Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje që bëjnë shpesh njerëzit e interesuar

Pyetje që bëjnë shpesh njerëzit e interesuar

Pyetje që bëjnë shpesh njerëzit e interesuar

Nëse Perëndia është dashuri, atëherë përse e lejon ligësinë?

PERËNDIA e lejon ligësinë dhe miliona njerëz në tokë e praktikojnë atë me dëshirë. Për shembull, ata shpallin luftëra, hedhin bomba mbi fëmijët, shkatërrojnë tokën dhe shkaktojnë mungesë ushqimesh. Miliona njerëz pinë duhan dhe pastaj sëmuren me kancer në mushkëri, praktikojnë kurvërinë dhe kështu marrin sëmundje të transmetuara me rrugë seksuale, përdorin alkoolin në mënyrë të tepruar dhe pastaj marrin sëmundje në mëlçi, e kështu me radhë. Njerëz të tillë, në të vërtetë, nuk duan që të marrë fund çdo gjë e ligë. Duan vetëm që të eliminohen pasojat e saj. Kur korrin atë që kanë mbjellë, ata qahen, duke thënë: «Përse më ndodhi mua?» Dhe fajësojnë Perëndinë, siç thotë Proverbat 19:3: «Budallallëku i njeriut e bën rrugën e tij të rrëshqitshme dhe zemra e tij pezmatohet kundër Zotit.» E nëse Perëndia do ta ndalonte keqbërjen e tyre, do të protestonin sepse kështu humbin lirinë për ta bërë atë.

Arsyeja kryesore për të cilën Jehovai e lejon ligësinë është që t’i japë një përgjigje sfidës së Satanait. Satana Djalli pohoi se Perëndia nuk mund të kishte njerëz mbi tokë të cilët, nën sprovë, do t’i qëndronin besnikë Atij. (Jobi 1:6-12; 2:1-10) Jehovai e lejon Satanain që të ekzistojë për t’i dhënë një mundësi që të provojë sfidën e tij. (Dalja 9:16) Satanai, ndërsa përpiqet të provojë sfidën e tij, vazhdon të sjellë ende vuajtje për t’i kthyer njerëzit kundër Perëndisë. (Zbulesa 12:12) Sidoqoftë, Jobi e mbajti integritetin. Po ashtu bëri edhe Jezui. Të krishterët e vërtetë po e bëjnë këtë sot.—Jobi 27:5; 31:6; Mateu 4:1-11; 1 Pjetrit 1:6, 7.

Do të më pëlqente të besoja në një parajsë tokësore ku njerëzit jetojnë përgjithmonë, por a nuk është tepër e bukur për të qenë e vërtetë?

Sipas Biblës jo. Duket tepër e bukur për t’u besuar vetëm për faktin sepse njerëzimi e ka njohur të keqen për shumë shekuj. Jehovai e krijoi tokën dhe u tha njerëzve që ta mbushnin atë me burra e gra të drejtë, të cilët do të kujdeseshin për bimësinë dhe jetën shtazore e do ta ruanin bukurinë e saj në vend që ta shkatërronin. (Shiko faqet 12 dhe 17.) Nuk është Parajsa e premtuar që është tepër e bukur për të qenë e vërtetë; përkundrazi është gjendja e trishtuar e tanishme që është tepër e keqe për të vazhduar që të ekzistojë. Parajsa do ta zëvendësojë atë.

Si mund t’u përgjigjem njerëzve që tallen dhe thonë se Bibla është një mit dhe se nuk është shkencore?

Besimi në këto premtime nuk është çështje e një besimi të verbër. «Besimi, pra, vjen pas asaj që është dëgjuar.» Duke studiuar fjalën e Perëndisë, mençuria e saj bëhet e dukshme dhe besimi rritet.​—Romakëve 10:17; Hebrenjve 11:1.

Arkeologjia biblike mbështet në shumë raste saktësinë historike të Biblës. Shkenca e vërtetë është në harmoni me Biblën. Faktet vijuese gjendeshin në Bibël shumë kohë më parë se të zbuloheshin nga studiuesit: radha e fazave të zhvillimit të tokës, që toka është e rrumbullakët, që qëndron në hapësirë në asgjë dhe që zogjtë migrojnë.​—Zanafilla, kapitulli 1; Isaia 40:22; Jobi 26:7; Jeremia 8:7.

