Një mësim mbi përulësinë
Kapitulli 62
Një mësim mbi përulësinë
PAS shërimit të djalit të pushtuar nga një demon në rajonin pranë Cezaresë së Filipit, Jezui dëshiron të kthehet në shtëpi, në Kapernaum. Por ai do që, gjatë udhëtimit, të jetë vetëm për vetëm me dishepujt, në mënyrë që të mund t’i përgatitë akoma për vdekjen e tij dhe për përgjegjësitë që do të marrin pas saj. «Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve,—u shpjegon ai,—dhe ata do ta vrasin; dhe pasi të jetë vrarë ai do të ringjallet ditën e tretë.»
Megjithëse Jezui ka folur edhe më parë për këtë dhe gjithashtu, tre nga apostujt në të vërtetë kanë parë shpërfytyrimin gjatë të cilit u diskutua për ‘largimin’ e tij, ithtarët e tij akoma nuk e kuptojnë këtë gjë. Megjithëse asnjëri prej tyre nuk përpiqet ta mohojë faktin se ai do të vritet, siç bëri Pjetri më parë, ata druajnë ta pyesin më tej mbi këtë argument.
Më në fund ata arrijnë në Kapernaum, i cili ka qenë në njëfarë mënyre qendra e aktivitetit të Jezuit gjatë shërbimit të tij. Gjithashtu, ai është qyteti i Pjetrit dhe i disa apostujve të tjerë. Atje, disa burra që mbledhin taksën e tempullit, i afrohen Pjetrit. Ndoshta, në përpjekje për ta zënë Jezuin në gabim për thyerje të ndonjë zakoni të përhapur, ata e pyesin: «A nuk i paguan mësuesi juaj dy dhrahmitë e taksës [së tempullit]?»—BR.
«Po»,—përgjigjet Pjetri.
Jezui, që mund të ketë arritur në shtëpi pak më vonë, është në dijeni të asaj që ka ndodhur. Kështu, para se Pjetri t’ia parashtrojë çështjen, ai e pyet: «Ç’mendon ti Simon? Prej kujt i marrin haraçet ose taksat mbretërit e dheut? Prej bijve të vet apo prej të huajve?»
«Prej të huajve»,—përgjigjet Pjetri.
«Në të vërtetë, pra, bijtë përjashtohen nga taksa»,—vëren Jezui. (BR) Përderisa ai që adhurohet në tempull është Ati i Jezuit, Mbreti i universit, në të vërtetë nuk është një kërkesë ligjore, që Biri i Perëndisë të paguajë taksën e tempullit. «Por që të mos bëhemi shkak pengese për ta,—thotë Jezui,—shko në det, hidh një grep dhe merr peshkun e parë që do të vijë lart dhe kur t’ia hapësh gojën do të gjesh një monedhë prej një statere [katër dhrahmi]. Merre dhe jepua atyre për mua dhe për ty.»—BR.
Kur dishepujt mblidhen së bashku pas kthimit në Kapernaum, ndoshta në shtëpinë e Pjetrit, ata pyesin: «Kush është, pra, më i madhi në mbretërinë e qiejve?» Jezui e kupton se çfarë i jep shkas kësaj pyetjeje, pasi e di se çfarë ka ndodhur midis tyre, kur qëndruan prapa tij, gjatë kthimit nga Cezarea e Filipit. Prandaj ai i pyet: «Për çfarë po diskutonit ndërmjet jush, rrugës?» Të turpëruar, dishepujt heshtin, sepse kishin diskutuar me njëri-tjetrin, mbi atë se kush ishte më i madhi.
A duket e pabesueshme që dishepujt diskutojnë për një gjë të tillë, pasi kanë qenë të mësuar nga Jezui afërsisht për tre vjet? Mirë pra, kjo tregon ndikimin e fuqishëm të papërsosmërisë njerëzore si dhe të edukimit fetar. Feja judaike në të cilën ishin rritur dishepujt, e theksonte rangun apo pozitën në të gjitha marrëdhëniet njerëzore. Për më tepër, ndoshta Pjetri ndihej më i rëndësishëm, pasi Jezui i kishte premtuar disa ‘çelësa’ të Mbretërisë. Edhe Jakovi dhe Gjoni mund të kenë pasur mendime të ngjashme për faktin se ishin favorizuar, duke qenë dëshmitarë të shpërfytyrimit të Jezuit.
Sido që të jetë, Jezui bën një demonstrim prekës, duke u përpjekur që të korrigjojë qëndrimin e tyre. Ai thërret një fëmijë, e vendos në mes të tyre, i hedh duart në qafë dhe thotë: «Në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve. Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve. Dhe kushdo që e pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon mua.»
Çfarë mënyre e mrekullueshme për të korrigjuar dishepujt e tij! Jezui nuk inatoset me ta, duke i quajtur mendjemëdhenj, lakmitarë apo ambiciozë. Përkundrazi, ai e ilustron mësimin e tij korrigjues, duke përdorur shembullin e fëmijëve të vegjël, të cilët nga natyra janë modestë dhe pa ambicie dhe në përgjithësi nuk mendojnë për pozitë midis tyre. Në këtë mënyrë, Jezui tregon se është e nevojshme që dishepujt e tij të zhvillojnë këto cilësi, që karakterizojnë fëmijët e përulur. Siç përfundon Jezui: «Ai që është më i vogli nga ju të gjithë, ai do të jetë i madh.» Mateu 17:22-27; 18:1-5; Marku 9:30-37; Luka 9:43-48.
▪ Gjatë kthimit për në Kapernaum, çfarë mësimi përsërit Jezui dhe si pritet ai?
▪ Përse Jezui nuk është i detyruar ta paguajë taksën e tempullit, por pse e paguan?
▪ Çfarë ka mundësi t’i ketë kontribuar diskutimit të dishepujve dhe si i korrigjon Jezui ata?