Ligji i përtërirë 4:1-49
4 Tani, o Izrael, dëgjoji rregullat dhe ligjet që po ju mësoj të zbatoni, me qëllim që të jetoni+ dhe të hyni në vendin që po ju jep Jehovai, Perëndia i paraardhësve tuaj, e ta shtini në dorë.
2 Fjalëve që po ju urdhëroj, as mos u shtoni, as mos u hiqni gjë,+ me qëllim që të zbatoni urdhërimet e Jehovait, Perëndisë tuaj, që po ju urdhëroj sot.
3 Ju e keni parë me sytë tuaj çfarë bëri Jehovai në rastin e Baalit të Peorit. Jehovai, Perëndia juaj, e shfarosi nga gjiri juaj çdo njeri që shkoi pas Baalit të Peorit.+
4 Kurse ju që jeni të lidhur ngushtë me Jehovain, Perëndinë tuaj, jeni që të gjithë gjallë sot.
5 Ja, unë jua kam mësuar rregullat dhe ligjet+ ashtu si më ka urdhëruar Jehovai, Perëndia im, që t’i zbatoni në vendin që do të shtini në dorë.
6 Zbatojini ato me kujdes,+ sepse kështu do t’u tregoni popujve që do të dëgjojnë për gjithë këto rregulla, se keni mençuri+ dhe gjykim të mirë,*+ e ata do të thonë: ‘Ky komb i madh është pa dyshim një popull i mençur dhe me gjykim të mirë.’+
7 Cili komb i madh i ka aq pranë perënditë e veta siç kemi ne Jehovain, Perëndinë tonë, sa herë që e thërrasim për ndihmë?!+
8 Cili komb i madh ka rregulla dhe ligje të drejta, si gjithë ky Ligj që po ju vë përpara sot?!+
9 Veç kini kujdes dhe kushtojini vëmendje vetes, që të mos i harroni gjërat që patë me sytë tuaj e që ato të mos largohen nga zemra juaj për gjithë jetën. Bëjuani të njohura ato bijve dhe nipërve tuaj.+
10 Ditën kur qëndruat para Jehovait, Perëndisë tuaj, në Horeb, Jehovai më tha: ‘Mblidhe popullin që të dëgjojë fjalët e mia,+ që të mësojë të ketë nderim të thellë për mua*+ për sa kohë të jetojë mbi dhé e që të mësojë bijtë e vet.’+
11 Kështu, ju u afruat e qëndruat rrëzë malit që i shkonin flakët deri në qiej.* Kishte errësirë, re dhe terr të zi.+
12 Jehovai filloi t’ju fliste nga zjarri.+ Fjalët i dëgjuat, por nuk patë ndonjë formë+—dëgjuat veçse një zë.+
13 Ai ju shpalli besëlidhjen e tij,+ të cilën ju urdhëroi ta mbanit, domethënë Dhjetë Urdhërimet,*+ që më pas i shkroi në dy pllaka guri.+
14 Në atë kohë Jehovai më urdhëroi që t’ju mësoja rregulla dhe ligje, që t’i zbatoni në vendin ku do të shkoni për ta shtënë në dorë.
15 Meqë nuk patë asnjë formë ditën që Jehovai ju foli në Horeb nga mesi i zjarrit, bëni kujdes
16 që të mos veproni me ligësi duke bërë ndonjë shëmbëlltyrë të gdhendur në formën e ndonjë simboli, shëmbëlltyrën e një mashkulli a të një femre,+
17 shëmbëlltyrën e ndonjë kafshe në tokë, shëmbëlltyrën e ndonjë zogu që fluturon në qiell,+
18 shëmbëlltyrën e ndonjë gjëje që zvarritet në tokë a shëmbëlltyrën e ndonjë peshku në ujërat e tokës.+
19 Dhe, kur të ngrini sytë drejt qiejve e të shihni diellin, hënën dhe yjet—tërë ushtrinë e qiejve—të mos tundoheni, të mos përkuleni e të mos u shërbeni atyre.+ Jehovai, Perëndia juaj, ua ka dhënë këto tërë popujve që gjenden nën qiell.
20 Kurse ju jeni ata që Jehovai i mori dhe i nxori nga furra e shkrirjes së hekurit,* nga Egjipti, që të bëheshit populli i tij, trashëgimia e tij,*+ ashtu siç jeni sot.
21 Për fajin tuaj, Jehovai u zemërua me mua,+ dhe u betua se nuk do ta kaloja Jordanin e nuk do të shkoja në vendin e mirë që Jehovai, Perëndia juaj, po ju jep si trashëgimi,+
22 sepse do të vdes këtu në këtë vend. Unë nuk do ta kaloj Jordanin,+ kurse ju do ta kaloni dhe do ta shtini në dorë atë vend të mirë.
23 Kujdes se mos e harroni besëlidhjen që Jehovai, Perëndia juaj, bëri me ju+ dhe mos bëni asnjë shëmbëlltyrë të gdhendur, as formën e ndonjë gjëje që ju ka ndaluar Jehovai, Perëndia juaj,+
24 sepse Jehovai, Perëndia juaj, është një zjarr që përpin,+ një Perëndi që kërkon t’i përkushtohesh vetëm atij.+
25 Kur të lindni bij e nipër dhe të banoni për një kohë të gjatë në atë vend, nëse veproni keq, nëse bëni ndonjë shëmbëlltyrë të gdhendur,+ ndonjë formë të ndonjë gjëje apo bëni gjëra të liga në sytë e Jehovait, Perëndisë tuaj, dhe e fyeni,+
26 unë marr sot si dëshmitarë kundër jush qiellin dhe tokën, se keni për t’u zhdukur në çast nga vendi matanë Jordanit, ku po shkoni për ta shtënë në dorë. Nuk do ta keni të gjatë atje, sepse do të shfaroseni krejt.+
27 Jehovai do t’ju shpërndajë mes popujve,+ dhe vetëm një grusht njerëzish do të mbijetojë+ mes kombeve ku do t’ju dëbojë Jehovai.
