Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 22

«Perëndinë adhuro»

«Perëndinë adhuro»

ZBULESA 22:9

NË KËTË KAPITULL: Rishikimi i temave kryesore të librit të Ezekielit dhe vlera e tyre sot e në të ardhmen

1, 2. (a) Cilën zgjedhje duhet të bëjë secili prej nesh? (b) Si u përgjigj një engjëll besnik kur Gjoni u përpoq ta adhuronte?

SECILI prej nesh duhet t’i përgjigjet kësaj pyetjeje thelbësore: kë do të adhuroj? Mjaft veta thonë se kjo është një çështje e ndërlikuar dhe se mundësitë e shumta të çorientojnë. Por, në të vërtetë, zgjedhja është e qartë dhe e thjeshtë. Ose do të adhurojmë Perëndinë Jehova, ose do të adhurojmë Satana Djallin.

2 Satanai vdes që ta adhurojnë. Kjo doli sheshit sidomos kur tundoi Jezuin. Siç e diskutuam në kapitullin 1 të këtij botimi, Satanai i bëri një ofertë të jashtëzakonshme Jezuit: i ofroi autoritet mbi të gjitha mbretëritë e tokës. Por, çfarë donte në këmbim? Ai i tha Jezuit: ‘Më adhuro një herë.’ (Mat. 4:9) Në kontrast me Djallin, engjëlli që i përcolli zbulesën apostullit Gjon, nuk pranoi që ta adhuronin. (Lexo Zbulesën 22:8, 9.) Kur Gjoni donte ta adhuronte engjëllin, ky bir i përulur i Perëndisë ia ktheu: «Mos e bëj!» Në vend që të thoshte ‘më adhuro mua’, engjëlli tha «Perëndinë adhuro!»

3. (a) Cili ishte synimi i këtij libri? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë kapitull?

3 Synimi i këtij botimi ishte të na forconte vendosmërinë për t’iu bindur urdhrit të engjëllit, pra, që të adhurojmë vetëm Perëndinë Jehova. (Ligj. 10:20; Mat. 4:10) Në këtë kapitull do të përmbledhim atë që mësuam për adhurimin e pastër nga profecitë dhe nga vegimet e Ezekielit. Pastaj, me ndihmën e Shkrimeve do t’i hedhim një sy të ardhmes kur secili prej nesh do të përballet me provën përfundimtare. Kjo provë do të përcaktojë se kush do të jetojë për të parë rivendosjen e plotë dhe të përhershme të adhurimit të pastër të Jehovait.

Tri temat kryesore të librit të Ezekielit

4. Cilat janë tri temat që theksohen në librin e Ezekielit?

4 Libri i Ezekielit na mëson se adhurimi i pastër nuk do të thotë thjesht të ndjekim ca rite e tradita. Përkundrazi kërkon që ne (1) t’i përkushtohemi vetëm Jehovait, (2) të qëndrojmë të bashkuar në adhurimin e pastër dhe (3) t’u tregojmë dashuri të tjerëve. Le të shqyrtojmë si theksohen këto tri tema në profecitë dhe vegimet që kemi diskutuar në këtë libër.

Tema e parë: t’i përkushtohemi vetëm Jehovait

5-9. Çfarë kemi mësuar për përkushtimin që duhet t’ia japim vetëm Jehovait?

5 Kapitulli 3: * Vegimi spektakolar i Ezekielit paraqet Jehovain që rrethohet nga një ylber dhe që drejton krijesa engjëllore të fuqishme. Ai thekson një fakt të rëndësishëm—vetëm i Plotfuqishmi meriton adhurimin tonë.—Ezek. 1:4, 15-28.

6 Kapitulli 5: Sa tronditëse ishte për Ezekielin të shihte në vegim tempullin e Jehovait të ndotur! Vegimi na tregon se asgjë nuk i shpëton syrit të Jehovait. Ai i sheh shërbëtorët e tij kur veprojnë pabesisht, si për shembull, kur adhurojnë idhuj, edhe nëse nuk i sheh askush. Kush bën këto gjëra, lëndon Jehovain dhe s’do të mbetet pa u ndëshkuar.—Ezek. 8:1-18.

