Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai​—«Një Perëndi i drejtë dhe Shpëtimtar»

Jehovai​—«Një Perëndi i drejtë dhe Shpëtimtar»

Kapitulli gjashtë

Jehovai​—«Një Perëndi i drejtë dhe Shpëtimtar»

Isaia 45:1-25

1, 2. Cilat siguri jepen në kapitullin 45 të Isaisë dhe cilat pyetje do të shqyrtohen?

PREMTIMET e Jehovait janë të besueshme. Ai është Perëndia i zbulimeve dhe Perëndia i krijimit. Vazhdimisht ka treguar se është një Perëndi i drejtë dhe Shpëtimtar i njerëzve të të gjitha kombeve. Këto janë disa nga siguritë e kapitullit 45 të Isaisë, të cilat të ngrohin zemrën.

2 Veç kësaj, kapitulli 45 i Isaisë përmban një shembull të jashtëzakonshëm të aftësisë së Jehovait për të profetizuar. Fryma e Perëndisë i jep mundësi Isaisë ta hedhë shikimin në vende të largëta dhe të vëzhgojë ngjarje që u përkasin shekujve të ardhshëm, si dhe e shtyn të përshkruajë një ngjarje që vetëm Jehovai, Perëndia i profecive të vërteta, mund ta parathoshte me kaq saktësi. Cila është kjo ngjarje? Si ndikon ajo te populli i Perëndisë në ditët e Isaisë? Ç’domethënie ka për ne sot? Le të shqyrtojmë fjalët e profetit.

Shpallja e Jehovait kundër Babilonisë

3. Me cilat shprehje të gjalla e përshkruan Isaia 45:1-3a pushtimin e Kirit?

3 «Kështu i ka thënë Jehovai të mirosurit të tij, Kirit, dorën e djathtë të të cilit e mora, për të nënshtruar para tij kombe, që të zgjidh, madje, ijet e mbretërve; për të hapur para tij dyert me dy kanate, që as portat të mos mbyllen: ‘Para teje do të shkoj unë vetë dhe do të sheshoj vendet e ngritura të tokës. Do të copëtoj dyert prej bakri dhe do të pres shulat prej hekuri. Do të të jap thesaret që ndodhen në errësirë dhe thesaret e fshehura në vendet e fshehta.’»​—Isaia 45:1-3a.

4. (a) Pse Jehovai e quan Kirin ‘të mirosurin’ e tij? (b) Si do ta bëjë të sigurt Jehovai fitoren e Kirit?

4 Nëpërmjet Isaisë, Jehovai i flet Kirit sikur të ishte gjallë, ndonëse në kohën e Isaisë Kiri nuk kishte lindur ende. (Romakëve 4:17) Meqenëse Jehovai e cakton para kohe Kirin për të përmbushur një detyrë specifike, për të mund të thuhet se është ‘i mirosuri’ i Perëndisë. Nën udhëheqjen e Perëndisë ai do të nënshtrojë kombe, duke i bërë mbretërit të dobët dhe të paaftë për t’u kundërvënë. Më pas, kur Kiri të sulmojë Babiloninë, Jehovai do të bëjë që dyert e qytetit të lihen të hapura, duke i bërë po aq të padobishme sa edhe dyert e copëtuara. Jehovai do të marshojë para Kirit, duke zhdukur çdo pengesë. Më në fund, trupat e Kirit do të pushtojnë qytetin dhe do të shtien në dorë «thesaret e fshehura» të tij, pasurinë e tij të vendosur në bodrumet e errëta. Kjo është ajo që parathotë Isaia? A dalin të vërteta fjalët e tij?

5, 6. Kur dhe si del e vërtetë profecia për rënien e Babilonisë?

5 Në vitin 539 p.e.s., rreth 200 vjet pasi Isaia regjistron këtë profeci, Kiri arrin me të vërtetë në muret e Babilonisë për të sulmuar qytetin. (Jeremia 51:11, 12) Megjithatë, babilonasit nuk shqetësohen. Mendojnë se qyteti i tyre është i papushtueshëm. Muret e tij të larta ngrihen madhështore mbi hendeqe të thella të mbushura me ujë nga lumi Eufrat, i cili është pjesë e sistemit mbrojtës të qytetit. Për më shumë se njëqind vjet, asnjë armik nuk ka qenë në gjendje ta marrë Babiloninë me sulm. Në të vërtetë, sundimtari i përkohshëm i Babilonisë, Belshazari, ndihet kaq i sigurt, saqë feston me pjesëtarët e oborrit të tij. (Danieli 5:1) Atë natë​—natën e 5-6 tetorit​—Kiri kryen një manovër mjeshtërore ushtarake.

