Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A jam gati të lidhem me dikë?

A jam gati të lidhem me dikë?

KAPITULLI 1

A jam gati të lidhem me dikë?

«Ndiej një presion të tmerrshëm nga të gjitha anët për t’u lidhur me dikë. Nga ana tjetër, çuna simpatikë ka sa të duash.»​—Uitni.

«Disa goca vijnë vetë dhe më vjen t’u them po. Por e di cila është përgjigjja po të pyes prindërit.»​—Filipi.

DËSHIRA për t’u lidhur me dikë që të ka bërë për vete e që edhe ti e ke bërë për vete, mund të jetë jashtëzakonisht e fortë edhe në moshë shumë të re. «Presionin për t’u lidhur me dikë fillova ta ndiej që kur isha 11 vjeçe»,—kujton Xheni. Britni thotë: «Në shkollë të duket vetja kot nëse s’ke një të dashur, një çfarëdo!»

Po ti? A je gati të lidhesh me dikë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, së pari duhet të ndalemi te një pyetje më thelbësore:

Ç’do të thotë «të lidhesh me dikë»?

Shëno cila është përgjigjja jote për pyetjet e mëposhtme:

Del rregullisht me të njëjtin individ të seksit tjetër. A do të thotë kjo se jeni lidhur bashkë?

□ Po

□ Jo

Të tërheq një individ i seksit tjetër dhe anasjelltas. I telefonon ose i dërgon mesazhe disa herë në ditë. A do të thotë kjo se jeni lidhur bashkë?

□ Po

□ Jo

Sa herë mblidheni me shoqërinë, e gjen veten gjithnjë me të njëjtin individ të seksit tjetër. A do të thotë kjo se jeni lidhur bashkë?

□ Po

□ Jo

Ndoshta nuk e pate problem t’i përgjigjeshe pyetjes së parë, por mbase ngurrove pak te pyetja e dytë dhe e tretë. Çfarë do të thotë tamam të lidhesh me dikë? Faktikisht do të thotë të shoqërohesh me dikë për të cilin ti ndien dhe ajo ndien për ty. Pra, përgjigjja për tri pyetjet e mësipërme është po. Në telefon a sy për sy, hapur ose fshehurazi, nëse ti dhe shoqja jote kuptoni se ndieni diçka për njëri-tjetrin dhe komunikoni rregullisht, kjo do të thotë se keni një lidhje. Atëherë, a je gati t’i hysh kësaj rruge? Tri pyetjet që do të shqyrtojmë tani, do të të ndihmojnë ta kuptosh.

Pse do që të lidhesh me dikë?

Në shumë kultura është më se e pranueshme që një djalë e një vajzë të njihen nga afër me njëri-tjetrin. Por kjo duhet bërë me një qëllim të ndershëm​—të ndihmojë djalin dhe vajzën të kuptojnë nëse duan të martohen bashkë.

Vërtet, disa nga moshatarët e tu mund ta shohin shumë përciptas këtë gjë. Ndoshta u pëlqen vetëm të shoqërohen me një djalë a vajzë simpatike, pa pasur ndër mend të martohen. Për ta, i dashuri ose e dashura s’është gjë tjetër veçse një trofe ose një zbukurim për t’u dukur para të tjerëve e për t’i rritur vlerat vetes. Megjithatë, lidhje të tilla sipërfaqësore shpesh janë jetëshkurtra. «Shumë të rinj që lidhen, s’e zgjasin më shumë se një ose dy javë,—thotë një vajzë me emrin Hedhër.—Për pasojë, ata i shohin lidhjet si kalimtare, dhe kjo, në njëfarë mënyre, i përgatit më shumë për divorcin, sesa për martesën.»