7 Kapitulli 7: Gjykimet që shpalli Jehovai kundër kombeve përreth Izraelit, të cilat e trajtonin «gjithë përçmim», vërtetojnë se Ai u kërkon llogari atyre që e keqtrajtojnë popullin e tij. (Ezek. 25:6) Gjithashtu, nga raporti që kishte Izraeli me ato kombe, mësojmë se besnikëria ndaj Jehovait duhet të zërë vendin e parë në jetë. Kurrë nuk duhet të ulim standardet e Tij për t’u bërë qejfin të afërmve që nuk adhurojnë Jehovain. Veç kësaj, nuk duhet t’i varim shpresat te pasuria dhe as nuk duhet të bëjmë kompromis me asnjanësinë tonë duke iu bindur qeverive njerëzore në vend që t’i bindemi Jehovait, që e meriton me të drejtë.

8 Kapitujt 13 dhe 14: Vegimi për tempullin në një mal të lartë na mëson se duhet të jetojmë sipas standardeve të larta të Jehovait, duke pranuar se Ai qëndron mbi çdo perëndi tjetër.—Ezek. 40:1–48:35.

9 Kapitulli 15: Profecia që i përshkruan si prostituta Izraelin dhe Judën, thekson sa e neveritshme është për Jehovain idhujtaria, të cilën e konsideron si tradhti.—Ezek., kap. 16, 23.

Tema e dytë: të qëndrojmë të bashkuar në adhurimin e pastër

10-14. Si del në pah sa shumë rëndësi ka të qëndrojmë të bashkuar në adhurimin e pastër?

10 Kapitulli 8: Profecitë ku Jehovai premton se do të caktonte «një bari të vetëm» që të kujdesej për shërbëtorët e Tij, nxjerrin në pah sa e nevojshme është që të bashkëpunojmë në unitet dhe paqësisht nën udhëheqjen e Jezuit.—Ezek. 34:23, 24; 37:24-28.

11 Kapitulli 9: Profecitë e Ezekielit që parathoshin se populli i Perëndisë do të çlirohej nga robëria babilonase dhe se do të rivendosej në vendlindjen e tyre, përcjellin një mesazh për ata që duan t’i kënaqin zemrën Jehovait sot. Adhuruesit e vërtetë të Jehovait duhet ta braktisin fenë e rreme dhe të ruhen nga ndikimi i saj i dëmshëm. Pavarësisht nga pozita shoqërore, gjendja ekonomike dhe prejardhja etnike duhet të ruajmë unitetin që na identifikon si populli i Perëndisë.—Ezek. 11:17, 18; 12:24; Gjoni 17:20-23.

12 Kapitulli 10: Tema e unitetit theksohet edhe më tepër në vegimin për ‘eshtrat e thata’ që kthehen në jetë. Ç’privilegj të jemi pjesë e popullit të rivendosur të adhuruesve të vërtetë që bashkëpunojnë si një ushtri!—Ezek. 37:1-14.

13 Kapitulli 12: Uniteti theksohet veçanërisht në profecinë për dy shkopinjtë që u bashkuan. Sa na forcohet besimi kur shohim se të mirosurit dhe delet e tjera po e përmbushin këtë profeci! Edhe pse jetojmë në një botë të përçarë nga urrejtja fetare dhe politike, ne qëndrojmë të bashkuar falë dashurisë dhe besnikërisë.—Ezek. 37:15-23.

14 Kapitulli 16: Vegimi për burrin me kallamar sekretari dhe për burrat me topuzë na jep një paralajmërim serioz—vetëm ata që hyjnë në ‘shtrëngimin e madh’ si adhurues besnikë, do të kenë mundësinë të marrin shenjën për mbijetesë.—Mat. 24:21; Ezek. 9:1-11.

Tema e tretë: të tregojmë dashuri për të tjerët

15-18. Pse duhet të vazhdojmë të tregojmë dashuri, dhe si mund ta bëjmë këtë?

15 Kapitulli 4: Vegimi për katër krijesat e gjalla na mëson për cilësitë e Jehovait, më e rëndësishmja nga të cilat është dashuria. Kur shfaqim dashuri me fjalë e me vepra, vërtetojmë se Jehovai është Perëndia ynë.—Ezek. 1:5-14; 1 Gjon. 4:8.

16 Kapitujt 6 dhe 11: Dashuria e motivoi Perëndinë që të caktonte roja, si Ezekieli. Ai është dashuri, prandaj nuk do që të shkatërrohet asnjë kur t’i japë fund sundimit të Satanait. (2 Pjet. 3:9) Sot kemi privilegjin të pasqyrojmë dashurinë e Perëndisë duke përmbushur përgjegjësinë për të mbështetur rojat e kohëve moderne.—Ezek. 33:1-9.

