Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shkretimi i qytetit të madh

Shkretimi i qytetit të madh

Kapitulli 36

Shkretimi i qytetit të madh

Vegimi 12​—Zbulesa 18:1–19:10

Subjekti: Rënia dhe shkatërrimi i Babilonisë së Madhe; njoftohet martesa e Qengjit

Koha e përmbushjes: Nga viti 1919 deri pas shtrëngimit të madh

1. Cila ngjarje do të shënojë fillimin e shtrëngimit të madh?

I BEFTË, tronditës, shkatërrimtar! I tillë do të jetë fundi i Babilonisë së Madhe. Do të jetë një nga katastrofat më të mëdha në tërë historinë dhe do të shënojë fillimin e ‘një shtrëngimi aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, dhe as që do të ketë përsëri’.​—Mateu 24:21.

2. Cila perandori ka mbijetuar, ndryshe nga perandoritë politike që kanë ardhur e kanë shkuar?

2 Fenë e rreme e kemi pasur nëpër këmbë për një kohë të gjatë. Ajo ka ekzistuar pa ndërprerje që nga koha e Nimrodit gjakatar që u kthye kundër Jehovait e që vuri njerëz për të ndërtuar Kullën e Babelit. Kur Jehovai u ngatërroi gjuhën atyre rebelëve dhe i shpërndau në të katër anët e tokës, ata morën me vete edhe fenë e rreme babilonase. (Zanafilla 10:8-10; 11:4-9) Që nga ajo kohë, kanë ardhur e kanë shkuar disa perandori politike, por feja babilonase ka mbijetuar. Ajo ka marrë forma të ndryshme, derisa u bë perandoria botërore e fesë së rreme, që profetikisht quhet Babilonia e Madhe. Pjesa më e spikatshme e saj është krishterimi apostat, që lindi nga shkrirja e doktrinave të hershme babilonase me doktrinat «e krishtere» apostate. Për shkak të historisë shumë, shumë të gjatë të Babilonisë së Madhe, mjaft njerëz e kanë të vështirë të besojnë se një ditë ajo do të shkatërrohet.

3. Si na e vërteton libri i Zbulesës dënimin e fesë së rreme?

3 Ndaj është me vend që libri i Zbulesës të na japë fakte që vërtetojnë dënimin e fesë së rreme, me dy përshkrime të hollësishme të rënies së saj dhe të ngjarjeve të njëpasnjëshme që çojnë në shkatërrimin e saj të plotë. Ajo na është paraqitur tashmë si ‘prostituta e madhe’ që shkatërrohet përfundimisht nga dashnorët e saj të vjetër të botës politike. (Zbulesa 17:1, 15, 16) Kurse në vegimin tjetër do të na paraqitet si një qytet, domethënë si përfaqësimi fetar i Babilonisë së lashtë.

Babilonia e Madhe bie

4. (a) Ç’vegim pa Gjoni më pas? (b) Si mund ta identifikojmë engjëllin dhe pse është me vend që rënien e Babilonisë së Madhe ta lajmërojë ai?

4 Gjoni e vazhdoi tregimin me këto fjalë: «Pas këtyre gjërave, pashë një engjëll tjetër të zbriste nga qielli, me autoritet të madh, dhe toka shndriti nga lavdia e tij. Ai thërriti me një zë të fortë: ‘Ra! Ra Babilonia e Madhe!’» (Zbulesa 18:1, 2a) Kjo ishte hera e dytë që Gjoni dëgjoi këtë shpallje engjëllore. (Shih Zbulesën 14:8.) Mirëpo, kësaj here rëndësia e saj theksohej nga madhështia e engjëllit që e njoftoi, pasi tërë toka shndriti nga lavdia e tij. Cili mund të ishte ai? Shekuj më parë, profeti Ezekiel tregoi një vegim nga qielli dhe tha se «toka shndriti nga lavdia e tij [e Jehovait]». (Ezekieli 43:2) Engjëlli i vetëm që mund të ndriçojë me një lavdi si ajo e Jehovait, është Zotëria Jezu, i cili ‘pasqyron lavdinë e Perëndisë dhe paraqit saktësisht vetë qenien e tij’. (Hebrenjve 1:3) Në vitin 1914, Biri i njeriut u bë Mbret në qiell, dhe që prej asaj kohe, Jezui ka ushtruar autoritet në tokë si Mbret dhe Gjykatës nën drejtimin e Jehovait. Pra, është me vend që rënien e Babilonisë së Madhe ta lajmërojë ai.

5. (a) Cilët përdori engjëlli për të shpallur rënien e Babilonisë së Madhe? (b) Kur filloi gjykimi i atyre që thoshin se ishin ‘shtëpia e Perëndisë’ dhe ç’i ndodhi krishterimit apostat?

