Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Thërritni njëzëri me gëzim!»

«Thërritni njëzëri me gëzim!»

Kapitulli trembëdhjetë

«Thërritni njëzëri me gëzim!»

Isaia 52:1-12

1. Pse fjalët profetike të kapitullit 52 të Isaisë janë një burim gëzimi dhe cilat janë dy përmbushjet e tyre?

ÇLIRIM! A mund të ketë perspektivë më të gëzueshme se kjo për një popull të robëruar? Meqë një nga temat kryesore të librit të Isaisë është çlirimi dhe rivendosja, nuk është për t’u habitur që përveç librit të Psalmeve, ky libër biblik përmban më shumë shprehje gëzimi se çdo libër tjetër. Në veçanti, kapitulli 52 i Isaisë jep arsye përse populli i Perëndisë duhet të gëzojë. Fjalët e tij profetike përmbushen lidhur me Jerusalemin në vitin 537 p.e.s. Gjithashtu, ato kanë një përmbushje më të madhe, e cila ka të bëjë me ‘Jerusalemin lart’, domethënë, me organizatën qiellore të Jehovait, të përbërë nga krijesat frymore, e cila disa herë është përshkruar si nënë dhe si grua.​—Galatasve 4:26; Zbulesa 12:1.

«Vish forcën tënde, o Sion!»

2. Kur zgjohet Sioni dhe si ndodh kjo?

2 Nëpërmjet Isaisë, Jehovai i thërret qytetit të Tij të dashur, Sionit: «Zgjohu, zgjohu, vish forcën tënde, o Sion! Vish rrobat e tua të bukura, o Jerusalem, qytet i shenjtë! Sepse i parrethpreri dhe i papastri nuk do të hyjnë më tek ti. Shkunde pluhurin tënd, ngrihu, zër një vend, o Jerusalem. Zgjidhi rripat nga qafa, o bijë e robëruar e Sionit.» (Isaia 52:1, 2) Meqenëse banorët e tij kanë provokuar zemërimin e Jehovait, Jerusalemi ka mbetur i shkretë për 70 vjet. (2 Mbretërve 24:4; 2 Kronikave 36:15-21; Jeremia 25:8-11; Danieli 9:2) Tani është koha që ai të zgjohet nga periudha e gjatë e joaktivitetit dhe të veshë rrobat e bukura të lirisë. Jehovai e ka nxitur zemrën e Kirit që të çlirojë ‘bijën e robëruar të Sionit’, me qëllim që banorët e mëparshëm të Jerusalemit dhe pasardhësit e tyre të mund të largohen nga Babilonia, të kthehen në Jerusalem dhe të rivendosin adhurimin e vërtetë. Në Jerusalem nuk duhet të gjendet asnjë i parrethprerë dhe i papastër.​—Ezdra 1:1-4.

3. Pse kongregacioni i të krishterëve të mirosur mund të quhet ‘bija e Sionit’ dhe në cilin kuptim janë çliruar ata?

3 Këto fjalë të Isaisë kanë edhe një përmbushje në lidhje me kongregacionin e krishterë. Kongregacioni i të krishterëve të mirosur mund të përshkruhet si ‘bija e Sionit’ në kohët moderne, përderisa «Jerusalemi lart» është nëna e tyre. * Pasi janë çliruar nga mësimet pagane dhe nga doktrinat apostate, të mirosurit duhet të mbajnë një qëndrim të pastër para Jehovait, jo duke u rrethprerë në mish, por duke u rrethprerë në zemër. (Jeremia 31:33; Romakëve 2:25-29) Kjo përfshin të qëndrojnë të pastër frymësisht, mendërisht dhe moralisht para Jehovait.​—1 Korintasve 7:19; Efesianëve 2:3.

4. Ndonëse «Jerusalemi lart» nuk është treguar kurrë i pabindur ndaj Jehovait, cilat përvoja të përfaqësuesve të tij në tokë pasqyrojnë përvojat e banorëve të lashtë të Jerusalemit?