17 Kapitujt 17 dhe 18: Jehovai e di mirë se shumë njerëz do të jenë të pandjeshëm ndaj mëshirës së tij dhe do të përpiqen t’i shfarosin adhuruesit besnikë. Ja pse, kur «Gogu i vendit të Magogut» të nisë sulmin kundër besnikëve të Tij, dashuria do ta nxitë Jehovain t’i mbrojë. Dashuria për të tjerët na shtyn të paralajmërojmë sa më shumë veta se Jehovai do t’i shkatërrojë ata që shtypin popullin e tij.—Ezek. 38:1–39:20; 2 Sel. 1:6, 7.

18 Kapitujt 1920 dhe 21: Dashuria e Jehovait për njerëzit spikat sidomos në vegimet për lumin me ujë jetëdhënës dhe për ndarjen e vendit. Vegimet përshkruajnë bekimet që sjell akti më i madh i dashurisë së Jehovait: Ai dha jetën e të Birit që të na faleshin mëkatet dhe të gëzonim një jetë të përsosur si pjesë e familjes së Tij. Një nga mënyrat më të mira si tregojmë dashuri për të tjerët është duke u folur për të ardhmen e mrekullueshme që ka përgatitur Jehovai për ata që besojnë te Biri i tij.—Ezek. 45:1-7; 47:1–48:35; Zbul. 21:1-4; 22:17.

Një shprehje përulësie unike pas Mbretërimit Mijëvjeçar

19. Çfarë do të bëjë Jezui gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar? (Shih edhe kutinë «Përballë provës përfundimtare».)

19 Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar, Jezui do të ringjallë miliarda njerëz dhe do të shërojë dhimbjen që ka shkaktuar «armiku» ynë, «vdekja». (1 Kor. 15:26; Mar. 5:38-42; Vep. 24:15) Historia e njerëzimit të këput shpirtin, sepse është e mbushur plot me trishtim dhe me dhembje. Por, ndërsa Jezui rikthen në jetë breza të tërë njërin pas tjetrit, do ta fshijë këtë histori tragjike dhe do t’u japë mundësinë të ringjallurve të shkruajnë një histori më të bukur. Falë flijimit shpërblyes do të zhbëjë të gjitha pasojat e sëmundjeve, të luftërave dhe të mungesës së ushqimit. Ç’është më e rëndësishmja do të na ndihmojë të çrrënjosim dhe të asgjësojmë shkakun e tërë vuajtjeve—mëkatin e trashëguar nga Adami. (Rom. 5:18, 19) Po, Jezui ‘do të zhbëjë plotësisht veprat e Djallit’. (1 Gjon. 3:8) Çfarë do të ndodhë më pas?

Të ringjallurit do të kenë mundësinë të shkruajnë një histori më të bukur

20. Si do të tregojnë përulësi të admirueshme Jezui dhe 144.000 bashkëqeveritarët? Shpjego. (Shih figurën hapëse.)

20 Lexo 1 Korintasve 15:24-28. Kur njerëzit të jenë të përsosur dhe toka të jetë transformuar në Parajsën që Jehovai e kishte për qëllim që në fillim, Jezui dhe 144.000 bashkëqeveritarët do të tregojnë përulësi të admirueshme. Ata do t’ia dorëzojnë Mbretërinë Jehovait. Me gatishmëri do të heqin dorë nga autoriteti që ushtruan për 1.000 vjet. Të gjitha bekimet e Mbretërisë do të zgjatin përgjithmonë.

Prova përfundimtare

21, 22. (a) Si do të jetë bota në fund të Mijëvjeçarit? (b) Pse do t’i lirojë Jehovai Satanain dhe demonët?

21 Më pas Jehovai do të bëjë diçka të jashtëzakonshme që tregon sa besim ka te njerëzit. Ai do të lirojë Satanain dhe demonët nga humnera, ku ishin të burgosur për 1.000 vjet. (Lexo Zbulesën 20:1-3.) Kur të dalin që andej, bota do të jetë krejt ndryshe. Para Armagedonit, shumica e njerëzve ishte mashtruar nga Satanai dhe raca njerëzore ishte e përçarë nga urrejtja dhe paragjykimet. (Zbul. 12:9) Mirëpo, në fund të Mijëvjeçarit, të gjithë njerëzit do të adhurojnë Jehovain si një familje e bashkuar dhe e dashur. Toka do të jetë një Parajsë ku mbizotëron paqja.

