Raporti botëror
Raporti botëror
▪ AZIA DHE LINDJA E MESME
Numri i vendeve: 47
Popullsia: 3.896.182.946
Numri i lajmëtarëve: 582.360
Numri i studimeve biblike: 453.069
Kirgizistan: Svetlana, një pioniere ndihmëse, sa herë që shkonte në një shtëpi që i përkiste territorit të saj, nuk gjente njeri. Teksa kalonte andej një ditë, po mendonte që ishte e kotë të trokiste se s’do t’ia hapte njeri derën. Gjithsesi, vendosi ta provonte edhe njëherë dhe, sa u habit e u gëzua njëkohësisht kur i doli një grua e re. Gruaja ishte shumë e kënaqur që po shihte një Dëshmitare të Jehovait, dhe tha se kishte studiuar Biblën, por kishte humbur lidhjet me vëllezërit. Svetlana e pyeti nëse donte t’i merrte rregullisht
revistat. Ajo iu përgjigj se përveç revistave, donte edhe një studim të rregullt biblik. Filluan menjëherë studimin, dhe tani kjo grua e interesuar ndjek mbledhjet e krishtere.Japoni: Dy motra që po predikonin në një territor tregtar, hynë në zyrën e një avokati që njihet se ndihmon njerëzit nevojtarë. Menjëherë një grua i përcolli jashtë duke u thënë se ishte e zënë, por revistat i mori. Kur motrat shkuan ta takonin sërish, e gjetën vetëm. Ende pa e përshëndetur, ajo i pyeti gjithë zemërim: «Pse vriten fëmijët pa mëkat? Pse është katandisur kështu bota? Dua shpjegime të sakta. Nëse i dini përgjigjet, flisni!» Një orë motrat diskutuan çështjen e sovranitetit universal, dhe qëndrimi i gruas gradualisht ndryshoi. Ajo i falënderoi motrat që përdorën Biblën për t’iu përgjigjur pyetjeve për të cilat mendonte se nuk kishin përgjigje. Kur motrat u larguan, gruaja u dha adresën dhe numrin e telefonit e u tha: «Zakonisht ua jap vetëm atyre që i kam shumë të afërt, por ju jeni ndryshe. Dua të flasim përsëri bashkë. Ajo që diskutuam, ishte mjaft e rëndësishme.» Kështu u fillua një studim biblik.
Nepal: Një grua shkonte rregullisht në kishë prej vitesh, por u zhgënjye nga lakmia dhe zënkat që shihte mes anëtarëve të saj. I shoqi u bë pastor, por e hoqën për shkak të një konflikti lidhur me kontributet që hidheshin në kishë. Ai filloi të pinte shumë dhe nuk e mbështeste më familjen. E dëshpëruar, gruaja donte me çdo kusht të gjente të vërtetën dhe lutej çdo ditë për këtë. Për të mbajtur familjen, filloi të punonte në një qendër që grumbullonte letra të hedhura. Një ditë, ndërsa po sistemonte librat, revistat dhe gazetat, gjeti librin Të bashkuar në adhurimin e Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë. E fshehu në rroba dhe e mori në shtëpi. E lexonte librin çdo ditë dhe vazhdonte të lutej. Një ditë,
Bishnuja, një motër pioniere speciale, i trokiti në derë. Gruan e tërhoqi tema për të cilën do t’i fliste Bishnuja, prandaj e ftoi brenda. Pak nga pak, gruaja vuri re disa ngjashmëri mes asaj që po i thoshte Bishnuja dhe librit që po lexonte. Ia tregoi Bishnusë librin dhe u gëzua kur mësoi se libri është një nga botimet tona. Tani ajo po e studion Biblën rregullisht dhe bashkë me fëmijët i ndjek të gjitha mbledhjet.Sri-Lankë: Edhe pse nuk ishte akoma një lajmëtar i papagëzuar, Punçibanda vendosi të predikonte në mënyrë joformale mesazhin për Mbretërinë. Ai i foli një lypësi, i cili i tha se vajza e tij e madhe kishte vuajtur nga një sëmundje dhe kishte vdekur. Kishin shkuar nëpër Asambletë e Kishave të Perëndisë me shpresën se mos ndodhte ndonjë mrekulli dhe vajza të shërohej, por më kot. Punçibanda i shpjegoi se Perëndia nuk bën sot shërime, por kurimi i sëmundjeve do të ndodhë kur të sundojë Mbretëria e Perëndisë. Ai i la lypësit revista që trajtonin këtë pikë. Pastaj e ftoi në Sallën e Mbretërisë. Lypësi u kthye në shtëpi dhe u tregoi familjarëve revistat dhe ftesën që kishte marrë. E shoqja i tha se edhe ajo kishte marrë disa revista dhe e kishin ftuar në Sallën e Mbretërisë. Ai vendosi që në fillim të shkonte vetëm. Atje vëllezërit dhe motrat e mirëpritën shumë ngrohtë. Tani bashkë me të shoqen, djalin dhe dy vajzat, ndjekin mbledhjet dhe gjejnë kënaqësi duke u shoqëruar me popullin e Jehovait.
