Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sfida e shumëllojshmërisë fetare

Sfida e shumëllojshmërisë fetare

Sfida e shumëllojshmërisë fetare

Si mësues, ju ndesheni me një sfidë që rrallë paraqitej në shekujt e kaluar: me shumëllojshmërinë fetare.

GJATË mesjetës, qytetarët e të njëjtit vend zakonisht praktikonin të njëjtën fe. Akoma në fund të shekullit të 19-të, Evropa njihte vetëm disa nga fetë më të mëdha: katolicizmin e protestantizmin në perëndim, ortodoksinë e islamizmin në lindje dhe judaizmin. Sot, në Evropë dhe në të gjithë botën shumëllojshmëria fetare është pa dyshim shumë më e zakonshme. Fe të panjohura kanë hedhur rrënjë, qofshin ato të adoptuara nga individë të popullsisë vendase apo të ndërfutura nga emigrantë dhe refugjatë.

Prandaj, sot në vende të tilla, si Australia, Britania, Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara gjejmë shumë myslimanë, budistë dhe hindusë. Në të njëjtën kohë, Dëshmitarët e Jehovait si të krishterë, shërbejnë aktivisht në më shumë se 230 vende. Ata janë bërë feja e dytë më e përhapur në Itali dhe në Spanjë. Në 13 vende, ata numërohen në më shumë se 100.000 anëtarë aktivë.​—Shiko kutinë në faqen 15.

Shumëllojshmëria e praktikave lokale fetare mund të paraqesë sfida për mësuesin. Për shembull, mund të ngrihen disa pyetje të rëndësishme lidhur me disa festa: A duhen detyruar të gjithë nxënësit t’i festojnë, pavarësisht nga feja së cilës i përkasin. Pjesa më e madhe e njerëzve nuk shohin asgjë të keqe në këto festa. Megjithatë, a nuk duhet respektuar edhe pikëpamja e familjeve që i përkasin një pakice? Ka edhe një faktor tjetër që duhet pasur parasysh. Në vendet ku ligji e ndan fenë nga shteti dhe mësimet fetare nuk përfshihen në programet mësimore, a nuk do t’ju dukej e papajtueshme t’i bënit të detyrue-shme këto festa në shkollë?

Ditëlindjet

Mund të lindin keqkuptime edhe me festat që duket se kanë të bëjnë pak ose aspak me fenë. Kështu është edhe me ditëlindjet që festohen në shumë shkolla. Megjithëse Dëshmitarët e Jehovait e respektojnë të drejtën e të tjerëve për t’i festuar ditëlindjet, pa dyshim e dini mirë se ata nuk marrin pjesë në to. Por, ndoshta nuk njihni arsyet për të cilat ata dhe fëmijët e tyre kanë vendosur të mos marrin pjesë në këto festa.

Një enciklopedi me argumente fetare gjerësisht e përhapur në Francë, e quan këtë zakon një rit dhe e radhit atë mes «riteve civile». Megjithëse sot konsiderohen si një zakon i padëmshëm, ditëlindjet në të vërtetë rrjedhin nga paganizmi.​—Le livre des religions.

Një enciklopedi xhepi deklaron: «Bota e lashtë e Egjiptit, Greqisë, Romës dhe Persisë festonte ditëlindjet e perëndive, mbretërve dhe fisnikëve.» (The Encyclopedia Americana [1991]) Autorët e një libri mbi ditëlindjet, Ralf dhe Adelina Linton zbulojnë arsyen themelore lidhur me këtë. Ata shkruajnë: «Mesopotamia dhe Egjipti, djepe të civilizimit, ishin gjithashtu vendet e para ku njerëzit kujtonin dhe nderonin ditëlindjet e tyre. Regjistrimi i ditës së lindjes ishte shumë i rëndësishëm në kohët e lashta, veçanërisht sepse data e lindjes ishte themelore për llogaritjen e horoskopit.» (The Lore of Birthdays) Kjo lidhje e drejtpërdrejtë me astrologjinë i shqetëson shumë ata që shmangin astrologjinë për shkak të asaj që thotë Bibla lidhur me të.​—Isaia 47:13-15.