5 Cilët përdori ky engjëll me autoritet të madh për t’u shpallur njerëzve një lajm kaq të pazakontë? Pikërisht ata që u liruan falë rënies së Babilonisë së Madhe, mbetjen e të mirosurve në tokë, klasën e Gjonit. Nga viti 1914 deri në vitin 1918, ata vuajtën shumë në duart e Babilonisë së Madhe, por në vitin 1918 Zotëria Jehova dhe «lajmëtari i besëlidhjes [abrahamike]», Jezu Krishti, filluan gjykimin me «shtëpinë e Perëndisë», me ata që thoshin se ishin të krishterë. Kështu, krishterimi apostat doli para gjyqit. (Malakia 3:1; 1 Pjetrit 4:17) Faji tepër i rëndë i gjakut me të cilin u përlye gjatë Luftës I Botërore, bashkëfajësia në përndjekjen e dëshmitarëve besnikë të Jehovait dhe kredot e tij me origjinë babilonase, nuk e ndihmuan aspak gjatë kohës së gjykimit. As pjesët e tjera të Babilonisë së Madhe nuk e meritonin miratimin e Perëndisë.​—Krahaso Isainë 13:1-9.

6. Pse mund të thuhet se Babilonia e Madhe kishte rënë në vitin 1919?

6 Kështu, në vitin 1919, Babilonia e Madhe kishte rënë dhe kishte hapur rrugën që populli i Perëndisë të çlirohej e të rivendosej si brenda një dite në vendin e vet, domethënë në begatinë frymore. (Isaia 66:8) Perëndia Jehova bashkë me Jezu Krishtin, Dari i Madh dhe Kiri i Madh, i kishin drejtuar ngjarjet në mënyrë të tillë që, nga ai vit, feja e rreme të mos e mbante më rob popullin e Jehovait. Ajo s’mund ta pengonte më t’i shërbente Jehovait dhe t’u bënte të njohur të gjithë atyre që dëgjonin se prostituta, Babilonia e Madhe, ishte dënuar me shkatërrim dhe se sovraniteti i Jehovait do të shfajësohej së shpejti.​—Isaia 45:1-4; Danieli 5:30, 31.

7. (a) Si ishte Babilonia e Madhe në sytë e Jehovait, megjithëse nuk u shkatërrua në vitin 1919? (b) Çfarë solli për popullin e Jehovait rënia e Babilonisë së Madhe në vitin 1919?

7 Faktikisht, Babilonia e Madhe nuk u shkatërrua në vitin 1919​—njësoj si qyteti i lashtë i Babilonisë nuk u shkatërrua në vitin 539 p.e.s., kur ra në duart e ushtrisë së Kirit pers. Sidoqoftë, në sytë e Jehovait, ajo organizatë kishte rënë. Ishte gjykuar fajtore dhe priste ekzekutimin. Pra, feja e rreme s’mund ta mbante më rob popullin e Jehovait. (Krahaso Lukën 9:59, 60.) Ata ishin të lirë t’i shërbenin Zotërisë si skllavi i besueshëm dhe i matur që do të siguronte ushqim frymor në kohën e duhur. Pas gjykimit, Zotëria i kishte thënë «të lumtë» këtij skllavi dhe i kishte besuar sërish veprën e Jehovait.​—Mateu 24:45-47; 25:21, 23; Veprat 1:8.

8. Ç’ngjarje shpalli roja e Isaisë 21:8, 9 dhe kë përfaqëson sot ajo rojë?

8 Mijëra vjet më parë, Jehovai përdori profetë të tjerë për të parathënë këtë ngjarje me rëndësi historike. Për shembull, Isaia foli për një rojë që «thirri si një luan: ‘Mbi kullën e rojës, o Jehova, qëndroj vazhdimisht ditën, dhe në vendrojën time qëndroj çdo natë.’» Ç’ngjarje dalloi dhe shpalli me guximin e luanit kjo rojë? «Ra! Ra Babilonia, dhe ai [Jehovai] ia theu përtokë të gjitha shëmbëlltyrat e skalitura të perëndive!» (Isaia 21:8, 9) Roja përfaqëson më së miri klasën symprehtë të Gjonit sot, e cila përdor revistën Kulla e Rojës dhe botime të tjera teokratike, për të shpallur kudo lajmin se Babilonia ka rënë.

Babilonia e Madhe merr tatëpjetën

9, 10. (a) Ç’rënie ka pasur ndikimi i fesë babilonase që nga Lufta I Botërore? (b) Si e përshkroi engjëlli i fuqishëm gjendjen në të cilën ka rënë Babilonia e Madhe?

9 Rënia e Babilonisë së lashtë në vitin 539 p.e.s. shënoi fillimin e një rënieje të gjatë që çoi përfundimisht në shkretimin e saj. Po njësoj, që nga Lufta I Botërore, ndikimi i fesë babilonase ka rënë dukshëm në shkallë botërore. Në Japoni, pas Luftës II Botërore u ndalua kulti shintoist i perandorit. Në Kinë, qeveria komuniste kontrollon të gjitha emërimet dhe aktivitetet fetare. Në vendet protestante të Evropës Veriore, pjesa dërrmuese e njerëzve janë bërë indiferentë ndaj fesë. Kohët e fundit, Kisha Katolike është dobësuar nga përçarjet dhe fërkimet e brendshme që kanë përfshirë tërë sferën ku vepron.​—Krahaso Markun 3:24-26.