4 Vërtet, «Jerusalemi lart» nuk është treguar kurrë i pabindur ndaj Jehovait. Sidoqoftë, gjatë Luftës së Parë Botërore, përfaqësuesit e tij në tokë​—të krishterët e mirosur​—në mënyrë të pavetëdijshme, thyen ligjin e Jehovait, sepse nuk e kuptonin si duhet asnjanësinë e vërtetë të krishterë. Duke qenë se humbën përkrahjen hyjnore, ata ranë në robërinë frymore të ‘Babilonisë së Madhe’, perandorisë botërore të fesë së rreme. (Zbulesa 17:5) Skllavërimi i tyre e arriti kulmin në qershor të vitit 1918 kur tetë anëtarë të personelit të Shoqatës Watch Tower u burgosën nën akuza të rreme, ndër të cilat përfshihej edhe ajo për komplot. Në atë kohë predikimi i organizuar i lajmit të mirë pothuajse u ndërpre. Gjithsesi, në vitin 1919, kumboi një thirrje që nxiste zgjimin frymor. Të krishterët e mirosur filluan të largoheshin më plotësisht nga papastërtia morale dhe frymore e Babilonisë së Madhe. Ata u ngritën nga pluhuri i robërisë dhe «Jerusalemi lart» fitoi shkëlqimin e një ‘qyteti të shenjtë’ ku papastërtia frymore nuk lejohet.

5. Pse Jehovai ka plotësisht të drejtë ta riblejë popullin e tij pa u paguar asgjë atyre që e kishin robëruar?

5 Si në vitin 537 p.e.s., ashtu edhe në vitin 1919 të e.s., Jehovai kishte plotësisht të drejtë ta çlironte popullin e tij. Isaia shpjegon: «Kjo është ajo që ka thënë Jehovai: ‘Ju u shitët për asgjë dhe do të ribliheni pa para.’» (Isaia 52:3) As Babilonia e lashtë dhe as Babilonia e Madhe nuk paguan gjë kur skllavëruan popullin me të cilin Perëndia kishte bërë një besëlidhje. Meqë nuk u bë asnjë veprim në para, Jehovai ishte ende Pronari i ligjshëm i popullit të tij. A duhet të ndihej ai borxhli ndaj dikujt? Sigurisht që jo. Në të dyja rastet, Jehovai mund t’i riblente me të drejtë adhuruesit e tij pa u paguar asgjë atyre që i kishin robëruar.​—Isaia 45:13.

6. Cilave mësime të historisë nuk u kushtuan vëmendje armiqtë e Jehovait?

6 Armiqtë e Jehovait nuk kishin nxjerrë asnjë mësim nga historia. Lexojmë: «Këtë ka thënë Zotëria Sovran Jehova: ‘Në fillim, populli im zbriti në Egjipt për të banuar atje si i huaj; dhe Asiria, nga ana e saj, e shtypi pa shkak.’» (Isaia 52:4) Faraoni i Egjiptit i skllavëroi izraelitët, të cilët ishin ftuar në vendin e tij për të banuar si mysafirë. Por Jehovai e mbyti atë dhe ushtrinë e tij në Detin e Kuq. (Dalja 1:11-14; 14:27, 28) Kur mbreti Senakerib i Asirisë kërcënoi Jerusalemin, engjëlli i Jehovait vrau 185.000 ushtarë të mbretit. (Isaia 37:33-37) Në mënyrë të ngjashme, as Babilonia e lashtë dhe as Babilonia e Madhe nuk mund t’u shpëtojnë pasojave të shtypjes së popullit të Perëndisë.

«Populli im do ta njohë emrin tim»

7. Ç’ndikim ka pasur mbi emrin e Jehovait robëria e popullit të tij?

