Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 130

Pilati e dorëzon Jezuin që ta ekzekutojnë

Pilati e dorëzon Jezuin që ta ekzekutojnë

MATEU 27:31, 32 MARKU 15:20, 21 LUKA 23:24-31 GJONI 19:6-17

  • PILATI PËRPIQET TË LIROJË JEZUIN

  • JEZUIN E DËNOJNË DHE E ÇOJNË NË VENDIN E EKZEKUTIMIT

Megjithëse kanë parë talljet dhe keqtrajtimin mizor që ka hequr Jezui, prapëseprapë krerët e priftërinjve dhe përkrahësit e tyre nuk ndikohen fare nga përpjekjet e Pilatit për ta liruar. Ata janë të vendosur ta çojnë deri në fund planin për ta vrarë Jezuin dhe bërtasin pa pushim: «Vëre në shtyllë! Vëre në shtyllë!» Pilati përgjigjet: «Merreni ju dhe ekzekutojeni, se unë nuk gjej asnjë faj tek ai.»—Gjoni 19:6.

Judenjtë nuk ia mbushin dot mendjen Pilatit që Jezui meriton të vdesë për ndonjë krim politik. Po nëse nxjerrin një akuzë fetare? Ja pse përdorin akuzën për blasfemi që ngritën kundër Jezuit para Sinedrit. «Ne kemi një ligj,—thonë ata,—dhe sipas këtij ligji ai duhet të vdesë, sepse e quajti veten bir të Perëndisë.» (Gjoni 19:7) Është hera e parë që Pilati dëgjon këtë akuzë.

Ai hyn përsëri në pallatin e tij dhe përpiqet të gjejë një mënyrë për ta liruar këtë njeri që ka duruar trajtime të ashpra dhe për të cilin e shoqja ka parë një ëndërr. (Mateu 27:19) Mbase Pilati bluan në mendje këtë akuzë të re që po ngrenë judenjtë, pra se i burgosuri është ‘Biri i Perëndisë’. Ai e di që Jezui është nga Galilea. (Luka 23:5-7) Prapëseprapë e pyet Jezuin: «Nga je?» (Gjoni 19:9) Mos ndoshta Pilati mendon që Jezui ka jetuar më parë dhe, në njëfarë kuptimi, ka origjinë hyjnore?

Pilati e kishte dëgjuar vetë Jezuin të thoshte që ishte mbret, por që Mbretëria e tij nuk ishte pjesë e kësaj bote. Prandaj Jezui nuk e sheh të nevojshme të shtojë gjë tjetër përveç asaj që kishte thënë tashmë dhe qëndron në heshtje. Kjo e prek në sedër Pilatin që tërë indinjatë i thotë: «Refuzon të më flasësh? Nuk e di se unë kam autoritet të të liroj ose të të ekzekutoj?»—Gjoni 19:10.

Atëherë Jezui i përgjigjet thjesht: «Ti s’do të kishe aspak autoritet mbi mua, po të mos të ishte lejuar nga lart. Ja pse njeriu që më dorëzoi te ti, është fajtor për një mëkat më të madh.» (Gjoni 19:11) Me shumë gjasa, Jezui nuk ka ndër mend një individ në veçanti. Ai po thotë se Kajafa, përkrahësit e tij dhe Judë Iskarioti janë më fajtorë se Pilati.

Ngaqë i bën shumë përshtypje sjellja e fjalët e Jezuit, dhe ka gjithnjë e më tepër frikë se mos ka origjinë hyjnore, Pilati mundohet përsëri ta lirojë. Mirëpo judenjtë përdorin një argument që pa dyshim e tmerron Pilatin. Ata e kërcënojnë: «Po e lirove këtë njeri, nuk je mik i Cezarit. Kushdo që e bën veten mbret, del kundër Cezarit.»—Gjoni 19:12.

Guvernatori e nxjerr edhe një herë përjashta Jezuin dhe, nga froni i gjykimit, i thotë turmës: «Ja, mbreti juaj!» Mirëpo judenjtë nuk lëshojnë pe. «Hiqe qafe! Hiqe qafe! Vëre në shtyllë!»—ulërasin ata. Pilati i pyet për të satën herë: «Të ekzekutoj mbretin tuaj?» Judenjtë prej kohësh e kanë zët sundimin romak; e prapëseprapë krerët e priftërinjve i përgjigjen me pafytyrësi: «Ne s’kemi mbret tjetër, përveç Cezarit.»—Gjoni 19:14, 15.

Pilati burracak rrëzohet para presionit të pareshtur të judenjve dhe e dorëzon Jezuin që ta ekzekutojnë. Ushtarët i heqin mantelin ngjyrë të purpurt dhe i veshin sërish rrobat e tij të sipërme. Teksa e çojnë te vendi i ekzekutimit, Jezui duhet të mbajë shtyllën e vet të torturës.

Është e premte paradite, 14 nisan. Jezui nuk ka vënë gjumë në sy që nga e enjtja në mëngjes herët dhe ka hequr tortura njëra pas tjetrës. Teksa përpiqet të mbajë shtyllën e rëndë, forcat e lënë. Ja pse ushtarët detyrojnë një kalimtar, Simonin nga qyteti afrikan i Kirenës, që ta mbajë shtyllën deri në vendin e ekzekutimit. Shumë veta i shkojnë pas, disa i bien gjoksit me grushte nga hidhërimi dhe vajtojnë për këtë që po ndodh.

Jezui u thotë grave të pikëlluara: «Bija të Jerusalemit, mos qani më për mua. Përkundrazi, qani për veten dhe për fëmijët tuaj, sepse, ja, po vijnë ditët kur do të thonë: ‘Lum shterpat, barqet që nuk lindën dhe gjinjtë që nuk mëndën!’ Atëherë do të fillojnë t’u thonë maleve: ‘Bini mbi ne!’, dhe kodrave: ‘Na mbuloni!’ Nëse i bëjnë këto gjëra kur pema është e njomë, ç’do të ndodhë kur të thahet?»—Luka 23:28-31.

Jezui e ka fjalën për kombin jude, i cili është si një pemë që po thahet. Pema ka ende pak njomësi meqë Jezui dhe disa judenj që besojnë tek ai, janë mes tyre. Por kur Jezui të vdesë dhe dishepujt e tij të dalin nga feja judaike, kombi i Izraelit do të bëhet si një pemë e tharë në sytë e Perëndisë. Do të derdhen shumë lot kur ushtritë romake të ekzekutojnë gjykimin e Perëndisë kundër këtij kombi.