6 Në një pikë të lumit mbi Babiloninë, inxhinierët e Kirit kanë çarë bregun e lumit Eufrat, duke i ndryshuar drejtimin ujërave të tij në mënyrë që të mos rrjedhin më drejt qytetit në jug. S’kalon shumë kohë dhe niveli i lumit brenda dhe përreth Babilonisë ulet kaq shumë, saqë trupat e Kirit mundin të kalojnë përgjatë shtratit të lumit drejt zemrës së qytetit. (Isaia 44:27; Jeremia 50:38) Çuditërisht, ashtu siç paratha Isaia, dyert përgjatë lumit janë të hapura. Forcat e Kirit vërshojnë në Babiloni, shtien në dorë pallatin dhe vrasin mbretin Belshazar. (Danieli 5:30) Pushtimi kryhet plotësisht brenda një nate. Babilonia ka rënë dhe profecia përmbushet në çdo hollësi.

7. Si i forcon të krishterët përmbushja e jashtëzakonshme e profecisë së Isaisë lidhur me Kirin?

7 Përmbushja e kësaj profecie me saktësinë më të madhe, e forcon besimin e të krishterëve sot. U jep atyre një arsye të fortë për të besuar se edhe profecitë e Biblës që nuk janë përmbushur ende janë plotësisht të besueshme. (2 Pjetrit 1:20, 21) Adhuruesit e Jehovait e dinë se ngjarja e paraqitur nga rënia e Babilonisë në vitin 539 p.e.s., domethënë, rënia e «Babilonisë së Madhe», tashmë ka ndodhur në vitin 1919. Megjithatë, ata presin me padurim shkatërrimin e kësaj organizate fetare moderne, si dhe zhdukjen e premtuar të sistemit politik të kontrolluar nga Satanai, hedhjen e Satanait në humnerë dhe ardhjen e qiejve të rinj dhe të një toke të re. (Zbulesa 18:2, 21; 19:19-21; 20:1-3, 12, 13; 21:1-4) Të krishterët e dinë se profecitë e Jehovait nuk janë premtime boshe, por përshkrime të ngjarjeve të sigurta të së ardhmes. Siguria e të krishterëve të vërtetë forcohet kur kujtojnë përmbushjen e të gjitha hollësive të profecisë së Isaisë lidhur me rënien e Babilonisë. Ata e dinë se Jehovai e mban gjithmonë fjalën.

Pse Jehovai do ta favorizojë Kirin?

8. Cila është arsyeja e parë që Jehovai i jep Kirit fitoren ndaj Babilonisë?

8 Pasi pohon se kush do ta pushtojë Babiloninë dhe si do të bëhet kjo, Jehovai shpjegon një arsye përse Kirit do t’i jepet fitorja. Duke i folur Kirit në mënyrë profetike, Jehovai thotë se do të ndodhë kështu «me qëllim që ti të njohësh që unë jam Jehovai, Ai që të thërret në emër, Perëndia i Izraelit». (Isaia 45:3b) Është e përshtatshme që sundimtari i fuqisë së katërt botërore në historinë e Biblës të pranojë se fitorja e tij më e madhe vjen në sajë të mbështetjes së dikujt që është më i madh se ai​—Jehovait, Sovranit të Universit. Kiri duhet të pranojë se ai që e thërret ose që i jep një caktim, është Jehovai, Perëndia i Izraelit. Bibla tregon se, në të vërtetë, Kiri e pranoi që fitorja e tij e madhe erdhi nga Jehovai.​—Ezdra 1:2, 3.

