Kalo te përmbajtja

Vëllezër e motra duke vizituar 3 ekspozitat historike në degën e Kanadasë

9 DHJETOR 2024
KANADA

Hapen 3 ekspozita historike në degën e Kanadasë

Hapen 3 ekspozita historike në degën e Kanadasë

Në vitin 2024, dega e Kanadasë çeli 3 ekspozita historike për vizitorët. Dy nga ekspozitat tregojnë si është përhapur mesazhi i Biblës në Kanada. E treta nxjerr në pah si janë rafinuar Studentët e Biblës në mbarë botën, gjatë sprovave të viteve 1914 deri më 1919.

Ekspozita «Drita e së vërtetës ndriçon tokën kanadeze» i njeh vizitorët me historinë gati 150-vjeçare të Dëshmitarëve të Jehovait në Kanada. Ajo ekspozon objekte historike origjinale që tregojnë për aktivitetin e zellshëm në predikim të burrave e grave të guximshëm, të cilët e përhapën mesazhin e Biblës në një territor të paanë. Ekspozita dëshmon edhe si i kapërcyen barrierat kulturore Dëshmitarët përmes punës së përkthimit, për shembull për popujt indigjenë në Kanada.

Përveç kësaj, ekspozita paraqet edhe shumë histori reale të atyre që qëndruan besnikë përballë pengesave të mëdha, si ndalimet dhe burgosjet. Aty mund të mësoni edhe për fitoret historike ligjore që mbrojtën të drejtën e Dëshmitarëve për të predikuar dhe që garantuan të drejtat themelore civile për të gjithë kanadezët. Pasi pa ekspozitën, një vëlla u shpreh: «Fotografitë dhe përvojat e vëllezërve e të motrave që i hapën rrugën adhurimit të pastër në Kanada, më inkurajuan të imitoj guximin dhe qëndrueshmërinë e tyre në jetën time.»

Një vitrinë me titull «Beteja e Kuebekut» tregon përndjekjen intensive që hasën Dëshmitarët e Jehovait në provincën e Kuebekut gjatë viteve 40 dhe 50

Ekspozita «Fjala e Perëndisë tonë mbetet përgjithmonë—Bibla në Kanada» bën bashkë një koleksion me Bibla që u përkitnin disa prej Studentëve të parë të Biblës, të cilët ndihmuan në përhapjen e lajmit të mirë anekënd Kanadasë. Të trashëguara brez pas brezi, këto Bibla luajtën rol kyç që sa e sa veta të njihnin të vërtetat e Fjalës së Perëndisë në shumë gjuhë.

Aty ekspozohen disa Bibla që kanë rëndësi të veçantë në historinë e Kanadasë, si për shembull Bibla jashtëzakonisht e rrallë e Xhon-Henri Uajtit. Ky ishte përkthimi i parë i Biblës së plotë që është shtypur në Kanada dhe, me sa dihet, ekzistojnë më pak se 10 kopje të këtij botimi. Ekspozita përmban edhe Bibla origjinale që dëshmojnë për përpjekjet e palodhura që janë bërë përgjatë viteve për ta përkthyer mesazhin e Biblës në gjuhë indigjene të tilla, si: inuktitute, masaçusete, mikmake, mohoke, ojibue dhe kri perëndimore.

Pjesë e ekspozitës «Fjala e Perëndisë tonë mbetet përgjithmonë—Bibla në Kanada» paraqet përkthime të Biblës në gjuhët indigjene të Kanadasë, si edhe në gjuhët që flitnin komunitetet e hershme të imigrantëve në Kanada

Në fund, ekspozita speciale me titull «Guxim për të qëndruar të patundur në kohë sprove» përshkruan aktivitetet dhe integritetin e Studentëve të hershëm të Biblës në fund të viteve 1800. Ajo flet edhe për vështirësitë e shumta që hasën ata që nga Lufta I Botërore në vitin 1914, e deri në 1919-n. Në mbyllje, ekspozita tregon si i rafinuan dhe i përtërinë këto përvoja Studentët besnikë të Biblës për punën që shtrihej para tyre.

Ekspozita «Guxim për të qëndruar të patundur në kohë sprove» përmban histori të vëllezërve tanë që u burgosën ngaqë nuk pranuan të kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak gjatë Luftës I Botërore

Vëlla Kevin Knausi, anëtar i Komitetit të Degës në Kanada, tha: «Këto 3 ekspozita nxjerrin në pah trashëgiminë e çmuar të Dëshmitarëve të Jehovait në Kanada. Por, mbi të gjitha, na sigurojnë se ‘fjala e Jehovait mbetet përgjithmonë’ dhe na tregojnë si vazhdon Ai ta vërë në dispozicion lajmin e mirë për njerëz të çdo lloji.»—1 Pjetrit 1:25.