Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjoni sheh Jezuin në lavdinë e tij

Gjoni sheh Jezuin në lavdinë e tij

Kapitulli 5

Gjoni sheh Jezuin në lavdinë e tij

Vegimi 1​—Zbulesa 1:10–3:22

Subjekti: Jezui heton Izraelin frymor në tokë dhe jep inkurajim të ngrohtë

Koha e përmbushjes: Ky aspekt i ditës së Zotërisë ka filluar që nga viti 1914 dhe vazhdon derisa vdes dhe ringjallet i fundit nga besnikët e mirosur

1. Si paraqitet vegimi i parë dhe si tregoi Gjoni se kur do të përmbusheshin me të vërtetë fjalët e këtij vegimi?

VEGIMI i parë i librit të Zbulesës nis në vargun 10 të kapitullit të 1-rë. Këtij vegimi, ashtu si edhe vegimeve të tjera të Zbulesës, i paraprin shpallja se Gjoni po shihte ose dëgjonte diçka të pazakontë. (Zbulesa 1:10, 12; 4:1; 6:1) Ky vegim i parë paraqitet në një sfond të shekullit të 1-rë dhe mesazhet e tij u drejtoheshin shtatë kongregacioneve të kohës së Gjonit. Megjithatë, Gjoni tha: «Nën frymëzim u gjenda në ditën e Zotërisë», dhe tregoi kështu kohën kur do të plotësoheshin me të vërtetë fjalët e këtij vegimi. (Zbulesa 1:10a) Kur është kjo ‘ditë’? A kanë të bëjnë me të ngjarjet tronditëse të këtyre kohëve të stuhishme? Nëse po, duhet t’i kushtojmë vëmendje të madhe kësaj profecie, sepse prek vetë jetën, madje mbijetesën tonë.​—1 Selanikasve 5:20, 21.

Në Ditën e Zotërisë

2. Kur filloi dhe kur mbaron dita e Zotërisë?

2 Kur do të përmbushet Zbulesa sipas këtyre fjalëve? Ç’është dita e Zotërisë? Apostulli Pavël foli për të si për një kohë kur bëhet gjykimi dhe përmbushen premtimet hyjnore. (1 Korintasve 1:8; 2 Korintasve 1:14; Filipianëve 1:6, 10; 2:16) Me ardhjen e asaj ‘dite’, qëllimet madhështore të Jehovait shkojnë hap pas hapi drejt plotësimit të tyre në mënyrë triumfuese. Ajo ‘ditë’ fillon me kurorëzimin e Jezuit si Mbret qiellor. Dita e Zotërisë vazhdon edhe pasi Jezui të ekzekutojë gjykimin mbi botën e Satanait. Ajo vazhdon me rivendosjen e Parajsës dhe përsosjen e njerëzimit, gjersa në fund Jezui «t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit të tij».​—1 Korintasve 15:24-26; Zbulesa 6:1, 2.

3. (a) Si na ndihmon profecia e Danielit për ‘shtatë kohët’ të saktësojmë se kur ka filluar dita e Zotërisë? (b) Cilat ngjarje në tokë tregojnë se viti 1914 shënon fillimin e ditës së Zotërisë?