28 Atje do t’ju duhet t’u shërbeni perëndive prej druri e guri, të sajuara nga duart e njeriut,+ perëndive që nuk mund të shohin, të dëgjojnë, të hanë a të nuhatin.
29 Nëse atje do ta kërkoni Jehovain, Perëndinë tuaj, me gjithë zemër e me gjithë shpirt,*+ me siguri keni për ta gjetur.+
30 Kur të jeni në pikë të hallit dhe t’ju kenë ndodhur tërë këto gjëra, atëherë do të ktheheni te Jehovai, Perëndia juaj, dhe do të dëgjoni zërin e tij,+
31 sepse Jehovai, Perëndia juaj, është Perëndi i mëshirshëm.+ Ai nuk do t’ju braktisë, nuk do t’ju shfarosë e nuk do ta harrojë besëlidhjen për të cilën iu betua paraardhësve tuaj.+
32 Pyetni, pra, për kohët e lashta, për kohët para se të jetonit ju, që nga dita kur Perëndia krijoi njeriun në tokë. Kërkoni nga njëri skaj i qiejve në skajin tjetër. A ka ndodhur ndonjëherë një gjë kaq madhështore? A është dëgjuar vallë një gjë e tillë?+
33 A ka pasur ndonjë popull tjetër që të ketë dëgjuar zërin e Perëndisë të flasë nga zjarri, siç e keni dëgjuar ju, dhe të ketë mbetur gjallë?+
34 A ka shkuar ndonjëherë Perëndia të nxjerrë për vete një komb nga mesi i një kombi tjetër? A e ka bërë këtë Jehovai, Perëndia juaj, me ndëshkime,* me shenja, me mrekulli,+ me luftë,+ me dorë të fortë,+ me krah të fuqishëm* e me vepra që të tmerrojnë,+ siç bëri për ju në Egjipt para syve tuaj?
35 Tërë këto ju janë treguar që të dini se Jehovai është Perëndia i vërtetë+ dhe se veç tij nuk ka tjetër.+
36 Ai ju bëri të dëgjonit zërin e tij nga qiejt, që t’ju ndreqte dhe ju bëri të shihnit në tokë zjarrin e tij madhështor, dhe faktikisht ju i dëgjuat fjalët e tij nga zjarri.+
37 Ai vetë ju nxori nga Egjipti me fuqi të madhe, ngaqë i deshi paraardhësit* tuaj dhe ka zgjedhur pasardhësit e tyre+ që të jenë populli i vet.
38 Ai dëboi për ju kombe më të mëdha e më të fuqishme se ju, që t’ju fuste në vendin e tyre e t’jua jepte si trashëgimi, siç po ndodh sot.+
39 Prandaj dijeni mirë dhe nguliteni në zemër se Jehovai është Perëndia i vërtetë lart në qiej dhe poshtë në tokë+—nuk ka asnjë tjetër.+
40 Zbatoni rregullat dhe urdhërimet e tij, që po ju jap sot, që t’ju shkojë mbarë juve dhe bijve tuaj pas jush, që të qëndroni gjatë në vendin që po ju jep Jehovai, Perëndia juaj.»+
41 Në atë kohë, Moisiu ndau veç tri qytete në anën lindore të Jordanit.+
42 Nëse një njeri vret pa dashje dikë, pa e urryer më parë,+ ai duhet të ikë me të shpejtë në një nga këto qytete për të jetuar.+
43 Ato janë: Bezeri+ në shkretëtirën që gjendet në rrafshnaltë* për rubenitët, Ramoti+ në Galad për gaditët dhe Golani+ në Bashan për manasitët.+
44 Tani, ky është Ligji+ që shpalli Moisiu para izraelitëve.
45 Këta janë përkujtuesit, rregullat dhe ligjet që u dha Moisiu izraelitëve, pasi dolën nga Egjipti,+
46 në rajonin e Jordanit, në luginën përballë Beth-Peorit,+ në vendin e Sihonit, mbretit të amoritëve që banonte në Heshbon,+ të cilin Moisiu dhe izraelitët e mundën pasi dolën nga Egjipti.+
47 Ata shtinë në dorë vendin e tij dhe vendin e Ogut,+ mbretit të Bashanit, pra vendin e dy mbretërve të amoritëve në rajonin lindor të Jordanit,
48 nga Aroeri,+ që gjendet buzë luginës së Arnonit,* deri në malin Sion, domethënë në Hermon,+
49 dhe tërë Arabahun në rajonin lindor të Jordanit deri në detin e Arabahut,* rrëzë shpateve të Pisgahut.+
Shënimet
^ Ose «kuptueshmëri».
^ Fjalë për fjalë «të më frikësohet». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «deri në zemër të qiejve».
^ Fjalë për fjalë «Dhjetë Fjalët». Të njohura edhe si Dekalogu.
^ Furra e shkrirjes së hekurit është simbol i shtypjes së ashpër.
^ Ose «zotërimi i tij».
^ Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «të shtrirë».
^ Ose «sprova».
^ Fjalë për fjalë «farën».
^ Ose «pllajë».
^ Ose «vadit të Arnonit». Shih Fjalorthin.
^ Domethënë, Detin e Kripur ose Detin e Vdekur.