9. Cila është arsyeja e dytë që Jehovai e sjell Kirin që të pushtojë Babiloninë?

9 Jehovai shpjegon arsyen e dytë përse e sjell Kirin që të pushtojë Babiloninë: «Për hir të shërbëtorit tim, Jakobit, dhe të të zgjedhurit tim, Izraelit, unë të thirra në emër; të dhashë një emër nderi, megjithëse ti nuk më njihje.» (Isaia 45:4) Fitorja e Kirit ndaj Babilonisë është e një rëndësie shumë të madhe. Ajo shënon rënien e një fuqie botërore dhe ngritjen e një tjetre, si dhe lë gjurmë në histori për brezat e ardhshëm. Megjithatë, kombet përreth që po i ndjekin ngjarjet me ankth, ka mundësi të habiten po të marrin vesh se gjithçka ndodh për hir të disa mijëra të mërguarve «të parëndësishëm» në Babiloni, judenjve, pasardhësve të Jakobit. Por në sytë e Jehovait, këta të mbijetuar të kombit të lashtë të Izraelit nuk janë aspak të parëndësishëm. Ata janë ‘shërbëtori’ i tij. Nga të gjitha kombet e tokës, ata janë ‘i zgjedhuri’ i tij. Ndonëse Kiri nuk e njihte më parë Jehovain, ai u përdor nga Jehovai si i mirosuri i Tij për të mposhtur qytetin që nuk pranonte të lironte robërit e tij. Qëllimi i Jehovait nuk është që populli i tij i zgjedhur të lëngojë përgjithmonë në dhe të huaj.

10. Cila është arsyeja më e rëndësishme që Jehovai përdor Kirin për të sjellë fundin e fuqisë botërore babilonase?

10 Ka një arsye të tretë, edhe më të rëndësishme, që Jehovai përdor Kirin për të mposhtur Babiloninë. Jehovai thotë: «Unë jam Jehovai dhe nuk ka asnjë tjetër. Nuk ka Perëndi tjetër veç meje. Do të të ngjesh fort, megjithëse ti nuk më ke njohur, me qëllim që njerëzit nga lindja e diellit dhe nga perëndimi, të njohin se nuk ka tjetër veç meje. Unë jam Jehovai dhe nuk ka asnjë tjetër.» (Isaia 45:5, 6) Po, rënia e fuqisë botërore babilonase është një dëshmi e hyjnisë së Jehovait, një provë që i tregon kujtdo se vetëm ai është i denjë për t’u adhuruar. Meqenëse populli i Perëndisë është çliruar, individë nga shumë kombe, nga lindja në perëndim, do të pranojnë se Jehovai është i vetmi Perëndi i vërtetë.​—Malakia 1:11.

11. Si e ilustron Jehovai faktin se ka fuqi ta përmbushë qëllimin e tij lidhur me Babiloninë?

11 Kujtoni që kjo profeci e Isaisë u shkrua rreth 200 vjet përpara se të përmbushej. Kur e kanë dëgjuar, disa mund të kenë pyetur veten: ‘A e ka me të vërtetë fuqinë Jehovai për ta përmbushur atë?’ Siç dëshmon historia, përgjigjja është po. Jehovai shpjegon përse është e arsyeshme të besojmë se ai mund ta përmbushë atë që thotë: «Ai që formon dritën dhe që krijon errësirën, që sjell paqen dhe që krijon katastrofën, unë, Jehovai, i bëj të gjitha këto gjëra.» (Isaia 45:7) Gjithçka në krijim: nga drita tek errësira dhe gjithçka në histori: nga paqja te katastrofa, Jehovai e ka nën kontroll. Ashtu si krijon dritë për ditën dhe errësirë për natën, po ashtu Jehovai do të sjellë paqe për Izraelin dhe katastrofë për Babiloninë. Përderisa ka fuqi të krijojë universin, ai ka fuqi edhe të përmbushë profecitë e tij. Kjo u jep siguri të krishterëve sot, të cilët e studiojnë me zell fjalën e tij profetike.

12. (a) Çfarë bën Jehovai që të prodhojnë qiejt e figurshëm dhe toka e figurshme? (b) Çfarë premtimi ngushëllues përmbajnë fjalët e Isaisë 45:8 për të krishterët sot?

12 Në mënyrë të përshtatshme, Jehovai përdor dukuri që ndodhin rregullisht në krijim, për të ilustruar atë që i pret judenjtë e robëruar: «O qiej, bëni të pikojë nga sipër, dhe nga qiejt me re le të rrjedhë drejtësia. Le të hapet toka, le të jetë e frytshme me shpëtimin dhe në të njëjtën kohë le të bëjë të mbijë drejtësia. Unë, Jehovai e kam krijuar.» (Isaia 45:8) Ashtu si qiejt fizikë bëjnë të bjerë shiu jetëdhënës, po ashtu Jehovai do të bëjë që nga qiejt e figurshëm të vërshojnë bekime dhe udhëzime mbi popullin e tij. Dhe ashtu si toka fizike hapet për të dhënë prodhime të bollshme, po ashtu Jehovai do t’i kërkojë tokës së figurshme të prodhojë ngjarje në harmoni me qëllimin e tij të drejtë, veçanërisht, shpëtimin për popullin e tij të robëruar në Babiloni. Në mënyrë të ngjashme, në vitin 1919, Jehovai bëri që ‘qielli’ dhe «toka» të prodhonin ngjarje me qëllim që të çlirohej populli i tij. Të krishterët sot gëzohen kur shohin këto gjëra. Pse? Sepse këto ngjarje e forcojnë besimin e tyre, ndërsa presin me padurim kohën kur qiejt e figurshëm, Mbretëria e Perëndisë, do t’i sjellë bekime një toke të drejtë. Në atë kohë, drejtësia dhe shpëtimi që do të vijnë nga qiejt e figurshëm dhe toka e figurshme do të jenë në një shkallë shumë më të madhe sesa kur u mposht Babilonia e lashtë. Ç’përmbushje përfundimtare e lavdishme e fjalëve të Isaisë do të jetë kjo!​—2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:1.