7 Gjendja e robëruar e popullit të Jehovait ndikon në emrin e Tij, siç tregon profecia: «‘Tani, ç’interes kam unë këtu?​—është shprehja e Jehovait.​—Sepse popullin tim e morën për asgjë. Ata që sundonin mbi të ulërinin,​—është shprehja e Jehovait,​—dhe vazhdimisht, gjatë gjithë ditës, emri im trajtohej pa respekt. Për këtë arsye, populli im do ta njohë emrin tim, po, për këtë arsye në atë ditë, sepse unë jam Ai që flet. Ja, unë jam.’» (Isaia 52:5, 6) Çfarë interesi ka Jehovai në këtë situatë? Pse merakoset ai që Izraeli është skllavëruar në Babiloni? Jehovai duhet të veprojë pasi Babilonia ka marrë popullin e tij rob dhe ka bërtitur në shenjë fitoreje. Një mburrje e tillë e ka çuar Babiloninë deri aty sa të trajtojë emrin e Jehovait pa respekt. (Ezekieli 36:20, 21) Ajo nuk e ka kuptuar që gjendja e shkretë e Jerusalemit është pasojë e pakënaqësisë së Jehovait ndaj popullit të tij. Në vend të kësaj, Babilonia e ka quajtur skllavërimin e judenjve si dëshmi të dobësisë së Perëndisë së tyre. Madje, bashkëregjenti babilonas, Belshazari, e vë në lojë Jehovain, duke përdorur enët e tempullit të Tij gjatë një feste për nder të perëndive babilonase.​—Danieli 5:1-4.

8. Si është trajtuar emri i Jehovait që pas vdekjes së apostujve?

8 Si zbatohet e gjithë kjo për ‘Jerusalemin lart’? Që nga koha kur apostazia hodhi rrënjë mes atyre që pohonin se ishin të krishterë, mund të thuhet se «për shkakun [e tyre], emri i Perëndisë po blasfemohet mes kombeve». (Romakëve 2:24; Veprat 20:29, 30) Për shkak të besëtytnive, judenjtë filluan që me kalimin e kohës ta shmangnin përdorimin e emrit hyjnor. Pak kohë pas vdekjes së apostujve, të krishterët apostatë ndoqën shembullin e judenjve dhe hoqën dorë nga përdorimi i emrit personal të Perëndisë. Apostazia çoi në formimin e të ashtuquajturit krishterim, i cili është një pjesë kryesore e Babilonisë së Madhe. (2 Selanikasve 2:3, 7; Zbulesa 17:5) Imoraliteti pa kufi dhe gjakderdhjet e paturpshme të të ashtuquajturit krishterim e kanë çnderuar emrin e Jehovait.​—2 Pjetrit 2:1, 2.

9, 10. Cilën kuptueshmëri më të thellë, lidhur me standardet dhe emrin e Jehovait, ka fituar në kohët moderne populli me të cilin Perëndia ka bërë një besëlidhje?

9 Kur Kiri më i Madh, Jezu Krishti, çliroi nga robëria e Babilonisë së Madhe, në vitin 1919, popullin me të cilin Perëndia kishte bërë një besëlidhje, ky i fundit fitoi një kuptueshmëri më të mirë për kërkesat e Jehovait. Ai ishte pastruar tashmë nga shumë mësime të të ashtuquajturit krishterim, të cilat i kanë rrënjët në paganizmin e parakrishterimit të tilla, si: Triniteti, pavdekshmëria e shpirtit dhe mundimi i përjetshëm në një ferr të zjarrtë. Tani, ai filloi të çlirohej nga çdo gjurmë e ndikimit babilonas. Veç kësaj, kuptoi rëndësinë e mbajtjes së një asnjanësie të plotë lidhur me çështjet e kësaj bote. Dëshironte, madje, të pastrohej nga çdo faj gjaku në të cilin mund të kishin rënë disa.

10 Shërbëtorët e Perëndisë në kohët tona fituan, gjithashtu, një kuptueshmëri më të plotë për rëndësinë e emrit të Jehovait. Në vitin 1931, ata morën emrin Dëshmitarë të Jehovait, duke shpallur kështu publikisht se e mbështetnin Jehovain dhe emrin e tij. Veç kësaj, nëpërmjet botimit të Përkthimit Bota e Re, që nga viti 1950, Dëshmitarët e Jehovait e kanë rivendosur emrin hyjnor në vendin që i takon në Bibël. Po, ata e kanë çmuar emrin e Jehovait dhe po e bëjnë atë të njohur deri në skajet e tokës.

