Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sa e rëndë është çështja e masturbimit?

Sa e rëndë është çështja e masturbimit?

Kapitulli 25

Sa e rëndë është çështja e masturbimit?

«Pyes veten nëse masturbimi është një gjë e gabuar në sy të Perëndisë. A do të ndikojë ai në të ardhmen mbi shëndetin tim fizik e mendor dhe në martesën time të mundshme?»​—Melisa pesëmbëdhjetë vjeçare.

KËTO mendime kanë ngacmuar shumë të rinj. Cila është arsyeja? Masturbimi është shumë i përhapur. Është llogaritur se rreth 97 për qind e meshkujve dhe më shumë se 90 për qind e femrave janë masturbuar para moshës 21 vjeç. Për më tepër, kjo praktikë është fajësuar për të gjitha llojet e sëmundjeve, duke filluar nga lythet dhe qepallat e skuqura, deri tek epilepsia dhe sëmundjet mendore.

Studimet mjekësore të shekullit të 20-të, nuk i bëjnë më këto pohime alarmuese. Në fakt, mjekët sot janë të mendimit se masturbimi nuk shkakton asnjë sëmundje fizike. Studiuesit Uilliam Masters dhe Virxhinia Xhonson shtojnë se «nuk ka asnjë provë mjekësore se masturbimi i çfarëdolloj shpeshtësie, shpie në sëmundje mendore». Megjithatë, ka ndikime të tjera të dëmshme dhe shumë të rinj të krishterë shqetësohen me të drejtë për këtë praktikë. «Kur jepesha [pas masturbimit], më dukej sikur po mohoja Perëndinë Jehova,​—shkroi një djalë i ri.​—Nganjëherë, bija në gjendje të thellë depresioni.»

Çfarë është masturbimi? Sa e rëndë është kjo gjë dhe përse kaq shumë të rinj janë të mendimit se është një zakon i vështirë për t’u hequr?

Përse preken të rinjtë?

Masturbimi është nxitja me qëllim e organeve gjinore për të ngjallur eksitim seksual. Gjatë lules së rinisë, dëshirat seksuale bëhen të forta. Çlirohen hormone të fuqishme, të cilat ndikojnë mbi organet e riprodhimit. Në këtë mënyrë, një i ri bëhet i vetëdijshëm se këto organe janë të afta për të ngjallur ndjenja të këndshme. Nganjëherë, një i ri mund të ndihet i ngacmuar seksualisht edhe pa menduar për seksin.

Për shembull, tensionet nga shqetësimet, frika dhe zhgënjimet e ndryshme mund të ndikojnë në sistemin e ndjeshëm nervor të një djali dhe të shkaktojnë nxitje seksuale. Akumulimi i lëngut të farës e bën atë të zgjohet i nxitur seksualisht ose mund të shkaktojë një derdhje të vetvetishme gjatë natës, zakonisht e shoqëruar nga ndonjë ëndërr erotike. Ngjashëm, disa vajza të reja mund të ndihen të nxitura jo qëllimisht. Shumë prej tyre kanë një dëshirë të madhe seksuale menjëherë para ose pas ciklit menstrual.

Prandaj, nëse ke pasur nxitje të tilla, nuk ka asgjë të keqe. Ky është reagimi normal i një trupi të ri. Ndjenja të tilla edhe nëse janë shumë të forta, nuk ngjajnë aspak me masturbimin, pasi në një shkallë të madhe ato janë të pavullnetshme. Duke u rritur, denduria e këtyre ndjenjave të reja do të zvogëlohet.

Megjithatë, kureshtja dhe e reja e këtyre ndjenjave, bën që disa të rinj me qëllim të manipulojnë ose të luajnë me organet e tyre seksuale.

«Karburanti që ushqen mendjen»

Bibla përshkruan një djalë që u njoh me një grua imorale. Ajo e puthi dhe i tha: «Eja, . . . të kënaqemi në qejfe dashurie.» Dhe çfarë ndodhi më pas? «Ai e ndoqi pa mëdyshje, si një ka që shkon në thertore.» (Proverbat 7:7-22) Duket qartë se pasionet e këtij djali të ri nuk u ndezën vetëm sepse hormonet ishin në veprim, por për shkak të asaj që pa dhe dëgjoi.

Ngjashëm, një djalë i ri thotë: «Në rrënjë të problemit tim të masturbimit, ishte ajo që fusja në mendje. Shikoja programe televizive të pamoralshme dhe në disa raste rrjete televizive private që shfaqnin lakuriqësinë. Skena të tilla janë aq tronditëse, sa të mbeten në mendje. Më vinin përsëri në mendje, duke më siguruar kështu karburantin e nevojshëm mendor që ngjallte tek unë dëshirën për t’u masturbuar.»

Po, shpesh ajo që lexohet, shikohet apo dëgjohet, si dhe temat e bisedave dhe të meditimit nxisin masturbimin. Është ashtu siç tha një grua 25-vjeçare: «Më dukej sikur s’do të mund ta hiqja këtë ves. Por unë ama, lexoja romane dashurie dhe kjo gjë e rëndonte më shumë problemin.»