10 Të gjitha këto prirje janë pa dyshim pjesë e ‘tharjes së lumit Eufrat’, që do të çojë drejt sulmit të ardhshëm ushtarak mbi Babiloninë e Madhe. Kjo ‘tharje’ pasqyrohet edhe në njoftimin e papës, në tetor të vitit 1986, se kisha duhet «të lypë përsëri», për shkak të humbjeve të saj të mëdha. (Zbulesa 16:12) Veçanërisht që nga viti 1919, është zbuluar sheshit se Babilonia e Madhe është një «vend» i shkretë frymësisht, siç lajmëroi edhe engjëlli i fuqishëm: «Ajo është bërë vendbanimi i demonëve, strofka e çdo kundërmimi të ndyrë dhe e çdo zogu të papastër e të urryer!» (Zbulesa 18:2b.) Së shpejti ajo do të jetë një vend vërtet i shkretë, po aq i shkretë sa rrënojat e Babilonisë në Irakun e sotëm.​—Shih edhe Jereminë 50:25-28.

11. Në ç’kuptim Babilonia e Madhe është bërë «vendbanimi i demonëve», si dhe «strofka e çdo kundërmimi të ndyrë dhe e çdo zogu të papastër»?

11 Fjala ‘demonë’ në këtë varg mbase të sjell ndër mend «demonët në formë cjapi» (se‘irím), që i hasim te përshkrimi i Isaisë për Babiloninë pas rënies së saj. «Në të do të shtrihen kafshët e vendeve të thata dhe shtëpitë e saj do të mbushen me bufë. Atje do të banojnë strucët dhe do të hidhen përpjetë demonët në formë cjapi.» (Isaia 13:21) Kjo shprehje mund të mos u referohet demonëve të vërtetë, por disa kafshëve me qime të gjatë e të ashpër që enden nëpër shkretëtirë, pamja e të cilave të sjell ndër mend demonët. «Prania» e këtyre kafshëve, e një ajri të rëndë e helmues (kundërmimi të ndyrë) dhe e zogjve të papastër në rrënojat e Babilonisë së Madhe tregon se ajo është e vdekur frymësisht. Ajo nuk u jep njerëzve asnjë shpresë.​—Krahaso Efesianëve 2:1, 2.

12. Si përkon gjendja e Babilonisë së Madhe me profecinë e Jeremisë të kapitullit 50?

12 Gjendja e Babilonisë së Madhe përkon edhe me profecinë e Jeremisë: «Do të vijë një shpatë kundër kaldeasve,​—thotë Jehovai,​—kundër banorëve të Babilonisë, kundër princave dhe kundër të mençurve të saj. . . . Do të vijë një shkretim mbi vendet me ujë, dhe ato do të thahen. Sepse është një vend me shëmbëlltyra të gdhendura dhe për shkak të vegimeve të tyre të lemerishme, ata veprojnë si të çmendur. Prandaj kafshët e vendeve pa ujë do të banojnë me kafshët që ulërijnë, dhe në të do të banojnë strucët. Ajo nuk do të banohet më kurrë, dhe për të s’do të ketë më vend brez pas brezi.» Idhujtaria dhe lutjet e përsëritura s’mund t’ia kursejnë Babilonisë së Madhe shpagimin që të kujton si e përmbysi Perëndia Sodomën dhe Gomorrën.​—Jeremia 50:35-40.

Vera që ndez pasionin

13. (a) Si e vuri theksin engjëlli i fuqishëm te paturpësia e sjelljes së përdalë të Babilonisë së Madhe? (b) A gjejmë edhe te Babilonia e Madhe imoralitetin që ishte i zakonshëm në Babiloninë e lashtë?

13 Më pas, engjëlli i fuqishëm e vuri theksin te paturpësia e sjelljes së përdalë të Babilonisë së Madhe, duke thënë: «Sepse të gjitha kombet ranë viktimë e verës së zemërimit, verës së kurvërimit të saj, dhe mbretërit e tokës u kurvëruan me të, ndërsa tregtarët shëtitës të tokës u pasuruan, falë luksit të saj të pamasë e të shfrenuar.» (Zbulesa 18:3) Ajo ka indoktrinuar të gjitha kombet me praktikat e saj të papastra fetare. Sipas Herodotit, një historiani grek, në Babiloninë e lashtë të gjitha grave u kërkohej që një herë në jetë të kryenin ritin e prostitutës së tempullit. Edhe sot në tempullin e Angkor Uatit në Kamboxhia, mund të shohim skulptura të dëmtuara nga lufta, që paraqitin skena seksuale të mbrapshta e të neveritshme. Në tempujt e Khajurahos në Indi, perëndia hinduist Vishnu, paraqitet mes skenave erotike të pështira. Zbulimi i aventurave imorale në Shtetet e Bashkuara që tronditi botën e tele-evangjelistëve në vitin 1987 dhe 1988, si dhe praktika mjaft e përhapur e homoseksualizmit mes priftërinjve dhe pastorëve, tregojnë se edhe krishterimi apostat toleron mes anëtarëve të tij kurvërinë e shfrenuar në një shkallë tronditëse. Megjithatë, të gjitha kombet kanë rënë pre e një lloj kurvërie edhe më të rëndë.