S’do mend se kur lidhesh me dikë, ke të bësh me ndjenjat e tij. Prandaj, qëllimet e tua duhet të jenë të ndershme. Mendo pak: si do të të vinte nëse dikush do të luante me ndjenjat e tua, sikur ti të ishe thjesht një kukull që njëherë e marrin, njëherë e lënë? Ja si shprehet një vajzë me emrin Çelsi: «Një mendje më thotë se, në fund të fundit, lidhja me dikë duhet të jetë për t’u zbavitur, por s’është edhe aq zbavitëse kur njëri e ka seriozisht, e tjetri jo.»

Çfarë moshe ke?

Në ç’moshë, sipas teje, është e përshtatshme që një i ri të lidhet me dikë? ․․․․․

Tani, bëjua këtë pyetje prindërve dhe shkruaj përgjigjen. ․․․․․

Ndryshe nga prindërit, mbase ti mendon se mund të kesh një lidhje në moshë më të vogël. Por mbase edhe jo. Ndoshta je nga ata të rinj që me mençuri nuk e kanë hedhur ende këtë hap, derisa të arrijnë moshën kur mendojnë se e njohin veten mjaft mirë. Këtë vendosi të bënte edhe Daniela, një vajzë 17-vjeçare. Ajo thotë: «Kur kujtoj ç’mendje kisha para dy vjetësh, ato që kërkoja nga një bashkëshort ishin krejt ndryshe nga ato që kërkoj tani. Madje edhe tani nuk i zë besë vetes për të marrë një vendim të tillë. Kur ta ndiej se për disa vjet personaliteti im nuk ka pasur luhatje, atëherë do të mendoj për t’u lidhur me dikë.»

Ka edhe një arsye tjetër pse bën mirë të mos ngutesh. Bibla flet për «lulen e rinisë». (1 Korintasve 7:36) Në këtë periudhë të jetës impulset seksuale dhe ndjenjat romantike bëhen të forta. Shoqëria e ngushtë me dikë të seksit tjetër kur s’e ke kaluar ende këtë fazë, mund të t’i ndezë dëshirat flakë dhe të të çojë në rrugë të shtrembër. Vërtet për moshatarët e tu kjo s’është ndonjë gjë e madhe, pasi shumë prej tyre mezi presin të provojnë ç’është seksi. Por ti s’ke pse të biesh në këtë kurth. (Romakëve 12:2) Bibla nxit: «Ikni nga kurvëria!» (1 Korintasve 6:18) Nëse pret sa të kalosh lulen e rinisë, mund ‘të mënjanosh të keqen’.​—Eklisiastiu 11:10.

A je gati për t’u martuar?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, analizo veten në këto pika:

Marrëdhëniet me të tjerët. Si sillesh me prindërit, vëllanë dhe motrën? A e humbet shpesh vetëkontrollin, ndoshta duke përdorur një gjuhë të ashpër a të hidhur kur shpreh mendimin tënd? Çfarë thonë ata për këtë? Sjellja me familjarët tregon si do të sillesh me bashkëshortin.​—Lexo Efesianëve 4:31.

Qëndrimi. Je optimist apo pesimist? Je i arsyeshëm apo ngul këmbë të dalë gjithmonë e jotja? A e ruan qetësinë kur je nën stres? A ke durim? Po të kultivosh frytin e frymës që tani, do të përgatitesh për të qenë bashkëshort i mirë më vonë.​—Lexo Galatasve 5:22, 23.

Paratë. Si i përdor paratë? A je shpesh në borxh? A je i zoti të mbash një punë? Nëse jo, pse? A është problemi te puna? Tek ai që të ka marrë në punë? Apo te ndonjë huq a e metë që duhet të luftosh? Nëse nuk i përdor siç duhet paratë e tua sot, si do t’i përdorësh paratë e familjes nesër?​—Lexo 1 Timoteut 5:8.

Gjendja frymore. Nëse je Dëshmitar i Jehovait, çfarë po bën për të qenë mik me Perëndinë? A e lexon Biblën, a del në shërbim dhe a merr pjesë në mbledhje vetë, apo i shtyrë nga të tjerët? Njeriu me të cilin do të martohesh meriton një shok jete të fortë frymësisht.​—Lexo Eklisiastiun 4:9, 10.

