Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të jem i lumtur në një familje me një prind?

A mund të jem i lumtur në një familje me një prind?

KAPITULLI 25

A mund të jem i lumtur në një familje me një prind?

«Kalamajtë që i kanë të dy prindërit mund të kenë dhomën e tyre dhe të blejnë rroba të reja. Kurse unë s’kam një dhomë timen dhe rrallë blej rrobat që më pëlqejnë. Mami thotë se s’ia mban xhepi. Me gjithë ato punë shtëpie që duhet të bëj gjatë kohës që ajo punon, më duket vetja si shërbëtore, sikur më kanë vjedhur fëmijërinë.»​—Shalonda, 13 vjeçe.

S’KA dyshim se familja ideale është ajo me të dy prindërit. Kur ke edhe mamin, edhe babin, në përgjithësi mund të kesh më shumë drejtim, mbrojtje dhe mbështetje. Bibla thotë: «Dy vetë, sigurisht që janë në gjendje më të mirë se njëri. Po të bashkëpunojnë dy vetë, ata arrijnë diçka.»​—Eklisiastiu 4:9, ECM.

Kjo është shumë e vërtetë. Megjithatë, familjet me dy prindër po bëhen një gjë aq e rrallë, sa mund të futen në «listën e specieve në zhdukje». Për shembull, më shumë se gjysma e fëmijëve në Shtetet e Bashkuara do të jetojnë të paktën për njëfarë kohe vetëm me njërin nga prindërit para se të mbushin 18 vjeç.

Edhe pse familjet me një prind janë bërë diçka e zakonshme, disa të rinjve u vjen turp për këtë. Të tjerë ndihen të rënduar nga presionet dhe problemet ku i përplas jeta. Nëse jeton në një familje me një prind, çfarë presionesh has? Shkruaj cili është problemi që të bezdis më shumë.

․․․․․

Përderisa të mungon dashuria dhe kujdesi i përditshëm i njërit prej prindërve, a është e thënë se je i dënuar të mos jesh i lumtur? Aspak. Shumë ka të bëjë se me çfarë syri e sheh ti situatën. Proverbat 15:15 thotë: «Të këqija janë të gjitha ditët e të munduarit, por kush është i gëzuar në zemër, ka vazhdimisht gosti.» Siç e tregon edhe ky proverb, shpesh është qëndrimi që e përcakton gjendjen shpirtërore, dhe jo rrethanat. Si mund ta ndihmosh veten që të ndihesh «i gëzuar në zemër», pavarësisht nga rrethanat?

Lufto ndjenjat negative

Pikësëpari, përpiqu të mos i lejosh fjalët lënduese të të ngjallin ndjenja negative. Disa mësues, për shembull, tregohen harbutë me fëmijët që jetojnë në familje me një prind. Disa madje janë të mendimit se sjellja problematike e një nxënësi që jeton vetëm me njërin nga prindërit, është përherë pasojë e ambientit anormal që ka në shtëpi. Por ti pyet veten: «A e njohin vërtet familjen time dhe mua ata që bëjnë komente të tilla? Apo përsëritin thjesht çfarë kanë dëgjuar nga të tjerët lidhur me familjet me një prind?»

S’duhet lënë pa vërejtur se fjala ‘jetim’, ose sipas gjuhës origjinale ‘djalë pa baba’, shfaqet dhjetëra herë në Shkrime, dhe nuk përdoret asnjëherë me përçmim. Në fakt, kudo që është përdorur, Jehovai zbulon kujdesin e tij të veçantë për fëmijët që rriten në familje me një prind. *

Nga ana tjetër, disa, pa dashur, maten si tepër kur flasin me ty. Për shembull, mund të ngurrojnë të përdorin fjalë të tilla si «babi», «martesë», «divorc» ose «vdekje», nga frika se mos të lëndojnë ose të vënë në siklet. Nëse kjo gjë të bezdis, thuaju me takt se s’kanë pse të matin çdo fjalë. Toni, një djalë 14-vjeçar, nuk e ka njohur kurrë të atin. Ai thotë se disa njerëz kafshojnë buzën kur përmenden ca lloj fjalësh. Por Toni përdor pikërisht ato fjalë kur flet me ta. «Dua ta dinë se nuk më vjen turp për situatën time»,​—thotë ai.