Një «qetësues»

Rasti i kësaj gruaje të re hedh dritë mbi atë që është pa dyshim arsyeja kryesore se përse është kaq e vështirë të hiqet ky ves. Ajo thotë: «Zakonisht masturbohesha për t’u liruar nga stresi, tensioni apo shqetësimi. Kjo kënaqësi kalimtare ishte si gota që merr alkoolisti për të qetësuar nervat.»

Studiuesit Suzan dhe Irving Starnof shkruajnë: «Për disa njerëz, masturbimi mund të bëhet një zakon, tek i cili kthehen për ngushëllim, çdo herë që lëndohen apo shqetësohen në lidhje me diçka. Ndërsa të tjerë mund t’i futen kësaj rruge rastësisht, kur pushtohen nga ndonjë stres therës emocional.» Është e qartë se të tjerë e marrin zakonin kur janë të mërzitur, të dëshpëruar, të vetmuar apo shumë të stresuar. Në këto raste ai bëhet një «qetësues» për të hequr mendjen nga shqetësimet.

Çfarë thotë Bibla?

Një djalë i ri pyeti: «A është masturbimi një mëkat i pafalshëm?» Masturbimi nuk përmendet aspak në Bibël. * Gjatë kohëve biblike, praktika ishte e zakonshme në botën e gjuhës greke dhe për ta përshkruar këtë praktikë përdoreshin disa fjalë greke. Megjithatë, asnjëra prej këtyre fjalëve nuk përmendet në Bibël.

Meqenëse masturbimi nuk dënohet drejtpërdrejt në Bibël, a do të thotë kjo se nuk është i dëmshëm? Absolutisht jo! Megjithëse nuk futet në një grup me mëkatet e rënda si kurvëria, është e sigurt se masturbimi është një zakon i papastër. (Efesianëve 4:19) Kështu, parimet e fjalës së Perëndisë tregojnë se është «për të mirën tënde» t’u rezistosh me forcë këtyre zakoneve të papastra.​—Isaia 48:17.

Masturbimi ngjall «urinë seksuale»

«Bëni të vdesin, pra, gjymtyrët e trupit tuaj,​—nxit Bibla,​—në lidhje me . . . urinë seksuale.» (Kolosianëve 3:5, BR) Urija seksuale nuk u referohet ndjenjave normale seksuale, por pasionit të pakontrolluar. Kjo ‘uri seksuale’ mund ta bëjë një person të jepet pas veprave të turpshme, si ato që përshkroi Pavli në Romakëve 1:26, 27.

Por, a nuk i bën masturbimi «të vdesin» këto dëshira? Jo, përkundrazi, bën atë që tha një djalë i ri: «Kur masturbohesh mendja ndalet në dëshira të gabuara dhe gjithçka bën është rritja e urisë për to.» Shpesh, fantazia imorale është mjeti për të rritur kënaqësinë seksuale. (Mateu 5:27, 28) Prandaj, me t’u krijuar rrethanat, personi bie me lehtësi në imoralitet. Kështu ndodhi edhe me një djalë të ri, i cili tha: «Më parë, mendoja se masturbimi do të ma lehtësonte zhgënjimin pa pasur marrëdhënie seksuale me ndonjë femër. Por, në fakt m’u zhvillua një dëshirë tepër e fuqishme për të pasur marrëdhënie të tilla.» Ai bëri kurvëri. Nuk na habit fakti që një studim në Shtetet e Bashkuara zbulonte se shumica e adoleshentëve që masturboheshin, bënin gjithashtu edhe kurvëri. Ata ia kalonin në numër atyre që ishin të virgjër me 50 për qind.

Ndotje mendore dhe emocionale

Përveç këtyre, masturbimi të shtie në mend disa qëndrime që të korruptojnë mendjen. (Krahaso 2. Korintasve 11:3.) Kur masturbohet, një person zhytet në ndjenjat e tij apo e saj trupore, bëhet krejtësisht egocentrik. Marrëdhëniet seksuale ndahen nga dashuria dhe kthehen në një refleks që të çlirojnë nga tensioni. Nga ana e tij, Perëndia kishte për qëllim që dëshirat seksuale të plotësoheshin brenda marrëdhënieve seksuale, që janë një shprehje dashurie ndërmjet burrit dhe gruas së tij.​—Proverbat 5:15-19.

Një person që masturbohet mund të jetë, gjithashtu, i prirë për t’i parë personat e seksit të kundërt thjesht si objekte seksuale, mjete që plotësojnë kënaqësinë seksuale. Kështu, qëndrimet e gabuara të fituara nga masturbimi ndotin «frymën» dhe prirjen mbizotëruese mendore të personit. Në disa raste, problemet e shkaktuara nga masturbimi vazhdojnë edhe pas martesës. Me të drejtë Fjala e Perëndisë nxit: «O të dashur, le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës.»​—2. Korintasve 7:1.

