MËSIMI 27
U rebeluan kundër Jehovait
Ca kohë më vonë, kur izraelitët ishin në shkretëtirë, Korahu, Datani, Abirami dhe 250 burra të tjerë u rebeluan kundër Moisiut dhe Aaronit. Ata u thanë: «Mjaft më me ju! Pse u dashka që ti të jesh udhëheqësi ynë dhe Aaroni kryeprifti ynë? Jehovai është me të gjithë ne, jo vetëm me ty dhe Aaronin.» Jehovait nuk i pëlqeu kjo. Ai e konsideroi rebelim ndaj tij!
Moisiu i tha Korahut dhe përkrahësve të tij: «Hajdeni nesër në tabernakull dhe sillni me vete mbajtëset e zjarrit të mbushura me temjan. Jehovai do të na e tregojë kë ka zgjedhur.»
Ditën tjetër Korahu dhe 250 burrat shkuan të takonin Moisiun në tabernakull. Atje dogjën temjan si të ishin priftërinj. Jehovai i tha Moisiut dhe Aaronit: «Ndahuni nga Korahu dhe burrat që janë me të.»
Edhe pse Korahu kishte shkuar te Moisiu në tabernakull, Datani, Abirami dhe familjet e tyre nuk pranuan të shkonin. Jehovai u tha izraelitëve të largoheshin nga tendat e Korahut,
Datanit dhe Abiramit. Izraelitët u larguan menjëherë. Datani, Abirami po rrinin jashtë tendave të tyre bashkë me familjet. Papritur, toka u hap dhe i përpiu! Ndërsa në tabernakull zbriti një zjarr nga qielli që dogji Korahun dhe 250 burrat që ishin me të.Më pas Jehovai i tha Moisiut: «Merr një shkop nga udhëheqësi i çdo fisi dhe shkruaj emrin e udhëheqësit në të. Por te shkopi i fisit të Levit shkruaj emrin e Aaronit. Vëri brenda tabernakullit dhe shkopi i atij burri që do të zgjedh, do të çelë lule.»
Të nesërmen Moisiu i nxori jashtë të gjithë shkopinjtë dhe ua tregoi udhëheqësve. Shkopi i Aaronit kishte çelur lule dhe bajame të bëra. Në këtë mënyrë, Jehovai vërtetoi që kishte zgjedhur Aaronin si kryeprift.
«Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush, dhe jini të nënshtruar.»—Hebrenjve 13:17