbohet nga qielli. Gjithashtu Jezui i ndihmon 70 dishepujt të kuptojnë se çfarë ka vërtet rëndësi. Ai thotë: «Mos u gëzoni që frymërat ju nënshtrohen, por gëzohuni sepse emrat tuaj janë shkruar në qiej.»—Luka 10:20.

Jezui është tejet i gëzuar dhe lëvdon publikisht Atin që po përdor në mënyrë të fuqishme këta shërbëtorë të përulur. Duke iu drejtuar dishepujve, ai u thotë: «Lum sytë që shohin gjërat që po shihni ju! Vërtet po ju them: shumë profetë dhe mbretër dëshironin t’i shikonin gjërat që po shihni ju, por nuk i panë, dhe të dëgjonin gjërat që po dëgjoni ju, por nuk i dëgjuan.»—Luka 10:23, 24.