3 Përmbushja e profecive të tjera biblike na ndihmon të saktësojmë se kur filloi dita e Zotërisë. Për shembull, Danieli tregoi se sundimi nga linja e mbretit David do të hiqej ashtu si pritet një pemë. Në fund të ‘shtatë kohëve’ do të kuptohej «se Më i Larti është Sundimtar në mbretërinë e njerëzve dhe ia jep atë kujt të dojë». (Danieli 4:23, 24, 31, 32) Përmbushja kryesore e kësaj profecie nisi me shkatërrimin e mbretërisë së Judës, që sipas dëshmive biblike, përfundoi në tetor të vitit 607 p.e.s. Zbulesa 12:6, 14 tregon se 3 kohë e gjysmë përkojnë me 1.260 ditë. Atëherë, shtatë kohë (pra dyfishi) bëjnë 2.520 ditë. Duke llogaritur «një ditë për një vit», dalim në përfundimin se ‘shtatë kohët’ zgjatën 2.520 vjet. (Ezekieli 4:6) Kështu, Krishti Jezu nisi të mbretëronte në qiell nga fundi i vitit 1914. Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore atë vit, shënoi ‘fillimin e dhembjeve të lindjes’, që e kanë munduar njerëzimin deri më tash. Që nga viti 1914, ngjarjet që kanë tronditur dhe përgjakur tokën, kanë treguar me prova se ky vit shënon fillimin e ‘ditës’ së pranisë së Jezuit.​—Mateu 24:3-14. *

4. (a) Kur filloi të përmbushej vegimi i parë sipas asaj që thotë vetë Zbulesa? (b) Kur përfundon përmbushja e vegimit të parë?

4 Pra, ky vegim i parë dhe këshillat që përmban ai, janë për ditën e Zotërisë, domethënë për periudhën nga viti 1914 e më pas. Këtë e mbështet edhe fakti që më vonë Zbulesa përshkruan ekzekutimin e gjykimeve të drejta e të vërteta të Perëndisë, ngjarje në të cilat Zotëria Jezu luan një rol mjaft të rëndësishëm. (Zbulesa 11:18; 16:15; 17:1; 19:2, 11) Pra, vegimi i parë filloi të përmbushej në vitin 1914. Por, kur përfundon? Siç e tregojnë edhe vetë mesazhet, organizata së cilës ato i drejtohen, është kongregacioni i Perëndisë i përbërë nga të mirosurit që janë në tokë. Kjo do të thotë se vegimi i parë përmbushet kur të vdesë dhe të ringjallet në jetën qiellore besniku i fundit i atij kongregacioni të mirosur. Megjithatë, Dita e Zotërisë, që sjell me vete bekime edhe për delet e tjera në tokë, vazhdon deri në fund të Sundimit Mijëvjeçar të Jezu Krishtit.​—Gjoni 10:16; Zbulesa 20:4, 5.

5. (a) Çfarë urdhri i dha një zë Gjonit? (b) Pse vendndodhja e «shtatë kongregacioneve» ishte e volitshme për t’ua dërguar rrotullën?

5 Në fillim të vegimit të parë, Gjoni dëgjoi diçka. Ja si e përshkroi ai: «Dhe dëgjova pas meje një zë të fortë si ai i një trumbete, që thoshte: ‘Atë që sheh, shkruaje në rrotull dhe dërgojua shtatë kongregacioneve: në Efes, në Smirnë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë, në Filadelfia dhe në Laodice.’» (Zbulesa 1:10b, 11) Me një ton të prerë e urdhërues si tingulli i trumbetës, një zë e thirri Gjonin dhe i tha t’u shkruante «shtatë kongregacioneve». Ai do të merrte një varg mesazhesh dhe duhej të bënte të njohura gjërat që do të shihte e dëgjonte. Vlen të themi se kongregacionet e përmendura këtu ekzistonin vërtet në kohën e Gjonit. Të tëra ishin në Azinë e Vogël, pikërisht në anën tjetër të detit, përballë Patmosit. Mund të shkoje lehtë nga njëri te tjetri, pasi romakët i kishin lidhur me rrugë shumë të mira. Një lajmëtar s’do ta kishte aspak problem ta çonte rrotullën nga një kongregacion në tjetrin. Në kohën tonë, këto shtatë kongregacione do të ngjanin me një pjesë qarku të Dëshmitarëve të Jehovait.

6. (a) Çfarë duhet të kuptojmë me shprehjen «gjërat që janë»? (b) Pse mund të jemi të sigurt se në kongregacionin e të krishterëve të mirosur sot mund të ketë situata të ngjashme me ato të kohës së Gjonit?