Liban: Një motër pioniere speciale, me origjinë nga Filipinet, tregon: «Ndërsa predikoja në rrugë, takova një grua filipinase. E vizitova në punë dhe fillova një studim biblik me të. Bënte shumë pyetje; disa herë nuk më linte t’i përgjigjesha pyetjes sepse më bënte një tjetër. Megjithatë, me kalimin e kohës shokët e ngushtë të punës, të cilët ishin anëtarë
aktivë në kishat e tyre, filluan ta kundërshtonin. Mjerisht, ajo nuk e përballoi dot kundërshtimin dhe e ndërpreu studimin e Biblës, ndonëse e inkurajova të mos hiqte dorë. Gjithsesi i thashë vetes: ‘Nëse është një dele, ka për ta rifilluar një ditë studimin.’ Kaloi një vit dhe akoma mendoja për të. Prandaj vendosa t’i shkruaja dhe t’i thosha që isha në merak dhe se do të doja ta takoja përsëri. Ajo më telefonoi dhe unë shkova e takova. Kësaj here, pashë se ishte edhe më e interesuar se atëherë. Gjërat që kishim diskutuar më parë, i kishte ende në zemër, dhe i çmonte shumë. Më tha se kishte shkuar në disa kisha, por asnjëra nuk mësonte të vërtetën. Kështu rifilloi studimin, bëri përparim dhe tani është pagëzuar. I biri 12-vjeçar është lajmëtar i papagëzuar.»Indi: Një motër shkruan: «Ndërsa po predikonim nga shtëpia në shtëpi, na kapi syri një vajzë që sapo na pa, hyri brenda. S’kaloi shumë dhe takuam një burrë që na urdhëroi të largoheshim. Kur po largoheshim, vumë re se vajza po fliste me atë burrë. Më pas, kur po pritnim autobusin, vajza na u afrua me biçikletën e saj dhe na tha: ‘Unë e di se Jehovai është Perëndia i vërtetë. Ju lutem më mësoni Biblën. Hyra në shtëpi për t’ju ftuar brenda, por pronari i shtëpisë nuk më la.’ E pyetëm se nga e dinte që Jehovai ishte Perëndia i vërtetë. Ajo tha se dy vjet më parë, po udhëtonte me autobus dhe nga dritarja kishte parë diçka që i ngjau me një grumbullim të madh të krishterë. Ishte një nga kongreset tona krahinore. Kishte zbritur nga autobusi dhe e kishte ndjekur programin të trija ditët. Gjithë këtë kohë kishte pritur që Dëshmitarët e Jehovait t’i vinin në shtëpi. Duke parë interesin e saj, bashkë me të shkuam në shtëpinë e një motre dhe filluam një studim biblik. Filloi t’i ndiqte rregullisht mbledhjet dhe po bën përparim të mirë frymor.»
▪ AFRIKA
Numri i vendeve: 56
Popullsia: 781.767.134
Numri i lajmëtarëve: 1.015.718
Numri i studimeve biblike: 1.820.540
Ugandë: Lusi është një Dëshmitare që punon në një farmaci të madhe. Atë e thirrën bashkë me disa punëtorë të tjerë që të betoheshin se ishin të pafajshëm, sepse nga një kontroll ishte zbuluar se mungonte një shumë e madhe parash. Kur i erdhi radha Lusit që të vinte dorën mbi Bibël dhe të betohej se ishte e pafajshme, ajo në vend se të bënte kështu, e hapi Biblën te Proverbat 15:3 dhe lexoi me zë të lartë: «Sytë e Jehovait janë në çdo vend, duke vrojtuar të këqijtë dhe të mirët.» Për një moment në dhomë ra një heshtje e thellë. Më pas fajtorja shkoi te përgjegjësi dhe pranoi fajin. Përgjegjësi sugjeroi që në të ardhmen, të gjithë të kujtonin «shkrimin e Lusit». Më pas Lusit iu rrit rroga dhe iu dha përgjegjësia që të mbante çelësat e farmacisë.
Benin: Zhozueja ka duruar shumë tallje në shkollë. Kur përgjigjej gabim në klasë, disa shokë e vinin në lojë duke i thënë: «O prifti i Jehovait, si ka mundësi që ti të gabosh?» Edhe të tjerët bënin komente të tilla përqeshëse, si për shembull: «Harxhon gjithë atë kohë duke bredhur me çantë në kurriz.»
Zhozueja pranon: «Kur dilja në shërbim në fundjavë, kisha frikë se mos takoja ndonjë nga të klasës.» U lut për këtë çështje dhe foli me një plak, i cili e inkurajoi të merrte hapa konkretë për t’u mbrojtur duke dalë më shumë në shërbim dhe duke i ofruar pa frikë literaturë shokëve të klasës. Zhozueja tregon për suksesin që pati në tri fusha. Ai thotë: «Tani shërbej shpesh si pionier ndihmës. Dy shokë të klasës që më tallnin, tani studiojnë Biblën me mua. Gjithashtu, i kam përmirësuar mjaft notat.»