22 Pse do t’i lirojë Jehovai kriminelë të tillë, si Satanain dhe demonët në këtë mjedis të pastër? Sepse në fund të Mijëvjeçarit shumicës së njerëzve nuk do t’i jetë sprovuar kurrë besnikëria ndaj Jehovait. Pjesa më e madhe e tyre vdiqën pa e njohur Jehovain dhe do të ringjallen në Parajsë. Jehovai jo vetëm që do t’i kthejë në jetë, por edhe do të kujdeset për mirëqenien e tyre dhe do t’i ndihmojë të bëhen miq me Të. Ata s’do të kenë përjetuar asnjë lloj presioni nga shoqëria, përkundrazi do të jenë të rrethuar vetëm nga njerëz që e duan dhe i shërbejnë Jehovait. Satanai mund t’i akuzojë të ringjallurit siç akuzoi Jobin—pra, që i shërbejnë Perëndisë vetëm ngaqë Ai i mbron dhe i bekon. (Jobi 1:9, 10) Prandaj, para se Jehovai t’i shkruajë emrat tanë njëherë e mirë në librin e jetës, do të na japë mundësinë të vërtetojmë përfundimisht se duam të qëndrojmë besnikë ndaj tij dhe se duam që ai të jetë Ati dhe Sovrani ynë.—Zbul. 20:12, 15.

23. Me cilën çështje do të përballet secili prej nesh?

23 Për një periudhë kohe të shkurtër, Satanai do të përpiqet t’i pengojë njerëzit t’i shërbejnë Perëndisë. Si do ta bëjë këtë? Pa dyshim, secili prej nesh do të ballafaqohet me të njëjtën çështje që hasën Adami dhe Eva—të pranojë standardet e Jehovait, ta adhurojë dhe të mbështetë qeverisjen e tij ose të rebelohet kundër Perëndisë dhe të mbajë anën e Satanait.

24. Pse ata që do të rebelohen, quhen Gog dhe Magog?

24 Lexo Zbulesën 20:7-10. Me të drejtë, ata që do të rebelohen në fund të Mijëvjeçarit, quhen Gog dhe Magog. Këta shfaqin karakteristika të ngjashme me ‘Gogun e vendit të Magogut’, pra, me rebelët që sipas profecisë së Ezekielit do të sulmonin popullin e Perëndisë gjatë shtrëngimit të madh. Ky grup përbëhej nga disa kombe që dalin kundër qeverisjes së Jehovait. (Ezek. 38:2) Po njësoj, rebelët në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit përshkruhen si ‘kombe’. Ky është një përshkrim me vend. Pse e themi këtë? Në fund të Mijëvjeçarit të gjitha ndarjet kombëtare do të jenë zhdukur, sepse të gjithë njerëzit do të jenë nënshtetas të një qeverie: Mbretërisë së Perëndisë. Ne do të jemi një komb i vetëm. Por, duke i quajtur rebelët Gog dhe Magog e duke i përshkruar si ‘kombe’, profecia na lë të kuptojmë që Satanai do të futë frymën përçarëse te disa nga populli i Perëndisë. Asnjë nuk do të jetë i detyruar të mbajë anën e Jehovait ose të Satanait. Çdo njeri i përsosur do të bëjë zgjedhjen e vet.

Ata që do të rebelohen, quhen Gog dhe Magog (Shih paragrafin 24)

25, 26. Sa veta do të bashkohen me Satanain, dhe çfarë do të ndodhë me ta?

25 Sa veta do të bashkohen me Satanain? Numri i rebelëve «do të jetë si rëra e detit». Ama, kjo shprehje nuk do të thotë medoemos se do të rebelohet një pjesë e madhe e njerëzimit. Nga e dimë këtë? Shqyrto premtimin që mori Abrahami. Jehovai tha se pasardhësi i Abrahamit do të bëhej «si kokrrizat e rërës në breg të detit». (Zan. 22:17, 18) Gjithsesi, numri i atyre që do të përbënin pasardhësin, ishte 144.001 veta. (Gal. 3:16, 29) Ky numër, edhe pse i konsiderueshëm, është fare i vogël krahasuar me numrin total të njerëzve. Po njësoj, ata që do të bashkohen me Satanain, mund të jenë goxha, por jo shumica. Rebelët nuk do t’i shkatërrojnë dot shërbëtorët besnikë të Jehovait.

