SHTOJCA
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve në çështjet e biznesit
Te 1 Korintasve 6:1-8, apostulli Pavël foli për gjyqet mes bashkëbesimtarëve. Ai u shpreh i zhgënjyer që disa të krishterë në Korint ‘guxonin të shkonin në gjyq përpara njerëzve të padrejtë’. (Vargu 1) Pavli renditi disa arsye të forta pse të krishterët s’duhet të paditin njëri-tjetrin në gjyqet e botës, por t’i zgjidhin mosmarrëveshjet sipas udhëzimeve që u janë dhënë kongregacioneve. Le të shohim disa nga arsyet pse u dha kjo këshillë e frymëzuar e pastaj të prekim disa situata ku ajo nuk zbatohet medoemos.
Në qoftë se kemi një mosmarrëveshje me një bashkëbesimtar për punë biznesi, së pari do të përpiqemi t’i zgjidhim çështjet sipas mënyrës së Jehovait, jo sipas nesh. (Proverbat 14:12) Siç tregoi Jezui, më e mira është që mosmarrëveshjet të zgjidhen shpejt, para se të bëhen të mëdha. (Mateu 5:23-26) Por, mjerisht disa të krishterë bëhen tepër polemizues dhe e çojnë çështjen në gjyq. Pavli tha: «Është një disfatë e plotë që jeni në gjyq me njëri-tjetrin.» Përse? Një arsye kryesore është se këto gjyqe mund të përlyejnë emrin e mirë të kongregacionit e të Perëndisë që adhurojmë. Prandaj, ta mendojmë seriozisht pyetjen e Pavlit: «Pse nuk lejoni më mirë që t’ju hanë hakun?»—Vargu 7.
Gjithashtu, Pavli arsyetoi se Perëndia ka siguruar për kongregacionin një masë tejet të mirë për të zgjidhur shumë mosmarrëveshje. Pleqtë janë burra të krishterë që kanë fituar mençuri falë njohurisë së të vërtetave biblike, dhe Pavli thotë se janë ‘në gjendje të gjykojnë mes vëllezërve’ kur bëhet fjalë për «çështje të kësaj jete». (Vargjet 3-5) Jezui tregoi se çështjet që lidhen me mëkate të rënda, si shpifjet e mashtrimet, duhen zgjidhur sipas një procesi me tri hapa: së pari, të provohet të zgjidhet çështja privatisht mes atyre që janë përfshirë; së dyti, nëse hapi i parë nuk funksionon, të merren me vete një a dy dëshmitarë; së treti, nëse edhe ky hap i dytë nuk funksionon, t’i paraqitet çështja kongregacionit që përfaqësohet nga pleqtë.—Mateu 18:15-17.
Natyrisht, pleqtë e krishterë nuk janë medoemos avokatë ose biznesmenë dhe s’ka përse të veprojnë si të tillë. Ata nuk vendosin kushtet për të zgjidhur mosmarrëveshjet tregtare mes vëllezërve. Përkundrazi, përpiqen të ndihmojnë palët e përfshira që të zbatojnë Shkrimet dhe të bien dakord për një zgjidhje miqësore. Në raste të ndërlikuara, mund të konsultohen me mbikëqyrësin qarkor ose me zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait. Por, ka situata që nuk i kap rrezja e këshillës së Pavlit. Cilat janë disa prej tyre?
Në disa raste, gjyqi mund të jetë thjesht një formalitet ose diçka ligjore e nevojshme për të mbyllur çështjen në paqe dhe pa egoizëm. Për shembull, gjyqi mund të jetë i vetmi mjet ekzistues për të marrë divorcin, kujdestarinë e fëmijëve, për të përcaktuar detyrimin ushqimor, për të marrë dëmshpërblimin nga sigurimet, për t’u renditur ndër kreditorët në një procedurë falimentimi e për të ratifikuar testamentet. Ka edhe raste kur një vëlla mund të ndihet i detyruar të ngrejë kundërpadi, për të mbrojtur veten në një gjyq. *
Nëse këto gjyqe bëhen pa frymën e grindjes, mund të mos cenojnë qëllimin e këshillës së frymëzuar që dha Pavli. * Gjithsesi, një i krishterë duhet t’i japë përparësi shenjtërimit të emrit të Jehovait dhe paqes e unitetit të kongregacionit. Dishepujt e Krishtit dallohen para së gjithash nga dashuria, dhe «dashuria... nuk kërkon interesat e veta».—1 Korintasve 13:4, 5; Gjoni 13:34, 35.
^ par. 2 Në raste të rralla, një i krishterë mund të kryejë një krim të rëndë kundër një të krishteri tjetër, si përdhunim, sulm, vrasje ose një vjedhje të madhe. Këtu nuk është e gabuar t’i raportohet çështja autoriteteve, edhe pse kjo mund të sjellë si pasojë një ndjekje penale ose çështje gjyqësore.
^ par. 3 Për më shumë të dhëna, shih Kullën e Rojës, 15 mars 1997, faqet 17-22, dhe 15 tetor 1991, faqet 25-28, anglisht.