Etiopi: Pak a shumë para dy vjetësh, Asnakeça gjeti një patentë dhe la takim me pronaren e saj, një grua me emrin Elsa, që t’ia dorëzonte. Ajo u mrekullua nga ndershmëria e Asnakeçës dhe donte t’i jepte ca para si shpërblim. Asnakeça nuk i pranoi paratë, por i ofroi Elsës broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Të nesërmen Elsa filloi të studionte Biblën. Ajo tha se emri i Jehovait nuk ishte i panjohur për të, sepse ia kishte treguar i ati, që ishte prift. Pasi e gjithë familja e saj ndoqi një kongres krahinor, edhe i shoqi filloi të studionte. Megjithatë, kur i ati, prifti, mori vesh që ata po studionin, u xhindos dhe i quajti Dëshmitarët e Jehovait njerëz pa vlerë. E vendosur për të vazhduar studimin,
Elsa i tha me respekt të atit se Dëshmitarët nuk ishin aspak ashtu si kishte thënë ai. Shumë i shqetësuar, i ati ia mori broshurën Çfarë kërkon pa dijeninë e saj. E lexoi disa herë dhe u prek. Pastaj, kur i jepte kalimtarëve bekimin e zakonshëm, nuk e bënte këtë në emër të trinitetit. Shpejt ai u shpall «apostat» dhe disa donin ta rrihnin. Prandaj u largua dhe u vendos në Adis-Abeba, ku filloi të studionte Biblën. Tani Elsa është një Dëshmitare e pagëzuar, bashkë me shtatë pjesëtarë të familjes. Edhe i shoqi edhe i biri po bëjnë përparim.Bregu i Fildishtë: Andersoni i la broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? një shitësi që e lexonte rregullisht Biblën. S’kaloi shumë dhe me të u fillua një studim biblik. Burrin e kishte tërhequr në veçanti mësimi me temë: «Jeta familjare që i pëlqen Perëndisë.» Ai shpjegon: «Nuk e dija se çdo partner kishte një rol specifik në martesë. Nëse kthehesha vonë në shtëpi, nuk e lija gruan të më thoshte as gjysmë fjale. I thosha: ‘Unë jam burri i shtëpisë dhe dal kur të dua, kurse ti je gruaja dhe duhet të merresh me shtëpinë.’ Tani, sa mbaroj punën, kthehem menjëherë në shtëpi dhe e ndihmoj gruan me ndonjë punë.»
Kenia: Një djalë shtatëvjeçar, që është në klasë të dytë, dëgjoi për vizitën e mbikëqyrësit qarkor. Një javë para, shkoi te drejtori i shkollës dhe i kërkoi leje që të ndiqte mbledhjen të martën pasdite. Drejtori ia dha lejen. Por të nesërmen, djalin e kthyen në shtëpi duke i thënë që të kthehej bashkë me prindërit dhe me vizitorin. Kështu, mbikëqyrësi qarkor shkoi në shkollën e djalit bashkë me të atin e tij. Drejtori u shtang kur pa se vizitori kishte ardhur vërtet dhe për ta takuar kishte ecur mbi një orë nëpër kodrat e pjerrëta thikë. Ai pranoi literaturë, dhe, që atëherë
ka qenë shumë miqësor dhe i gatshëm për të bashkëpunuar.Malavi: Kur dilte në shërbim, një vëlla shqetësohej shpesh nga një burrë me biçikletë. Sapo e shihte vëllanë duke predikuar, burri ndalonte dhe kërkonte të debatonte. Madje ishte munduar t’i merrte edhe Biblën nga dora. Një ditë, ndërsa vëllai po drejtonte një studim biblik, kalon ai burrë me biçikletë. Duke u përpjekur të rregullonte diçka te biçikleta, i ngec dora te telat e rrotës së përparme dhe i dëmtohen keq gishtat. Dora i dhembte shumë, dhe i vetmi nga të gjithë që e pa dhe që shkoi ta ndihmonte ishte vëllai, i cili ia lidhi dorën dhe e ndihmoi për ta çuar në spital. Më vonë, vëllai e vizitoi në shtëpi. I vënë në siklet për mënyrën si ishte sjellë, burri pranoi se ishte ndikuar nga fjalët e pavërteta që qarkullonin lart e poshtë. Ai tha: «Ju adhuroni të vetmin Perëndi të vërtetë. Kurrë s’e mendoja se do të silleshe kaq mirë me mua, edhe pse jam sjellë aq keq me ty.»
Kamerun: Një motër e re ishte ulur në dhomën e pritjes së spitalit, e cila ishte plot e përplot me njerëz, kur hyri një burrë i vjetër i sëmurë. Ngaqë të gjitha vendet ishin të zëna, ai u detyrua të rrinte në këmbë. Motra kujton: «Më erdhi keq dhe i lirova vendin. Të tjerët në dhomë filluan të çuçuritnin midis tyre sepse, duke i lënë vendin, po i lija edhe radhën për t’u vizituar. Pas pak një zonjë m’u afrua dhe më pyeti se cilës fe i përkitja. Iu përgjigja se isha një Dëshmitare e Jehovait. Më përgëzoi se sipas saj, pak të rinj do të bënin atë që bëra unë. Shfrytëzova rastin për t’i dhënë dëshmi asaj dhe të tjerëve që ishin aty me disa fletushka që kisha me vete. Iu përgjigja shumë pyetjeve. Disa nga ata ndryshuan mendim për Dëshmitarët e Jehovait dhe ishin më të gatshëm për të pranuar një vizitë në shtëpi.»