‘Ai që sjell lajmin e mirë’

11. Pse thirrja «Perëndia yt është bërë mbret» është me vend lidhur me ngjarjet e vitit 537 p.e.s.?

11 Tani vëmendja jonë kthehet përsëri te Sioni, në kohën kur ai është ende në gjendjen e tij të shkretë. Një lajmëtar afrohet me një lajm të mirë: «Sa të bukura janë mbi male këmbët e atij që sjell lajmin e mirë, të atij që shpall paqen, të atij që sjell lajmin e mirë për diçka më të mirë, të atij që shpall shpëtimin, të atij që i thotë Sionit: ‘Perëndia yt është bërë mbret!’» (Isaia 52:7) Si mund të thuhet, në vitin 537 p.e.s., që Perëndia i Sionit është bërë Mbret? A nuk ka qenë gjithmonë Mbret Jehovai? Në të vërtetë, ai është ‘Mbreti i përjetësisë’! (Zbulesa 15:3) Sidoqoftë, thirrja «Perëndia yt është bërë mbret» është me vend, sepse rënia e Babilonisë, si dhe dekreti mbretëror lidhur me rindërtimin e tempullit në Jerusalem dhe me rivendosjen e adhurimit të pastër atje, përbëjnë një shfaqje të re të pozitës së Jehovait si mbret.​—Psalmi 97:1.

12. Kush la një shembull të shkëlqyer në ‘sjelljen e lajmit të mirë’ dhe si?

12 Në kohën e Isaisë asnjë individ ose grup individësh nuk identifikohej si ‘ai që sjell lajmin e mirë’. Megjithatë, sot, identiteti i përhapësit të lajmit të mirë është i njohur. Jezu Krishti është lajmëtari më i madh i paqes i dërguar nga Jehovai. Kur ishte në tokë, ai predikoi lajmin e mirë se do të vijë një çlirim nga të gjitha pasojat e mëkatit të trashëguar nga Adami, duke përfshirë edhe sëmundjet e vdekjen. (Mateu 9:35) Jezui la një shembull në shpalljen me zell të këtij lajmi të mirë për diçka më të mirë, duke shfrytëzuar çdo mundësi për t’i mësuar njerëzit rreth Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 5:1, 2; Marku 6:34; Luka 19:1-10; Gjoni 4:5-26) Dishepujt e tij e ndoqën shembullin që la.

13. (a) Si e zgjeron apostulli Pavël kuptimin e shprehjes «sa të bukura janë mbi male këmbët e atij që sjell lajmin e mirë»? (b) Pse mund të thuhet se këmbët e lajmëtarëve janë «të bukura»?

13 Në letrën e tij drejtuar romakëve, apostulli Pavël citon Isainë 52:7 për të nxjerrë në pah rëndësinë e veprës së predikimit të lajmit të mirë. Ai ngre një seri pyetjesh që të bëjnë të mendosh, ndër të cilat përfshihet edhe kjo: ‘Si do të dëgjojnë njerëzit, kur s’ka kush predikon?’ Pastaj thotë: «Ashtu siç është shkruar: ‘Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin lajmin e mirë për gjëra të mira!’» (Romakëve 10:14, 15) Kështu, Pavli i bën një zbatim më të gjerë Isaisë 52:7, duke përdorur përemrin në numrin shumës «atyre» në vend të përemrit në numrin njëjës «atij», që gjendet në tekstin origjinal të Isaisë. Duke imituar Jezu Krishtin, të gjithë të krishterët janë lajmëtarë të lajmit të mirë të paqes. Në ç’kuptim janë «të bukura» këmbët e tyre? Isaia flet sikur lajmëtari po i afrohet Jerusalemit nga malet e Judës, aty pranë. Nga larg, është e pamundur të shihen këmbët e lajmëtarit. Prandaj, në vend se të përqendrohet te këmbët, vëmendja përqendrohet te lajmëtari, pra, këmbët përfaqësojnë vetë lajmëtarin. Ashtu si Jezui dhe dishepujt e tij ishin një pamje e bukur për njerëzit zemërbutë në shekullin e parë, edhe Dëshmitarët e sotëm janë një pamje e këndshme për njerëzit e përulur që i vënë veshin mesazhit jetëshpëtues të lajmit të mirë.