6 Shumica e profecive të Zbulesës duhej të përmbushej pas kohës së Gjonit. Ato përmendin «gjërat që do të ndodhin pas këtyre». Por këshilla drejtuar shtatë kongregacioneve kishte të bënte me «gjërat që janë», me situata që ekzistonin vërtet në shtatë kongregacionet e asaj kohe. Mesazhet ishin një ndihmë e çmuar për pleqtë besnikë të emëruar në ato shtatë kongregacione, si edhe në tërë kongregacionet e tjera të të krishterëve të mirosur të asaj kohe. * Përderisa përmbushja kryesore e vegimit është në ditën e Zotërisë, fjalët e Jezuit na tregojnë se situata të ngjashme pritet të ketë edhe në kongregacionin e të krishterëve të mirosur në ditët tona.​—Zbulesa 1:10, 19.

7. Kë pa Gjoni në vegimin e parë dhe pse kjo është kaq e rëndësishme dhe na jep zemër neve sot?

7 Në vegimin e parë, Gjoni pa Zotërinë Jezu Krisht plot shkëlqim në lavdinë e Tij qiellore. Ç’mund të ishte më e përshtatshme për një libër me profeci që lidhen me ditën e madhe të këtij Zotërie të ngarkuar me një detyrë nga qielli?! A mund të ketë gjë më të rëndësishme për ne që jetojmë pikërisht në atë kohë dhe që ndjekim me kujdes çdo urdhërim të tij? Fara mesianike u bëri ballë të gjitha sprovave dhe përndjekjeve të Satanait dhe vdiq në agoni, kur u plagos në «thembër» rreth 2.000 vjet më parë. Por tani është gjallë në qiell dhe i veshur me fuqi që ta çojë qëllimin madhështor të Perëndisë drejt plotësimit në mënyrë triumfuese. Kjo u jep shumë zemër të gjithë përkrahësve të sovranitetit të Jehovait!​—Zanafilla 3:15.

8. Çfarë është gati të bëjë Jezui tani?

8 Është e qartë se tani Jezui është gati të hidhet në veprim si Mbreti i hipur në fron. Ai është emëruar Kryeekzekutuesi i gjykimit përfundimtar të Jehovait kundër këtij sistemi të lig e të vjetër dhe kundër perëndisë së tij djallëzor, Satanait. Gjithashtu, ai është gati të gjykojë pjesëtarët e kongregacionit të tij të mirosur, shumicën e madhe që shoqërohet me ta, si edhe tërë botën.​—Zbulesa 7:4, 9; Veprat 17:31.

9. (a) Si e përshkroi Gjoni Jezu Krishtin në lavdinë e tij mes shandanëve prej ari? (b) Çfarë tregon skena që të sjell në mendje tempullin dhe rroba që kishte veshur Jezui? (c) Çfarë përfaqëson brezi i tij prej ari?

Gjoni u kthye andej nga i erdhi zëri dhe çfarë pa? «Kur u ktheva të shihja i kujt ishte zëri që po më fliste, pashë shtatë shandanë të artë.» (Zbulesa 1:12) Gjoni e mësoi më vonë çfarë simbolizonin shtatë shandanët. Fillimisht atij i tërhoqi vëmendjen ai që qëndronte mes shandanëve. «Mes shandanëve pashë dikë që ngjante si bir njeriu. Ai kishte veshur një rrobë që i arrinte deri te këmbët dhe kishte ngjeshur në gjoks një brez prej ari.» (Zbulesa 1:13) Jezui, ‘biri i njeriut’, u paraqit para Gjonit, që kishte mbetur si i ngrirë, si një figurë madhështore e plot shkëlqim. Ai u shfaq plot lavdi mes shandanëve prej ari që flakëronin. Kjo skenë, që të sjell në mendje tempullin, e bëri Gjonin të kuptonte se Jezui ishte i pranishëm si Kryeprifti i Madh i Jehovait, me fuqi për të gjykuar. (Hebrenjve 4:14; 7:21-25) Rroba e tij e gjatë dhe madhështore i shkonte për shtat funksionit të tij priftëror. Njësoj si kryepriftërinjtë hebrenj në lashtësi, ai mbante në kraharor një brez prej ari për të mbuluar zemrën. Kjo do të thotë se ai i kushtohet me gjithë zemër përmbushjes së detyrës hyjnore që ka marrë nga Perëndia Jehova.​—Dalja 28:8, 30; Hebrenjve 8:1, 2.

