Vulosja e Izraelit të Perëndisë
Kapitulli 19
Vulosja e Izraelit të Perëndisë
Vegimi 4—Zbulesa 7:1-17
Subjekti: 144.000-t vulosen dhe shihet para fronit të Jehovait dhe para Qengjit një shumicë e madhe
Koha e përmbushjes: Nga hipja në fron e Krishtit Jezu në vitin 1914 deri gjatë Mbretërimit të tij Mijëvjeçar
1. «Kush është në gjendje të qëndrojë në këmbë» gjatë ditës së madhe të zemërimit hyjnor?
«KUSH është në gjendje të qëndrojë në këmbë?» (Zbulesa 6:17) Vërtet, kush është në gjendje? Këtë pyetje mund ta ngrenë fare mirë qeveritarët dhe nënshtetasit e tyre, kur dita e madhe e zemërimit hyjnor të shkatërrojë sistemin e Satanait. Atyre do t’u duket sikur kjo kataklizmë e pashmangshme do të shuajë çdo jetë njerëzore. Por, a do ta bëjë vërtet? Aspak, pasi një profet i Perëndisë na siguron: «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.» (Joeli 2:32) Këtë e mbështetin edhe fjalët e Pjetrit dhe të Pavlit. (Veprat 2:19-21; Romakëve 10:13) Po, ata që thërrasin emrin e Jehovait, do të mbijetojnë. Por, kush janë ata? Këtë do të na e zbulojë vegimi tjetër.
2. Pse është mrekulli që të ketë të mbijetuar ditën e gjykimit të Jehovait?
2 Është vërtet mrekulli që të ketë të mbijetuar ditën e gjykimit të Jehovait, pasi një profet tjetër i Perëndisë e përshkruan atë ditë me këto fjalë: «Ja, stuhia e Jehovait, tërbimi i tij ka shpërthyer, një furtunë e pandalshme. Ajo do të shtillet mbi kokën e të ligjve. Zemërimi i zjarrtë i Jehovait nuk do të tërhiqet, derisa të përmbushë dhe të plotësojë planet e zemrës së tij.» (Jeremia 30:23, 24) Është urgjente të bëjmë hapat e nevojshëm për t’i shpëtuar asaj stuhie!—Proverbat 2:22; Isaia 55:6, 7; Sofonia 2:2, 3.
Katër erërat
3. (a) Ç’shërbim të veçantë kryenin engjëjt në vegimin e Gjonit? (b) Çfarë simbolizojnë «katër erërat»?
3 Para se Jehovai të shfryjë zemërimin e tij të furishëm, engjëjt në qiell kryejnë një shërbim të veçantë. Ja çfarë pa Gjoni në vegim: «Pas kësaj, pashë katër engjëj që qëndronin në katër cepat e tokës dhe mbanin fort katër erërat e tokës, që asnjë erë të mos frynte mbi tokë, mbi det ose mbi ndonjë pemë.» (Zbulesa 7:1) Çfarë do të thotë kjo për ne që jetojmë sot? «Katër erërat» janë simbol i gjallë i gjykimit shkatërrimtar që do të bjerë së shpejti mbi njerëzit e ligj në tokë, mbi ‘detin’ e trazuar të njerëzve të paligjshëm dhe mbi sundimtarët e krahasuar me pemët e larta, që kanë mbështetjen dhe përkrahjen e banorëve të tokës.—Isaia 57:20; Psalmi 37:35, 36.
4. (a) Çfarë paraqitin katër engjëjt? (b) Çfarë do t’i ndodhë organizatës tokësore të Satanait kur të lëshohen katër erërat?
Jeremia 49:36-38) Do të jetë një stuhi gjigante shumë më shkatërrimtare se ‘furtuna’ me të cilën Jehovai shfarosi kombin e Amonit. (Amosi 1:13-15) Asnjë pjesë e organizatës së Satanait në tokë nuk do të jetë në gjendje të qëndrojë në këmbë ditën e zemërimit të Jehovait, kur ai të shfajësojë sovranitetin e tij për gjithë përjetësinë.—Psalmi 83:15, 18; Isaia 29:5, 6.
4 Katër engjëjt paraqitin pa dyshim katër grupe engjëllore, të cilët Jehovai i përdor për të mbajtur ekzekutimin e gjykimit deri në kohën e caktuar. Kur engjëjt t’i lënë erërat e zemërimit hyjnor të fryjnë e të shtillen njëherazi nga veriu, jugu, lindja dhe perëndimi, do të ketë një shkatërrim të paparë. Do të jetë si atëherë kur Jehovai përdori katër erërat për të shpartalluar e për të shfarosur elamitët, por në një shkallë jashtëzakonisht më të madhe. (5. Si na ndihmon profecia e Jeremisë të kuptojmë se gjykimi i Perëndisë do të përfshijë tërë tokën?
