Ligji i përtërirë 29:1-29
29 Këto janë fjalët e besëlidhjes që Jehovai urdhëroi Moisiun të bënte me izraelitët në vendin e Moabit, përveç besëlidhjes që kishte bërë me ta në Horeb.+
2 Moisiu thirri tërë Izraelin dhe tha: «Ju i patë të gjitha ato që i bëri Jehovai faraonit, tërë shërbëtorëve dhe mbarë vendit të tij para syve tuaj në Egjipt,+
3 ndëshkimet* e rënda, shenjat dhe mrekullitë e mëdha.+
4 Por deri sot e kësaj dite, Jehovai nuk ju ka dhënë një zemër që të kuptoni, sy që të shihni dhe veshë që të dëgjoni.+
5 Ai thotë: ‘Kur ju priva për 40 vjet në shkretëtirë,+ as rrobat dhe as sandalet që vishnit nuk u vjetruan.+
6 Nuk hëngrët bukë dhe nuk pitë verë a ndonjë pije tjetër alkoolike, që ta dinit se unë jam Jehovai, Perëndia juaj.’
7 Në fund mbërritët në këtë vend dhe Sihoni, mbreti i Heshbonit,+ bashkë me Ogun, mbretin e Bashanit,+ dolën në betejë kundër nesh, por ne i mundëm.+
8 Pas kësaj morëm vendin e tyre dhe ua dhamë si trashëgimi rubenitëve, gaditëve dhe gjysmës së fisit të manasitëve.+
9 Prandaj zbatojini fjalët e kësaj besëlidhjeje e bindjuni, që t’ia dilni mbanë në çdo gjë.+
10 Që të gjithë sot keni zënë vend para Jehovait, Perëndisë tuaj: krerët e fiseve tuaja, pleqtë dhe të parët tuaj, burrat e Izraelit,
11 fëmijët dhe gratë tuaja,+ të ardhurit+ që janë në kampin tuaj, që nga ai që bën dru për ju e deri tek ai që nxjerr ujë për ju.
12 Jeni këtu që të hyni në besëlidhjen e Jehovait, Perëndisë tuaj. Jehovai, Perëndia juaj, po lidh sot me ju këtë besëlidhje me anë të një betimi,+
13 që t’ju bëjë popullin e tij+ e të jetë Perëndia juaj,+ siç ju ka premtuar juve e siç iu betua paraardhësve tuaj, Abrahamit,+ Isakut+ dhe Jakobit.+
14 E pra, këtë besëlidhje e këtë betim unë* nuk po e bëj vetëm me ju,
15 por edhe me ata që qëndrojnë bashkë me ne sot para Jehovait, Perëndisë tonë, dhe me ata që sot nuk janë këtu me ne.
16 (Se ju vetë e dini mirë si jetuam në Egjipt dhe si kaluam mes për mes kombeve të ndryshme gjatë rrugës.+
17 Ju i patë gjërat e tyre të neveritshme, idhujt e tyre të pështirë*+ prej druri e guri, prej argjendi e ari.)
18 Kini kujdes që sot të mos ketë mes jush burrë a grua, familje a fis, që t’i largohet zemra nga Jehovai, Perëndia ynë, dhe të shkojë e t’u shërbejë perëndive të atyre kombeve,+ që mes jush të mos ketë asnjë rrënjë që prodhon helm a pelin.+
19 Por nëse dikush i dëgjon fjalët e këtij betimi dhe i bën qejfin vetes e thotë: ‘Do të jetoj në paqe edhe po të eci me kokëfortësi si të më dojë zemra’, e kështu shkatërron të njomin me të thatin,
20 Jehovai s’do të ketë dëshirë ta falë.+ Përkundrazi, zemërimi i madh i Jehovait do të ndizet kundër atij njeriu, dhe me siguri do ta zënë tërë mallkimet e shkruara në këtë libër,+ e Jehovai do t’ia shuajë emrin nën qiell.
21 Kështu Jehovai do ta veçojë nga tërë fiset e Izraelit dhe do të bëjë që t’i bien të zeza në përputhje me tërë mallkimet e besëlidhjes së shkruar në këtë libër të Ligjit.
22 Kur brezi i ardhshëm i bijve tuaj dhe të huajt nga vende të largëta, të shohin plagët e kësaj toke, të këqijat që do t’i sjellë Jehovai—
23 squfurin, kripën dhe zjarrin, saqë tërë vendi të mos mbillet më e asnjë bimë të mos mbijë e të mos lëshojë sythe, si ndodhi pas shkatërrimit të Sodomës dhe të Gomorrës,+ të Admahut dhe të Sebojimit,+ që Jehovai i shkatërroi nga zemërimi dhe furia e tij—
24 ata dhe të gjitha kombet do të pyesin: ‘Pse e ka katandisur kështu Jehovai këtë vend?+ Pse iu ndez gjithë ky zemërim i zjarrtë?’
25 Atëherë do t’u përgjigjen: ‘Ngaqë braktisën besëlidhjen e Jehovait,+ Perëndisë së paraardhësve të tyre, të cilën ai e lidhi me ta kur i nxori nga Egjipti,+
26 dhe shkuan e u shërbyen perëndive të tjera e u përkulën para tyre, po, para perëndive që nuk i njihnin e që Ai i kishte ndaluar t’i adhuronin.*+
27 Kështu Jehovait iu ndez zemërimi kundër vendit dhe mbi të solli tërë mallkimet e shkruara në këtë libër.+
28 Prandaj, nga zemërimi, tërbimi e indinjata e madhe, Jehovai i shkuli ata me rrënjë nga toka e tyre+ dhe i dëboi në një vend tjetër, aty ku janë sot.’+
29 Jehovai, Perëndia ynë, di të gjitha të fshehtat+ dhe na i bën të njohura neve dhe pasardhësve tanë brez pas brezi, që të përmbushim të gjitha fjalët e këtij Ligji.+
Shënimet
^ Ose «sprovat».
^ Domethënë, Jehovai e bëri besëlidhjen nëpërmjet Moisiut.
^ Kjo fjalë hebraike mund të lidhet me një fjalë që do të thotë «bajgë» dhe përdoret për të shprehur përbuzje.
^ Fjalë për fjalë «nuk ua kishte caktuar».