Bekime nga pranimi i sovranitetit të Jehovait

13. Pse është qesharake që njerëzit të vënë në dyshim qëllimet e Jehovait?

13 Pas këtij përshkrimi të bekimeve të gëzueshme të së ardhmes, toni i profecisë ndryshon papritur dhe Isaia shpall një mjerim të dyfishtë: «Mjerë ai që është ndeshur me Formuesin e tij, si një copë qeramike me të tjera copa qeramike të tokës! A duhet t’i thotë argjila formuesit të saj: ‘Ç’po bën?’, dhe vepra jote a duhet të thotë: ‘Ai nuk ka duar.’ Mjerë ai që i thotë një ati: ‘Çfarë linde?’, dhe gruas: ‘Për çfarë ke dhembje lindjeje?’» (Isaia 45:9, 10) Me sa duket, bijtë e Izraelit nuk janë në një mendje me atë që parathotë Jehovai. Ndoshta nuk besojnë se Jehovai do të lejojë që populli i tij të shkojë në mërgim. Ose mbase kritikojnë idenë se Izraeli do të çlirohet nga një mbret i një kombi pagan dhe jo nga një mbret i shtëpisë së Davidit. Për të paraqitur absurditetin e këtyre kundërshtimeve, Isaia ata që kundërshtojnë i krahason me masa argjile të hedhura poshtë dhe me copëza qeramike që do të guxonin të vinin në dyshim mençurinë e bërësit të tyre. Pikërisht ajo gjë që poçari ka formuar, tani thotë se ai nuk ka duar ose fuqi për të formuar. Ç’marrëzi! Ata që kundërshtojnë janë si fëmijë të vegjël që kritikojnë autoritetin e prindërve të tyre.

14, 15. Çfarë zbulojnë rreth Jehovait shprehjet «i Shenjti» dhe «Formuesi»?

14 Isaia jep përgjigjen e Jehovait ndaj atyre që kundërshtojnë: «Kjo është ajo që ka thënë Jehovai, i Shenjti i Izraelit dhe Formuesi i tij: ‘Më pyetni, madje, për gjërat që po vijnë lidhur me bijtë e mi dhe lidhur me veprimtarinë e duarve të mia duhet të më urdhëroni. Unë e kam krijuar tokën dhe, madje, njeriun mbi të. Unë, duart e mia kanë shtrirë qiejt dhe kam komanduar gjithë ushtrinë e tyre. Unë kam ngritur dikë në drejtësi dhe do të drejtoj gjithë rrugët e tij. Ai është personi që do të ndërtojë qytetin tim dhe do të lërë të shkojnë të mitë që janë në mërgim, jo për një çmim e as për ryshfet’,​—ka thënë Jehovai i ushtrive.»​—Isaia 45:11-13.

15 Përshkrimi i Jehovait si «i Shenjti» thekson shenjtërinë e tij dhe thirrja me emrin «Formuesi» nënvizon të drejtën e tij si Krijues për të vendosur se si do të zhvillohen gjërat. Jehovai është në gjendje t’i njoftojë bijtë e Izraelit për gjërat që do të vijnë dhe të kujdeset për veprën e duarve të tij, domethënë, për popullin e tij. Edhe një herë shihet se aftësia për të krijuar dhe për të zbuluar të ardhmen janë të lidhura me njëra-tjetrën. Si Krijuesi i gjithë universit, Jehovai ka të drejtën t’i drejtojë ngjarjet në mënyrën që vendos ai. (1 Kronikave 29:11, 12) Në rastin në fjalë, Sundimtari Sovran ka vendosur të ngrejë Kirin, një pagan, si çlirues të Izraelit. Ardhja e Kirit, ndonëse i përket ende së ardhmes, është po aq e sigurt sa edhe ekzistenca e qiellit dhe e tokës. Cili bir i Izraelit, pra, do të guxonte të kritikonte Atin, ‘Jehovain e ushtrive’?

