Galatasve 4:1-31
4 Tani them se, për sa kohë trashëgimtari është fëmijë, nuk ka asnjë ndryshim nga skllavi, ndonëse është zotëri i gjithçkaje,
2 sepse ai dhe shtëpia e tij janë nën kujdesin e kujdestarëve deri ditën që ka caktuar paraprakisht i ati.
3 Po ashtu edhe ne, kur ishim fëmijë, ishim skllevër të gjërave elementare të botës.+
4 Mirëpo, kur erdhi koha e caktuar, Perëndia dërgoi Birin e vet, i cili lindi nga një grua+ dhe ishte nën ligj,+
5 me qëllim që t’i çlironte ata që ishin nën ligj+ duke i blerë, e kështu ne të birësoheshim.+
6 Meqenëse jeni bij, Perëndia ka dërguar në zemrat tona+ frymën+ e Birit të tij, dhe ajo thërret: «Abba,* o Atë!»+
7 Kështu ju nuk jeni më skllevër, por bij, dhe nëse jeni bij, Perëndia ju ka bërë edhe trashëgimtarë.+
8 Megjithatë, kur nuk e njihnit Perëndinë, ishit skllevër të atyre që nuk janë vërtet perëndi.
9 Mirëpo, tani që keni arritur ta njihni Perëndinë, ose më mirë tani që Perëndia ju ka njohur,* si vallë ktheheni përsëri te gjërat elementare të dobëta+ e të varfra dhe doni të bëheni prapë skllevër të tyre?!+
10 Ju kremtoni pikë për pikë ditë, muaj,+ stinë* dhe vite.
11 Kam frikë se mos jam përpjekur më kot për ju.
12 Ju lutem, vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë isha dikur si ju,+ e prapëseprapë ju nuk më trajtuat keq.
13 Ju e dini se u bë shkak një sëmundje që m’u dha rasti t’ju shpallja lajmin e mirë për herë të parë.
14 Edhe pse sëmundja ime ju krijoi vështirësi, ju nuk më përbuzët e nuk më përçmuat,* por më pritët si një engjëll të Perëndisë, si Krishtin Jezu.
15 Ku shkoi ajo lumturi që kishit? Jam i sigurt se, po të ishte e mundur, do t’i kishit nxjerrë sytë tuaj dhe do të m’i kishit dhënë mua.+
16 E pra, mos jam bërë armiku juaj ngaqë ju them të vërtetën?
17 Disa përpiqen me zell t’ju bëjnë për vete, por jo për ndonjë qëllim të mirë; ata duan t’ju ndajnë nga unë, që të ndiqni me zell ata.
18 Megjithatë është bukur kur dikush përpiqet gjithnjë t’ju bëjë për vete për një qëllim të mirë, e jo vetëm kur unë jam mes jush,
19 o fëmijët e mi të vegjël,+ për të cilët po provoj sërish dhembjet e lindjes derisa Krishti të pasqyrohet* te ju.
20 Do të doja të isha mes jush pikërisht tani dhe t’ju flisja ndryshe, sepse s’di si të veproj me ju.
21 Më thoni, ju që doni të jeni nën ligj, nuk e dëgjoni ç’thotë vetë Ligji?
22 Për shembull, është shkruar se Abrahami pati dy djem, njërin nga shërbëtorja+ dhe tjetrin nga gruaja e lirë.*+
23 Megjithatë, djali i shërbëtores lindi në mënyrë të natyrshme,*+ kurse i gruas së lirë lindi nëpërmjet një premtimi.+
24 Këto gjëra kanë kuptim simbolik, sepse dy gratë përfaqësojnë dy besëlidhje. Një prej tyre u bë në malin Sinai+ dhe solli në jetë fëmijë për skllavëri; kjo është Agara.
25 Tani, Agara përfaqëson Sinain,+ një mal në Arabi, dhe përkon me Jerusalemin e sotëm që është në skllavëri bashkë me fëmijët e vet.
26 Kurse Jerusalemi lart është i lirë dhe është nëna jonë.
27 Faktikisht është shkruar: «Gëzohu, ti grua shterpë që nuk lind! Brohorit me gëzim, ti grua që nuk ke pasur dhembje lindjeje, sepse fëmijët e gruas së braktisur janë më të shumtë se fëmijët e asaj që e ka burrin.»+
28 Ju, vëllezër, jeni fëmijë të premtimit, njëlloj siç ishte Isaku.+
29 Por, ashtu si në atë kohë ai që lindi në mënyrë të natyrshme,* filloi të përndiqte atë që lindi nëpërmjet frymës,*+ po kështu ndodh edhe tani.+
30 Gjithsesi, çfarë thotë Shkrimi? «Dëboje shërbëtoren dhe djalin e saj, sepse djali i kësaj shërbëtoreje nuk do të jetë kurrsesi trashëgimtar bashkë me djalin e gruas së lirë.»+
31 Prandaj, vëllezër, ne nuk jemi fëmijë të shërbëtores, por të gruas së lirë.
Shënimet
^ Një fjalë hebraike ose aramaike që do të thotë «o Atë!»
^ Ose «ju ka pranuar».
^ Domethënë, kohët e caktuara për festa.
^ Ose «nuk më pështytë me neveri».
^ Ose «të marrë formë».
^ Domethënë, një grua që nuk ishte skllave.
^ Fjalë për fjalë «sipas mishit».
^ Fjalë për fjalë «sipas mishit».
^ Ose «frymës së shenjtë».