Togo: Kur po punonin në një territor të izoluar, disa vëllezër takuan një të ri, i cili ishte shumë i kënaqur që i takoi. Ai u tregoi dy blloqe me shënime ku kishte kopjuar me dorë të gjithë librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë dhe një pjesë të librit «Sigurohuni për të gjitha gjërat» (anglisht). Ai i kishte parë këta libra në shtëpinë e një pastori evangjelist, ku kishte jetuar për ca kohë. Pastori kishte dy rafte me libra, një për librat e tij të preferuar dhe një për librat «e parëndësishëm». Te rafti i dytë i kishte gjetur librat tanë ai i ri. Pasi kishte lexuar disa faqe të njërit prej tyre, ishte mahnitur nga mesazhi që përcillej në të. Ngaqë nuk e merrte dot librin dhe nuk dinte ku të gjente një tjetër, e kopjoi. Kur filloi t’u thoshte të tjerëve çfarë kishte lexuar, e ëma dhe pastori e kundërshtuan. Vëllezërit i lanë literaturë dhe po e ndihmojnë të përparojë frymësisht.
Afrika e Jugut: Punëdhënësja i kërkoi Tandit, një Dëshmitareje, të fliste me një shoqen e punës, Belën, sepse kishte probleme martesore. I shoqi i Belës, një polic, kishte abuzuar me të fizikisht dhe emocionalisht, prandaj ajo kishte vendosur të divorcohej. Tandi i dha Belës dy libra Sekreti i lumturisë familjare dhe e inkurajoi që t’i jepte një të shoqit. Pas një jave, Tandi foli përsëri me të dhe mori vesh që i shoqi i Belës po e lexonte librin dhe në shtëpinë e tyre kishte paqe. Tre muaj më pas, Bela i tha Tandit se Perëndia i kishte shpëtuar martesën me anë të lutjeve dhe librit Familja. Kur punëdhënësja e Belës dëgjoi për këtë, tha që i gjithë stafi prej 2.000 punëtorësh të merrnin nga një kopje të këtij libri. Deri tani, Tandi ka shpërndarë 96 libra Familja. Firma dha një kontribut për veprën mbarëbotërore të predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait.
▪ KONTINENTET AMERIKANE
Numri i vendeve: 56
Popullsia: 879.073.403
Numri i lajmëtarëve: 3.199.841
Numri i studimeve biblike: 3.022.264
Venezuela: Një familje Dëshmitarësh, kohët e fundit morën një numër të ri telefoni fiks. Për shkak të një gabimi teknik, ata nisën të merrnin telefonata nga njerëz që donin të lidheshin me stacionin televiziv vendës për të folur me një astrologe, e cila ishte në pritje të telefonatave. Familja vendosi ta shfrytëzonte këtë situatë të krijuar. Me ndihmën e librit Të arsyetojmë nga Shkrimet, përgatitën disa informacione dhe vargje nga Bibla që mund t’i përdornin për të ndihmuar telefonuesit. Mamaja, Graciela, u bë eksperte.
Një ditë një telefonuese tha: «Alo! Po flas me perëndeshën e yjeve?—Alo! Më quajnë Graciela, po ju?
—Karmen.
—Karmen, pse do të flasësh me perëndeshën e yjeve? Ke nevojë për ndihmë o për ndonjë këshillë?»
Karmeni vazhdoi t’i tregonte motrës për një problem personal. Me një ton të ngrohtë, Graciela i shpjegoi se ku mund të marrim këshillat më të mira, dhe i lexoi disa vargje nga Bibla. Pastaj e pyeti: «A nuk je dakord edhe ti se duhet t’i drejtohemi Krijuesit tonë nëse kemi nevojë për udhëheqje të besueshme tani dhe në të ardhmen?» Pastaj Karmeni pranoi se dikur kishte studiuar me Dëshmitarët e Jehovait, prandaj u morën masa që ajo të rifillonte studimin. Pas kësaj, familja e Gracielës ka folur edhe me njerëz të tjerë që kërkonin ndihmë. Shpesh ata u kanë dhënë një dëshmi të mirë këtyre njerëzve, duke i nxitur që t’i dëgjojnë Dëshmitarët kur u trokasin në shtëpi dhe duke i inkurajuar të shkojnë në Sallën e Mbretërisë.
Kolumbi: Në mars të vitit 2005, një motre që jeton në Kali, i vodhën makinën. E gjetën disa ditë më vonë. Ajo bashkë me burrin jobesimtar, pritën në makinë që të vinte policia, po ngaqë ata u vonuan, çifti vendosi ta merrte makinën. Por, policia i ndaloi, i arrestoi dhe i futi në burg, sepse makina ishte përdorur për të kryer një krim. Me të vënë këmbën në burg, motra nisi të predikonte, dhe brenda pak kohësh filloi disa studime biblike. Kur njëra nga këto studente u lirua, i kërkoi motrës të vazhdonin studimin sapo ajo të dilte nga burgu. Kjo grua i tha burrit me të cilin bashkëjetonte se donte të martohej që t’i pëlqente Perëndisë.