Mos e mbaj mendjen te «sikur-et»

Kuptohet, boshllëku dhe hidhërimi janë ndjenja krejt normale nëse prindërit janë divorcuar ose nëse njëri nga prindërit e tu të shtrenjtë ka vdekur. Sidoqoftë, në fund duhet ta pranosh situatën. Bibla jep këtë këshillë: «Mos thuaj: ‘Si ka mundësi që ditët e mëparshme ishin më të mira se këto?’» (Eklisiastiu 7:10) Ja çfarë thotë Sara 13-vjeçare, prindërit e së cilës u divorcuan kur ajo ishte 10 vjeçe: «Mos e mbaj mendjen aty, mos e mundo veten me ‘sikur-e’ ose mos mendo se problemet që ke, janë pasojë e rritjes në një familje me një prind, e aq më tepër, se fëmijët që i kanë të dy prindërit e kanë fushë me lule.» Kjo është një këshillë mjaft e mirë. Në fund të fundit, edhe familja «ideale» rrallëherë është pa probleme.

Pse të mos e shohësh familjen si ekuipazhin e një varke me rrema? Idealja do të ishte që në varkë të ishte i gjithë ekuipazhi. Në familjen me një prind, njëri mungon dhe pjesa tjetër e ekuipazhit duhet të bëjë edhe pjesën e tij. A do të thotë kjo se familja ka dështuar? Jo. Nëse pjesa tjetër e ekuipazhit u japin rremave së bashku, varka do të qëndrojë mbi ujë dhe do të arrijë atje ku është nisur.

A po e mban peshën tënde?

Çfarë mund të bësh që të sigurohesh se po e mban peshën tënde së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes? Le të shohim tri sugjerime:

Mëso të jesh kursimtar. Paratë janë problemi më i madh në shumicën e familjeve me një prind. Çfarë mund të bësh për të ndihmuar? Toni, djali që përmendëm më sipër, thotë: «Fëmijët në shkollën time u kërkojnë prindërve t’u blejnë atlete dhe rroba të firmuara. Nuk shkojnë në shkollë po s’ua blenë. Unë s’kam rroba të modës më të fundit, por jam i rregullt e i pastër, dhe i mbaj mirë ato që kam. Mami bën të pamundurën, ndaj s’dua t’ia bëj më të vështirë.» Me pak përpjekje mund të imitosh apostullin Pavël, i cili tha: «Jam mësuar të kënaqem me aq sa kam . . . , kështu, jam i kënaqur kudo dhe kurdo.»​—Filipianëve 4:11, 12, TEV.

Një mënyrë tjetër për të qenë kursimtar, është të mos i çosh dëm ato që ke. (Gjoni 6:12) Një djalë me emrin Rodni thotë: «Në shtëpi përpiqem të jem i kujdesshëm që të mos prish gjë ose ta vë çdo gjë në vendin e vet, pasi kushton t’i rregullosh ose t’i blesh nga e para. I fik dritat ose pajisjet elektrike nëse nuk më duhen. Kështu paguajmë më pak për energjinë elektrike.»

Merr iniciativën. Shumë prindër të vetëm ngurrojnë të vënë rregulla në shtëpi ose t’u kërkojnë fëmijëve t’i ndihmojnë në punët e shtëpisë. Pse? Disa mendojnë se duhet të plotësojnë boshllëkun e prindit tjetër, duke ua bërë sa më të lehtë jetën fëmijëve. «S’dua që fëmijët e mi të mos kenë mundësi të kënaqen»,—mund të thonë.