14. Në ç’mënyrë është bërë Mbret Jehovai në kohën tonë dhe që kur i është shpallur kjo njerëzimit?

14 Që kur është dëgjuar në kohët tona thirrja «Perëndia yt është bërë mbret»? Që nga viti 1919. Atë vit, në një kongres të mbajtur në Sidër-Point, Ohajo, Xh. F. Radhërfordi, në atë kohë presidenti i Shoqatës Watch Tower, i nxiti dëgjuesit me një fjalim të titulluar «Fjalim drejtuar bashkëpunëtorëve». Fjalimi i bazuar në Isainë 52:7 dhe në Zbulesën 15:2 u dha zemër të gjithë të pranishmëve të fillonin veprën e predikimit. Kështu, mbi «male» filluan të shfaqeshin ‘këmbë të bukura’. Në fillim të krishterët e mirosur dhe më pas shokët e tyre nga ‘delet e tjera’ dolën me zell për të predikuar lajmin e mirë që Jehovai ishte bërë Mbret. (Gjoni 10:16) Në ç’mënyrë ishte bërë Mbret Jehovai? Ai e shfaqi sërish pozitën e tij si mbret në vitin 1914 kur e vendosi Birin e tij, Jezu Krishtin, si Mbret në Mbretërinë e sapokrijuar qiellore. Gjithashtu, Jehovai e shfaqi edhe një herë tjetër pozitën e tij si mbret në vitin 1919, kur çliroi «Izraelin e Perëndisë» nga Babilonia e Madhe.​—Galatasve 6:16; Psalmi 47:8; Zbulesa 11:15, 17; 19:6.

«Rojat e tua kanë ngritur zërin»

15. Cilët janë «rojat» që ngrenë zërin në vitin 537 p.e.s.?

15 A ngjall ndonjë reagim thirrja «Perëndia yt është bërë mbret»? Po. Isaia shkruan: «Dëgjo! Rojat e tua kanë ngritur zërin. Ata vazhdojnë të thërrasin njëzëri me gëzim, sepse do të shohin sy më sy kur Jehovai të mbledhë Sionin.» (Isaia 52:8) Asnjë rojë i vërtetë nuk zë vend në Jerusalem në vitin 537 p.e.s., për t’u uruar mirëseardhjen të mërguarve të parë që kthehen. Qyteti ka mbetur i shkretë për 70 vjet. (Jeremia 25:11, 12) Prandaj, «rojat» që ngrenë zërin duhet të jenë ata izraelitë që e marrin përpara lajmin për rivendosjen e Sionit dhe që kanë përgjegjësinë t’ua kalojnë atë lajm fëmijëve të tjerë të Sionit. Kur shohin që Jehovai e jep Babiloninë në duart e Kirit në vitin 539 p.e.s., rojat nuk kanë asnjë dyshim, që Jehovai po liron popullin e tij. Bashkë me ata që i përgjigjen thirrjes së tyre, rojat vazhdojnë të thërrasin njëzëri me gëzim, duke bërë që të tjerët të dëgjojnë lajmin e mirë.

16. Kë shikojnë «sy më sy» rojat dhe në ç’kuptim?

16 Rojat vigjilente krijojnë një marrëdhënie të ngushtë personale me Jehovain, duke e parë, si të thuash, «sy më sy» ose ballë për ballë. (Numrat 14:14) Lidhja e tyre e ngushtë me Jehovain dhe me njëri-tjetrin nxjerr në pah unitetin e tyre dhe natyrën e gëzueshme të mesazhit të tyre.​—1 Korintasve 1:10.

17, 18. (a) Si e ka ngritur zërin klasa moderne e rojës? (b) Në cilin kuptim ka thirrur njëzëri klasa e rojës?

17 Në përmbushjen moderne, klasa e rojës, «skllavi i besueshëm dhe i matur», e ngre zërin jo vetëm për ata që janë tashmë në organizatën e dukshme të Perëndisë, por edhe për ata që janë jashtë. (Mateu 24:45-47) Në vitin 1919, u lëshua një thirrje për të mbledhur ata që kishin mbetur nga të mirosurit dhe, në vitin 1922, në kongresin e mbajtur në Sidër-Point, Ohajo, kjo thirrje u bë më e fortë me ftesën: «Shpallni, shpallni, shpallni Mbretin dhe mbretërinë e tij.» Që nga viti 1935, vëmendja është përqendruar në mbledhjen e një shumice të madhe njerëzish ngjashëm deleve. (Zbulesa 7:9, 10) Vitet e fundit, shpallja e pozitës së Jehovait si mbret është shtuar. Si? Në vitin 2000, rreth gjashtë milionë njerëz në më shumë se 230 vende dhe territore po flitnin për pozitën e Jehovait si mbret. Veç kësaj, Kulla e Rojës, mjeti kryesor i klasës së rojës, bën të kumbojë mesazhi i gëzueshëm në më shumë se 130 gjuhë.