14-16. (a) Cila marrëdhënie e pandershme politiko-fetare u zhvillua në Italinë fashiste? (b) Ç’deklarata bënë peshkopët e Kishës Katolike, kur Italia pushtoi Etiopinë?

14 Kemi folur tashmë për marrëdhëniet e pandershme politiko-fetare që sollën në pushtet Hitlerin në Gjermaninë naziste. Edhe kombe të tjera vuajtën nga ndërhyrja e fesë në çështje që s’i përkitnin. Për shembull, në Italinë fashiste, Traktati Lateran i nënshkruar nga Musolini dhe kardinali Gasparri më 11 shkurt 1929, e ktheu qytetin e Vatikanit në shtet sovran. Papa Piu XI pohoi se ai ia kishte «kthyer Italinë Perëndisë dhe Perëndinë Italisë». A ishte e vërtetë kjo? Le të shohim ç’ndodhi gjashtë vjet më vonë. Më 3 tetor 1935, Italia pushtoi Etiopinë (asokohe Abisinia), duke thënë se ishte «një vend barbar, ku ende praktikohej skllavëria». Kush po tregohej në të vërtetë barbar? A e dënoi Kisha Katolike barbarinë e Musolinit? Ndërsa papa bënte deklarata të dykuptimta, peshkopët e tij bekonin me sa u hante zëri forcat e armatosura që do të luftonin për «atdheun» e tyre, Italinë. Në Librin Vatikani në epokën e diktatorëve, (anglisht), Entoni Rods shkruan:

15 «Në letrën e tij baritore të datës 19 tetor [1935], peshkopi i Udines [Itali] shkroi: ‘S’është as me vend dhe as e arsyeshme të shprehim gjykimin tonë për këtë çështje. Detyra jonë si italianë, e aq më tepër si të krishterë, është të japim ndihmesën tonë për fitoren e trupave tona ushtarake.’ Më 21 tetor, peshkopi i Padovës shkroi: ‘Në këto orë të vështira që po kalojmë, ju kërkojmë të keni besim te pushtetarët dhe ushtritë tona.’ Më 24 tetor, pasi shenjtëroi disa flamuj të regjimenteve, peshkopi i Kremonës tha: ‘Perëndia i bekoftë këta ushtarë që do të pushtojnë toka të reja e pjellore në truallin afrikan për gjeniun italian, duke u çuar në këtë mënyrë kulturën romake dhe të krishterë. Qoftë vendi ynë, Italia, edhe kësaj here prijësi i krishterimit për mbarë botën.’»

16 Etiopia u dhunua me bekimin e klerit të Kishës Katolike. A kishte gojë ndonjëri prej tyre të thoshte si apostulli Pavël se ishte «i pastër nga gjaku i të gjithë njerëzve»?​—Veprat 20:26.

17. Ç’vuajtje kaloi Spanja ngaqë klerikët nuk ‘i farkëtuan shpatat duke i kthyer në plore’?

17 Përveç Gjermanisë, Italisë dhe Etiopisë, pre e kurvërisë së Babilonisë së Madhe ra edhe Spanja. Luftën civile që zgjati nga viti 1936 deri në vitin 1939, e provokuan, ndër të tjera, hapat që po merrte qeveria demokratike për të kufizuar pushtetin e madh që gëzonte Kisha Katolike e Romës në këtë vend. Gjatë kësaj lufte, Franko, një katolik dhe fashist që ishte vënë në krye të forcave revolucionare, e paraqiti veten si «Komandanti i Përgjithshëm i Krishterë i Kryqëzatës së Shenjtë», titull nga i cili më vonë hoqi dorë. Luftimet lanë qindra mijë spanjollë të vdekur. Veç kësaj, sipas një llogaritjeje aspak të ekzagjeruar, nacionalistët e Frankos kishin vrarë 40.000 anëtarë të Frontit Popullor, kurse këta të fundit kishin vrarë 8.000 klerikë​—murgjër, priftërinj, murgesha dhe rishtarë. Tmerri dhe tragjedia e kësaj lufte civile ilustrojnë më së miri sa të mençura janë fjalët e Jezuit: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.» (Mateu 26:52) Përfshirja e krishterimit apostat në të tilla masakra të ngjall krupë! S’ka pikë dyshimi se klerikët e tij nuk ‘i kanë farkëtuar shpatat duke i kthyer në plore’.​—Isaia 2:4.

