Në Betani, në shtëpinë e Simonit
Kapitulli 101
Në Betani, në shtëpinë e Simonit
KUR largohet nga Jerikoja, Jezui drejtohet për në Betani. Udhëtimi zgjat gati gjithë ditën, pasi duhet ngjitur një e përpjetë rreth 19 kilometra, në terren të vështirë. Jerikoja ndodhet afërsisht 250 metra nën nivelin e detit, ndërsa Betania është pothuajse 760 metra mbi nivelin e detit. Siç mund të kujtoni, në Betani jetojnë Lazri dhe motrat e tij. Ky fshat i vogël është afërsisht 3 kilometra larg Jerusalemit dhe gjendet në shpatin lindor të Malit të Ullinjve.
Shumë njerëz kanë arritur tashmë në Jerusalem me rastin e Pashkës. Ata kanë ardhur më herët për pastrimin ceremonial. Ndoshta kanë prekur ndonjë trup të vdekur ose ndonjë gjë tjetër që i ka bërë të papastër. Kështu, ata ndjekin procedurat e përcaktuara për t’u pastruar, me qëllim që ta kremtojnë Pashkën në mënyrë të pranueshme. Ndërsa këta të ardhur të hershëm mblidhen në tempull, shumë pyesin veten nëse do të vijë Jezui apo jo për të kremtuar Pashkën.
Jerusalemi është bërë një vatër polemikash në lidhje me Jezuin. Dihet nga të gjithë, që krerët fetarë duan ta kapin atë për ta vrarë. Në fakt, ata kanë dhënë urdhër që nëse dikush e merr vesh se ku gjendet, duhet të raportojë tek ata. Tri herë gjatë muajve të fundit, në festën e tabernakujve, në festën e dedikimit dhe pas ringjalljes së Lazrit, këta krerë janë përpjekur ta vrasin Jezuin. Prandaj njerëzit thonë me vete: A do të shfaqet Jezui edhe një herë tjetër në publik? «Si ju duket juve?»—pyesin ata njëri-tjetrin.
Ndërkohë, Jezui mbërrin në Betani gjashtë ditë përpara Pashkës, e cila bie më 14 nisan sipas kalendarit jude. Jezui mbërrin në Betani, aty nga mbrëmja e së premtes, domethënë në fillim të 8 nisanit. Ai nuk mund ta bënte udhëtimin për në Betani gjatë ditës së shtunë, sepse udhëtimi ditën e shtunë, domethënë nga perëndimi i diellit i ditës së premte deri në perëndimin e diellit të ditës së shtunë, ndalohet nga ligji jude. Ka mundësi që Jezui shkon në shtëpinë e Lazrit, ashtu siç ka bërë edhe më parë dhe e kalon atje natën e së premtes.
Por, të shtunën në mbrëmje, Jezui dhe ata që e shoqërojnë ftohen për darkë nga një banor tjetër i Betanisë. Ky burrë është Simoni, një ish i lebrosur, i cili ka të ngjarë të jetë shëruar më parë nga Jezui. Marta, që ka një natyrë të palodhur u shërben të ftuarve. Ndërsa Maria, si zakonisht është e vëmendshme ndaj Jezuit, por këtë radhë në një mënyrë që shkakton polemika.
Maria hap një kuti alabastri apo një pagur të vogël, e cila ka gati gjysmë litër vaj të parfumuar, ‘nard i pastër’. Ky vaj është shumë i çmuar. Në fakt, vlera e tij është afërsisht e barabartë me pagën e një viti! Kur Maria e derdh vajin mbi kokën e Jezuit dhe mbi këmbët e tij e ia fshin këmbët me flokët e saj, aroma mbush gjithë shtëpinë.
Dishepujt, të zemëruar, pyesin: «Përse gjithë ky shpenzim i kotë?» Pastaj, Judë Iskarioti thotë: «Pse nuk u shit ky vaj për treqind denarë dhe t’u jepej fitimi të varfërve?» Por, në të vërtetë, Juda nuk shqetësohet për të varfrit, sepse ai prej kohësh vjedh nga kutia e parave që mbajnë dishepujt.
Jezui del në mbrojtje të Marisë. «Lëreni të qetë!—urdhëron ai.—Pse e shqetësoni? Ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje. Sepse të varfrit do t’i keni gjithmonë me ju; dhe, kur të doni, mund t’u bëni mirë; por mua nuk do të më keni gjithmonë. Ajo bëri atë që mundi; vajosi para kohe trupin tim për varrim. Por po ju them në të vërtetë se në të gjithë botën, kudo që do të predikohet ky ungjill, do të tregojnë edhe atë që ajo bëri, në përkujtim të saj.»
Tani, Jezui ndodhet në Betani prej më shumë se 24 orësh dhe gjithandej është përhapur lajmi i pranisë së tij. Prandaj, shumë njerëz vijnë në shtëpinë e Simonit për të parë Jezuin, por vijnë edhe për të parë Lazrin, i cili është, gjithashtu, i pranishëm. Prandaj, krerët e priftërinjve bëjnë plane për të vrarë jo vetëm Jezuin, por edhe Lazrin. Veprojnë kështu, sepse shumë njerëz po besojnë te Jezui, ngaqë shikojnë se personi që ai ngriti nga të vdekurit është gjallë! Vërtet, sa të ligj janë këta krerë fetarë! Gjoni 11:55–12:11; Mateu 26:6-13; Marku 14:3-9; Veprat 1:12.
▪ Çfarë diskutimi ka lindur në tempull në Jerusalem dhe pse?
▪ Përse Jezui duhet të ketë ardhur në Betani të premten dhe jo të shtunën?
▪ Kur Jezui vjen në Betani, me sa duket, ku e kalon të shtunën?
▪ Cili veprim i Marisë shkakton polemika dhe si e mbron Jezui atë?
▪ Nga se duket ligësia e madhe e krerëve të priftërinjve?