Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lajmi i mirë që duan t’ju japin

Lajmi i mirë që duan t’ju japin

Lajmi i mirë që duan t’ju japin

KUR Jezui ishte në tokë, dishepujt e tij erdhën tek ai dhe e pyetën: «Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?» Ai u përgjigj se do të kishte luftëra ku do të përfshiheshin shumë kombe, zi buke, murtaja, tërmete, një rritje të paligjshmërisë, mësues të rremë fetarë që do të mashtronin shumë veta, një urrejtje dhe persekutim të dishepujve të tij të vërtetë dhe, te shumë njerëz, një ftohje të dashurisë për drejtësi. Kur këto gjëra të fillonin të ndodhnin, do të tregonin që Krishti ishte i pranishëm në mënyrë të padukshme dhe që Mbretëria qiellore ishte afër. Ky do të ishte një lajm​—një lajm i mirë! Për këtë arsye, Jezui i shtoi këto fjalë si pjesë të shenjës: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.»​—Mateu 24:3-14.

Në vetvete, ngjarjet e fundit botërore janë të këqija, por domethënia që ato kanë është një gjë e mirë, pra, që Krishti është i pranishëm. Kushtet e përmendura më lart filluan të bëhen të dukshme në vitin e paralajmëruar gjerësisht 1914. Ai shënoi fundin e kohëve të paganëve dhe fillimin e periudhës kalimtare nga sundimi njerëzor në mbretërimin prej një mijë vjetësh (Mijëvjeçarin) të Krishtit.

Që do të kishte një periudhë tranzicioni tregohet nga Psalmi i 110-të, vargjet 1 dhe 2, si dhe nga Zbulesa 12:7-12. Aty tregohet që Krishti do të ulej në të djathtën e Perëndisë, në qiell, deri në kohën kur të bëhej mbret. Më pas, lufta që do të bëhej në qiell, do të sillte hedhjen e Satanait mbi tokë, duke sjellë mjerim mbi tokën, dhe Krishti do të sundonte në mes të armiqve të tij. Fundi i plotë i ligësisë do të vinte me anë të një ‘shtrëngimi të madh’, i cili do të arrinte kulmin në luftën e Harmagedonit dhe do të pasohej nga paqja e mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit.​—Mateu 24:21, 33, 34; Zbulesa 16:14-16.

«Por dije këtë,—thotë Bibla,—se në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Sepse njerëzit do të jenë të dashuruar pas vetes, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës, që duket se kanë një formë të devocionit hyjnor, por që në jetën e tyre nuk ndikohen prej fuqisë së tij; dhe nga këta largohu.»​—2 Timoteut 3:1-5.

Disa mund të kundërshtojnë duke thënë se këto gjëra kanë ndodhur edhe më parë në historinë njerëzore, por fakti është se ato nuk kanë ndodhur kurrë në këtë masë. Siç thonë historianët dhe komentuesit, në tokë nuk ka pasur kurrë një kohë si ajo e përjetuar nga viti 1914 e tutje. (Shih faqen 7.) Mjerimet kanë qenë më të përhapura se kurrë më parë. Për më tepër, për sa i përket veçorive të tjera të shenjës së Krishtit për ditët e fundit, duhen shqyrtuar këto fakte: Shpallja mbarëbotërore e pranisë së Krishtit dhe e Mbretërisë është bërë në një shkallë të paparë në histori. Persekutimi për shkak të predikimit nuk ka qenë asnjëherë si ai që ka rënë mbi Dëshmitarët e Jehovait. Me qindra prej tyre u ekzekutuan në kampet naziste të përqendrimit. Sot, Dëshmitarët e Jehovait, janë nën ndalim në disa vende, dhe në vende të tjera janë arrestuar, burgosur, torturuar dhe vrarë. E gjithë kjo bën pjesë në shenjën që dha Jezui.