Tregtarët shëtitës

18. Cilët janë «tregtarët shëtitës të tokës»?

18 Cilët janë «tregtarët shëtitës të tokës»? Pa dyshim, në ditët e sotme do t’i quanim afaristë, tregtarë të mëdhenj, matrapazë të biznesit të madh. Kjo s’do të thotë se është e gabuar të merresh me tregti të ligjshme. Bibla jep këshilla të mençura për ata që merren me tregti, duke i paralajmëruar të mos jenë të pandershëm, lakmitarë e kështu me radhë. (Proverbat 11:1; Zakaria 7:9, 10; Jakovi 5:1-5) Fitimi më i madh është «përkushtimi hyjnor bashkë me kënaqjen me atë që kemi». (1 Timoteut 6:6, 17-19) Megjithatë, bota e Satanait nuk ndjek parime të drejta. Korrupsioni ka marrë dhenë. E gjejmë te feja, politika dhe bota e biznesit. Herë pas here, në lajme zbulohen skandale, si përvetësime fondesh nga zyrtarët e lartë dhe trafik i paligjshëm armësh.

19. Cilat fakte lidhur me ekonominë e botës na lejojnë të shpjegojmë pse libri i Zbulesës i nxjerr tregtarët e tokës në një dritë negative?

19 Tregtia ndërkombëtare e armëve ka kaluar shifrën e 1.000 miliardë dollarëve fitime në vit, ndërkohë që qindra milionë njerëz nuk kanë as gjërat e nevojshme për të jetuar. Kjo është vërtet për të ardhur keq. Mjerisht, duket se armatimet janë një nga bazat e ekonomisë së botës. Një e përjavshme londineze raportonte: «Nëse llogaritim vetëm industritë që lidhen drejtpërdrejt me këtë fushë, bëhet fjalë për rreth 400.000 vende pune në SHBA dhe 750.000 në Evropë. Por çuditërisht, ndërsa roli shoqëror dhe ekonomik i prodhimit të armëve është rritur, çështja me vend nëse vendet prodhuese janë të mbrojtura mirë, ka kaluar në plan të fundit.» (Spectator, 11 prill 1987) Këto vende nxjerrin fitime të stërmëdha nga tregtimi i bombave dhe i armëve të tjera që i shiten tërë botës, madje edhe armiqve të mundshëm. Ndonjë ditë këto bomba mund të provokojnë një kasaphanë që do t’u marrë jetën atyre që i kanë shitur. Ç’absurditet! Shtoji kësaj edhe dallaveret që bëhen rëndom në industrinë e armëve. Sipas të përjavshmes së lartpërmendur, vetëm në Shtetet e Bashkuara, «çdo vit Pentagoni humbet në mënyrë të pashpjegueshme armë dhe objekte ushtarake me vlerë 900 milionë dollarë». S’ka pse të çuditemi që libri i Zbulesës i nxjerr tregtarët e tokës në një dritë negative!

20. Cili shembull tregon përfshirjen e fesë në praktika të korruptuara biznesi?

20 Siç paratha engjëlli i lavdishëm, feja është zhytur mirë në të tilla praktika të korruptuara biznesi. Për shembull, të përmendim rolin që luajti Vatikani në falimentimin e Bankës Ambroziane të Italisë në vitin 1982. Kjo çështje u zvarrit për vite me radhë gjatë viteve 80 me një pikëpyetje të madhe: ku shkuan paratë? Në shkurt të vitit 1987, disa gjykatës të Milanos lëshuan urdhër arresti për tre funksionarë të lartë të Vatikanit, njëri prej tyre kryepeshkop amerikan. Të gjithë akuzoheshin si bashkëpunëtorë për falimentim mashtrues, por Vatikani nuk e pranoi kërkesën për ekstradim. Në korrik të vitit 1987, gjatë një vale protestash, urdhër-arrestet u anuluan nga Gjykata e Lartë e Apelit në Itali, në bazë të një marrëveshjeje të vjetër mes Vatikanit dhe qeverisë italiane.

21. Si e dimë se Jezui nuk u përfshi në praktikat e dyshimta tregtare të kohës së tij? Çfarë vërejmë sot te feja babilonase?

21 A u përfshi Jezui në praktikat e dyshimta tregtare të kohës së tij? Jo. Ai nuk zotëronte as ndonjë pronë të patundshme, pasi s’kishte as ‘ku të mbështeste kokën’. Madje i dha këtë këshillë një pasaniku të ri me pozitë: «Shit gjithçka që ke, shpërndajua të varfërve, e do të kesh një thesar në qiej. Pastaj eja dhe bëhu ithtari im.» Kjo këshillë ishte shumë e mirë, sepse po ta kishte dëgjuar, ai do të ishte çliruar nga të gjitha kokëçarjet për punë biznesi. (Luka 9:58; 18:14-22) Kurse feja babilonase shpesh ka lidhje të paskrupullta me botën e biznesit. Për shembull, në vitin 1987, një gazetë raportonte se administratori financiar i kryedioqezës katolike të Majamit të Floridës, SHBA, pranoi se kisha zotëronte aksione në shoqëri që prodhonin armë bërthamore, filma të ndaluar për të miturit e pashoqëruar nga të rriturit dhe cigare.​—Albany Times Union.