5 A mund të jemi të sigurt se gjykimet e Perëndisë do të rrënojnë tërë tokën? Le të dëgjojmë përsëri çfarë tha profeti i tij, Jeremia: «Ja, një gjëmë do të dalë komb më komb, dhe një furtunë e madhe do të ngrihet nga skajet më të largëta të tokës. Atë ditë të vrarët nga Jehovai do të jenë nga njëri skaj i tokës në tjetrin.» (Jeremia 25:32, 33) Gjatë kësaj stuhie të furishme, botën do ta gëlltitë errësira. Institucionet e saj qeverisëse do të flaken në harresë. (Zbulesa 6:12-14) Por e ardhmja s’do të jetë e errët për të gjithë. Pra, për hir të kujt mbahen katër erërat?
Vulosja e skllevërve të Perëndisë
6. Kush u thotë engjëjve të mbajnë katër erërat dhe për çfarë lë kohë kjo?
6 Gjoni përshkroi edhe si do të vuloseshin ata që do të mbijetonin: «Pashë një engjëll tjetër që ngjitej nga lindja e diellit dhe kishte një vulë të Perëndisë së gjallë. Ai u bërtiti me zë të fortë katër engjëjve, të cilëve u ishte lejuar të dëmtonin tokën dhe detin, dhe tha: ‘Mos dëmtoni as tokën, as detin, as pemët, derisa të kemi vulosur në ballë skllevërit e Perëndisë tonë.’»—Zbulesa 7:2, 3.
7. Kush ishte engjëlli i pestë dhe çfarë na ndihmon të themi me bindje se ishte ai?
7 Megjithëse engjëlli i pestë nuk thirret me emër, gjithçka të bën të besosh se ai duhet të jetë Zotëria Jezu i lartësuar. Këtu ai paraqitet si ai që ka autoritet mbi engjëjt e tjerë, dhe kjo përputhet me pozitën e tij si Kryeengjëll. (1 Selanikasve 4:16; Juda 9) Ai ngjitet nga lindja, njësoj si «mbretërit nga lindja e diellit», domethënë Jehovai dhe Krishti që vijnë për të ekzekutuar gjykimin, siç bënë mbretërit Dar dhe Kir kur poshtëruan Babiloninë e lashtë. (Zbulesa 16:12; Isaia 45:1; Jeremia 51:11; Danieli 5:31) Një tjetër ngjashmëri mes këtij engjëlli dhe Jezuit është se i është besuar vulosja e të krishterëve të mirosur. (Efesianëve 1:13, 14) Gjithashtu, kur lëshohen erërat, pikërisht Jezui u prin ushtrive qiellore për ekzekutimin e gjykimit mbi kombet. (Zbulesa 19:11-16) Pra, logjikisht, ai që urdhëroi mosshkatërrimin e organizatës tokësore të Satanait derisa të vuloseshin skllevërit e Perëndisë, ishte Jezui.
8. Çfarë është vulosja dhe kur filloi?
8 Çfarë është vulosja dhe kush janë skllevërit e Perëndisë? Vulosja filloi në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kur të krishterët e parë judenj u mirosën me frymën e shenjtë. Më vonë, Perëndia filloi të thërriste e të miroste ‘njerëz të kombeve’. (Romakëve 3:29; Veprat 2:1-4, 14, 32, 33; 15:14) Apostulli Pavël shkroi se të krishterët e mirosur kanë garancinë se ‘i takojnë Krishtit’ dhe shtoi se Perëndia ‘u kishte vënë vulën e tij dhe u kishte dhënë kaparin e asaj që do të vinte, domethënë frymën, në zemrat e tyre’. (2 Korintasve 1:21, 22; krahaso Zbulesën 14:1.) Pra, kur këta skllevër birësohen nga Perëndia si bijtë e tij frymorë, ata marrin që më përpara një kapar të trashëgimisë së tyre qiellore—një vulë ose garanci. (2 Korintasve 5:1, 5; Efesianëve 1:10, 11) Pas kësaj, ata mund të thonë: «Fryma e Perëndisë jep dëshmi bashkë me frymën tonë, se jemi fëmijë të Perëndisë. Prandaj, nëse jemi fëmijë, jemi edhe trashëgimtarë: vërtet trashëgimtarë të Perëndisë, si edhe bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, me kusht që të vuajmë bashkë me të, që edhe të na jepet lavdi bashkë me të.»—Romakëve 8:15-17.