Frymëzimi i Biblës duket nga profecitë e përmbushura. Danieli paratha që më përpara ngritjen dhe rënien e fuqive botërore, si edhe kohën kur do të vinte e do të vdiste Mesia. (Danieli, kapitujt 2, Dn 8; Dn 9:24-27) Sot, po përmbushen edhe profeci të tjera, duke i dalluar ditët tona si «ditët e fundit». (2 Timoteut 3:1-5; Mateu, kapitulli 24) Një njohuri e tillë përpara ngjarjes, është jashtë mundësive të njeriut. (Isaia 41:23) Për më shumë prova, shih librat Bibla: Fjala e Perëndisë apo e njeriut? (ang.), dhe A ka një krijues që kujdeset për ju? botuar nga Watchtower Bible and Tract Society.

Si mund të mësoj t’u përgjigjem pyetjeve rreth Biblës?

Duhet të studioni Biblën dhe të meditoni rreth saj, e në të njëjtën kohë të kërkoni që të drejtoheni nga fryma e Perëndisë. (Proverbat 15:28; Luka 11:9-13) «Nëse ndonjërit nga ju i mungon mençuria,—thotë Bibla,—le të vazhdojë t’ia kërkojë Perëndisë, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i poshtëruar; e do t’i jepet.» (Jakovit 1:5) Gjithashtu, ka materiale ndihmëse për studimin e Biblës, që ia vlejnë të konsultohen. Zakonisht nevojitet ndihmë nga të tjerët, ashtu si Filipi studioi me etiopasin. (Veprat 8:26-35) Dëshmitarët e Jehovait drejtojnë studime biblike pa pagesë me njerëz të interesuar në shtëpitë e tyre. Ndihuni të lirë për ta kërkuar këtë shërbim.

Përse shumë njerëz i kundërshtojnë Dëshmitarët e Jehovait dhe më thonë që të mos studioj me ta?

Ndaj predikimit të Krishtit pati kundërshtim, dhe ai tha se edhe ithtarët e tij do të kundërshtoheshin. Kur mësimi i Jezuit u la mbresë disave, kundërshtarët fetarë ua kthyen: «Mos jeni mashtruar edhe ju? Mos ka treguar besim tek ai qoftë edhe një nga krerët a farisenjtë?» (Gjoni 7:46-48; 15:20) Shumë nga ata që ju këshillojnë të mos studioni me Dëshmitarët e Jehovait ose janë të painformuar, ose kanë paragjykime. Studioni me Dëshmitarët dhe shihni vetë nëse do të rritet apo jo kuptueshmëria juaj biblike.​—Mateu 7:17-20.

Përse Dëshmitarët u bëjnë vizita njerëzve që kanë një fe tjetër?

Kur bëjnë këtë ata ndjekin shembullin e Jezuit. Ai shkoi te judenjtë. Judenjtë kishin fenë e tyre, por në shumë aspekte ajo fe ishte larguar nga Fjala e Perëndisë. (Mateu 15:1-9) Të gjitha kombet kanë lloje të ndryshme fesh, qoftë ato që quhen të krishtere, ose jo. Është me një rëndësi jetësore për njerëzit të kenë bindje që përputhen me vetë Fjalën e Perëndisë, dhe përpjekjet e Dëshmitarëve për t’i ndihmuar ata në këtë drejtim përbëjnë një shfaqje të dashurisë për të afërmin.

A besojnë Dëshmitarët se feja e tyre është feja e vetme e drejtë?

Çdo njeri që është serioz për sa i përket fesë së tij duhet të mendojë se ajo është feja e drejtë. Përndryshe, përse duhet ta ndjekë atë? Të krishterët këshillohen: «Sigurohuni për të gjitha gjërat, mbani fort atë që është e shkëlqyer.» (1 Selanikasve 5:21) Një person duhet të sigurohet se bindjet e tij kanë mbështetje nga Shkrimet, pasi ekziston vetëm një besim i vërtetë. Efesianëve 4:5 e pohon këtë, duke përmendur «një Zotëri të vetëm, një besim të vetëm, një pagëzim të vetëm». Jezui nuk ishte dakord me pikëpamjen moderne dhe të rehatshme se ka shumë rrugë, shumë fe, e që të gjitha të çojnë në shpëtim. Në vend të kësaj, ai tha: «E ngushtë është porta dhe e ngushtë rruga që të çon në jetë, dhe pak janë ata që e gjejnë.» Dëshmitarët e Jehovait besojnë se e kanë gjetur atë. Përndryshe, do të kërkonin një fe tjetër.​—Mateu 7:14.

A besojnë se janë të vetmit që do të shpëtojnë?