16. Pse shërbëtorët e Jehovait duhet t’i nënshtrohen atij?

16 Po këto vargje të Isaisë përmbajnë edhe një arsye tjetër që shërbëtorët e Perëndisë duhet t’i nënshtrohen atij. Vendimet e tij janë gjithmonë për të mirën e shërbëtorëve të tij. (Jobi 36:3) Ai nxori ligje për ta ndihmuar popullin e tij që t’i sillte dobi vetes. (Isaia 48:17) Ata judenj në kohën e Kirit që e pranojnë sovranitetin e Jehovait e provojnë vërtetësinë e kësaj. Duke vepruar në harmoni me drejtësinë e Jehovait, Kiri i çliron nga Babilonia dhe i dërgon në vendin e tyre, me qëllim që të ndërtojnë tempullin. (Ezdra 6:3-5) Në mënyrë të ngjashme, sot, ata që i zbatojnë parimet e Perëndisë në jetën e përditshme dhe që i nënshtrohen sovranitetit të tij përjetojnë bekime.​—Psalmi 1:1-3; 19:7; 119:105; Gjoni 8:31, 32.

Bekime për kombet e tjera

17. Përveç Izraelit, cilët do të nxjerrin dobi nga veprat shpëtuese të Jehovait dhe si?

17 Izraeli nuk do të jetë i vetmi komb që do të nxjerrë dobi nga rënia e Babilonisë. Isaia thotë: «Kjo është ajo që ka thënë Jehovai: “Punëtorët e papaguar të Egjiptit, tregtarët e Etiopisë dhe sabejtë, burra të gjatë, do të vijnë vetë te ti dhe do të bëhen të tutë. Ata do të ecin prapa teje; do të vijnë me vargonj dhe do të përkulen para teje. Do të të luten, duke të thënë: ‘Në të vërtetë, Perëndia është me ju dhe nuk ka asnjë tjetër, nuk ka asnjë Perëndi tjetër.’ ”» (Isaia 45:14) Në kohën e Moisiut një «përzierje e madhe njerëzish» joizraelitë i shoqëroi izraelitët kur dolën nga Egjipti. (Eksodi 12:37, 38, Dio) Në mënyrë të ngjashme, të huajt do të shoqërojnë judenjtë e mërguar që kthehen nga Babilonia për në vendin e tyre. Këta jojudenj nuk do t’i detyrojë dikush për të ikur, por «do të vijnë vetë». Kur thotë, «do të përkulen para teje» dhe «do të të luten», Jehovai flet për nënshtrimin e vullnetshëm dhe besnikërinë që tregojnë këta të huaj ndaj Izraelit. Mbajtja e vargonjve ka kuptimin e bërjes së gjërave në mënyrë të vullnetshme dhe nënkupton gatishmërinë për t’i shërbyer popullit që ka hyrë në një besëlidhje me Perëndinë, të cilit do t’i thonë: «Perëndia është me ju.» Ata do ta adhurojnë Jehovain si prozelitë në përputhje me atë që thuhet në besëlidhjen e tij me Izraelin.​—Isaia 56:6.

18. Cilët kanë nxjerrë dobi sot nga çlirimi që i bëri Jehovai ‘Izraelit të Perëndisë’ dhe në cilat mënyra?

18 Që nga viti 1919 kur ‘Izraeli i Perëndisë’ u çlirua nga robëria frymore, fjalët e Isaisë kanë pasur një përmbushje më të madhe se në kohën e Kirit. Në mbarë tokën, miliona njerëz po tregojnë gatishmërinë e tyre për t’i shërbyer Jehovait. (Galatasve 6:16; Zakaria 8:23) Ashtu si «punëtorët» dhe «tregtarët» e përmendur nga Isaia, ata japin me gëzim fuqinë e tyre fizike dhe burimet financiare për të mbështetur adhurimin e vërtetë. (Mateu 25:34-40; Marku 12:30) Ata ia dedikojnë veten Perëndisë dhe ecin në shtigjet e tij, duke u bërë me gëzim skllevërit e tij. (Luka 9:23) Ata adhurojnë vetëm Jehovain dhe gëzojnë bekimet e shoqërimit me «skllavin e besueshëm dhe të matur» të Jehovait, i cili gëzon me Perëndinë një marrëdhënie të bazuar në një besëlidhje të veçantë. (Mateu 24:45-47; 26:28; Hebrenjve 8:8-13) Ndonëse nuk marrin pjesë në atë besëlidhje, ata ‘punëtorë’ dhe ‘tregtarë’ nxjerrin dobi prej saj dhe u binden ligjeve që kanë të bëjnë me të, duke shpallur me guxim: «Nuk ka Perëndi tjetër.» Sa emocionuese është të jesh sot dëshmitar okular i rritjes së madhe të këtyre mbështetësve të vullnetshëm të adhurimit të vërtetë!​—Isaia 60:22.