9. (a) Çfarë qëndrueshmërie kërkohet nga mbetja e bijve të Perëndisë të lindur nga fryma? (b) Për sa kohë do të vazhdojë sprovimi i të mirosurve?
9 «Me kusht që të vuajmë bashkë me të.» Çfarë do të thonë këto fjalë? Për të marrë kurorën e jetës, të krishterët e mirosur duhet të qëndrojnë besnikë gjer në vdekje. (Zbulesa 2:10) S’mund të thonë: ‘Kur shpëton një herë, ke shpëtuar përgjithmonë.’ (Mateu 10:22; Luka 13:24) Përkundrazi, këshillohen: «Bëni çmos që të siguroheni për thirrjen dhe zgjedhjen tuaj.» Ata duhet të jenë në gjendje të thonë në fund si apostulli Pavël: «Luftën e shkëlqyer e bëra, vrapimin e përfundova, besimin e ruajta.» (2 Pjetrit 1:10, 11; 2 Timoteut 4:7, 8) Pra, sprovimi dhe shoshitja në tokë e bijve të fundit të Perëndisë të lindur nga fryma, do të vazhdojë derisa Jezui dhe engjëjt që janë me të, të kenë vënë përfundimisht vulën ‘në ballin’ e tyre, duke i identifikuar në mënyrë të pakthyeshme si «skllevërit e Perëndisë tonë» të sprovuar e besnikë. Ajo vulë pastaj bëhet një shenjë e përhershme. Me sa duket kur të lëshohen katër erërat e shtrëngimit, të gjithë anëtarët e Izraelit frymor do të jenë vulosur përfundimisht, edhe pse pak prej tyre do të jenë ende gjallë në tokë. (Mateu 24:13; Zbulesa 19:7) Atëherë do të plotësohet numri i tyre.—Romakëve 11:25, 26.
Sa të krishterë janë vulosur?
10. (a) Cilat vargje të tjera tregojnë se numri i të vulosurve është i kufizuar? (b) Sa është gjithsej numri i të vulosurve dhe si renditen?
10 Jezui u tha të krishterëve që ishin thirrur për t’u vulosur: «Mos ki frikë, o kope e vogël, sepse Atit tuaj i ka pëlqyer t’ju japë mbretërinë.» (Luka 12:32) Vargje të tjera në Bibël si Zbulesa 6:11 dhe Romakëve 11:25, tregojnë se numri i kësaj kopeje të vogël është vërtet i kufizuar dhe në fakt i caktuar që më parë. Fjalët e Gjonit e vërtetuan këtë: «Dëgjova numrin e të vulosurve, dhe ishin njëqind e dyzet e katër mijë, nga çdo fis i bijve të Izraelit: Dymbëdhjetë mijë të vulosur nga fisi i Judës; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Rubenit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Gadit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Asherit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Neftalit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Manaseut; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Simeonit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Levit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Isakarit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Zabulonit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Jozefit; dhe dymbëdhjetë mijë të vulosur nga fisi i Beniaminit.»—Zbulesa 7:4-8.
11. (a) Pse përmendja e 12 fiseve s’ka të bëjë me kombin e Izraelit? (b) Pse libri i Zbulesës rendit 12 fiset? (c) Pse në Izraelin e Perëndisë mbretëria dhe priftëria nuk i përkasin një fisi të vetëm?
11 Pse këto fjalë s’mund t’i referohen kombit të Izraelit? Sepse renditja e fiseve te Zbulesa 7:4-8 ndryshon nga renditja e zakonshme e fiseve. (Numrat 1:17, 47) Është e qartë se kjo renditje s’ka për qëllim të identifikojë judenjtë sipas fiseve, por të tregojë që njësoj si Izraeli i lashtë, edhe Izraeli frymor është organizuar në mënyrë të ekuilibruar. Ky komb i ri ka 144.000 anëtarë, domethënë 12.000 për secilin nga 12 fiset. Në këtë komb, në Izraelin e Perëndisë, priftëria dhe mbretëria nuk i përkasin vetëm njërit prej fiseve. Të gjithë anëtarët e këtij kombi duhet të mbretërojnë e të shërbejnë si priftërinj.—Galatasve 6:16; Zbulesa 20:4, 6.