Një pikëpamje e ekuilibruar e ndjenjës së fajit

Shumë të rinj, megjithëse zakonisht ia kanë dalë mbanë të mposhtin këtë zakon të keq, me raste janë lëshuar. Lumturisht, Perëndia është shumë i mëshirshëm. «Sepse ti, o Zot, je i mirë dhe i gatshëm të falësh»,​—tha psalmisti. (Psalmi 86:5) Kur një i krishterë lëshohet në masturbim, shpesh zemra e tij e dënon. Megjithatë, Bibla thotë se «Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh çdo gjë». (1. Gjonit 3:20) Perëndia nuk shikon vetëm mëkatet tona. Madhështia e njohurisë së tij, i jep atij mundësi t’i dëgjojë me mirëdashje lutjet tona të zjarrta për falje. Është ashtu siç shkroi një vajzë e re: «Deri në njëfarë mase, ndihesha fajtore, por duke ditur se sa i dashur është Perëndia Jehova dhe fakti se ai mund të lexojë zemrën time dhe të kuptojë të gjitha përpjekjet dhe qëllimet e mia, më ndihmoi të mos dëshpërohesha shumë, kur në ndonjë rast tregohesha e dobët.» Nëse e lufton dëshirën për t’u masturbuar, ka shumë mundësi të mos e kryesh mëkatin serioz të kurvërisë.

Kulla e Rojës e 1 shtatorit, 1959 (angl.) thoshte: «[Ndoshta] pengohemi dhe biem herë pas here në ndonjë zakon të keq që ka mbetur i rrënjosur thellë më shumë nga sa mendojmë në mënyrën tonë të jetës së mëparshme. . . . Mos u dëshpëro! Mos dil menjëherë në përfundimin se ke kryer mëkatin e pafalshëm! Ky është arsyetimi që dëshiron Satanai. Fakti se ndihesh i mërzitur dhe i hidhëruar me veten, është një provë në vetvete se nuk ke shkuar aq larg. Kurrë mos pusho t’i drejtohesh Perëndisë me zell dhe përulësi, duke kërkuar faljen, pastrimin dhe ndihmën e tij! Afroju atij si fëmija që i afrohet të atit kur ka shqetësim, pavarësisht se sa shpesh i je drejtuar për të njëjtën dobësi dhe Jehovai do të të japë me mëshirë ndihmë për shkak të dashamirësisë së tij të pamerituar dhe nëse je i sinqertë, ai do të të japë kuptueshmërinë e një ndërgjegjeje të pastruar.»

Si mund të fitohet kjo «ndërgjegje e pastruar»?

[Shënimi]

^ par. 20 Perëndia ekzekutoi Onanin, sepse «e hidhte farën e tij përtokë». Megjithatë, këtu bëhej fjalë për marrëdhënie seksuale të ndërprera dhe jo për masturbim. Për më tepër, Onani u ekzekutua sepse nga egoizmi nuk e përmbushi martesën e kunatit për të vazhduar pasardhjen e vëllait të vdekur. (Zanafilla 38:1-10) Ç’mund të thuhet për ‘lëshimin e farës’ që përmendet në Levitikun 15:16-18? Me sa duket kjo nuk i referohet masturbimit, por lëshimit të farës gjatë natës, si dhe marrëdhënieve seksuale ndërmjet burrit dhe gruas.

Pyetje për t’u trajtuar

□ Çfarë është masturbimi dhe cilat janë disa kuptime të shtrembëra në lidhje me të?

□ Përse të rinjtë kanë shpesh dëshira shumë të forta seksuale? A mendon se kjo gjë është e gabuar?

□ Cilat gjëra mund të ndezin dëshirën për t’u masturbuar?

□ A mund ta dëmtojë në ndonjë mënyrë masturbimi një të ri?

□ Sa i rëndë mendon se është mëkati i masturbimit? Si e shikon Jehovai një të ri që lufton kundër tij, megjithëse ndoshta e ka të vështirë ta mposhtë?

[Diçitura në faqen 200]

Disa ndiejnë dëshirën për t’u masturbuar, kur janë nën presion, me nerva të tendosura, të vetmuar apo të dëshpëruar

[Diçitura në faqen 202]

«Në rrënjë të problemit tim të masturbimit, ishte ajo që fusja në mendje»

[Diçitura në faqen 204]

«Kur jepesha [pas masturbimit], më dukej sikur po mohoja Perëndinë Jehova»

[Figura në faqen 198]

Megjithëse masturbimi mund të ngjallë ndjenja të forta faji, lutjet e sinqerta për të kërkuar faljen e Perëndisë dhe përpjekjet e mëdha për t’i rezistuar kësaj praktike mund të japin një ndërgjegje të mirë

[Figura në faqen 203]

Filmat, librat dhe shfaqjet televizive erotike janë shpesh «karburanti mendor» për t’u masturbuar