10. (a) Çfarë përfaqësojnë flokët e bardhë si bora të Jezuit dhe sytë e tij si flakë zjarri? (b) Çfarë simbolizojnë këmbët e Jezuit si bakri që shkëlqen?

10 Gjoni vazhdoi përshkrimin e tij me fjalët: «Koka dhe flokët i zbardhonin si lesh i bardhë, si borë, dhe sytë i kishte porsi flakë zjarri.» (Zbulesa 1:14) Flokët e tij të bardhë si bora tregojnë mençuri falë jetëgjatësisë së tij. (Krahaso Proverbat 16:31.) Sytë e tij si flakë zjarri tregojnë se është i mprehtë e syçelë kur heton, sprovon ose shpreh indinjatë. Gjonit i tërhoqën vëmendjen edhe këmbët e Jezuit: «Këmbët i kishte porsi bakri i kulluar kur flakëron në furrë dhe zërin si zhurma e ujërave të shumta.» (Zbulesa 1:15) Në vegim, këmbët e Jezuit ngjajnë si bakri vezullues e plot shkëlqim, siç është me vend të përshkruhet dikush që ecën me zell në prani të Perëndisë Jehova dhe që ka një qëndrim të shkëlqyer para tij. Veç kësaj, shpesh në Bibël ari përfaqëson gjërat hyjnore, ndërsa bakri nganjëherë përfaqëson gjëra që kanë të bëjnë me njerëzit. * Pra, këmbët e Jezuit, që shkëlqejnë si bakër i kulluar, na kujtojnë sa «të bukura» ishin këmbët e tij kur përshkonte tokën duke predikuar lajmin e mirë.​—Isaia 52:7; Romakëve 10:15.

11. (a) Ç’na kujtojnë këmbët e lavdishme të Jezuit? (b) Çfarë simbolizon zëri i Jezuit që kumbon «si zhurma e ujërave të shumta»?

11 Vërtet, si njeri i përsosur, Jezui kishte një shkëlqim që e shihnin si engjëjt, ashtu edhe njerëzit. (Gjoni 1:14) Këmbët e tij të lavdishme na kujtojnë, gjithashtu, se ai shkel në vend të shenjtë në organizatën e Jehovait, ku ai është edhe Kryeprift. (Krahaso Daljen 3:5.) Veç kësaj, zëri i tij kumbon fuqishëm si një ujëvarë e stërmadhe. Ai është autoritar dhe të ngjall nderim, siç i shkon për shtat atij që quhet zyrtarisht Fjala e Perëndisë, që vjen «të gjykojë me drejtësi tokën e banuar».​—Veprat 17:31; Gjoni 1:1.

12. Çfarë simbolizon ‘shpata e mprehtë, e gjatë dhe me dy tehe»?

12 «Në dorën e djathtë kishte shtatë yje dhe nga goja i dilte një shpatë e mprehtë, e gjatë dhe me dy tehe. Çehrja e tij ishte si dielli kur shkëlqen me gjithë fuqinë e tij. Kur e pashë, rashë si i vdekur te këmbët e tij.» (Zbulesa 1:16, 17a) Domethënien e shtatë yjeve e shpjegoi vetë Jezui pak më vonë. Por, a e vure re çfarë dilte nga goja e tij? «Një shpatë e mprehtë, e gjatë dhe me dy tehe.» Ky është një mjet vërtet i përshtatshëm, pasi Jezui është emëruar të shpallë gjykimin përfundimtar të Jehovait kundër armiqve të Tij. Gjykimet që dalin në mënyrë të prerë nga goja e tij, çojnë në ekzekutimin e tërë të ligjve.​—Zbulesa 19:13, 15.