19. Çfarë do t’u ndodhë atyre që këmbëngulin në adhurimin e idhujve?

19 Pasi zbulon se popujt e kombeve do të bashkohen në adhurimin e Jehovait, profeti shpall me forcë: «Në të vërtetë ti je një Perëndi që rri i fshehur, Perëndia i Izraelit, një Shpëtimtar»! (Isaia 45:15) Ndonëse tani për tani Jehovai përmbahet dhe nuk e tregon fuqinë e tij, në të ardhmen nuk do të fshihet më. Ai do të tregojë se është Perëndia i Izraelit, Shpëtimtari i popullit të tij. Jehovai, megjithatë, nuk do të jetë Shpëtimtari i atyre që besojnë tek idhujt. Për këta persona Isaia thotë: «Ata, me siguri, do të turpërohen dhe, madje, do të përulen, të gjithë. Artizanët e formave të idhujve do të duhet të ecin së bashku në përulje.» (Isaia 45:16) Përulja e tyre do të jetë më shumë sesa një ndjenjë e përkohshme turpi dhe poshtërimi. Ajo do të nënkuptojë vdekjen​—të kundërtën e asaj që Jehovai i premton në vazhdim Izraelit.

20. Në ç’mënyrë do të përjetojë Izraeli «një shpëtim për kohë të pacaktuara»?

20 «Sa për Izraelin, duke qenë në unitet me Jehovain, ai, me siguri, do të shpëtohet me një shpëtim për kohë të pacaktuara. Ju nuk do të turpëroheni, as do të përuleni për kohët e pacaktuara të përjetësisë.» (Isaia 45:17) Jehovai premton shpëtim të përjetshëm për Izraelin, por me një kusht. Izraeli duhet të mbetet «në unitet me Jehovain». Kur Izraeli ta prishë këtë unitet duke hedhur poshtë Jezuin si Mesia, kombi do ta humbasë perspektivën për «një shpëtim për kohë të pacaktuara». Megjithatë, disa në Izrael do të ushtrojnë besim te Jezui dhe do të bëhen bërthama e Izraelit të Perëndisë, i cili do të zërë vendin e Izraelit mishor. (Mateu 21:43; Galatasve 3:28, 29; 1 Pjetrit 2:9) Izraeli frymor nuk do të përulet kurrë. Ai do të përfshihet në ‘një besëlidhje të përhershme’.​—Hebrenjve 13:20.

Jehovai është i besueshëm në atë që ka krijuar dhe zbuluar

21. Si e tregon veten Jehovai plotësisht të besueshëm në atë që ka krijuar dhe zbuluar?

21 A mund të kenë besim judenjtë në premtimin e Jehovait për një shpëtim të përjetshëm për Izraelin? Isaia përgjigjet: «Kjo është ajo që ka thënë Jehovai, Krijuesi i qiejve, Ai, Perëndia i vërtetë, Formuesi i tokës dhe Bërësi i saj, Ai që e vendosi atë në mënyrë të patundur, që nuk e krijoi thjesht për asgjë, që e formoi për të qenë e banuar: “Unë jam Jehovai dhe nuk ka asnjë tjetër. Nuk fola në një vend të fshehtë, në një vend të errët të tokës dhe as i thashë farës së Jakobit: ‘Më kërkoni thjesht për asgjë.’ Unë jam Jehovai, që them atë që është e drejtë dhe tregoj atë që është e drejtë.”» (Isaia 45:18, 19) Për herë të katërt e të fundit në këtë kapitull, Isaia e fillon një pjesë profetike të rëndësishme, me shprehjen: «Kjo është ajo që ka thënë Jehovai.» (Isaia 45:1, 11, 14) Çfarë thotë Jehovai? Se është i besueshëm në atë që ka krijuar dhe zbuluar. Ai nuk e krijoi tokën «thjesht për asgjë». Në mënyrë të ngjashme, ai nuk e fton popullin e tij, Izraelin, që ta kërkojë «thjesht për asgjë». Ashtu si qëllimi i Perëndisë për tokën do të plotësohet, po ashtu do të plotësohet edhe qëllimi i tij për popullin e tij të zgjedhur. Në kontrast me shprehjet e errëta të atyre që u shërbejnë perëndive të rreme, fjalët e Jehovait thuhen haptas. Fjalët e tij janë të drejta dhe do të dalin të vërteta. Ata që do t’i shërbejnë nuk do t’i shërbejnë më kot.