Ty mund të të vijë mirë e të përfitosh nga ndjenjat e fajit që ka prindi. Por kjo nuk ia lehtëson barrën, përkundrazi, ia shton. Pse të mos e ndihmosh prindin pa ta kërkuar ai? Ja çfarë ishte gati të bënte Toni. «Mami punon në spital dhe duhet ta ketë uniformën të hekurosur,—thotë ai.—Kështu, ia hekuros unë.» A s’është kjo punë grash? «Disa mendojnë kështu,—përgjigjet Toni.—Por për mamin është një ndihmë, prandaj e bëj.»

Trego mirënjohje. Përveç ndihmës praktike, mund të bësh shumë edhe për ta ngritur shpirtërisht prindin thjesht duke shprehur vlerësim. Një nënë thotë: «Shpesh, kur ndihem vërtet përtokë ose e acaruar nga një ditë veçanërisht e vështirë në punë dhe kthehem në shtëpi, pikërisht atë ditë vajza ka shtruar tryezën dhe ka filluar të bëjë darkën.» Pastaj shton: «Djali vjen e më përqafon.» Si ndihet nga ky kujdes? «Më kthehet përsëri humori»,—thotë ajo.

Shkruaj në cilën nga tri pikat e mësipërme duhet të punosh më shumë. ․․․․․

Duke jetuar vetëm me njërin nga prindërit, ke mundësi të zhvillosh cilësi të tilla, si dhembshuria, vetëmohimi dhe besueshmëria. Veç kësaj, Jezui tha: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh». (Veprat 20:35) Do të jesh shumë i lumtur nëse jep nga vetja duke ndihmuar prindin me të cilin rri.

Pa dyshim, ndonjëherë do të doje t’i kishe të dy prindërit. Megjithatë, mund të mësosh të bësh më të mirën në situatën që je. Këtë kuptoi një vajzë me emrin Nila. «Pasi më vdiq babi, dikush më tha se ‘jeta është si ta bësh’, dhe këto fjalë s’i kam harruar asnjëherë. Ato më kanë kujtuar se s’duhet të dorëzohem para rrethanave të mia.» Këtë mund ta arrish edhe ti. Mos harro, nuk janë rrethanat ato që të bëjnë të lumtur ose të palumtur. Por është mënyra si i sheh dhe si i përballon ato.

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLL. 1, KAP. 4

[Shënimi]

SHKRIMI KYÇ

«Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve.»​—Filipianëve 2:4, Dio.

KËSHILLË

Nëse të duket se po mban më shumë përgjegjësi nga ç’mundesh, thuaji me takt prindit që të provojë sugjerimet e mëposhtme:

Bëj një listë të punëve të shtëpisë që duhet të bëjë secili në familje.

Kur është e nevojshme, ndaji përsëri punët dhe caktojua atyre që mund t’i bëjnë.

A E DIJE . . . ?

Marrja e disa përgjegjësive në shtëpi mund të të ndihmojë të piqesh më shpejt se të rinjtë që i kanë të dy prindërit dhe si rrjedhojë kanë më pak përgjegjësi.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Do t’i luftoj ndjenjat negative duke ․․․․․

Nëse të tjerët maten si tepër në praninë time, do të them ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

Pse disa i paragjykojnë fëmijët që kanë vetëm njërin nga prindërit?

Pse prindi mund të ngurrojë të të kërkojë ta ndihmosh me punët e shtëpisë?

Si mund ta tregosh mirënjohjen për prindin?

[Diçitura në faqen 211]

«Që kur prindërit u divorcuan, mami dhe unë arrijmë të flasim hapur; jemi lidhur shumë.»​—Melania

[Figura në faqet 210, 211]

Familja me një prind është si një barkë me rrema ku mungon një nga ekuipazhi; pjesa tjetër e ekuipazhit duhet të bëjë edhe pjesën e tij, por mund t’ia dalin nëse u japin rremave së bashku