Gjoni më pak, Jezui më shumë
Kapitulli 18
Gjoni më pak, Jezui më shumë
PAS Pashkës së mbajtur në pranverë të vitit 30 të e.s., Jezui dhe dishepujt e tij largohen nga Jerusalemi. Megjithatë, ata nuk kthehen në shtëpitë e tyre në Galile, por shkojnë në Jude ku fillojnë të pagëzojnë. Gjon Pagëzuesi po bën të njëjtën vepër tashmë prej një viti dhe ka akoma dishepuj me vete.
Faktikisht, Jezui nuk pagëzon personalisht, por këtë gjë e bëjnë dishepujt nën drejtimin e tij. Pagëzimi që bëjnë ata ka të njëjtën domethënie me atë të Gjonit, duke qenë simbol i pendimit të judenjve për mëkatet e kryera kundër besëlidhjes së Ligjit të Perëndisë. Megjithatë, pas ringjalljes, Jezui i udhëzon dishepujt të bëjnë një pagëzim që ka një domethënie tjetër. Sot, pagëzimi i krishterë është simbol i dedikimit për t’i shërbyer Perëndisë Jehova.
Megjithatë, në këtë fazë të hershme të shërbimit të Jezuit, si ai, ashtu edhe Gjoni, edhe pse punojnë veç nga njëri-tjetri, mësojnë dhe pagëzojnë të penduarit. Por dishepujt e Gjonit bëhen xhelozë dhe i ankohen atij për Jezuin: «Mësues, . . . ja, ai pagëzon dhe të gjithë shkojnë tek ai.»
Në vend se të jetë xheloz, Gjoni gëzohet për suksesin e Jezuit dhe dëshiron që edhe dishepujt e tij të jenë të gëzuar. Ai u kujton atyre: «Ju vetë më jeni dëshmitarë se thashë, ‘Unë nuk jam Krishti, por jam dërguar përpara tij’.» Pastaj ai bën një ilustrim të bukur: «Ai që e ka nusen është dhëndri, por miku i dhëndrit, që është i pranishëm dhe e dëgjon, gëzohet shumë për zërin e dhëndrit; prandaj ky gëzimi im është plotësuar.»
Si miku i Dhëndrit, Gjoni, u gëzua afërsisht gjashtë muaj më parë, kur ia prezantoi dishepujt e tij Jezuit. Disa prej tyre u bënë anëtarë të ardhshëm të klasës së nuses qiellore të Krishtit që do të përbëhet nga të krishterë të mirosur me frymë. Gjoni dëshiron që edhe dishepujt që ka tani të ndjekin Jezuin, pasi qëllimi i tij është t’i përgatitë Krishtit rrugën për një shërbim të suksesshëm. Ashtu siç shpjegon Gjon Pagëzuesi: «Atij duhet të vazhdojnë t’i shtohen, por mua duhet të vazhdojnë të më pakësohen.»—BR.
Dishepulli i ri i Jezuit, Gjoni, i cili më parë ka qenë, gjithashtu, dishepull i Gjon Pagëzuesit, shkruan në lidhje me origjinën e Jezuit dhe rolin e tij të rëndësishëm në shpëtimin e njerëzimit, duke thënë: «Ai që vjen nga lart është përmbi të gjithë. . . . Ati e do Birin dhe i ka dhënë në dorë çdo gjë. Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të.»
Jo shumë kohë pasi foli për rënien e aktivitetit të tij, Gjoni arrestohet nga Mbreti Herod. Herodi ka marrë për vete Herodiadën, gruan e vëllait të tij, Filipit dhe, kur Gjoni i bën të njohura publikisht veprimet e tij si të papërshtatshme, ai e fut në burg. Kur dëgjon për arrestimin e Gjonit, Jezui largohet nga Judea bashkë me dishepujt e tij dhe shkon në Galile. Gjoni 3:22–4:3; Veprat 19:4; Mateu 28:19; 2. Korintasve 11:2; Marku 1:14; 6:17-20.
▪ Cila është domethënia e pagëzimeve që bëheshin nën drejtimin e Jezuit para ringjalljes së tij? Po pas ringjalljes së tij?
▪ Si e tregon Gjoni se ankimet e dishepujve të tij janë të pajustifikuara?
▪ Pse është futur Gjoni në burg?