Përgatitje për të përballuar persekutimet
Kapitulli 50
Përgatitje për të përballuar persekutimet
PASI i udhëzon apostujt mbi metodat për kryerjen e veprës së predikimit, Jezui i paralajmëron ata lidhur me kundërshtarët. Ai thotë: «Ja, unë po ju dërgoj si dele në mes të ujqërve . . . Ruhuni nga njerëzit, sepse do t’ju zvarritin përpara sinedrave të tyre dhe do t’ju fshikullojnë në sinagogat e tyre. Dhe do t’ju çojnë përpara guvernatorëve dhe përpara mbretërve për shkakun tim.»
Pavarësisht nga persekutimi i ashpër që do të hasin ithtarët e tij, Jezui i siguron, duke u premtuar: «Kur t’ju dorëzojnë, mos jini në ankth mbi atë se si ose çfarë do të thoni, sepse ajo që do të thoni do t’ju jepet në atë orë, sepse nuk do të jeni vetëm ju që do të flisni, por fryma e Atit tuaj që do të flasë përmes jush.»—BR.
«Tani,—vazhdon Jezui,—vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati të birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t’i vrasin.» Ai shton: «Të gjithë [njerëzit] do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim; por ai që do të qëndrojë deri në fund do të shpëtojë.»
Predikimi ka rëndësi parësore. Për këtë arsye, Jezui thekson nevojën për maturi, në mënyrë që të mbeten të lirë, për të kryer veprën. «Kur do t’ju përndjekin në një qytet, ikni në një tjetër, sepse në të vërtetë po ju them se nuk do të përfundoni së përshkruari qytetet e Izraelit, para se të vijë Biri i njeriut.»
Vërtet, Jezui ia dha këto udhëzime, paralajmërime dhe inkurajime, 12 apostujve, por ato u drejtoheshin edhe atyre që do të merrnin pjesë në predikimin mbarëbotëror pas vdekjes dhe ringjalljes së tij. Kjo tregohet nga fjalët e tij, kur tha se dishepujt e tij do të ‘urreheshin nga të gjithë njerëzit’ dhe jo vetëm nga izraelitët, te të cilët ishin dërguar për të predikuar apostujt. Veç kësaj, duket se apostujt nuk u dorëzuan para guvernatorëve dhe mbretërve, kur Jezui i dërgoi në fushatën e tyre të shkurtër të predikimit. Dhe për më tepër, në atë kohë, besimtarët nuk u dorëzuan në vdekje nga familjarët e tyre.
Prandaj, duke thënë se dishepujt e tij nuk do ta përfundonin udhëtimin e tyre të predikimit ‘para se të vinte Biri i njeriut’, Jezui, në mënyrë profetike, po na thoshte se dishepujt e tij nuk do ta përfundonin udhëtimin e predikimit mbi Mbretërinë e vendosur të Perëndisë, në të gjithë tokën e banuar, përpara se Mbreti Jezu Krisht i ngritur në lavdi, të vinte si ekzekutuesi i gjykimit të Jehovait në Harmagedon.
Duke vazhduar me udhëzimet mbi predikimin, Jezui thotë: «Dishepulli nuk del mbi mësuesin as shërbëtori mbi zotin e tij.» Prandaj, dishepujt e tij duhet të presin të njëjtin keqtrajtim dhe persekutim që pati ai, për shkak të predikimit mbi Mbretërinë e Perëndisë. Megjithatë, ai këshillon: «Mos u frikësoni nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; por përkundrazi, druani atë që mund të shkatërrojë shpirtin dhe trupin në Gehenë.»—BR.
Në këtë gjë, Jezui duhej të linte një shembull. Trimërisht, ai do të duronte vdekjen, në vend se të kompromentonte besnikërinë e tij ndaj të Gjithëpushtetshmit, Perëndisë Jehova. Po, Jehovai është ai që mund t’ia shkatërrojë dikujt «shpirtin» (që në këtë rast i referohet perspektivës së ardhshme për të qenë një shpirt i gjallë) ose përkundrazi, mund ta ringjallë për të gëzuar jetën e përhershme. Çfarë Ati i dashur dhe i dhembshur qiellor është Jehovai!
Më pas, Jezui i inkurajon dishepujt e tij me anë të një ilustrimi, që thekson kujdesin e dashur të Jehovait për ta. «A nuk shiten dy harabela për një monedhë me vlerë të vogël?—pyet ai.—Megjithatë, asnjë prej tyre nuk do të bjerë në tokë pa [dijeninë] e Atit tuaj. Por edhe fijet e flokëve të kokës suaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj mos kini frikë, ju vleni më tepër se shumë harabela.»—BR.
Mesazhi i Mbretërisë, të cilin Jezui ua ka ngarkuar dishepujve për ta shpallur, do të shkaktojë ndarje nëpër familje, ndërkohë që disa anëtarë do ta pranojnë, ndërsa të tjerët do ta refuzojnë. «Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë»,—shpjegon ai. «Nuk erdha të sjell paqen, por shpatën.» Për këtë arsye, pranimi i së vërtetës biblike nga ana e një anëtari të familjes, kërkon guxim. «Ai që e do të atin ose nënën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua,—vëren Jezui,—dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua.»
Duke përfunduar udhëzimet, Jezui shpjegon se ata që i pranojnë dishepujt e tij, pranojnë gjithashtu, edhe atë. «Kushdo që i jep njërit prej këtyre të vegjëlve vetëm një gotë ujë të ftohtë për të pirë sepse është një dishepull, unë ju them në të vërtetë se nuk do ta humbasë në asnjë mënyrë shpërblimin e tij.»—BR. Mateu 10:16-42.
▪ Çfarë paralajmërimesh siguron Jezui për dishepujt e tij?
▪ Çfarë inkurajimi dhe ngushëllimi u jep ai atyre?
▪ Pse udhëzimet e Jezuit zbatohen, gjithashtu, edhe për të krishterët e ditëve të sotme?
▪ Në cilat mënyra, një dishepull i Jezuit nuk është mbi mësuesin?