Jo. Miliona njerëz që kanë jetuar në shekujt e kaluar, dhe që nuk kanë qenë Dëshmitarë të Jehovait, do të rikthehen në një ringjallje e do të kenë mundësinë për të jetuar. Shumë njerëz që jetojnë tani kanë ende mundësi që të marrin një vendim në favor të së vërtetës e të drejtësisë, para se të vijë «shtrëngimi i madh», e të fitojnë shpëtimin. Për më tepër, Jezui tha se nuk duhet të gjykojmë njëri-tjetrin. Ne gjykojmë nga pamja e jashtme; Perëndia shikon zemrën. Ai sheh me saktësi dhe gjykon me mëshirë. Ai e ka besuar gjykimin në duart e Jezuit, jo në tonat.​—Mateu 7:1-5; 24:21; 25:31.

Çfarë kontributesh financiare priten prej atyre që ndjekin mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait?

Për sa u takon kontributeve në para, apostulli Pavël tha: «Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër të vet, jo me pahir ose me detyrim, sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar.» (2 Korintasve 9:7) Në Sallat e Mbretërisë dhe në auditorët e kongreseve të Dëshmitarëve të Jehovait, nuk mblidhen asnjëherë para. Janë vendosur kuti, ku çdonjëri që dëshiron të kontribuojë, mund ta bëjë një gjë të tillë. Asnjëri nuk e di sa japin a nëse japin të tjerët. Disa janë në gjendje për të dhënë më shumë sesa tjerët; disa mund të mos jenë në gjendje të japin gjë. Jezui tregoi qëndrimin e duhur kur komentoi rreth kutisë së thesarit që ishte në tempullin e Jerusalemit dhe atyre që kontribuonin aty: është mundësia e dikujt për të dhënë dhe fryma e dhënies ajo që ka rëndësi, jo sasia e parave që jepet.​—Luka 21:1-4.

Nëse bëhem një Dëshmitar i Jehovait, a do të duhet të predikoj siç bëjnë ata?

Kur dikush mbushet me njohuri për Parajsën e premtuar tokësore nën Mbretërinë e Krishtit, ai dëshiron ta ndajë atë me të tjerët. Ju do të dëshironi po njëlloj. Ky është lajm i mirë!​—Veprat 5:41, 42.

Kjo është një mënyrë e rëndësishme për të treguar që jeni dishepuj të Jezu Krishtit. Në Bibël Jezui është quajtur «dëshmitari i besueshëm dhe i vërtetë». Kur ishte në tokë ai predikoi, duke thënë: «Mbretëria e qiejve është afruar», dhe dërgoi dishepujt e tij për të bërë të njëjtën gjë. (Zbulesa 3:14; Mateu 4:17; 10:7) Më vonë, Jezui i urdhëroi ithtarët e tij: ‘Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, . . . duke i mësuar.’ Ai, gjithashtu, paratha që para se të vijë fundi, «ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet».​—Mateu 24:14; 28:19, 20.

Ka shumë mënyra për ta shpallur këtë lajm të mirë. Bashkëbisedimi me miqtë dhe të njohurit shpesh hap rrugën për ta bërë këtë gjë. Disa e bëjnë duke shkruar letra ose duke përdorur telefonin. Të tjerë dërgojnë me postë literaturë që mendojnë se do t’i interesojë veçanërisht një të njohuri. Të shtyrë nga dëshira për të mos lënë asnjeri, Dëshmitarët shkojnë shtëpi më shtëpi me mesazhin.

Bibla përmban këtë ftesë të ngrohtë: «Fryma dhe nusja vazhdojnë të thonë: ‘Eja!’ Dhe kushdo që dëgjon, të thotë: ‘Eja!’ E kushdo që ka etje, le të vijë; kushdo që dëshiron të marrë falas ujin e jetës.» (Zbulesa 22:17) Shpallja e lajmit të mirë rreth tokës parajsore dhe bekimeve që do të vijnë prej saj duhet të bëhet vullnetarisht, me një zemër të mbushur me dëshirën për ta ndarë këtë lajm të mirë.

Jemi të sigurt se keni edhe pyetje të tjera rreth Dëshmitarëve të Jehovait dhe bindjeve të tyre. Ndoshta disa çështje janë të një natyre të diskutueshme. Do të dëshironim t’u përgjigjeshim pyetjeve tuaja. Në këtë broshurë hapësira është e kufizuar, prandaj ju ftojmë që të pyetni Dëshmitarët në zonën tuaj. Këtë gjë mund ta bëni ose në mbledhjet e tyre në Sallën e Mbretërisë, ose kur ju vizitojnë në shtëpi. Ose mund t’ua dërgoni pyetjet tuaja Dëshmitarëve të Jehovait, duke përdorur adresën e përshtatshme të renditur më poshtë.