Edhe pse motra ishte lutur kohët e fundit që të gjente më shumë kohë për të predikuar, kurrë s’e kishte menduar se do ta bënte këtë në burg. Asaj i dhanë një mundësi që të rrinte më pak në burg, por refuzoi, ngaqë e ndiente se kishte mbrojtjen e Jehovait dhe ishte e kënaqur që mund të predikonte. Pasi ndenjën 45 ditë në burg, ajo dhe i shoqi u liruan. Ajo thotë se besimi i është bërë më i fortë. Gjatë asaj kohe, vëllezërit vizituan dhe ndihmuan burrin e saj. Pas 20 vjetësh që thuajse nuk kishte menduar aspak për Perëndinë, filloi të ndiqte mbledhjet dhe shprehu dëshirën për një studim biblik. Tani motra shkon rregullisht në burg për të drejtuar katër studime biblike. Ajo i është mirënjohëse Jehovait që iu përgjigj lutjeve të saj dhe që e kishte bekuar në mënyra nga më të ndryshmet.
Brazil: Para dy vjetësh, ishte e zakonshme ta shihje Renildon, një i verbër, të lypte nëpër pazaret e qytetit të tij dhe në ato fqinje. Ndonëse në fillim e bënte këtë ngaqë pensioni i tij nuk u dilte, me kalimin e kohës fitonte goxha para duke lypur. Bleu një makinë, një shtëpi me orendi shumë të bukura, si edhe plot ushqime që zakonisht njerëzit e thjeshtë në këto zona të varfra nuk i blejnë dot. Studimi biblik me Dëshmitarët e Jehovait bëri që gradualisht ta shikonte mënyrën e jetesës sipas pikëpamjes së Jehovait. Kjo e shtyu të merrte një vendim të guximshëm. Pasi e diskutoi me gruan dhe tre fëmijët se çfarë mund të bënin të gjithë bashkë si familje për të shtuar të ardhurat e pakta që kishin, Renildoja vendosi të mos lypte më. Shpejt, ai dhe familja e tij përparuan frymësisht dhe u pagëzuan në një kongres krahinor. Tani Renildoja nuk njihet më si lypës, por si një lajmëtar i zellshëm i lajmit të mirë, i cili harxhon rreth 40 orë në shërbim çdo muaj.
Ekuador: Një pionier i linte rregullisht revistat në gjuhën kineze pronarit të një restoranti. Atij i kishte ardhur një
shok, që po ashtu kishte një restorant të tijin. Ky shok pa revistat dhe i lexoi. I pëlqyen kaq shumë saqë i shkroi degës së Hong-Kongut dhe i kërkoi revista, një Bibël dhe librin T’i afrohemi Jehovait. Kërkoi edhe një studim biblik. Dega e Hong-Kongut kontaktoi me degën e Ekuadorit, dhe shpejt dy pionierë ishin në derën e të interesuarit me të gjithë literaturën që kishte kërkuar. U kthyen pas katër ditësh. A e kishte lexuar literaturën? Ai tha: «Nisa ta lexoja nga Zanafilla dhe tani jam te libri i Ezekielit, por kam disa pyetje. Pse Jehovai është kaq i mirë me ne njerëzit? Çdo gjë i përket atij, prandaj pse përpiqet kaq shumë për të na ndihmuar? Ç’dobi ka ai?» U fillua një studim biblik dhe ai burrë filloi të ndiqte menjëherë mbledhjet. E la duhanin dhe nuk shkonte më në kazino. Madje mbylli edhe restorantin që të ndiqte mbledhjet. Tani, ky burrë është gati të dalë lajmëtar i papagëzuar dhe po u mëson gjuhën kineze vëllezërve vendës, të cilët duan të ndihmojnë të ardhurit që flasin gjuhën kineze.Honduras: Në Guatemalë, në janar të 2005-s, një motër me emrin Flora, i predikoi në mënyrë joformale një djali 15-vjeçar, Sebastianit, që është kloun në një cirk. Atij i pëlqeu, por nuk kishte kohë të fliste më tej. Një ditë, ra nga maja e tendës së madhe, e vunë në allçi dhe zuri krevatin. Tani kishte kohë sa të donte për të menduar për gjërat që kishin të bënin me Perëndinë. Flora e vizitonte çdo ditë dhe i përgjigjej pyetjeve të tij të shumta. Shpejt, e ëma e tij, Dorisi, që ecte mbi litar, tregoi interes dhe Flora nisi të studionte Biblën edhe me të. Dalila, një gjimnaste që luante mbi trapez, dhe Sofia, një kërcimtare që kishte studiuar në të kaluarën me Dëshmitarët e Jehovait, u bashkuan në studim bashkë me vajzat e tyre. Kështu grupi u bë me shtatë veta. Flora bëri studim me të gjithë bashkë për dy muaj, pesë deri shtatë herë në javë.
Kur erdhi koha që cirku të largohej për në Honduras, Flora i inkurajoi të kërkonin Dëshmitarët në qytetet ku do shkonin, të vazhdonin studimin dhe të ndiqnin mbledhjet. Me të mbërritur në qytetin e Kopanit, grupi e rifilloi studimin me një çift pionierësh specialë që shërbenin në atë zonë. Kur shkuan në qytetin e Grasias, një tjetër pionier special u drejtoi studimin. Kur erdhi koha të shkonin në qytetin e Santa-Rosa de Kopanit, vëllai i telefonoi një çifti misionar që të vazhdonin studimin me këtë grup për tri javët pasuese.
