Përfundon shërbimi në tempull
Kapitulli 110
Përfundon shërbimi në tempull
JEZUI shfaqet për herë të fundit në tempull. Në fakt, ai përfundon shërbimin e tij publik në tokë, përveç ngjarjeve që lidhen me gjykimin dhe ekzekutimin e tij, të cilat do të ndodhin gjatë tri ditëve pasuese. Tani, ai vazhdon të dënojë ashpër skribët dhe farisenjtë.
Akoma edhe tri herë të tjera, ai thërret: «Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë!» Së pari, ai i shpall ata të mjerë, sepse pastrojnë «anën e jashtme të kupës dhe të pjatës, ndërsa përbrenda janë plot me grabitje dhe teprime». Prandaj, këshillon: «Pastro më parë përbrenda kupën dhe pjatën, që edhe përjashta të jetë e pastër.»
Më pas, ai i shpall të mjerë skribët dhe farisenjtë, për shkak të korruptimit dhe të kalbëzimit të tyre të brendshëm, të cilat përpiqen t’i fshehin nën një shfaqje të jashtme devocioni. «[Ju] u ngjani varreve të zbardhura,—thotë ai,—që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot me eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish.»
Së fundi, hipokrizia e tyre bëhet e dukshme nga gatishmëria për të ndërtuar varre për profetët dhe për t’i zbukuruar ato, me qëllim që të tërheqin vëmendjen mbi veprat e tyre humane. Megjithatë, siç zbulon Jezui, ata ‘janë bijtë e atyre që vranë profetët’. Në fakt, kushdo që guxon të demaskojë hipokrizinë e tyre gjendet në rrezik!
Duke vazhduar, Jezui u drejton atyre fjalët më të ashpra dënuese. «O gjarpërinj, o pjellë nepërkash,—thotë ai,—si do t’i shpëtoni gjykimit të Gehenës?» Gehena është një luginë në Jerusalem që përdoret si vend për grumbullimin e mbeturinave. Prandaj, Jezui po thotë se për shkak të ndjekjes së rrugëve të tyre të liga, skribët dhe farisenjtë do të përjetojnë shkatërrimin e përhershëm.
Në lidhje me ata që dërgon si përfaqësues të tij, Jezui thotë: «Disa prej tyre ju do t’i vritni dhe do t’i varni në shtyllë dhe disa prej tyre do t’i fshikulloni në sinagogat tuaja dhe do t’i persekutoni nga qyteti në qytet; që të mund të bjerë mbi ju i gjithë gjaku i drejtë i derdhur mbi tokë, që nga gjaku i të drejtit Abel, deri te gjaku i Zaharisë, bir i Barakias [i quajtur Jehojada në Librin e dytë të Kronikave], të cilin ju e vratë midis shenjtërores dhe altarit. Në të vërtetë po ju them: Të gjitha këto gjëra do të vijnë mbi këtë brez.»—BR.
Duke qenë se Zaharia i dënoi krerët e Izraelit, «ata komplotuan kundër tij dhe me urdhër të mbretit, e vranë me gurë në oborrin e shtëpisë së Zotit». Por, siç parathotë Jezui, Izraeli do të paguajë për të gjithë gjakun e drejtë që ka derdhur. Ata paguajnë, 37 vjet më vonë, në vitin 70 të e.s. kur ushtritë romake shkatërrojnë Jerusalemin dhe mbi një milion judenj vdesin.
Ndërsa mendon mbi këtë situatë të frikshme, Jezui pikëllohet. «Jeruzalem, Jeruzalem,—deklaron ai edhe një herë,—sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu ashtu siç i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët. Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë.»
Pastaj Jezui shton: «Tash e tutje nuk do të më shihni më derisa të thoni: ‘I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit.’» Ajo ditë do të jetë gjatë pranisë së Krishtit, kur ai të vijë në Mbretërinë e tij qiellore dhe njerëzit do ta shohin me sytë e besimit.
Tani, Jezui shkon në një vend prej nga mund të vëzhgojë arkat e thesarit në tempull dhe turmat që hedhin para në to. Të pasurit hedhin shumë monedha. Por më pas vjen një e ve e varfër dhe hedh vetëm dy monedha të vogla me një vlerë shumë të vogël.
Si i thërret dishepujt pranë, Jezui u thotë: «Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët.» Ata patjetër që pyesin veten se si është e mundur kjo. Prandaj, Jezui shpjegon: «Të gjithë hodhën aty nga teprica e tyre, kurse ajo, me skamjen e vet hodhi gjithë sa kishte për të jetuar.» Pasi thotë këto fjalë, Jezui largohet nga tempulli për herë të fundit.
Të mrekulluar nga madhësia dhe bukuria e tempullit, dishepujt thërrasin: «Mësues, shih ç’gurë e ç’ndërtesa!» Në fakt, me sa dihet, gurët janë mbi 11 metra të gjatë, më shumë se 5 metra të gjerë dhe mbi 3 metra të lartë!
«A po i shikoni këto ndërtesa të mëdha?—përgjigjet Jezui.—Nuk do të mbetet gurë mbi gurë pa u rrënuar.»
Pasi thotë këto gjëra, Jezui dhe apostujt e tij kalojnë luginën e Kidronit dhe ngjiten në Malin e Ullinjve. Prej këtej ata mund të shohin poshtë tempullin madhështor. Mateu 23:25–24:3; Marku 12:41–13:3; Luka 21:1-6; 2. Kronikave 24:20-22.
▪ Çfarë bën Jezui gjatë vizitës së tij të fundit në tempull?
▪ Nga se bëhet e dukshme hipokrizia e skribëve dhe e farisenjve?
▪ Çfarë nënkuptohet me shprehjen ‘gjykimi i Gehenës’?
▪ Përse Jezui thotë se e veja kontribuoi më shumë se të pasurit?