«Dilni prej saj, o populli im»

22. (a) Çfarë tha një zë nga qielli? (b) Ç’gjë e gëzoi popullin e Perëndisë në vitin 537 p.e.s. dhe në vitin 1919 të e.s.?

22 Fjalët që tha më pas Gjoni nxjerrin në pah një përmbushje tjetër të modelit profetik: «Dëgjova një zë tjetër nga qielli, që tha: ‘Dilni prej saj, o populli im, nëse nuk doni të merrni pjesë me të në mëkatet e saj dhe nëse nuk doni të merrni nga plagët e saj.’» (Zbulesa 18:4) Profecitë e Shkrimeve Hebraike për rënien e Babilonisë së lashtë përfshijnë edhe këtë urdhër të Jehovait për popullin e tij: «Mbathjani nga Babilonia.» (Jeremia 50:8, 13) Po njësoj edhe sot, duke menduar shkatërrimin e afërt të Babilonisë së Madhe, shërbëtorët e Perëndisë nxiten të dalin nga kjo organizatë. Në vitin 537 p.e.s., izraelitët besnikë u gëzuan pa masë që mundën të iknin nga Babilonia. Po njësoj, populli i Perëndisë u gëzua shumë që u çlirua nga robëria babilonase në vitin 1919. (Zbulesa 11:11, 12) Që nga ai vit, miliona të tjerë i janë bindur urdhrit për të dalë nga Babilonia e Madhe.

23. Si e theksoi zëri nga qielli se është urgjente të dalim nga Babilonia e Madhe?

23 A është vërtet kaq urgjente të dalim nga Babilonia e Madhe, të ndërpresim çdo lidhje me fetë e botës dhe të ndahemi plotësisht prej tyre? Patjetër, sepse duhet ta shikojmë Babiloninë e Madhe, këtë përbindësh fetar shekullor, siç e sheh Perëndia. Ai e quajti troç prostituta e madhe. Prandaj, zëri nga qielli i dha Gjonit të dhëna të tjera për këtë lavire: «Sepse mëkatet e saj janë grumbulluar e kanë arritur deri në qiell, dhe Perëndia solli ndër mend veprat e saj të padrejtësisë. Kthejani asaj, ashtu siç ua bëri ajo të tjerëve, madje kthejani dyfish, po, dyfish gjërat që bëri. Në kupën që mbushi me përzierje, hidhini dyfishin e përzierjes. Aq sa ajo i dha lavdi vetes dhe jetoi në luks të shfrenuar, po aq jepini mundime e vajtim. Sepse ajo thotë: ‘Ulem posi mbretëreshë. Nuk jam vejushë e nuk do të vajtoj kurrë.’ Ja përse në një ditë të vetme do të vijnë plagët e saj: vdekje, vajtim dhe zi buke. Ajo do të digjet plotësisht me zjarr, sepse Perëndia Jehova, ai që e gjykoi, është i fortë.»​—Zbulesa 18:5-8.

24. (a) Pse shërbëtorët e Perëndisë duhet të dalin nga Babilonia e Madhe? (b) Në cilat mëkate marrin pjesë bashkë me Babiloninë e Madhe ata që nuk dalin prej saj?

24 Fjalë vërtet të rënda! Ndaj duhet të veprojmë. Edhe Jeremia i nxiti izraelitët e kohës së tij të vepronin, duke thënë: «Ikni me të shpejtë nga Babilonia. . . . Sepse është koha e hakmarrjes së Jehovait. Ai do t’ia shpaguajë asaj ashtu siç e meriton. Dil prej saj, o populli im, dhe secili të shpëtojë shpirtin e vet nga zemërimi i zjarrtë i Jehovait.» (Jeremia 51:6, 45) Në të njëjtën mënyrë, zëri nga qielli paralajmëron sot shërbëtorët e Perëndisë të dalin nga Babilonia e Madhe që të mos marrin nga plagët e saj. Gjykimet e Jehovait, të krahasuara me plagët, mbi këtë botë, ku përfshihet edhe Babilonia e Madhe, janë duke u shpallur. (Zbulesa 8:1–9:21; 16:1-21) Shërbëtorët e Perëndisë duhet të ndahen nga feja e rreme, nëse nuk duan t’i provojnë ato plagë dhe të marrin fund bashkë me të. Në rast se mbeten brenda asaj organizate, do të marrin pjesë bashkë me të në mëkatet e saj. Do të ishin po aq fajtorë sa ajo për kurvëri frymore dhe për gjakun e derdhur të «tërë atyre që u vranë pa mëshirë mbi tokë».​—Zbulesa 18:24; krahaso Efesianëve 5:11; 1 Timoteut 5:22.

25. Si doli populli i Perëndisë nga Babilonia e lashtë?

25 Por, si dalin shërbëtorët e Perëndisë nga Babilonia e Madhe? Judenjve që u liruan nga Babilonia e lashtë, iu desh të rrugëtonin nga qyteti i Babilonisë për t’u kthyer në Tokën e Premtuar. Por nuk mjaftonte vetëm kaq. Isaia u tha izraelitëve në mënyrë profetike: «Largohuni, largohuni! Dilni që andej e mos prekni asgjë të papastër. Dilni prej saj dhe qëndroni të pastër, ju që mbani pajisjet e shtëpisë së Jehovait.» (Isaia 52:11) Pra, ata duhej të braktisnin të gjitha praktikat e papastra të fesë babilonase, që mund të njollosnin adhurimin që i kushtonin Jehovait.