18 Për të marrë pjesë në një vepër të tillë bashkuese kërkohet përulësi dhe dashuri vëllazërore. Që thirrja të ketë efekt, të gjithë që marrin pjesë në këtë vepër duhet të predikojnë të njëjtin mesazh, i cili përfshin emrin e Jehovait, shpërblesën që ai ka siguruar, si edhe mençurinë, dashurinë dhe Mbretërinë e tij. Ndërsa të krishterët rreth e rrotull botës punojnë krah për krah me njëri-tjetrin, lidhja personale që kanë me Jehovain forcohet dhe sihariqi shpallet njëzëri.

19. (a) Në ç’mënyrë gëzohen ‘vendet e shkretuara të Jerusalemit’? (b) Në cilin kuptim e ka «zhveshur krahun e tij të shenjtë» Jehovai?

19 Ndërsa populli i Perëndisë bërtet me gëzim, edhe vendi ku ai banon duket i gëzuar. Profecia vazhdon: «Gëzohuni, thërritni njëzëri me gëzim, ju vende të shkretuara të Jerusalemit, sepse Jehovai ka ngushëlluar popullin e tij; ka riblerë Jerusalemin. Jehovai ka zhveshur krahun e tij të shenjtë para syve të të gjitha kombeve dhe të gjitha skajet e tokës duhet të shohin shpëtimin e Perëndisë tonë.» (Isaia 52:9, 10) Me mbërritjen e të kthyerve nga Babilonia, vendet e Jerusalemit të rrënuar që të ngjallnin keqardhje kanë marrë një pamje të gëzueshme, pasi tani mund të rivendoset adhurimi i pastër i Jehovait. (Isaia 35:1, 2) Është e qartë që Jehovai ka një rol kryesor në këtë gjë. Ai ka «zhveshur krahun e tij të shenjtë», duke përveshur mëngët si të thuash, me qëllim që t’i kushtohet detyrës së çlirimit të popullit të tij.​—Ezdra 1:2, 3.

20. Çfarë ka sjellë dhe çfarë do të sjellë ende zhveshja e krahut të shenjtë të Jehovait në kohët moderne?

20 Në këto ‘ditë të fundit’, Jehovai e ka zhveshur krahun e tij të shenjtë për të sjellë përsëri në jetë mbetjen e mirosur, «dy dëshmitarët» e librit të Zbulesës. (2 Timoteut 3:1; Zbulesa 11:3, 7-13) Që nga viti 1919, këta janë sjellë në një parajsë frymore, pra, në gjendjen frymore që gëzojnë tani bashkë me miliona shokë të tyre nga delet e tjera. Më në fund, Jehovai do ta zhveshë krahun e tij të shenjtë për të shpëtuar popullin e tij në «Harmagedon». (Zbulesa 16:14, 16) Atëherë, «të gjitha skajet e tokës duhet të shohin shpëtimin e Perëndisë tonë».

Një kërkesë urgjente

21. (a) Çfarë kërkohet nga ata që ‘mbartin pajisjet e Jehovait’? (b) Pse judenjtë që largohen nga Babilonia nuk kanë pse të frikësohen?