Është një studim i veçantë, pasi bëhen shtatë deri dhjetë veta që ulen nën tendën e madhe të cirkut. Ata studiojnë dy herë në javë dhe përgatiten mirë, madje edhe pjesëtarja më e vogël, Hulieta nëntëvjeçare, që luan në trapez. Kur shkojnë në mbledhje, shpesh u duhet të largohen menjëherë dhe të vrapojnë për t’u ndërruar e për të veshur kostumet që të jenë në kohë për shfaqjen. Por të gjitha këto përpjekje i bëjnë me dëshirë.
▪ OQEANIA
Numri i vendeve: 30
Popullsia: 35.237.787
Numri i lajmëtarëve: 93.961
Numri i studimeve biblike: 47.864
Zelanda e re: Një motër e re, Sesilia, gjatë pushimit të drekës po lexonte një broshurë të bazuar në Bibël, kur iu afrua një shoqe e punës dhe e pyeti për çfarë fliste ajo. Ndërsa Sesilia shpjegonte, 15 të tjerë u mblodhën të dëgjonin, përfshirë dhe shefin, i cili më vonë e ftoi në zyrë. I tha se i kishte bërë përshtypje ajo që kishte dëgjuar. Gjithashtu informoi stafin se dhoma e ngrënies do të kthehej në një sallë ku do të diskutohej për Biblën, dhe ia zgjati pushimin e drekës Sesilias nga 30 në 60 minuta, që ajo të kishte kohë edhe për të ngrënë, edhe për të folur për Biblën. Për katër javë, të pranishmit në këto
diskutime shkonin nga 9 deri në 15 veta. Dy gra tani po studiojnë Biblën rregullisht, po bëjnë goxha përparim dhe u dëshmojnë familjarëve dhe miqve të tyre.Tuvalu: Peteli, emër që në shqip do të thotë «Bethel», është një vajzë 14-vjeçare pothuajse e shurdhër. Ajo ka disa të afërm Dëshmitarë të Jehovait dhe në të kaluarën kishte ndjekur disa mbledhje, por nuk kishte përfituar ndonjë gjë kushedi, ngaqë është e shurdhër dhe nuk lexon dot. Me iniciativën e vet, Peteli mësoi t’i kuptojë të tjerët duke u lexuar buzët. Jo shumë kohë më parë, Deli, një motër misionare, filloi të studionte me të duke përdorur broshurën në gjuhën tuvalu me titull Gëzo jetën në tokë përgjithmonë! Ajo përdorte figurat për t’i shpjeguar Petelit Biblën dhe tekstin për ta ndihmuar që të lexonte. Kjo ishte jashtë mase e vështirë, sepse Deli sapo kishte ardhur si misionare dhe ende po mësonte gjuhën vendëse. Nga ana tjetër, Peteli kishte nevojë për ndihmë që të dinte si ta mbante gjuhën që t’i shqiptonte saktë fjalët. Peteli është treguar entuziaste duke punuar shumë. Vetëm pas tre muajsh, ka filluar të lexojë. Tani ajo dhe motra misionare i përgatitin bashkë komentet për në mbledhje. Peteli i përsërit disa herë më parë dhe pastaj komenton gjithë qejf në mbledhje. Në sallë ulet në rreshtin e parë, se kështu përqendrohet te lëvizja e buzëve të oratorit. Deli shkruan: «Jehovai po bëhet një mik i vërtetë për Petelin, dhe shpesh i mbushen sytë me lot kur flasim për kohën kur ‘do të hapen veshët e të shurdhërve’.»—Isaia 35:5.
Samoa: Elena, një motër pioniere, drejtonte një studim biblik me
një grua metodiste, shtëpia e së cilës ishte përballë me atë të pastorit të vendit. Studimi bëhej në një pjesë të hapur të shtëpisë, që mund të shihej kollaj fare nga pastori. Një ditë, ndërsa po bënin studimin, pastori vajti për vizitë. Gruaja që studionte, e pyeti përse kishte ardhur. Ai iu përgjigj: «Po kërkoj derrkucin tim. Kam gati një muaj që s’e kam parë.» Pastaj kthehet nga Elena dhe e pyet: «A e di ti pse derrkuci im iku nga unë?» Duke menduar se po fliste për një derrkuc prej vërteti, Elena i tha se mund të kishte ikur ngaqë i jepte të hante gjithnjë të njëjtin ushqim. Ajo i sugjeroi ta ushqente me ndonjë gjë tjetër. Për habi të Elenës, pastori e drejtoi gishtin nga gruaja që studionte dhe tha: «Ajo është derrkuci im!» Pastaj shtoi: «Ti ma ke vjedhur. Duhet ta ndërpresësh këtë studim menjëherë, dhe mos e bëj kurrë më.» (Pastorët e kishës kanë shumë autoritet në fshatin e Samoas.) Gruaja filloi të qante. Elena u përpoq ta qetësonte dhe i shpjegoi se Bibla parathotë se këto gjëra do t’u ndodhin atyre që studiojnë Biblën.Elena ndryshoi ditën, orën dhe vendin e studimit. Ajo shpjegon: «Në vend se ta bënim studimin përpara shtëpisë pa mure, rrinim te një dhomë e vogël e futur thellë. Aty bënte nxehtë, por të paktën mund të vazhdonim studimin. Kaluan dy muaj. Pastaj, një ditë, pasi kishim bërë lutjen hapëse, erdhi pastori duke na zënë në befasi. Mendova se erdhi për të na ndërprerë studimin, por ai kishte ndryshuar.»