12. Pse themi se është me vend që 24 pleqtë të këndojnë para Qengjit fjalët e Zbulesës 5:9, 10?
12 Në fillim, mundësia për të bërë pjesë në Izraelin frymor iu dha judenjve dhe prozelitëve judenj, por vetëm një pakicë e tyre u përgjigjën. Atëherë Jehovai ftoi edhe johebrenjtë. (Gjoni 1:10-13; Veprat 2:4, 7-11; Romakëve 11:7) Ashtu si efesianët që më parë kishin qenë «të ndarë nga kombi i Izraelit», tani jojudenjtë mund të vuloseshin me frymën e Perëndisë dhe të bëheshin pjesë e kongregacionit të të krishterëve të mirosur. (Efesianëve 2:11-13; 3:5, 6; Veprat 15:14) Prandaj, është me vend që 24 pleqtë të këndojnë para Qengjit: «Me gjakun tënd bleve për Perëndinë njerëz nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb, i bëre një mbretëri dhe priftërinj për Perëndinë tonë, dhe ata do të mbretërojnë mbi tokën.»—Zbulesa 5:9, 10.
13. Pse ishte me vend që Jakovi, gjysmëvëllai i Jezuit, t’ua drejtonte letrën e tij «dymbëdhjetë fiseve të shpërndara anekënd»?
13 Kongregacioni i krishterë është një «racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë». (1 Pjetrit 2:9) Duke i zënë vendin kombit të Izraelit, si kombi i Perëndisë, ai bëhet një Izrael i ri, domethënë «vërtet ‘Izrael’». (Romakëve 9:6-8; Mateu 21:43) * Pikërisht për këtë, ishte me vend që Jakovi, gjysmëvëllai i Jezuit, t’ua drejtonte letrën e tij baritore «dymbëdhjetë fiseve të shpërndara anekënd», domethënë, kongregacionit mbarëbotëror të të krishterëve të mirosur, që me kohë do të numëronte 144.000 anëtarë.—Jakovi 1:1.
Izraeli i Perëndisë sot
14. Ç’gjë tregon se Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë gjithnjë të mendimit se numri 144.000 i anëtarëve të Izraelit frymor duhet marrë në kuptimin e mirëfilltë?
14 Çarls Tejz Rasëlli e kuptoi se numri i mirëfilltë i individëve që do të përbënin Izraelin frymor, ishte 144.000. Në vëllimin VI të Studime mbi Shkrimet, titulluar Krijimi i ri dhe botuar në anglisht në vitin 1904, ai shkroi: «Kemi çdo arsye të besojmë se numri i përcaktuar qartë i të zgjedhurve [të mirosurve] është ai i përmendur disa herë në librin e Zbulesës (7:4; 14:1), domethënë 144.000 ‘të shpenguar nga mesi i njerëzve’.» Në vëllimin e parë të librit Drita, botuar në vitin 1930 në anglisht nga Studentët e Biblës, po ashtu thuhej: «144.000 anëtarët e trupit të Krishtit formojnë një grup të zgjedhurish, të mirosurish, ose të vulosurish.» Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë gjithnjë të mendimit se Izraeli frymor formohet nga 144.000 të krishterë të mirosur.
15. Pak para Ditës së Zotërisë, çfarë mendonin studentët e sinqertë të Biblës se do të gëzonin judenjtë pas përfundimit të kohëve të johebrenjve?
15 Por, a nuk meriton kombi i sotëm i Izraelit ndonjë favor të veçantë? Pak para se të fillonte dita e Zotërisë, ndërkohë që studentët e sinqertë të Biblës po zbulonin nga e para shumë të vërteta bazë të Fjalës së Perëndisë, mendohej se me përfundimin e kohëve të johebrenjve, judenjtë do të kishin sërish një pozitë të privilegjuar para Perëndisë. Kështu, në librin e tij Koha është afër (vëllimi II i Studime mbi Shkrimet, anglisht), botuar në vitin 1889, Çarls Tejz Rasëlli ia aplikoi Jereminë 31:29-34 kombit judaik, duke thënë: «Bota është dëshmitare se ndëshkimi i Izraelit nën pushtetin e johebrenjve ka filluar para erës sonë [viti 607], se vazhdon ende dhe s’ka shpresë për riorganizimin e tyre kombëtar para vitit 1914 të e.s., që shënon fundin e ‘shtatë kohëve’ për ta, domethënë të 2.520 vjetëve.» Mendohej se pas këtij viti judenjtë do të rimëkëmbeshin si komb. Ky mendim duket se u përforcua në vitin 1917, kur Deklarata e Balfurit garantoi mbështetjen britanike për projektin e kthimit të Palestinës në një vatër për judenjtë.
