12 DHJETOR 2024
GANË
Program special për 100-vjetorin e lajmit të mirë në Ganë
Më 9 nëntor 2024, më shumë se 500 të pranishëm ndoqën një program special në degën e Ganës për të kujtuar 100-vjetorin e predikimit të lajmit të mirë atje. Programi përfshinte demonstrime, video dhe fjalime që nxirrnin në pah ngjarje të rëndësishme në historinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Ganë.
Më 1924, Klod Brauni, një Student i Biblës nga Inditë Perëndimore, arriti në Bregun e Artë (siç njihet sot Gana) dhe nisi të shpallte mesazhin e Mbretërisë në kryeqytetin e Akrës. Lajmi i mirë u përhap me shpejtësi dhe u formuan grupe për studimin e Biblës anembanë vendit. Tre vjet më vonë u pagëzuan vendasit e parë në Bregun e Artë. Gjatë viteve 30 dhe në fillim të viteve 40, vëllezërit hasën shumë vështirësi dhe u persekutuan për shkak të asnjanësisë së krishterë. Mirëpo ishte e qartë se Jehovai po i bekonte përpjekjet e tyre për të shpallur «lajmin e mirë për diçka më të mirë». (Isaia 52:7) Ishte e mrekullueshme që aty nga fundi i Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945, kishte afërsisht 600 Dëshmitarë të Jehovait në atë vend.
Vëllezërit Xhorxh Bejkër dhe Sidni Uillkinson me disa vëllezër të zonës, në vitin 1948
Më vonë, në qershor të vitit 1947, mbërritën në Bregun e Artë dy misionarët e parë, Xhorxh Bejkër dhe Sidni Uillkinson. Brenda pesë vjetësh numri i lajmëtarëve të Mbretërisë u rrit përafërsisht në 4.500 lajmëtarë. Më 1948, në Bregun e Artë u hap zyra e parë që të mbikëqyrte veprën e predikimit në këtë territor frytdhënës. Në dekadat e mëvonshme, mijëra të tjerë iu përgjigjën pozitivisht mesazhit të Biblës për t’iu bashkuar adhurimit të pastër.
Sot janë afërsisht 160.000 vëllezër dhe motra që predikojnë në Ganë. Gjithashtu, zyra e degës po ndihmon të përkthehen materiale të bazuara në Bibël, në 12 gjuhë që fliten në atë zonë.
Majtas: vëllezër dhe motra duke shijuar programin special për 100-vjetorin e lajmit të mirë në Ganë. Djathtas: anëtarë të familjes Bethel këndojnë disa këngë Mbretërie gjatë programit
Gjatë programit special vëlla Samuel Kuesi, anëtar i Komitetit të Degës në Ganë, mbajti fjalimin kryesor ku përmendi shumë sprova dhe bekime që populli i Jehovait atje kishte hasur gjatë shekullit të kaluar. Duke reflektuar mbi këtë histori të pasur, ai komentoi: «Gjatë 100 viteve të kaluara janë vërtetuar fjalët e Perëndisë që thonë se i pakti do të bëhet një mijë.»—Isaia 60:22.