Si të kesh familje të lumtur?
Mëso nga Fjala e Perëndisë
Si të kesh familje të lumtur?
Ky artikull ngre pyetje që mund të kesh bërë dhe tregon se ku t’i lexosh përgjigjet në Biblën tënde. Dëshmitarët e Jehovait do t’i diskutojnë me kënaqësi këto përgjigje me ty.
1. Pse është jetësore martesa për lumturinë familjare?
Jehovai, Perëndia i lumtur, është nismëtari i martesës. Ajo është jetësore për lumturinë familjare pasi, jo vetëm siguron shoqëri, por edhe një ambient të sigurt për rritjen e fëmijëve. Si e sheh Perëndia martesën? Ai do që ajo të jetë një lidhje e përhershme mes një burri e një gruaje dhe e regjistruar ligjërisht. (Luka 2:1-5) Perëndia do që burrat dhe gratë të jenë besnikë ndaj njëri-tjetrit. (Hebrenjve 13:4) Jehovai i lejon të krishterët të divorcohen e të rimartohen vetëm nëse njëri nga bashkëshortët kryen kurorëshkelje.—Lexo Mateun 19:3-6, 9.
2. Si duhet ta trajtojnë njëri-tjetrin bashkëshortët?
Jehovai i krijoi burrat e gratë që të plotësojnë njëri-tjetrin në martesë. (Zanafilla 2:18) Si kreu i familjes, burri duhet të marrë drejtimin që të sigurojë gjërat materiale dhe të mësojë familjen për Perëndinë. Ai duhet të ketë dashuri vetëmohuese për gruan. Bashkëshortët duhet ta duan e ta respektojnë njëri-tjetrin. Meqë të gjithë bashkëshortët janë të papërsosur, të mësojnë të falin është thelbësore për lumturinë familjare.—Lexo Efesianëve 4:31, 32; 5:22-25, 33; 1 Pjetrit 3:7.
3. A duhet ta braktisësh një martesë të palumtur?
Nëse ti dhe bashkëshorti hasni vështirësi, përpiquni ta trajtoni njëri-tjetrin me dashuri. (1 Korintasve 13:4, 5) Fjala e Perëndisë nuk rekomandon ndarjen si zgjidhje për problemet martesore. Megjithatë, në rrethana ekstreme, mund të lindë nevoja që një i krishterë të vendosë nëse është më e mençur të ndahet.—Lexo 1 Korintasve 7:10-13.
4. Fëmijë, çfarë dëshiron Perëndia për ju?
Jehovai do që të jeni të lumtur. Ai ju jep këshillat më të mira se si të kënaqeni në moshë të re. Do që të nxirrni dobi nga mençuria dhe përvoja e prindërve. (Kolosianëve 3:20) Jehovai çmon çdo gjë që bëni për t’i dhënë lavdi atij.—Lexo Eklisiastiun 11:9–12:1; Mateun 19:13-15; 21:15, 16.
5. Prindër, për çfarë kanë nevojë fëmijët që të jenë të lumtur?
Duhet të punoni fort që t’u siguroni fëmijëve ushqim, strehim dhe veshje. (1 Timoteut 5:8) Por, që fëmijët tuaj të jenë të lumtur, duhet edhe t’i mësoni të duan Perëndinë e të mësojnë prej tij. (Efesianëve 6:4) Shembulli juaj, mënyra si e tregoni dashurinë për Perëndinë, mund të ndikojë thellë në zemrën e fëmijës. Kur bazohen në Fjalën e Perëndisë, udhëzimet tuaja mund të modelojnë për mirë mënyrën e të menduarit të fëmijës.—Lexo Ligjin e përtërirë 6:4-7; Proverbat 22:6.
Fëmijët nxjerrin dobi kur u jepni zemër dhe i lavdëroni. Gjithashtu kanë nevojë për ndreqje e disiplinë. Kjo stërvitje i mbron nga sjellja që mund t’u grabitë lumturinë. (Proverbat 22:15) Prapëseprapë, disiplina nuk duhet të jetë kurrë e ashpër a mizore.—Lexo Kolosianëve 3:21.
Dëshmitarët e Jehovait botojnë disa libra që të ndihmojnë posaçërisht prindërit e fëmijët. Këta libra bazohen në Bibël.—Lexo Psalmin 19:7, 11.
Për më shumë informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitullin 14, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.