16. Ç’përpjekje bënë Dëshmitarët e Jehovait për t’ua përcjellë judenjve mesazhin e krishterë dhe ç’rezultat patën?
16 Pas Luftës së Parë Botërore, Palestina ishte një territor nën kujdestarinë e Britanisë së Madhe, e kështu për shumë judenj ishte hapur rruga që të ktheheshin në atë vend. Në vitin 1948, Izraeli u shpall shtet. A nuk tregonte kjo se judenjtë i pritnin bekime hyjnore? Ky ka qenë mendimi i Dëshmitarëve të Jehovait për shumë vjet. Në vitin 1925, ata botuan në anglisht librin me 128 faqe Ngushëllim për judenjtë. Në vitin 1929, nxorën një vepër tërheqëse në anglisht me 360 faqe, të titulluar Jeta. Ky botim trajtonte librin biblik të Jobit dhe kishte si synim të tërhiqte judenjtë. U bënë shumë përpjekje, sidomos në qytetin e Nju-Jorkut, për t’ua përcjellë këtë mesazh mesianik judenjve. Ata që pranuan ishin me kokrra, kurse judenjtë në përgjithësi i hodhën poshtë provat e pranisë së Mesisë, njësoj si kishin bërë paraardhësit e tyre në shekullin e parë.
17, 18. Çfarë kuptuan skllevërit e Perëndisë në tokë lidhur me besëlidhjen e re dhe profecitë e rivendosjes që gjenden në Bibël?
17 Ishte më se e qartë se judenjtë si popull dhe si komb, nuk ishin Izraeli i përshkruar në Zbulesën 7:4-8 ose në profeci të tjera të Biblës që lidhen me ditën e Zotërisë. Sipas traditës së tyre, ata vazhduan të mos e përdornin emrin e Perëndisë. (Mateu 15:1-3, 7-9) Në një trajtim të Jeremisë 31:31-34, në librin Jehovai, botuar në anglisht nga Dëshmitarët e Jehovait në vitin 1934, thuhej me ton përmbyllës: «Besëlidhja e re s’ka të bëjë aspak me pasardhësit e Izraelit dhe me njerëzimin në përgjithësi, por . . . kufizohet vetëm me Izraelin frymor.» Profecitë e Biblës për rivendosjen nuk lidhen as me judenjtë, as me shtetin e Izraelit, që është anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe pjesë e botës kundër së cilës foli Jezui te Gjoni 14:19, 30 dhe 18:36.
18 Në vitin 1931, skllevërit e Perëndisë në tokë pranuan me gëzim të madh të quheshin Dëshmitarë të Jehovait. Për ta mund të thuheshin me gjithë zemër fjalët e Psalmit 97:11: «Drita vetëtiu për të drejtin, dhe gëzimi për ata që kanë zemër të drejtë.» Ata e dalluan qartë se vetëm Izraeli frymor ishte përfshirë në besëlidhjen e re. (Hebrenjve 9:15; 12:22, 24) Kombi indiferent i Izraelit nuk kishte pjesë në të, e aq më pak njerëzimi në përgjithësi. Kjo kuptueshmëri i hapi rrugën një vetëtime drite të fortë hyjnore, që bëri emër në analet e historisë teokratike. Ajo zbuloi se mëshira, dashamirësia dhe e vërteta e Jehovait përfshijnë të gjithë njerëzit që i afrohen atij. (Dalja 34:6; Jakovi 4:8) Po, përveç Izraelit të Perëndisë do të përfitonin edhe të tjerë nga mbajtja e katër erërave të shkatërrimit prej engjëjve. Kush do të ishin këta? A mund të jesh ti një prej tyre? Pikërisht këtë do të shohim në kapitullin tjetër.
[Shënimi]
^ par. 13 Izrael do të thotë «Perëndia ndeshet; Ndeshet (Ngulmon) me Perëndinë».—Zanafilla 32:28, shënimi te Përkthimi Bota e re me referime, anglisht.
[Pyetjet]
[Figura që zë gjithë faqen 114]
[Figurat në faqet 116, 117]
Zgjedhja e pjesës më të madhe të anëtarëve të Izraelit të vërtetë të Perëndisë u bë gjatë periudhës nga festa e Ditës së Pesëdhjetë e vitit 33 të e.s., deri në vitin 1935, vit në të cilin Dëshmitarët e Jehovait mbajtën një kongres historik në Uashington, ku u vu theksi te mbledhja e shumicës së madhe me shpresë tokësore (Zbulesa 7:9)