21 Ata që dalin nga Babilonia për t’u kthyer në Jerusalem duhet të plotësojnë një kërkesë. Isaia shkruan: «Largohuni, largohuni, dilni prej andej, mos prekni asgjë të papastër, dilni nga mesi i saj, qëndroni të pastër, ju që mbartni pajisjet e Jehovait. Sepse do të dilni pa panik dhe nuk do t’ia mbathni. Sepse Jehovai do të shkojë para jush, dhe Perëndia i Izraelit do të jetë praparoja juaj.» (Isaia 52:11, 12) Izraelitët që po largohen nga Babilonia duhet të lënë pas çdo gjë që është e ndotur nga adhurimi i rremë i Babilonisë. Meqenëse mbartin pajisjet e Jehovait që erdhën nga tempulli në Jerusalem, ata duhet të jenë të pastër, jo thjesht në dukje ose ceremonialisht, por në radhë të parë në zemrat e tyre. (2 Mbretërve 24:11-13; Ezdra 1:7) Po ashtu, para tyre shkon Jehovai, prandaj nuk kanë pse të frikësohen dhe as pse të vrapojnë të shqetësuar, sikur t’i ndiqnin këmba-këmbës persona gjakatarë. Perëndia i Izraelit është edhe praparoja e tyre.​—Ezdra 8:21-23.

22. Si e thekson Pavli nevojën për pastërti mes të krishterëve të mirosur?

22 Fjalët e Isaisë rreth qëndrimit të pastër kanë një përmbushje më të madhe lidhur me pasardhjen e ‘Jerusalemit lart’. Kur Pavli i këshilloi të krishterët korintas që të mos futeshin nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët, ai citoi fjalët e Isaisë 52:11: «‘Prandaj dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni,​—thotë Jehovai,​—dhe mjaft e prekët gjënë e ndyrë.’» (2 Korintasve 6:14-17) Ashtu si izraelitët që ishin nisur nga Babilonia për të shkuar në vendin e tyre, të krishterët duhet të qëndrojnë larg nga adhurimi i rremë babilonas.

23. Në cilat mënyra përpiqen ta mbajnë veten të pastër shërbëtorët e Jehovait sot?

23 Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për ata ithtarë të mirosur të Jezu Krishtit që ikën nga Babilonia e Madhe në vitin 1919. Ata e pastruan dalëngadalë veten nga çdo gjurmë e adhurimit të rremë. (Isaia 8:19, 20; Romakëve 15:4) Veç kësaj, u bënë gjithnjë e më të vetëdijshëm për rëndësinë e pastërtisë morale. Ndonëse Dëshmitarët e Jehovait i kanë mbështetur gjithmonë standardet e larta morale, në vitin 1952, në Kullën e Rojës dolën artikuj ku theksohej nevoja për të disiplinuar individët imoralë, që kongregacioni të mbahej i pastër. Një veprim i tillë disiplinues ndihmon edhe vetë keqbërësin të kuptojë nevojën për pendim të vërtetë.​—1 Korintasve 5:6, 7, 9-13; 2 Korintasve 7:8-10; 2 Gjonit 10, 11.

24. (a) Cilat janë «pajisjet e Jehovait» në kohët moderne? (b) Pse të krishterët sot janë të sigurt se Jehovai do të vazhdojë të shkojë para tyre dhe të jetë praparoja e tyre?

24 Të krishterët e mirosur bashkë me shumicën e madhe të deleve të tjera janë të vendosur të mos prekin asgjë që është e papastër frymësisht. Gjendja e tyre e pastruar i kualifikon për të qenë mbartës ‘të pajisjeve të Jehovait’, të sigurimeve të çmuara të Perëndisë për shërbimin e shenjtë në veprën shtëpi më shtëpi, në atë të studimeve biblike dhe në format e tjera të veprimtarisë së krishterë. Duke mbajtur një qëndrim të pastër, populli i Perëndisë sot mund të jetë i sigurt se Jehovai do të vazhdojë të shkojë para tyre dhe të jetë njëkohësisht edhe praparoja e tyre. Si populli i pastër i Perëndisë, ai ka një bollëk arsyesh që të «thërrasë njëzëri me gëzim»!

[Shënimi]

^ par. 3 Për një trajtim më të zgjeruar të marrëdhënies mes «Jerusalemit lart» dhe fëmijëve të tij tokësorë të mirosur shih kapitullin 15 të këtij libri.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 183]

Sioni do të çlirohet nga robëria

[Figura në faqen 186]

Që nga viti 1919, ‘këmbë të bukura’ janë shfaqur përsëri mbi «male»

[Figura në faqen 189]

Dëshmitarët e Jehovait flasin njëzëri

[Figura në faqen 192]

Ata «që mbartin pajisjet e Jehovait» duhet të jenë të pastër moralisht dhe frymësisht