Prandaj, nuk habitemi kur lexojmë: «Të krishterët e hershëm nuk e festonin ditëlindjen e Tij [Krishtit], sepse e konsideronin festimin e ditëlindjes së çdokujt si një zakon pagan.»​—The World Book Encyclopedia, vëllimi 3, faqe 416.

Duke pasur këtë në mendje, Dëshmitarët e Jehovait zgjedhin që të mos marrin pjesë nëpër ditëlindje. Sigurisht që lindja e një fëmije është një ngjarje e gëzuar dhe e mrekullueshme. Natyrisht që të gjithë prindërit gëzojnë kur fëmija rritet e zhvillohet çdo vit që kalon. Dëshmitarët e Jehovait, gjithashtu, janë shumë të lumtur kur e tregojnë dashurinë e tyre ndaj familjes dhe miqve, duke bërë dhurata dhe duke kaluar momente të gëzuara bashkë. Por duke pasur parasysh origjinën e festimit të ditëlindjeve, ata preferojnë të bëjnë kështu në një kohë tjetër të vitit.​—Luka 15:22-25; Veprat 20:35.

Krishtlindjet

Krishtlindjet festohen në të gjithë botën, madje edhe në shumë vende jo të krishtere. Pasi kjo festë festohet nga pjesa më e madhe e të ashtuquajturit krishterim, mund të duket disi e çuditshme që Dëshmitarët e Jehovait nuk e festojnë atë. Përse jo?

Siç e kanë thënë qartë disa enciklopedistë, ditëlindja e Jezuit u vendos arbitrarisht më 25 dhjetor, që të përkojë me një festë pagane romake. Vëreni deklaratat e mëposhtme të marra nga vepra të ndryshme referimi:

«Data e lindjes së Krishtit nuk dihet. Ungjijtë nuk tregojnë as ditë e as muaj.»​—New Catholic Encyclopedia, vëllimi III, faqe 656.

«Pjesa më e madhe e zakoneve të Krishtlindjes që mbizotërojnë tani në Evropë apo që janë përjetësuar nga kohët e mëparshme, nuk janë zakone të vërteta të krishtere, por zakone pagane që janë thithur dhe toleruar nga kisha. . . . Saturnalet romake ishin një model për pjesën më të madhe të zakoneve të gëzueshme të Krishtlindjeve.»​—Encyclopœdia of Religion and Ethics (Edinburgh, 1910), botuar nga Xhejms Hastings, vëllimi III, faqet 608-609.

«Krishtlindjet janë festuar më 25 dhjetor në të gjitha kishat e krishtere qysh nga shekulli i katërt. Në atë kohë, kjo ishte data e festës pagane të solsticit dimëror e quajtur ‘Lindja (latinisht Natale) e diellit’, meqë dukej se dielli rilindte, kur ditët fillonin përsëri të zgjateshin. Në Romë, kisha adoptoi këtë zakon jashtëzakonisht të njohur . . . duke i dhënë një domethënie të re.»—Encyclopœdia Universalis, 1968, (frëngjisht) vëllimi 19, faqe 1375.

«Zhvillimi i festës së Krishtlindjeve ishte ndikuar nga ndryshimi me festat pagane të Diellit të pamposhtur (Mithra). Nga ana tjetër, 25 dhjetori duke qenë dita e solsticit dimëror, ishte identifikuar me dritën që depërtoi në mënyrë dramatike në botë përmes Krishtit dhe kështu simboli i Diellit të pamposhtur u transferua te Krishti.»​—Brockhaus Enzyklopädie, (gjermanisht) vëllimi 20, faqe 125.

Si kanë reaguar disa, kur kanë mësuar faktet mbi Krishtlindjet? Një enciklopedi vëren: «Në 1644-ën, puritanët anglezë ndaluan çdo gëzim dhe shërbim fetar me anë të një parlamenti, për faktin se ajo [Krishtlindja] ishte një festë pagane dhe urdhëruan që të ruhej si agjërim. Karli II, i rigjallëroi aktivitetet festive, ndërsa skocezët i qëndruan besnikë pikëpamjes së puritanizmit.» (The Encyclopœdia Britannica) Të krishterët e hershëm nuk i festuan Krishtlindjet dhe as Dëshmitarët e Jehovait nuk i festojnë sot e as nuk marrin pjesë në aktivitete që kanë të bëjnë me to.