13. (a) Ç’na kujton fytyra rrëzëllitëse dhe plot shkëlqim e Jezuit? (b) Ç’përshtypje të përgjithshme marrim nga fjalët që përdori Gjoni për të përshkruar Jezuin?

13 Fytyra rrëzëllitëse dhe plot shkëlqim e Jezuit na kujton Moisiun, kur fytyra e tij lëshoi rreze, pasi foli me Jehovain në malin Sinai. (Dalja 34:29, 30) Gjithashtu, të mos harrojmë se kur Jezui u shpërfytyrua para tre apostujve të tij rreth 2.000 vjet më parë, «fytyra i shkëlqeu si dielli dhe rrobat i ndritën si drita». (Mateu 17:2) Tani, në vegimin që e paraqit Jezuin gjatë ditës së Zotërisë, fytyra e tij pasqyron po njësoj shkëlqimin rrëzëllyes të dikujt që ka dalë para Jehovait. (2 Korintasve 3:18) Në fakt, përshtypja e përgjithshme që përçon vegimi i Gjonit është ajo e lavdisë plot shkëlqim. Flokët e bardhë si bora, sytë si flakë zjarri, fytyra rrëzëllitëse dhe këmbët që vezullojnë, përbëjnë një vegim të pashoq të Atij që tani banon «në dritë të paafrueshme». (1 Timoteut 6:16) Kjo skenë ishte aq e gjallë dhe realiste, sa Gjoni krejt i shtangur, e përshkroi kështu reagimin e tij: «Kur e pashë, rashë si i vdekur te këmbët e tij.»​—Zbulesa 1:17.

14. Si duhet të ndikojnë te ne fjalët e vegimit të Gjonit që përshkruajnë Jezuin në lavdinë e tij?

14 Sot, përshkrimi i hollësishëm dhe i gjallë i vegimit të Gjonit ngjall një çmueshmëri të thellë në zemrën e popullit të Perëndisë. Kemi më shumë se 90 vjet që jetojmë në ditën e Zotërisë dhe vegimi vazhdon të përmbushet në mënyrë emocionuese. Për ne sundimi si Mbret i Jezuit është një realitet i gjallë dhe i prekshëm, jo thjesht një shpresë për të ardhmen. Pra, si nënshtetas besnikë të kësaj Mbretërie do të ndjekim me interes edhe vazhdimin e vegimit të parë të Gjonit dhe do t’ua vëmë veshin fjalëve të Jezu Krishtit në lavdinë e tij.

[Shënimet]

^ par. 3 Për një shpjegim më të hollësishëm, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, faqet 88-92215-218, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 6 Në shekullin e parë, kur një kongregacion merrte një letër nga një apostull, ishte zakon që letra të qarkullohej edhe në kongregacionet e tjera, që të gjithë të nxirrnin dobi nga këshilla.​—Krahaso Kolosianëve 4:16.

^ par. 10 Zbukurimet dhe orenditë brenda tempullit të Solomonit ishin prej ari ose të veshura me ar, kurse pajisjet e oborrit ishin prej bakri.​—1 Mbretërve 6:19-23, 28-35; 7:15, 16, 27, 30, 38-50; 8:64.

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 23]

Rrënojat arkeologjike të qyteteve ku gjendeshin shtatë kongregacionet vërtetojnë fjalët e Biblës. Pikërisht atje të krishterët e shekullit të parë morën mesazhet inkurajuese të Jezuit, që sot janë një nxitje për kongregacionin mbarëbotëror

PERGAM

SMIRNË

TIATIRË

SARDË

EFES

FILADELFIA

LAODICE