22. (a) Për çfarë mund të jenë të sigurt judenjtë e mërguar në Babiloni? (b) Cilën siguri kanë të krishterët sot?

22 Për popullin e Perëndisë të mërguar në Babiloni, këto fjalë janë një siguri se Toka e Premtuar nuk do të mbetet e shkretë. Ajo do të ripopullohet. Dhe premtimet e Jehovait dalin të vërteta. Në një kuptim më të zgjeruar, fjalët e Isaisë janë një siguri për popullin e Perëndisë sot se toka nuk do të kthehet në një rrënojë të shkretë, e shkrumbuar nga zjarri, siç besojnë disa, ose e shkatërruar nga bombat bërthamore, siç kanë frikë disa të tjerë. Perëndia ka si qëllim që toka të qëndrojë përgjithmonë, e veshur me një bukuri parajsore dhe e populluar nga banorë të drejtë. (Psalmi 37:11, 29; 115:16; Mateu 6:9, 10; Zbulesa 21:3, 4) Po, ashtu si në rastin e Izraelit, fjalët e Jehovait do të dalin të besueshme.

Jehovai tregon mëshirë

23. Cili është fundi i atyre që adhurojnë idhujt dhe ç’ndodh me ata që adhurojnë Jehovain?

23 Shpëtimi i Izraelit theksohet në fjalët vijuese të Jehovait: «Mblidhuni dhe ejani. Afrohuni bashkë, ju të shpëtuar nga kombet. Ata që mbartin drurin e shëmbëlltyrës së tyre të gdhendur nuk kanë fituar njohuri, dhe as ata që i luten një perëndie që nuk mund të shpëtojë. Bëni njoftimin dhe prezantimin tuaj. Po, le të konsultohen bashkë në unitet. Kush ka bërë që kjo të dëgjohet nga shumë kohë më parë? Kush e ka njoftuar pikërisht që nga ajo kohë? A nuk jam unë, Jehovai, përveç të cilit nuk ka asnjë Perëndi tjetër, një Perëndi i drejtë dhe Shpëtimtar, që nuk ka tjetër përveç meje?» (Isaia 45:20, 21) Jehovai i thërret ‘të shpëtuarit’ që ta krahasojnë shpëtimin e tyre me atë që u ndodh adhuruesve të idhujve. (Ligji i përtërirë 30:3; Jeremia 29:14; 50:28) Meqenëse u luten dhe u shërbejnë perëndive të pafuqishëm që nuk mund t’i shpëtojnë, idhujtarët «nuk kanë fituar njohuri». Adhurimi i tyre është i kotë​—thjesht për asgjë. Por ata që adhurojnë Jehovain shohin se ai e ka fuqinë për t’i shkaktuar ngjarjet që ka parathënë «shumë kohë më parë», duke përfshirë shpëtimin e popullit të tij të mërguar në Babiloni. Kjo fuqi dhe aftësi për të parashikuar e dallon Jehovain nga të gjitha perënditë e tjera. Vërtet, ai është «një Perëndi i drejtë dhe Shpëtimtar».

«Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë tonë»

24, 25. (a) Çfarë ftese bën Jehovai dhe pse është i sigurt plotësimi i premtimit të tij? (b) Çfarë kërkon me të drejtë Jehovai?

24 Mëshira e shtyn Jehovain të bëjë një ftesë: «Kthehuni tek unë dhe jini të shpëtuar, të gjithë ju në skajet e tokës, sepse unë jam Perëndi dhe nuk ka asnjë tjetër. Jam betuar për veten time​—fjala ka dalë në drejtësi nga goja ime, prandaj nuk do të kthehet​—që para meje çdo gju do të përkulet dhe çdo gjuhë do të betohet, duke thënë: ‘Sigurisht, në Jehovain janë drejtësia e plotë dhe fuqia e plotë. Të gjithë ata që nxehen kundër tij do të vijnë drejtpërdrejt tek ai dhe do të turpërohen. Në Jehovain e gjithë fara e Izraelit do të dalë se është e drejtë dhe do të mburret.’»​—Isaia 45:22-25.