26 Ata që rebelohen, do të asgjësohen shpejt. Bashkë me Satanain dhe demonët nuk do të ekzistojnë më dhe as do të kenë shansin të kthehen sërish në jetë. E vetmja gjë që do të kujtohet, do të jenë vendimet e tyre të këqija dhe pasojat që korrën.—Zbul. 20:10.

27-29. Çfarë i pret ata që kalojnë provën përfundimtare?

27 Nga ana tjetër, atyre që do ta kalojnë këtë provë përfundimtare, do t’u shkruhen emrat «në librin e jetës» njëherë e përgjithmonë. (Zbul. 20:15) Pastaj, si familje e bashkuar, të gjithë bijat dhe bijtë besnikë do t’i japin Jehovait adhurimin që e meriton me të drejtë.

28 Mendo për këtë të ardhme. Përpara teje shtrihet një jetë me punë shpërblyese dhe me miqësi që të pasurojnë vërtet. As ti dhe as njerëzit e tu të dashur nuk do të vuani më kurrë. I lirë nga mëkati do të gëzosh plotësisht miratimin e Jehovait dhe do t’i afrohesh Atij pa ndihmën e një ndërmjetësi. Ç’është më e rëndësishmja, si në qiell edhe në tokë, të gjithë do ta adhurojnë Jehovain në përputhje të plotë me standardet e tij. Kështu, adhurimi i pastër do të jetë rivendosur plotësisht, njëherë e mirë.

Kur të jesh i përsosur, do të gëzosh plotësisht miratimin e Jehovait dhe do t’i afrohesh Atij pa ndihmën e një ndërmjetësi (Shih paragrafin 28)

29 A do të jemi atje në këtë ditë të madhe? Mund të jemi nëse vazhdojmë të zbatojmë tri mësimet kryesore nga libri i Ezekielit—t’i përkushtohemi vetëm Jehovait, të qëndrojmë të bashkuar në adhurimin e pastër dhe t’u tregojmë dashuri të tjerëve. Profecitë e Ezekielit na japin edhe një mësim të fundit të rëndësishëm. Le ta shohim.

Imagjino gëzimin e gjithë krijimit, si në qiell edhe në tokë, kur më në fund të jenë të bashkuar në adhurimin e pastër (Shih paragrafët 27-29)

«Kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai»

30, 31. Ç’kuptim do të ketë deklarata «ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai» (a) për armiqtë e Perëndisë? (b) për popullin e Perëndisë?

30 Në librin e Ezekielit, deklarata «ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai» përsëritet sa e sa herë. (Ezek. 6:10; 39:28) Për armiqtë e Perëndisë, kjo deklaratë do të thotë luftë dhe vdekje. Ata jo vetëm që do të pranojnë se s’bën ekzistencën e Jehovait, por do ta mësojnë me pahir kuptimin e emrit të tij të madh—«Ai shkakton të bëhet». ‘Jehovai i ushtrive’ do të bëhet një «luftëtar i fuqishëm» që do të luftojë kundër tyre. (1 Sam. 17:45; Eks. 15:3) Edhe pse do të jetë tepër vonë për ta, do të mësojnë një të vërtetë themelore për Jehovain: asgjë nuk e ndalon dot të përmbushë qëllimin e tij.

31 Për popullin e Perëndisë, deklarata «ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai» do të thotë paqe dhe jetë. Siç e kishte ndër mend në fillim, Jehovai do të shkaktojë që ne të bëhemi fëmijët e tij, të cilët pasqyrojnë në mënyrë të përsosur cilësitë e tij. (Zan. 1:26) Që tani, Jehovai është për ne një Atë i dashur dhe një Bari që na mbron. Së shpejti do të jetë Mbreti ynë fitimtar. Por, para se të vijë ajo ditë, ta ngulitim në zemër mesazhin e Ezekielit. Le ta tregojmë çdo ditë me fjalë e me vepra se e njohim Jehovain dhe standardet e tij. Kështu që, kur të lëshohen erërat shkatërrimtare të shtrëngimit të madh, s’do të kemi frikë. Përkundrazi do të ngremë kokat lart ngaqë do ta dimë se çlirimi është afër. (Luka 21:28) Ndërkohë të bëjmë çmos t’i ndihmojmë njerëzit anembanë botës ta njohin dhe ta duan të vetmin Perëndi që meriton adhurimin tonë, i cili ka emrin më madhështor në univers, Jehova.—Ezek. 28:26.

^ par. 5 Numrat tregojnë kapitujt e këtij botimi.