Siç u paratha në Zbulesën 11:18, «kombet u zemëruan» kundër Dëshmitarëve besnikë të Jehovait, dhe kjo tregon se «zemërimi» i Jehovait do të shprehet ndaj tyre. Po ky shkrim thotë se Perëndia do të ‘shkatërrojë ata që shkatërrojnë tokën’. Në historinë e njerëzimit nuk ka pasur kurrë një kohë kur aftësia e tokës për të mbështetur jetën të ketë qenë e kërcënuar. Sidoqoftë, tani gjërat janë ndryshe. Shumë shkencëtarë kanë paralajmëruar se nëse njeriu do të vazhdojë ta ndotë tokën, ajo do të bëhet e pabanueshme. Por Jehovai «e ka formuar që të banohej», dhe ai do ta shpëtojë tokën nga ata që e ndotin, para se të arrijnë ta shkatërrojnë.​—Isaia 45:18.

BEKIME TOKËSORE NËN SUNDIMIN E MBRETËRISË

Mendimi që njerëzit do të jetojnë në tokë si nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë mund të duket i çuditshëm për shumë besimtarë të Biblës, që mendojnë se të gjithë të shpëtuarit shkojnë në qiell. Bibla tregon se vetëm një numër i kufizuar personash shkon në qiell, dhe se ata që do të jetojnë përgjithmonë në tokë do të jenë një shumicë e madhe e përbërë nga një numër i pakufizuar njerëzish. (Psalmi 37:11, 29; Zbulesa 7:9; 14:1-5) Fakti që Mbretëria e Perëndisë nën sundimin e Krishtit do të mbushë tokën dhe do të sundojë mbi të, tregohet nga një profeci e librit biblik të Danielit.

Aty Mbretëria e Krishtit paraqitet si një gur që shkëputet nga sovraniteti i Jehovait, që krahasohet me një mal. Ai godet dhe shkatërron një shëmbëlltyrë që përfaqëson kombet e fuqishme të tokës, dhe «guri që kishte goditur figurën u bë një mal i madh, që mbushi tërë tokën». Profecia vazhdon: «Në kohën e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri dhe do të ekzistojë përjetë.»​—Danieli 2:34, 35, 44.

Për këtë Mbretëri dhe për shpresën që bazohet në Shkrime, lidhur me jetën e përhershme në një tokë të pastruar dhe të bukur, dëshirojnë t’ju flasin Dëshmitarët e Jehovait. Miliona njerëz që jetojnë tani dhe shumë e shumë miliona që janë në varre do të kenë mundësinë për të banuar atje përgjithmonë. Më pas, nën sundimin Mijëvjeçar të Krishtit Jezu, do të përmbushet qëllimi fillestar i Jehovait për të cilin krijoi tokën dhe vendosi çiftin e parë njerëzor në të. Kjo Parajsë tokësore nuk do të jetë kurrë e mërzitshme. Ashtu si Adamit iu caktua një punë në kopshtin e Edenit, edhe njerëzimi do të ketë projekte nxitëse për të zbatuar lidhur me tokën, si edhe me bimët e me botën shtazore që gjenden në të. Ata «do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprën e duarve të tyre».​—Isaia 65:22; Zanafilla 2:15.

Mund të paraqiten shumë shkrime për të treguar kushtet që do të ekzistojnë në kohën kur të marrë përgjigje lutja që na mësoi Jezui: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.» (Mateu 6:10) Megjithatë, tani le të mjaftohemi me këtë: «Dëgjova një zë të fortë nga froni të thoshte: ‘Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzimin dhe ai do të banojë me ta, ndërsa ata do të jenë popujt e tij. Dhe vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.’ Dhe Ai që rri ulur në fron tha: ‘Ja, unë po bëj çdo gjë të re.’ Gjithashtu, ai thotë: ‘Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.’»​—Zbulesa 21:3-5.

[Diçitura në faqen 15]

«Kohë kritike, të vështira për t’u përballuar»,

POR «atëherë do të vijë fundi»

[Figura në faqen 18]

Holandë

[Figura në faqen 18]

Nigeri