Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 17

Mëson Nikodemin natën

Mëson Nikodemin natën

GJONI 2:23–3:21

  • JEZUI FLET ME NIKODEMIN

  • ÇFARË DO TË THOTË ‘TË LINDËSH PËRSËRI’?

Jezui kryen shenja mbresëlënëse, pra mrekulli, ndërsa është në Jerusalem për Festën e Kalimit të vitit 30 të e.s. Si rezultat, shumë njerëz besojnë tek ai. Këto mrekulli i bëjnë përshtypje edhe Nikodemit, një farise dhe anëtar i Sinedrit, gjykatës së lartë judaike. I etur për të ditur më shumë, shkon te Jezui, ama e bën këtë natën. Me sa duket ka frikë se, po ta shohin, rrezikon reputacionin që gëzon mes krerëve judenj.

Nikodemi i thotë: «Rabi, ne e dimë që ti ke ardhur nga Perëndia si mësues, sepse askush s’mund t’i kryejë shenjat që kryen ti, po qe se Perëndia nuk është me të.» Jezui i tregon Nikodemit se për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë, një njeri duhet ‘të lindë përsëri’.—Gjoni 3:2, 3.

Atëherë ai e pyet: «Si mund të lindë njeriu kur është plak? A mund të hyjë dot për së dyti në barkun e nënës e të lindë?»—Gjoni 3:4.

Por Jezui nuk e ka fjalën këtu. Ai shpjegon: «Nëse dikush nuk lind nga uji dhe nga fryma e shenjtë, nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë.» (Gjoni 3:5) Jezui lindi «nga uji dhe nga fryma e shenjtë» kur u pagëzua dhe mbi të zbriti fryma e shenjtë. Në atë rast, nga qielli u dëgjuan fjalët: «Ky është Biri im, Biri im i dashur, që unë e kam miratuar.» (Mateu 3:16, 17) Kështu Perëndia shpalli se tani Jezui ishte një bir i lindur nga fryma e shenjtë dhe kishte perspektivën të hynte në Mbretërinë qiellore. Më vonë, në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., fryma e shenjtë do të derdhet mbi të pagëzuar të tjerë. Në këtë mënyrë, edhe ata do të lindin përsëri si bij të Perëndisë të lindur nga fryma.—Veprat 2:1-4.

Nikodemi nuk e ka të lehtë të kuptojë gjërat që po i mëson Jezui për Mbretërinë. Ndaj Jezui i tregon më tepër për rolin e tij të veçantë si Bir njerëzor i Perëndisë. Ai i thotë: «Ashtu si Moisiu ngriti gjarprin në një shtizë në shkretëtirë, po kështu do ta ngrenë edhe Birin e njeriut, që kushdo që beson tek ai, të ketë jetë të përhershme.»—Gjoni 3:14, 15.

Shumë kohë më parë, izraelitët që kafshoheshin nga gjarpërinjtë helmues, duhej të shihnin gjarprin prej bakri që të shpëtonin. (Numrat 21:9) Po njësoj, të gjithë njerëzit duhet të tregojnë besim te Biri i Perëndisë që të çlirohen nga mëkati dhe vdekja e të fitojnë jetën e përhershme. Për të nxjerrë në pah rolin dhe dashurinë e Jehovait, Jezui i thotë Nikodemit: «Sepse Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Këtu në Jerusalem, afro gjashtë muaj pasi ka nisur shërbimin, Jezui bën të qartë se është udha për shpëtimin e njerëzimit.

Ai i thotë Nikodemit: «Perëndia nuk e dërgoi Birin e tij në botë që ta gjykojë botën.» Pra, Jezui nuk erdhi t’i dënojë me shkatërrim njerëzit. Përkundrazi, siç e tha edhe vetë, u dërgua «që bota të shpëtojë nëpërmjet tij».—Gjoni 3:17.

Nga frika, Nikodemi e takon Jezuin në errësirën e natës. Ja pse është interesante si e përfundon bisedën Jezui: «Tani, baza për gjykim është kjo: drita [pra Jezui me gjithë sa bëri e mësoi] erdhi në botë, por njerëzit deshën errësirën në vend të dritës, sepse veprat e tyre ishin të liga. Vërtet, kushdo që vazhdon të bëjë gjëra të poshtra, e urren dritën dhe nuk i afrohet asaj, që veprat e tij të mos dalin sheshit. Por, kushdo që bën gjëra të drejta, i afrohet dritës, që të duket qartë se veprat e tij janë bërë sipas vullnetit të Perëndisë.»—Gjoni 3:19-21.

Tani është në dorë të Nikodemit, këtij fariseu dhe mësuesi në Izrael, të bluajë në mendje gjërat që mësoi për rolin e Jezuit në qëllimin e Perëndisë.