Jezui dërgon 70 dishepujt
Kapitulli 72
Jezui dërgon 70 dishepujt
ËSHTË vjeshta e vitit 32 të e.s. dhe kanë kaluar plot tre vjet që prej pagëzimit të Jezuit. Ai dhe dishepujt e tij, kanë marrë pjesë pak më parë në festën e tabernakujve në Jerusalem dhe me sa duket janë akoma aty afër. Në fakt, gjatë gjashtë muajve të fundit të shërbimit të tij, Jezui e kalon pjesën më të madhe të kohës ose në Jude, ose në anën tjetër të lumit Jordan, në krahinën e Peresë. Edhe ky territor ka nevojë të predikohet.
Vërtet, pas Pashkës së vitit 30 të e.s., Jezui kaloi afërsisht tetë muaj duke predikuar në Jude. Por, pasi judenjtë atje u përpoqën ta vritnin gjatë Pashkës së vitit 31 të e.s., për një vit e gjysmë ai ka predikuar pothuajse vetëm në Galile. Gjatë kësaj kohe, ai ka formuar një organizatë të madhe predikuesish të stërvitur mirë, gjë që më parë nuk e kishte. Kështu, tani ai fillon një fushatë intensive dhe përfundimtare dëshmie në Jude.
Jezui e fillon këtë fushatë duke zgjedhur 70 dishepuj dhe duke i dërguar dy e nga dy. Në këtë mënyrë, janë gjithsej 35 ekipe predikuesish të Mbretërisë për të punuar territorin. Këta shkojnë përpara në çdo qytet dhe në çdo vend ku ka ndër mend të shkojë Jezui, siç duket i shoqëruar nga apostujt e tij.
Në vend se t’i dërgojë 70 dishepujt nëpër sinagoga, Jezui u thotë atyre që të hyjnë nëpër shtëpi private dhe u shpjegon: «Në cilëndo shtëpi ku të hyni, më përpara thoni: ‘Paqe në këtë shtëpi.’ Dhe nëse është aty një bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të.» Cili do të jetë mesazhi i tyre? «U thoni atyre,—thotë Jezui,—Mbretëria e Perëndisë ju është afruar.» Në lidhje me aktivitetin e 70 dishepujve një vepër raporton: «Ngjashëm mësuesit të tyre, kudo që shkuan, ata predikuan nga shtëpia në shtëpi.»—Matthew Henry’s Commentary.
Udhëzimet që u jep Jezui 70 dishepujve, janë të ngjashme me ato që u dha 12 apostujve, kur i dërgoi në një fushatë predikimi në Galile, afërsisht një vit më parë. Ndërsa i përgatit për t’ua prezantuar lajmin e mirë të zotëve të shtëpisë, ai jo vetëm që i paralajmëron 70 dishepujt për kundërshtimin që do të hasin, por edhe u jep fuqi për të shëruar të sëmurët. Kështu, kur Jezui të mbërrijë pak më vonë, shumë do të jenë të paduruar për të takuar këtë Mësues, i cili ka dishepuj që mund të bëjnë gjëra kaq të mrekullueshme.
Predikimi i 70 dishepujve dhe vepra pasuese e Jezuit vazhdojnë për një kohë relativisht të shkurtër. Shpejt, 35 ekipet e predikuesve të Mbretërisë fillojnë të kthehen te Jezui. «Zot,—thonë ata të ngazëlluar,—edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd.» Një raport kaq i shkëlqyer shërbimi, pa dyshim e emocionon Jezuin, sepse ai përgjigjet: «Unë e shikoja Satanain që po binte nga qielli si një rrufe. Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa.»
Jezui e di se pas lindjes së Mbretërisë së Perëndisë, në kohën e fundit, Satanai dhe demonët e tij do të dëbohen nga qielli. Por tani, dëbimi nga njerëz të thjeshtë i demonëve të padukshëm, shërben si një siguri e mëtejshme për atë ngjarje të ardhshme. Për këtë arsye Jezui flet për rënien e ardhshme të Satanait nga qielli, si për një gjë absolutisht të sigurt. Prandaj, pushteti për të shkelur mbi gjarpërinj dhe akrepa u është dhënë 70 dishepujve në kuptim simbolik. Megjithatë, Jezui thotë: «Mos u gëzoni për faktin se po ju nënshtrohen frymërat, por gëzohuni më shumë se emrat tuaj janë shkruar në qiej.»
Jezui ngazëllohet dhe lëvdon publikisht Atin e tij, sepse i ka përdorur këta shërbëtorë të përulur të tij, në një mënyrë kaq të fuqishme. Duke iu drejtuar dishepujve të tij, ai thotë: «Lum sytë që shohin ato që shihni ju, sepse ju them se shumë profetë dhe mbretër dëshiruan të shohin ato që ju shihni, por nuk i panë, dhe të dëgjojnë ato që ju po dëgjoni, por nuk i dëgjuan.» Luka 10:1-24; Mateu 10:1-42; Zbulesa 12:7-12.
▪ Ku predikoi Jezui gjatë tre vjetëve të parë të shërbimit dhe në cilin territor predikon gjatë gjashtë muajve të tij të fundit?
▪ Ku i dërgon Jezui 70 dishepujt që të kërkojnë njerëzit?
▪ Përse Jezui thotë se e pa Satanain tashmë të rënë nga qielli?
▪ Në çfarë kuptimi, 70 dishepujt mund të shkelin gjarpërinjtë dhe akrepat?