26. Si iu bindën të krishterët e Korintit fjalëve ‘dilni nga mesi i tyre dhe mjaft e prekët gjënë e papastër’?

26 Apostulli Pavël citoi fjalët e Isaisë në letrën që u drejtoi korintasve: «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët. Sepse ç’lidhje ka drejtësia me paligjshmërinë? Apo ç’pjesë ka drita me errësirën? . . . ‘Prandaj, dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni,​—thotë Jehovai,​—dhe mjaft e prekët gjënë e papastër.’» Të krishterët në Korint nuk duhej të iknin nga qyteti që t’i bindeshin këtij urdhri. Megjithatë, ata duhej t’u rrinin larg fizikisht tempujve të papastër të fesë së rreme dhe duhej të ndaheshin frymësisht nga gjërat e papastra që bënin idhujtarët. Pikërisht kështu filloi ta linte populli i Perëndisë Babiloninë e Madhe në vitin 1919. Ata i lanë të gjitha doktrinat dhe praktikat e papastra që nuk i kishin braktisur ende. Kështu, ishin në gjendje t’i shërbenin Atij si populli i tij i pastruar.​—2 Korintasve 6:14-17; 1 Gjonit 3:3.

27. Ç’paralele ekzistojnë mes gjykimit kundër Babilonisë së lashtë dhe atij kundër Babilonisë së Madhe?

27 Rënia dhe shkatërrimi përfundimtar i Babilonisë së lashtë ishin një ndëshkim për mëkatet e saj. ‘Gjykimi i saj kishte arritur deri në qiej.’ (Jeremia 51:9) Po ashtu, mëkatet e Babilonisë së Madhe «janë grumbulluar e kanë arritur deri në qiell», aq sa kanë tërhequr vëmendjen e Jehovait. Ajo është fajtore për padrejtësi, idhujtari, imoralitet, shtypje, vjedhje dhe vrasje. Rënia e Babilonisë së lashtë shërbeu pjesërisht si hakmarrje për çka i kishte bërë ajo tempullit të Jehovait dhe adhuruesve të tij të vërtetë. (Jeremia 50:8, 14; 51:11, 35, 36) Po ashtu, rënia dhe shkatërrimi përfundimtar i Babilonisë së Madhe është hakmarrje për çka u ka bërë ajo adhuruesve të vërtetë gjatë shekujve. Në fakt, shkatërrimi përfundimtar i saj do të shënojë fillimin e ‘ditës së hakmarrjes nga ana e Perëndisë tonë’.​—Isaia 34:8-10; 61:2; Jeremia 50:28.

28. Cilën normë drejtësie do të zbatojë Jehovai për Babiloninë e Madhe dhe pse?

28 Në ligjin e Moisiut, nëse një izraelit vidhte, ai duhej të dëmshpërblente të paktën dyfish. (Dalja 22:1, 4, 7, 9) Në shkatërrimin e afërt të Babilonisë së Madhe Jehovai do të zbatojë një normë të ngjashme drejtësie. Asaj do t’i kthehen dyfish gjërat që ka bërë. Babilonisë së Madhe s’do t’i tregohet mëshirë, sepse as ajo s’pati mëshirë për viktimat e saj. Ajo e ka mbajtur veten në kurriz të njerëzve, që vetë të jetonte në «luks të shfrenuar». Tani e ka radhën ajo të shohë ç’do të thotë të vuash e të vajtosh. Babilonia e lashtë ndihej plotësisht e sigurt, ndaj mburrej: «Nuk do të bëhem vejushë dhe nuk do ta provoj humbjen e fëmijëve.» (Isaia 47:8, 9, 11) Edhe Babilonia e Madhe ndihet e sigurt. Por shkatërrimi i saj, i dekretuar nga Jehovai që «është i fortë», do të ndodhë shumë shpejt, si «në një ditë të vetme».

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 263]

«Mbretërit . . . u kurvëruan me të»

Në fillim të viteve 1800 tregtarë evropianë futnin fshehurazi në Kinë sasi të mëdha opiumi. Në mars të vitit 1839 zyrtarë kinezë u orvatën të ndalonin këtë tregti të paligjshme dhe u sekuestruan tregtarëve britanikë 20.000 arka me drogë. Kjo i tendosi marrëdhëniet Britani-Kinë. Teksa marrëdhëniet mes dy shteteve po përkeqësoheshin, disa misionarë protestantë e nxitën Britaninë të niste luftën me deklarata të tilla:

«Oh, sa ma gëzojnë zemrën këto vështirësi, sepse mendoj se qeveria britanike mund të tërbohet dhe Perëndia, me fuqinë e Tij, mund të rrëzojë pengesat që nuk e lejojnë ungjillin e Krishtit të hyjë në Kinë.»​—Henrieta Shak, misionare baptiste e Jugut.