U ul dhe ndenji gjatë studimit, madje bëri edhe pyetje. Pas studimit, u kthye nga gruaja dhe i tha: «Dua të të them diçka. Mbrëmë ishim në qytet, por, kur po ktheheshim, afër një fshati na u prish makina. Një çift i ri dhe një djalë erdhën të na ndihmonin për ta rregulluar. Makina nuk
nisej, dhe ata ishin të gatshëm të na shoqëronin me makinën e tyre deri në shtëpi dhe makinën e lashë në shtëpinë e tyre. Kur hipa në makinë pashë disa revista Kulla e Rojës dhe botime të tjera. Mendova se mbase ata janë në të njëjtën kishë me këtë grua që të viziton ty.»Gruaja i përgjigjet: «Po, ke të drejtë. Ata janë fëmijët e Elenës.» Ai kërkoi të falur dhe pastaj tha: «Vazhdoni kështu si po bëni. Tani e di se Dëshmitarët e Jehovait janë njerëz shumë të mirë dhe të dashur. Më fal për ato që ju kam thënë. Ky lloj mësimi do t’i ndihmojë anëtarët e kishës sime të ndryshojnë sjellje.» Që nga ajo ditë, në vend se ta bënin studimin në dhomën e vogël të futur thellë prapa, studionin në pjesën e freskët dhe të hapur të shtëpisë, para syve të pastorit, i cili nuk i ka bezdisur më qysh atëherë.
Sajpan: Në këtë ishull, e vërteta për Mbretërinë e Perëndisë preku thellë zemrën e një gruaje, Helenës. Ajo po studionte Biblën me një misionare dhe donte të tregonte çmueshmëri për gjërat që mësonte. Një herë, në fund të studimit, Helena i dha misionares një trastë të vogël stofi dhe i tha: «Nuk kam shumë, por dua ta jap këtë si kontribut për veprën e predikimit.» Brenda trastës së vogël ishte një margaritar i bukur nga ishulli i saj, Ponpei. Helena tha që ta shitnin margaritarin dhe paratë t’i hidhnin kontribute. Margaritari ishte me cilësi të mirë, dhe pronari i një argjendarie e bleu me shumë kënaqësi për 100 dollarë. Paratë ia dhanë Helenës që ajo të vendoste sa donte të kontribuonte, por ajo i shtyu paratë duke thënë: «Hidhi të gjitha në kuti.» Çfarë e motivoi të ishte bujare? Tamam si te shëmbëlltyra që tregoi njëherë Jezui, Helena kishte gjetur një margaritar me vlerë më të madhe, shpresën e Mbretërisë së Perëndisë.—Mat. 13:45, 46.
▪ EVROPË
Numri i vendeve: 46
Popullsia: 731.536.437
Numri i lajmëtarëve: 1.498.142
Numri i studimeve biblike: 717.797
Bjellorusi: Paveli dhe Maja, një çift pionierësh specialë, po ndiqnin shkollën e pionierit. Një mbrëmje vendosën të shëtitnin pak, pa pasur plan të predikonin. Megjithatë, morën me vete broshurën Lajmi i mirë për njerëz të të gjitha kombeve. Kur panë dy të huaj, vendosën t’u jepnin dëshmi. Kuptuan se të dy burrat ishin nga Pakistani dhe flitnin gjuhën urdu. U kujtuan që kishin me vete broshurën dhe ia dhanë ta lexonin. Njëri tregoi interes dhe filloi studim biblik. Po atë javë, shkoi në mbledhjen e kongregacionit.
Shoqërimi me popullin e Jehovait e inkurajoi shumë, dhe i shtyrë nga kjo, ai tha: «Kam tre vjet këtu në Minski dhe kjo është hera e parë që takoj të krishterë të vërtetë.» Ky burrë vazhdon të studiojë Biblën.Britani: Riçardi është një plak kongregacioni. Ai është i verbër dhe ka një qen të stërvitur që e drejton, Ërvinin. Ërvini e kishte problem shërbimin shtëpi më shtëpi, sepse ishte stërvitur veçanërisht për të mbajtur mend çdo vend ku shkonte Riçardi. Kur Riçardi foli për këtë me personat që i dhanë Ërvinin, ata i shpjeguan se ky lloj shërbimi ishte përtej aftësive të tij. Ata i sugjeruan ta merrte në territorin tregtar, ku qeni do të njihte mirë vende të ndryshme, të cilat do t’i vizitonte pastaj rregullisht sipas radhës. Riçardi e kishte pasur gjithnjë të vështirë të predikonte në territor tregtar, por me ndihmën e Ërvinit, shpejt u bë mjeshtër në këtë formë shërbimi.
