Fëmija i premtuar
Kapitulli 6
Fëmija i premtuar
NË VEND se të kthehen në Nazaret, Jozefi dhe Maria qëndrojnë në Bethlehem dhe kur Jezui mbush tetë ditë e rrethpresin siç urdhëron Ligji që Perëndia i dha Moisiut. Me sa duket është zakon që një fëmije mashkull t’i vihet edhe emri ditën e tetë. Prandaj ata e quajnë fëmijën e tyre Jezu, ashtu siç i kishte udhëzuar më parë engjëlli Gabriel.
Kalon më shumë se një muaj dhe Jezui mbush 40 ditë. Ku e çojnë prindërit e tij tani? Në tempullin e Jerusalemit, i cili është vetëm disa kilometra larg vendit ku po qëndrojnë. Sipas Ligjit që Perëndia i dha Moisiut, prej një nëne kërkohet që 40 ditë pas lindjes së një fëmije mashkull, të paraqesë një ofertë pastrimi në tempull.
Dhe Maria vepron ashtu. Ajo sjell për të ofruar dy zogj të vegjël. Kjo na jep një ide mbi gjendjen ekonomike të Jozefit dhe të Marisë. Sipas Ligjit të Moisiut oferta duhet të jetë një dash i ri, i cili vlen shumë më tepër sesa dy zogj të vegjël. Por nëse kjo do të ishte jashtë mundësive të nënës, do të mjaftonin edhe dy turtuj ose dy pëllumba.
Në tempull, një burrë plak e merr Jezuin në krahë. Plaku quhet Simeon. Perëndia i ka zbuluar se nuk ka për të vdekur pa e parë Krishtin e premtuar të Jehovait apo Mesinë. Kur Simeoni vjen në tempull atë ditë, fryma e shenjtë e drejton për te fëmija që mbajnë Jozefi dhe Maria.
Ndërsa e mban Jezuin në krahë, Simeoni e falënderon Perëndinë duke thënë: «Tani, o Zotëri Sovran, po e lë skllavin tënd të çlirohet në paqe sipas deklaratës tënde, sepse sytë e mi kanë parë mjetin tënd të shpëtimit që ti ke përgatitur përpara të gjithë popujve, një dritë për të hequr velin nga kombet dhe një lavdi e popullit tënd, Izraelit.»—BR.
Jozefi dhe Maria habiten nga këto fjalë. Simeoni i bekon dhe i thotë Marisë se biri i saj «është vënë për ngritjen dhe rënien e shumë vetave në Izrael» dhe se pikëllimi do t’i përshkojë shpirtin si një shpatë e mprehtë.
E pranishme në këtë ndodhi është edhe profetesha 84-vjeçare, Ana. Në fakt, ajo nuk mungon kurrë në tempull. Pikërisht në atë moment ajo afrohet e fillon të falënderojë Perëndinë dhe t’u flasë për Jezuin të gjithë njerëzve që janë të gatshëm për të dëgjuar.
Sa të gëzuar janë Jozefi dhe Maria për të gjitha këto ngjarje në tempull! E gjithë kjo, me siguri, u vërteton atyre se fëmija është i Premtuari i Perëndisë. Luka 2:21-38; Levitiku 12:1-8.
▪ Me sa duket, sipas zakonit, kur u vihej emri meshkujve izraelitë?
▪ Çfarë pritej që të bënte një nënë izraelite, kur djali i saj mbushte 40 ditë dhe si na jep një ide mbi gjendjen ekonomike të Marisë plotësimi i kësaj kërkese?
▪ Cilët ishin ata që e njohën se kush ishte Jezui në këtë rast dhe si e treguan këtë?