Së fundi, lufta shpërtheu​—ajo që sot njihet si Lufta e Opiumit. Me gjithë zemër, misionarët e nxitnin Britaninë me komente të tilla:

«Nuk mund ta konsideroj situatën e tanishme thjesht si çështje opiumi apo si problem të anglezëve, por si një plan të madh të Perëndisë që ta vërë ligësinë njerëzore në shërbim të qëllimeve të Tij të mëshirshme për Kinën, duke çarë murin e saj të izolimit.»​—Piter Parkër, misionar kongregacionalist.

Një misionar tjetër kongregacionalist, Samuel Uells Uilliams, shtoi: «Dora e Perëndisë është jashtëzakonisht e dukshme në gjithçka që ka ndodhur, dhe ne s’dyshojmë aspak se Ai që tha se erdhi për të sjellë shpatën mbi tokë, ka ardhur këtu që të shkatërrojë me të shpejtë armiqtë e vet dhe të vendosë mbretërinë e Tij. Ai do të vazhdojë të kthejë përmbys derisa të ketë vendosur Princin e Paqes.»

Në lidhje me masakrimin e tmerrshëm të qytetarëve kinezë, misionari Jehu Ljuiz Shak shkroi: «I quaj skena të tilla . . . si mjete të drejtpërdrejta të Zotërisë për të pastruar plehrat që pengojnë përparimin e së Vërtetës Hyjnore.»

Misionari kongregacionalist Elija Kollmen Brixhmen shtoi: «Shpesh Perëndia ka përdorur dorën e fortë të pushtetit civil që të përgatitë udhën për mbretërinë e Tij . . . Mjeti në këto çaste të rëndësishme është njerëzor, por fuqia që e drejton është hyjnore. Kryeguvernatori i të gjitha kombeve ka përdorur Anglinë për të ndëshkuar e përulur Kinën.»​—Citimet janë marrë nga eseja «Ends and Means» e Stjuart Krigton Millërit, botuar në vitin 1974 në The Missionary Enterprise in China and America (studim i universitetit të Harvardit, nga Xhon-King Ferbanku).

[Kutia në faqen 264]

«Tregtarët shëtitës . . . u pasuruan»

«Mes vitit 1929 dhe shpërthimit të Luftës II Botërore, [Bernadino] Nogara [administratori i financave të Vatikanit] i vuri në veprim kapitalet e Vatikanit dhe agjentët e tij në fusha të ndryshme të ekonomisë italiane, sidomos në energjinë elektrike, komunikimin telefonik, kreditë dhe bankat, hekurudhat lokale, prodhimin e veglave bujqësore, çimentos dhe fibrave tekstile sintetike. Shumë nga këto investime dolën frytdhënëse.

Nogara përpiu një sërë ndërmarrjesh, përfshirë La Società Italiana della Viscosa, La Supertessile, La Società Meridionale Industrie Tessili dhe La Cisaraion. Ai i shkriu këto ndërmarrje në një të vetme, që e quajti CISA-Viscosa, dhe vuri në krye të tyre baronin Françesko-Maria Odaso, një ndër laikët më të besuar të Vatikanit. Më pas Nogara i manovroi punët që ndërmarrja e re të bashkohej me prodhuesin më të madh të tekstileve në Itali, SNIA-Viscosa. Në këtë mënyrë interesat e Vatikanit te SNIA-Viscosa u rritën gjithnjë e më shumë, derisa mori kontrollin plotësisht, siç e vërteton edhe fakti që baroni Odaso u bë më pas zëvendëspresidenti i saj.

Kështu u fut Nogara në industrinë tekstile. Ai u fut edhe në industri të tjera duke përdorur rrugë të ndryshme, pasi Nogara dinte shumë marifete. Ky njeri i vetëmohimit . . . i dha ekonomisë italiane një shtysë të atillë që ndoshta nuk ia dha asnjë biznesmen tjetër në historinë e Italisë . . . Benito Musolini s’arriti kurrë plotësisht të kishte atë perandori që kishte ëndërruar, mirëpo i dha mundësi Vatikanit dhe Bernadino Nogarës të krijonin një pushtet të një lloji tjetër.»​—The Vatican Empire, nga Nino lo Belo, faqet 71-73.

Ky është vetëm një shembull i bashkëpunimit të ngushtë mes tregtarëve të tokës dhe Babilonisë së Madhe. Nuk habitemi që këta tregtarë do të vajtojnë kur ortaku i tyre i tregtisë të mos jetë më!

[Figura në faqen 259]

Njerëzit morën me vete fenë e tyre babilonase, kur u shpërndanë në të katër anët e tokës

[Figurat në faqen 261]

Klasa e Gjonit, si një rojë, shpall se Babilonia ka rënë

[Figura në faqen 266]

Rrënojat e Babilonisë së lashtë na ndihmojnë të parafytyrojmë rrënimin e afërt të Babilonisë së Madhe