14 NËNTOR 2024
SHTETET E BASHKUARA
Zjarri përfshin pyjet pranë selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Nju-Jork, SHBA
Më 9 nëntor 2024, flakët e zjarrit përfshinë pyjet rreth 2 kilometra në veriperëndim të Selisë Botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Uoruik, Nju-Jork, SHBA. Ky zjarr që po përhapet ngadalë, ka shkrumbuar tashmë një sipërfaqe prej 2.000 hektarësh. Sipas autoriteteve vendëse, kërcënimi i zjarrit do të vazhdojë derisa në atë zonë të bien shira të bollshme.
Aktualisht, godinat e Bethelit në atë zonë, ku përfshihet Uoruik, kantieri në Ramapo dhe studio e transmetimit pranë Parkut të Tëksidos, nuk janë të rrezikuara nga zjarret. Gjithsesi, vëllezërit tanë po qëndrojnë syçelë dhe po marrin masa praktike për të mbrojtur familjen Bethel dhe godinat. (Proverbat 22:3) Vëlla Luka Saladino, anëtar i Komitetit të Degës së Shteteve të Bashkuara, komenton: «Kur shpërtheu zjarri, në Uoruik caktuam menjëherë vëllezër që të ruanin ecurinë e tij 24 orë në ditë. Skuadrat e Emergjencave u caktuan të hiqnin çdo bimë e gjethe të tharë përqark pronës, të ujitnin bimësinë që mbulon çatitë tona dhe të merrnin masa të tjera parandaluese. Gjithashtu e nxitëm familjen Bethel në Uoruik të kishin gati çantat e emergjencës dhe të ishin të përgatitur për t’u evakuar po të lindë nevoja. Megjithatë jemi të kënaqur që deri tani, kjo nuk ka qenë e nevojshme.»
Zjarrfikësit dhe skuadrat e emergjencës nga zonat përreth po punojnë pa u lodhur për ta mbajtur nën kontroll zjarrin. Për të treguar mirënjohjen tonë, disa departamente në Bethel po bashkëpunojnë për t’u siguruar ushqim, ujë të pijshëm dhe gjërat të tjera të nevojshme atyre që po luftojnë me zjarrin. Vëlla Saladino shton: «I falënderojmë këta burra e gra që po punojnë pa u lodhur për të na mbrojtur ne dhe fqinjët tanë në këtë situatë të rrezikshme.»
Do të vazhdojmë të lutemi që Jehovai t’u japë ‘mençuri praktike dhe aftësi për të menduar mirë’ të gjithë atyre që po përballen me këtë situatë.—Proverbat 3:21.