Hungari: Një mbikëqyrës qarkor shkruan: «Në maj të vitit 2004, takuam një burrë me emrin Çaba, që po merrej me kopshtin. Na tha se ishte pjesëtar i këshillit të një kishe. Pasi bëmë një bisedë të shkurtër, u larguam. Dy ditë më pas, u kthyem me librin Njohuria dhe filluam një studim biblik. Në fund të vizitës, na tregoi se i ishte prishur soba. I thashë se njihja një vëlla që ishte i zoti për këtë punë dhe do t’i jepja numrin e tij të telefonit. Kur vëllezërit u kthyen për të nxitur interesin, Çaba u ktheu librin dhe e ndërpreu studimin. Ndërkohë, vëllai që kisha rekomanduar për të rregulluar sobën, i telefonoi për punën. Iu deshën tri ditë për të rregulluar sobën, dhe gjatë asaj kohe i foli Çabës për orë të tëra për të vërtetën. Çaba rifilloi studimin,
bashkë me të edhe e shoqja. Në maj të 2005-s u bë lajmëtar i papagëzuar. Gjatë vizitës sime tek ai kongregacion, dolëm bashkë në shërbim, dhe kjo ishte hera e parë për të. Përparimin e tij frymor ia detyron mjaft ndihmës dhe qëndrimit miqësor të vëllezërve, si edhe sjelljes së Dëshmitarëve që ndryshonte në krahasim me ata që shkonin në kishën e tij.»Belgjikë: Një vëlla rivizitonte një grua që e kishte shtëpinë në cep të një rruge, dhe gjithnjë bisedonte me të jashtë te dera. Një ditë, pasi largohet nga ajo shtëpi, i afrohet një burrë dhe i thotë: «Shokët e mi thonë se me ju Dëshmitarët e Jehovait nuk ia vlen të shoqërohesh. Por unë ju dola krah dhe u thashë se kjo nuk është e vërtetë. Dua të jem i sinqertë me ty. Shumë herë kur shëtitja me qenin, rrija afër cepit të rrugës dhe dëgjoja bisedat tuaja me atë grua. Ju keni folur shpesh për ringjalljen dhe parajsën. Do të doja të dija më tepër për këtë. Gruan e kam të shtruar në spital, pasi e sulmuan dhe e goditën me thikë 17 herë. Jam i dëshpëruar dhe s’di ç’të bëj.» Me këtë burrë u fillua një studim biblik.
Itali: Një pasdite, një vëlla po kthehej nga puna. Kur ishte afër shtëpisë, dy burra me motor e zunë në befasi. Ai që ishte ulur prapa nxori një armë dhe i bëri me shenjë vëllait të ndalonte, dhe vëllai ashtu bëri. Pastaj, burri i armatosur hapi derën e makinës dhe i tha vëllait të dilte jashtë e të nxirrte të gjitha paratë që kishte me vete. Vëllai iu bind. Pastaj u ul në vendin e shoferit gati për ta nisur makinën. Por te kruskoti pa një Libër vjetor të Dëshmitarëve
të Jehovait, dhe e pyeti vëllanë: «Je gjë Dëshmitar i Jehovait?»Vëllai iu përgjigj: «Po, pse?» Pa i dhënë përgjigje, burri doli nga makina, i kërkoi të falur për atë që ndodhi, dhe i tha vëllait të hipte prapë në makinë. Ndërkohë, tjetri i tha shokut t’ia kthente paratë që i morën.
«Edhe një herë na vjen shumë keq»,—tha burri i armatosur dhe i mbylli derën e makinës vëllait. Ata burra nuk dhanë asnjë arsye pse ndryshuan mendje, por duket qartë se i respektonin Dëshmitarët.
Suedi: Në prill 2003, një lajmëtar takoi një burrë që pranoi librin Njohuria. Ishte rreth të 90-ave. Vite më parë kishte udhëtuar nëpër të gjithë vendin dhe kishte bërë fotografi në shumë kisha. Për këtë arsye, u bë anëtar nderi i një grupi të Kishës Suedeze. Lajmëtari e pyeti burrin nëse kishte parë emrin e Perëndisë në ndonjë nga ato kishat që kishte vizituar, dhe i tregoi një fotografi ku ishte emri i Perëndisë në një nga kishat e Suedisë. Kjo i ngjalli kureshtjen atij. Pranoi një studim biblik që i jepte kënaqësi. Ai tha: «E kam lexuar Biblën që fëmijë, dhe mendoja se dija goxha. Por e kuptoj se nuk kam ditur hiç në krahasim me atë që po mësoj tani.» Shpejt nisi të ndiqte mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. Në qershor të vitit 2005, në moshën 91-vjeçare, pati caktimin e parë në Shkollën e Shërbimit Teokratik, leximin e disa vargjeve nga Bibla. Tani është një lajmëtar i papagëzuar dhe është drejt pagëzimit. Ai kishte dëgjuar për Dëshmitarët e Jehovait në një program televiziv në 2003-shin, ku u fol kundër nesh. Prandaj donte të dinte të vërtetën për ne, dhe tashmë e di cila është ajo.
[Figura në faqen 43]
Svetlana, Kirgizistan
[Figura në faqen 47]
Lusi, Ugandë
[Figura në faqen 52]
Graciela, Venezuelë
[Figura në faqen 55]
Renildoja me familjen, në Brazil
[Figura në faqen 57]
Deli dhe Peteli, Tuvalu
[Figura në faqen 57]
Sesilia, Zelanda e Re
[Figura në faqen 58]
Elena, Samoa
[Figura në faqen 61]
Paveli dhe Maja, Bjellorusi
[Figura në faqen 61]
Riçardi me qenin e tij, Ërvinin, Britani