Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 43

Çfarë thotë Bibla për pirjen e alkoolit?

Çfarë thotë Bibla për pirjen e alkoolit?

Përreth botës, njerëzit kanë mendime të ndryshme për alkoolin. Disave u pëlqen ta kthejnë nga një gotë me miqtë. Të tjerë s’e vënë në gojë. Kurse të tjerë akoma, pinë derisa dehen. Po Bibla, çfarë thotë për pijet alkoolike?

1. A është gabim të pish pije alkoolike?

Bibla jo vetëm që nuk e dënon pirjen e alkoolit, por ajo e përmend «verën që ia gëzon zemrën njeriut», si një nga dhuratat që na ka bërë Perëndia. (Psalmi 104:14, 15) Madje, edhe disa shërbëtorë besnikë që përmenden në Bibël, përdornin pije alkoolike.—1 Timoteut 5:23.

2. Çfarë këshillash ka Bibla për ata që duan të pinë alkool?

Jehovai e dënon pirjen me tepri të alkoolit dhe dehjen. (Galatasve 5:21) Në Fjalën e tij thuhet: «Mos ji ndër ata që pinë verë me tepri.» (Proverbat 23:20) Prandaj, nëse duam të pimë—qofshim vetëm a me të tjerë—nuk duhet të pimë deri në atë masë sa të na mjegullohet gjykimi, të humbim kontrollin në të folur e në veprime ose të dëmtojmë shëndetin. Nëse nuk e kontrollojmë dot sa pimë, është më mirë të mos pimë fare.

3. Si të tregojmë se i respektojmë vendimet e të tjerëve për pirjen e alkoolit?

Secili duhet të vendosë vetë nëse do të pijë apo jo. S’kemi të drejtë t’i gjykojmë ata që pinë me karar dhe as t’i bëjmë presion dikujt që nuk dëshiron të pijë. (Romakëve 14:10) Nëse pirja e alkoolit mund të krijojë probleme për dikë, zgjedhim të mos pimë. (Lexo Romakëve 14:21.) Duhet ‘të kërkojmë jo interesin tonë, por atë të tjetrit’.—Lexo 1 Korintasve 10:23, 24.

SHQYRTO MË TEJ

Shqyrto disa parime të Biblës që të ndihmojnë të vendosësh nëse do të pish dhe deri në ç’masë. Gjithashtu zbulo si mund ta mposhtësh vesin e pijes.

4. Kur vendos nëse do të pish apo jo

Çfarë mendonte Jezui për pirjen e alkoolit? Për të kuptuar këtë, le të shohim mrekullinë e tij të parë. Lexoni Gjonin 2:1-11 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:

  • Çfarë na tregon kjo mrekulli për pikëpamjen e Jezuit për alkoolin dhe për ata që e pinë?

  • Meqë Jezui nuk e dënoi pirjen e alkoolit, si duhet ta shohim një bashkëbesimtar që zgjedh të pijë?

Edhe pse jemi të lirë të pimë alkool, nuk do të thotë se është gjithmonë e mençur ta bëjmë këtë. Lexo Proverbat 22:3 dhe më pas shqyrto faktorët e mëposhtëm për të vendosur nëse do të pish apo jo:

  • Do të ngasësh makinën ose do të përdorësh ndonjë makineri.

  • Je shtatzënë.

  • Mjeku të ka këshilluar të mos pish alkool.

  • S’ke kontroll në të pirë.

  • Ligji nuk të lejon të pish alkool.

  • Je me dikë që nuk pi alkool, sepse ka pasur vesin e pijes në të kaluarën.

A duhet të shërbesh alkool në dasmë ose në raste të tjera? Për kuptuar cilët faktorë duhen shqyrtuar, shihni VIDEON.

Lexoni Romakëve 13:13 dhe 1 Korintasve 10:31, 32. Pasi të lexoni secilin shkrim, diskutoni për këtë pyetje:

  • Si të ndihmon ky parim të marrësh një vendim që ia gëzon zemrën Jehovait?

Çdo adhurues i Jehovait vendos vetë nëse do të konsumojë apo jo pije alkoolike. Edhe pse me raste mund të pijë, në disa situata mund të zgjedhë të mos pijë

5. Kur vendos sa do të pish

Nëse do të pish, mos harro këtë: edhe pse nuk e dënon pirjen e alkoolit, Jehovai e dënon pirjen me tepri. Pse? Lexoni Hozenë 4:11, 18 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Çfarë mund të ndodhë kur dikush e tepron me pirjen?

Si të sigurohemi që të mos e kalojmë cakun? Duhet të jemi modestë, pra të jemi të vetëdijshëm sa mbajmë. Lexoni Proverbat 11:2 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Pse është mirë t’i vëmë kufij vetes kur pimë?

6. Mposht vesin e abuzimit me alkoolin

Shih çfarë e ndihmoi një burrë të mos abuzonte më me alkoolin. Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjet që vijojnë.

  • Si ndikonte alkooli te sjellja e Dmitrit, siç tregohet në video?

  • A arriti ta linte menjëherë pijen?

  • Si arriti të hiqte dorë një herë e mirë nga vesi i pijes?

Lexoni 1 Korintasve 6:10, 11 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:

  • Sa e rëndë është dehja?

  • Nga e dimë se dikush që abuzon me alkoolin mund të kthejë rrugë?

Lexoni Mateun 5:30 dhe më pas diskutoni për pyetjen që vijon.

  • Kur Jezui tha të presim njërën dorë, e kishte fjalën për sakrificat që duhet të bëjmë për t’i pëlqyer Jehovait. Çfarë mund të bësh nëse po lufton me vesin e pijes? a

Lexoni 1 Korintasve 15:33 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Çfarë ndikimi mund të kenë miqtë te sasia e alkoolit që pi?

DIKUSH MUND TË PYESË: «A është e gabuar të pish alkool?»

  • Çfarë do t’i thoshe?

PËRMBLEDHJE

Jehovai na i ka dhënë pijet alkoolike si dhuratë për kënaqësinë tonë, por dënon pirjen me tepri dhe dehjen.

Si do të përgjigjeshe?

  • Çfarë thotë Bibla për pijet alkoolike?

  • Çfarë pasojash sjell pirja me tepri?

  • Pse duhet ta respektojmë vendimin e dikujt për të pirë ose jo alkool?

Provo këtë

EKSPLORO

Çfarë mund t’i ndihmojë adoleshentët të marrin vendime të mençura për pijet alkoolike?

Mendo përtej pijes (2:31)

Zbulo çfarë mund të bësh për të mposhtur vesin e pijes.

«Si të kesh pikëpamjen e duhur për alkoolin?» (Kulla e Rojës, 1 janar 2010)

A duhet të ngrejë dolli një adhurues i Jehovait?

«Pyetje nga lexuesit» (Kulla e Rojës, 15 shkurt 2007)

Në historinë me titull «Isha fuçi e shpuar», lexo si arriti një burrë të hiqte dorë nga pirja me tepri.

«Bibla të ndryshon jetën» (Kulla e Rojës, 1 maj 2012)

a Ata që kanë krijuar varësi nga alkooli, mund të kenë nevojë për ndihmën e një specialisti. Shumë mjekë thonë se njerëzit që nuk e kontrollojnë dot pirjen, nuk duhet të pinë fare.