Megjithatë, Bibla inkurajon që të bëhen dhurata dhe të ftohet fami-lja apo miqtë për të ngrënë diçka së bashku në raste të tjera. Ajo i inkurajon prindërit t’i edukojnë fëmijët të jenë bujarë të sinqertë dhe jo të japin dhurata thjesht kur zakoni e kërkon. (Mateu 6:2, 3) Fëmijët e Dëshmitarëve të Jehovait mësohen të jenë tolerantë dhe të respektueshëm ndaj të tjerëve dhe kjo përfshin pranimin e së drejtës së të tjerëve për të festuar Krishtlindjet. Nga ana e tyre, ata janë shumë mirënjohës kur vendimi i tyre për të mos marrë pjesë në Krishtlindje respektohet.

Festa të tjera

Dëshmitarët e Jehovait mbajnë të njëjtin qëndrim edhe ndaj festave të tjera fetare ose gjysmëfetare gjatë vitit shkollor në vende të ndryshme, si festat e qershorit në Brazil, epifani në Francë, karnavalet në Gjermani, setsubuni në Japoni, dhe dita e shenjtorëve në Shtetet e Bashkuara. Përsa u përket këtyre ose festave të tjera të veçanta që nuk përmenden këtu, prindërit Dëshmitarë dhe fëmijët e tyre me siguri do të ishin të lumtur t’u përgjigjeshin pyetjeve tuaja.

[Diçitura në faqen 17]

«Saturnalet romake ishin një model për pjesën më të madhe të zakoneve të gëzueshme të Krishtlindjeve.»​—Encyclopœdia of Religion and Ethics

[Kutia në faqen 15]

Dëshmitarët e Jehovait​—Një fe mbarëbotërore

Anëtarë

Vende aktivë

Argjentinë 105.650

Brazil 385.099

Britani 129.852

Filipine 118.446

Francë 123.718

Gjermani 167.878

Itali 208.016

Japoni 194.608

Kanada 110.659

Meksikë 404.593

Nigeri 180.813

Poloni 117.958

SH.B.A. 936.264

[Kutia në faqen 18]

Ç’thonë fëmijët

«Edhe pse nuk marr dhurata për ditëlindje, prindërit më bëjnë dhurata në raste të tjera. Më pëlqen kështu, sepse befasohem.»—Gregori, 11 vjeç.

«Për shumicën e fëmijëve, Krishtlindjet janë një kohë për shumë dhurata. Kurse unë marr dhurata dhe bëj udhëtime gjatë gjithë vitit. Kam vizituar me familjen vende të tjera, si Fixhin, Zelandën e Re dhe Brazilin.»​—Kalebi, 10 vjeç.

«Dëfrehem me miqtë e mi dhe herë pas here e befasojmë njëri-tjetrin me dhurata.»​—Nikola, 14 vjeç.

«Shumë në shkollë më pyesin se si mund të rri pa festuar Krishtlindjet dhe festat e tjera. Nuk më mungon dëfrimi. Unë me familjen shpesh i bëjmë gjërat së bashku. Kemi miq të mrekullueshëm me të cilët na pëlqen të shkojmë për pushime. Shkojmë në kamp e bëjmë ski dhe shpesh mblidhemi nëpër shtëpitë tona. Mendoj se po ta dinin të tjerët se sa shumë kënaqemi, do të mbeteshin të habitur!»​—Adriana, 13 vjeç.

«Nuk ndihem asnjëherë i veçuar, për shkak se nuk i festoj Krishtlindjet dhe festat e tjera. Gjatë festave, kur nuk shkojmë në shkollë dhe babai nuk punon, luajmë, shkojmë në kinema dhe shikojmë televizorin. Kalojmë shumë kohë duke i bërë gjërat së bashku si familje.»​—Briani, 10 vjeç.

[Figura në faqen 16]

Dëshmitarët kënaqen duke kaluar çaste të gëzuara së bashku

[Burimi i figurës në faqen 17]

Culver Pictures