25 Jehovai i premton Izraelit se do t’i shpëtojë ata në Babiloni që kthehen tek ai. Dështimi i profecisë së tij është një gjë e pamundur, sepse Jehovai ka si dëshirën, ashtu edhe mundësinë për ta shpëtuar popullin e tij. (Isaia 55:11) Fjalët e Perëndisë janë të besueshme në vetvete, por ato janë edhe më të besueshme kur Jehovai betohet për t’i vërtetuar. (Hebrenjve 6:13) Me të drejtë, ai kërkon nënshtrim («çdo gju do të përkulet») dhe zotim («çdo gjuhë do të betohet») nga ata që dëshirojnë të kenë favorin e tij. Izraelitët që ngulmojnë në adhurimin e Jehovait do të shpëtohen. Ata do të mund të mburren për atë që Jehovai bën për ta.​—2 Korintasve 10:17.

26. Si po i përgjigjet «një shumicë e madhe» nga të gjitha kombet ftesës së Jehovait për t’u kthyer tek ai?

26 Megjithatë, ftesa e Perëndisë për t’u kthyer tek ai nuk është e kufizuar vetëm për të mërguarit në Babiloninë e lashtë. (Veprat 14:14, 15; 15:19; 1 Timoteut 2:3, 4) Kjo ftesë vazhdon të ofrohet dhe «një shumicë e madhe . . . nga të gjitha kombet» i përgjigjet asaj dhe shpall: «Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë tonë . . . dhe Qengjit [Jezuit].» (Zbulesa 7:9, 10; 15:4) Çdo vit, qindra mijë persona të rinj kthehen te Perëndia dhe shtojnë radhët e shumicës së madhe, duke pranuar plotësisht sovranitetin e tij dhe duke shpallur publikisht besnikërinë e tyre ndaj tij. Për më tepër, ata mbështetin me besnikëri Izraelin frymor, ‘farën e Abrahamit’. (Galatasve 3:29) E shprehin dashurinë e tyre për sundimin e drejtë të Jehovait duke shpallur në mbarë botën: «Sigurisht, te Jehovai janë drejtësia e plotë dhe fuqia e plotë.» * Në letrën e tij drejtuar romakëve, apostulli Pavël citoi Isainë 45:23, sipas përkthimit të Septuagintës, për të treguar se më në fund çdo njeri i gjallë do të pranojë sovranitetin e Perëndisë dhe do të lëvdojë emrin e tij vazhdimisht.​—Romakëve 14:11; Filipianëve 2:9-11; Zbulesa 21:22-27.

27. Pse të krishterët sot mund të kenë besim të plotë në premtimet e Perëndisë?

27 Pse pjesëtarët e shumicës së madhe mund të besojnë se kthimi te Perëndia do të thotë shpëtim? Sepse premtimet e Perëndisë janë të besueshme, siç e tregojnë fare qartë fjalët profetike të kapitullit 45 të Isaisë. Ashtu si pati fuqinë dhe mençurinë për të krijuar qiejt dhe tokën, po ashtu Jehovai ka fuqinë dhe mençurinë për të bërë që profecitë e tij të dalin të vërteta. Dhe ashtu siç u kujdes që profecia për Kirin të dilte e vërtetë, po ashtu do të përmbushë çdo profeci tjetër biblike që ende duhet të plotësohet. Prandaj, adhuruesit e Jehovait mund të jenë të sigurt se së shpejti ai do të provojë përsëri se është «një Perëndi i drejtë dhe Shpëtimtar».

[Shënimi]

^ par. 26 Përkthimi Bota e Re përdor shprehjen «drejtësia e plotë» pasi në tekstin hebre fjala «drejtësi» është në numrin shumës. Në këtë rast, numri shumës është përdorur për të shprehur bollëkun e drejtësisë së Jehovait.

[Pyetjet]

[Figurat në faqet 80, 81]

Jehovai që formon dritën dhe krijon errësirën, mund të sjellë paqen dhe të krijojë katastrofën

[Figura në faqen 83]

Jehovai do të bëjë që «qiejt» të derdhin bekime dhe «toka» të sjellë shpëtim

[Figura në faqen 84]

A duhet të vënë në dyshim mençurinë e bërësit të tyre disa copëza qeramike të hedhura poshtë?

[Figura në faqen 89]

Jehovai nuk e krijoi tokën për asgjë