Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 20

Gjashtë plagë të tjera

Gjashtë plagë të tjera

Moisiu dhe Aaroni shkuan t’i thoshin faraonit këtë mesazh nga Perëndia: «Po nuk e le popullin tim të shkojë, do të dërgoj zektha në vend.» Zekthat janë miza të mëdha që pickojnë. Mizëri zekthash pushtuan shtëpitë e egjiptianëve të pasur e të varfër. I gjithë vendi u mbush plot me zektha. Por në vendin e Goshenit, ku jetonin izraelitët, nuk kishte zektha. Nga plaga e katërt e tutje, u prekën vetëm egjiptianët. Faraoni u përgjërua: «Lutjuni Jehovait t’i largojë këto miza. Populli juaj mund të shkojë.» Por, kur Jehovai i largoi zekthat, faraoni ndryshoi mendje. A do të nxirrte ndonjëherë mësim faraoni?

Jehovai tha: «Nëse faraoni nuk e lë popullin tim të shkojë, kafshët e egjiptianëve do të sëmuren e do të ngordhin.» Të nesërmen, kafshët filluan të ngordhnin. Por kafshët e izraelitëve nuk ngordhën. Prapëseprapë, faraoni vazhdoi të ishte kokëfortë e nuk u dorëzua.

Atëherë Jehovai i tha Moisiut të shkonte përsëri te faraoni e të hidhte blozë në ajër. Bloza u bë pluhur dhe u shpërnda në ajër mbi të gjithë egjiptianët. Pluhuri shkaktoi plagë të tmerrshme që u përhapën menjëherë mbi egjiptianët e kafshët e tyre. Megjithatë, faraoni nuk i lejoi izraelitët të shkonin.

Jehovai e dërgoi prapë Moisiun te faraoni për t’i thënë këtë mesazh: «Akoma nuk pranon ta lësh popullin tim të shkojë? Nesër, në vend do të bjerë breshër.» Ditën tjetër Jehovai dërgoi breshër, bubullima dhe zjarr. Ishte stuhia më e madhe që kishte parë ndonjëherë Egjipti. Të gjitha pemët dhe të korrat u shkatërruan përveç atyre në Goshen. Faraoni i tha: «Lutju Jehovait ta ndalojë këtë. Pastaj mund të ikni.» Por, sapo shiu dhe breshri pushuan, faraoni ndryshoi mendje.

Më pas Moisiu tha: «Tani karkalecat do të hanë çdo bimë që ka ngelur nga stuhia e breshrit.» Miliona karkaleca hëngrën çdo gjë që kishte ngelur nëpër fusha dhe në pemë. Faraoni u përgjërua: «Lutju Jehovait t’i largojë karkalecat.» Por, edhe pasi Jehovai i hoqi karkalecat, faraoni mbeti kokëfortë.

Jehovai i tha Moisiut: «Shtrije dorën drejt qiellit.» Menjëherë, qielli u errësua plotësisht. Për tri ditë egjiptianët nuk mund të shihnin asgjë. Vetëm ku banonin izraelitët kishte dritë.

Faraoni i tha Moisiut: «Ti dhe populli yt mund të shkoni, por kafshët duhet t’i lini këtu.» Moisiu i tha: «Duhet t’i marrim me vete edhe kafshët, që t’ia flijojmë Perëndisë tonë.» Faraoni u inatos shumë dhe bërtiti: «M’u hiq sysh! Po të pashë prapë, të vrava!»

«Keni për ta parë përsëri dallimin mes të drejtit dhe të ligut, mes atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben.»​—Malakia 3:18