Çfarë mund të bësh?

Presioni për t’u lidhur me dikë pa qenë ende gati, është sikur të të detyrojnë të japësh provim për një lëndë që sa e ke nisur. S’do mend që kjo s’është e drejtë. Të duhet kohë të studiosh lëndën që të dalësh mirë në provim.

Njësoj është edhe kur lidhesh me dikë. Siç pamë, ky nuk është një hap i lehtë. Ndaj para se t’ia vësh syrin dikujt, duhet të studiosh një «lëndë» shumë të rëndësishme: si të lidhësh shoqëri. Më vonë, kur të takosh njeriun e duhur, do të jesh më në gjendje të krijosh një lidhje të qëndrueshme. Në fund të fundit, martesën e bën të suksesshme bashkimi i dy shokëve të mirë.

Të presësh edhe ca, s’do të të kufizojë lirinë. Madje do të të japë më shumë liri që ‘ta gëzosh rininë’. (Eklisiastiu 11:9) Do të kesh kohë të përgatitesh, duke zhvilluar personalitetin tënd dhe, më e rëndësishmja, duke forcuar miqësinë me Perëndinë.​—Vajtimet 3:27.

Ndërkohë, mund të kënaqesh thjesht me shoqërinë e personave të seksit tjetër. Cila është mënyra më e mirë për këtë? Shoqërohu me ta kur je në një grup djemsh e vajzash të mbikëqyrur siç duhet nga më të rriturit. Një vajzë me emrin Tami thotë: «Për mendimin tim kështu kënaqesh më shumë. Është më mirë të kesh shumë shokë.» Edhe Monika është në një mendje. «Shoqëria në grup është ide goxha e mirë,—thotë ajo,—sepse arrin të njohësh njerëz me personalitete të ndryshme.»

Por, nëse ia vë syrin dikujt kur është ende herët, mund t’ia shtosh dhembjet vetes në të ardhmen. Prandaj, mos u nxito. Shfrytëzoje këtë fazë të jetës për të mësuar si të zësh shoqëri dhe ta mbash. Më vonë, nëse e ndan mendjen të lidhesh me dikë, e di më mirë se kush je dhe çfarë kërkon nga shoku i jetës.

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLL. 1, KAP. 29 DHE 30

NË KAPITULLIN TJETËR:

A të tundon ideja që të lidhesh me dikë fshehtas prindërve? S’e merr dot me mend ç’rreziqe do të sillte kjo.

SHKRIMI KYÇ

«Kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.»​—Proverbat 14:15.

KËSHILLË

Nëse ke ndër mend të lidhesh me dikë dhe të martohesh, për t’u përgatitur lexo 2 Pjetrit 1:5-7 dhe zgjidh një cilësi ku duhet të punosh. Gjatë një muaji shih sa ke mësuar për atë cilësi dhe sa ke përmirësuar.

A E DIJE . . .?

Studime të shumta tregojnë se çiftet që martohen nën moshën 20 vjeç, ka të ngjarë të divorcohen brenda pesë viteve të para.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Që të përgatitem për martesën, duhet të punoj me këto cilësi: ․․․․․

Mund t’i arrij duke ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

Cilat janë ambientet e përshtatshme ku mund të shoqërohesh me seksin tjetër?

Si do të arsyetoje me vëllanë a motrën që do të ketë një të dashur, ndonëse s’ka moshën?

Nëse lidhesh me dikë pa pasur ndër mend të martohesh, si mund të ndikosh në ndjenjat e tij?

[Diçitura në faqen 18]

«Unë mendoj se duhet të lidhesh me dikë kur ai është vërtet i rëndësishëm për ty dhe kupton se bashkë keni një të ardhme përpara. Në të vërtetë ajo që të intereson është njeriu, jo thjesht të kesh një të dashur.»​—Ambra

[Figura në faqet 16, 17]

Nëse lidhesh me dikë pa pasur ndër mend të martohesh, po bën si një fëmijë që loz me një lodër të re dhe pastaj e hedh