Lotët kthehen në ngazëllim të madh
Kapitulli 47
Lotët kthehen në ngazëllim të madh
KUR Jairi sheh se si është shëruar gruaja që kishte një fluks gjaku, pa dyshim, besimi i tij në fuqinë e mrekullueshme të Jezuit, rritet. Pak më parë, gjatë asaj dite, Jairi i ka kërkuar Jezuit që të vijë e të ndihmojë vajzën e tij të dashur 12-vjeçare, e cila dergjet në prag të vdekjes. Por tani, ndodh ajo së cilës Jairi i trembej më shumë. Ndërsa Jezui është akoma duke folur me gruan, mbërrijnë disa burra që, me zë të ulët, i thonë Jairit: «Jot bijë ka vdekur; pse e bezdis akoma mësuesin?»
Çfarë lajmi tronditës! Vetëm mendoni: ky burrë që gëzon një respekt të madh në qytet, tani, që mëson për vdekjen e të bijës, është krejt i pafuqishëm. Por, Jezuit ia kap veshi bisedën. Prandaj, i drejtohet Jairit dhe i thotë duke e inkurajuar: «Mos ki frikë, vetëm ki besim.»
Jezui e shoqëron këtë burrë të dërrmuar nga pikëllimi, për në shtëpinë e tij. Kur mbërrijnë, atje gjejnë një rrëmujë të madhe, si dhe të qara e vajtime. Është grumbulluar një turmë njerëzish, të cilët godasin veten për shkak të dhimbjes. Sapo vë këmbë në shtëpi, Jezui pyet: «Pse bërtitni e qani? Vajza nuk ka vdekur, por fle.»
Me të dëgjuar këtë, njerëzit fillojnë të qeshin me përbuzje ndaj Jezuit, sepse e dinë mirë se vajza, në të vërtetë ka vdekur. Megjithatë, Jezui u thotë se ajo është thjesht duke fjetur. Duke përdorur fuqinë që i ka dhënë Perëndia, ai do të tregojë se njerëzit mund të ngrihen nga vdekja po aq lehtë sa edhe mund të zgjohen nga një gjumë i thellë.
Tani, Jezui i nxjerr jashtë të gjithë njerëzit, përveç Pjetrit, Jakovit, Gjonit dhe prindërve të vajzës së vdekur. Pastaj, bashkë me këta të pestë, shkon aty ku është vajza. Duke e kapur nga dora, Jezui i thotë: «‘Talitha kumi’ që e përkthyer do të thotë: ‘Vajzë, ty po të them, çohu!’» Dhe menjëherë, vajza ngrihet dhe fillon të ecë! Me të parë këtë, prindërit e saj, gati sa s’ikin nga mendja dhe i pushton një ngazëllim i madh.
Pasi i udhëzon që t’i japin fëmijës diçka për të ngrënë, Jezui e urdhëron Jairin dhe gruan e tij, që të mos flasin me njeri për çfarë ka ndodhur. Por, pavarësisht nga ajo që u thotë Jezui, fjala përhapet në të gjithë zonën. Kjo është ringjallja e dytë që kryen Jezui. Mateu 9:18-26; Marku 5:35-43; Luka 8:41-56.
▪ Çfarë lajmi i vjen Jairit dhe si e inkurajon Jezui atë?
▪ Cila është gjendja, kur mbërrijnë në shtëpinë e Jairit?
▪ Përse Jezui thotë se fëmija i vdekur, është thjesht duke fjetur?
▪ Cilët janë ata të pestë, që qëndrojnë me Jezuin dhe bëhen dëshmitarë të ringjalljes?